2021
Dhënia e Shërbesës ndaj Njerëzve me Sfida të Shëndetit Fizik
Korrik 2021


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Dhënia e Shërbesës ndaj Njerëzve me Sfida të Shëndetit Fizik

Ne mund të jemi duart e Shpëtimtarit për të ngushëlluar dhe ndihmuar.

Pamja
man delivering groceries

Sëmundja, alergjia, paaftësia ose mosha mund të ndikojnë në aftësinë e një anëtari/erje për të adhuruar ose shërbyer. Nëse vëllezërit dhe motrat shërbestare janë të ndjeshme ndaj këtyre nevojave, ka shumë mënyra për t’i ndihmuar anëtarët që kanë sfida fizike, që t’i shijojnë më mirë bekimet e ungjillit.

Pasi një nënë e re u diagnostikua me kancer, ajo u ndje e vetmuar dhe e mbushur me frikë. Por ndërsa lajmi për sëmundjen e saj u përhap në të gjithë lagjen, ajo shpejt u rrethua nga dashuria dhe shqetësimi i bashkëmotrave të saj. Ndërsa filluan trajtimet e saj të vështira, motrat e çonin me makinë në takimet e saj dhe uleshin me të gjatë seancave të gjata të kimioterapisë. Ato u lutën me të, i dhanë kurajë, i sollën ushqime të lehta që mund t’i hante, dhe i sollën familjes së saj vakte ushqimi javë pas jave. Motra të tjera gjetën kohë nga jeta e tyre e zënë që t’i pastronin shtëpinë. Një motër e dinte që trajtime të caktuara do të shkaktonin vështirësi me gjumin, ndaj ajo planifikoi vizita vonë natën për të parë filma komikë. Në vend që të përpëlitej në shtrat, nëna e re ishte në gjendje që ta largonte frikën për pak kohë dhe të ndjente fuqinë shëruese të së qeshurës dhe miqësisë. Nëpërmjet këtyre shërbesave, bekimeve të priftërisë dhe agjërimeve si lagje, ajo mori përkrahje gjatë një kohe tejet të vështirë dhe u zhvilluan lidhje të forta dashurie midis të gjithë atyre që qenë të përfshirë.

T’u japësh shërbesë njerëzve me sfida shëndetësore nuk është përherë e lehtë. Por ne mund të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit që u vjen në ndihmë vëllezërve dhe motrave tona me dashuri kur ndodhin sfida me shëndetin. Ne mund të jemi duart e Tij për të ngushëlluar dhe ndihmuar njerëzit përreth nesh, përfshirë ata sfidat e të cilëve nuk janë lehtësisht të dukshme për sytë tanë fizikë.

Ide për t’u Marrë Parasysh

1. Respektojeni privatësinë e tyre. Disa njerëz ndihen në siklet rreth problemeve shëndetësore saqë mund të mos ju shqetësojnë fare. Gjithmonë pyetini nëse është në rregull që t’u tregoni të tjerëve për situatën e tyre përpara se ta bëni atë.

2. Nxitni kujdesin mjekësor standard. Shmangni rekomandimin e produkteve ose shërbimeve shëndetësore që nuk janë të vërtetuara ose që janë jashtë kujdesit mjekësor standard. Jepni ide dhe tregoni përvoja ndërsa merrni nxitje, por inkurajojini të tjerët të bëjnë kërkime nga ana e tyre dhe të këshillohen me profesionistë të trajnuar të mjekësisë.

Pamja
adult woman helps her mother put on clothing

Ilustrimet me foto nga Getty Images

3. Shërbejuni atyre dhe lutuni për ta. Kur njerëzit përballen me probleme shëndetësore të shpeshta, afatshkurtra ose situata të parashikueshme si lindje ose operacione, [atëherë] shërbimi, përgatitja e vakteve, mirësia dhe lutjet tuaja tregojnë që ju interesoheni për ta. Në një rast urgjence, gatishmëria juaj e menjëhershme për të ndihmuar mund të jetë e paçmueshme.

4. Ndihmoni për t’i fuqizuar ata. Sidomos kur njerëzit përballen me probleme serioze ose për një kohë të gjatë me shëndetin, ata kanë nevojë për më shumë sesa ndihmën apo shërbimin tuaj, sado vendimtare të jenë. Atyre gjithashtu mund t’u nevojitet ndihmë që të mësojnë të bëjnë sa vijon për veten e tyre:

  1. Të përcaktojnë nevojat e tyre. Çfarë dinë deri më tani për gjendjen e tyre? Si ndihen ata për këtë? Cilat janë shqetësimet dhe nevojat e tyre të menjëhershme dhe të ardhshme? Dëgjoni me dhembshuri dhe pa gjykuar për t’i ndihmuar ata të përballen mirëfilli me atë që është reale.

  2. Të kujtojnë pikat e tyre të forta. Pyetini për lloje të tjera vështirësish me të cilat janë përballur dhe se çfarë mësuan nga ato përvoja. Vëruni në dukje cilësitë, vlerat dhe aftësitë pozitive që i keni vënë re se i kanë. Pyetini se cilat vlera personale janë më të rëndësishme për ta që t’i jetojnë në këtë situatë të re. Si mund t’i jetojnë ato vlera?

  3. Të krijojnë një plan. Cilat vendime duhet të merren së shpejti dhe çfarë informacioni shtesë u nevojitet për t’i marrë ato vendime? Çfarë ndihme ose burimesh të menjëhershme u nevojiten dhe çfarë do t’u nevojitet për një kohë afatgjatë? Çfarë alternativash shohin? Cilat janë anët pozitive dhe anët negative të secilës?

  4. Të organizojnë skuadrën e tyre. Kush mund të ndihmojë? Familjarët e afërm kanë përgjegjësinë parësore për të ndihmuar, por rrethi familjar, miqtë, anëtarë të tjerë të lagjes, profesionistë të shëndetit, shërbimet e disponueshme publike, ju dhe shoku apo shoqja juaj shërbestare dhe Fryma e Shenjtë mund të jeni të gjithë pjesë e skuadrës së tyre. Si të jetë e përshtatshme dhe me lejen e tyre, përfshini presidenten e Shoqatës së Ndihmës dhe presidentin e kuorumit të pleqve për t’i ndihmuar ata të zbulojnë se si ju, anëtarët e tjerë dhe burimet e Kishës mund të ndihmojnë realisht.

  5. Të ftojnë Shpirtin. Lutuni me ta dhe për ta, duke e ftuar Zotin t’ua pohojë e drejtojë vendimet dhe t’i ndihmojë ata ta ndiejnë dashurinë e Tij.