2021
Kur Keni Dyshime, Mbajeni Derën Hapur për Besimin
Korrik 2021


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Kur Keni Dyshime, Mbajeni Derën Hapur për Besimin

Megjithëse ndonjëherë mund t’i vëmë në dyshim përvojat tona shpirtërore, siguria jonë mund të vërshojë sërish.

Pamja
woman standing before open door

Qoftë nëse jemi rritur në Kishë ose jemi kthyer në besim më vonë në jetë, shumë prej nesh ndoshta kanë përjetuar çaste kur kanë bërë pyetje ose çaste dyshimi. Ne mund të kemi pasur përvoja të mahnitshme shpirtërore, por tani gjendemi duke pyetur veten: “A ishin ato përvoja shpirtërore të vërteta apo thjesht përfytyrova sikur e ndjeva Shpirtin? Po sikur asnjëra nga këto të mos jetë e vërtetë? Dhe po pyetjet e mia që nuk kanë marrë ende përgjigje? Si mund të qëndroj në Kishë nëse nuk jam më e sigurt a është e vërtetë ajo?”

Sa për mua, u habita që këto pyetje më erdhën pasi kisha shërbyer në mision! E kisha ditur të vërtetën me kaq shumë bindje saqë dëshiroja të shkoja t’ua predikoja të tjerëve për një vit e gjysmë – dhe tani po vija në dyshim gjithçka që kisha ditur dhe kisha dhënë mësim. Çfarë humbje kohe do të kishte qenë nëse asnjëra prej këtyre nuk do të ishte e vërtetë! Pra a ishte e vërtetë, gjithçka që kisha dhënë mësim? Apo thjesht dëshiroja që të ishte e vërtetë? Pasi pashë miq të largoheshin nga Kisha dhe ndërsa po përballesha me luftën time me besimin, vrisja mendjen nëse kisha gënjyer veten.

Gjatë kësaj kohe nuk ndalova së shkuari në Kishë ose së zbatuari urdhërimet ngaqë kisha pyetje të rëndësishme. Përkundrazi, ngaqë kisha pyetje, u përpoqa të ndiqja këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson për ta “rrit[ur] aftësinë [time] shpirtërore për të marrë zbulesë”1.

Unë e dija se “asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare”2. E ndjeva se ishte vendimtare të qëndroja pranë Perëndisë. Në fund të fundit, Ai ishte i vetmi që do të kishte përgjigje për pyetjet e mia.

Historia e Junisës

Një ditë, ndërsa po lexoja Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme], hasa një histori mbresëlënëse rreth një gruaje në Rivendosjen e hershme. Junisa Frenklin dukej se kishte të njëjtat pyetje dhe shqetësime si unë.

Junisa u pagëzua në Nju-Jork nga një misionar që quhej Elajxha Ejbëll. Ajo ishte kthyer vërtet në besim tek ungjilli në kohën kur u pagëzua. Por më pas, pasi Elajxha u largua në Kanada për të predikuar, Junisa filloi ta vinte në dyshim ungjillin dhe atë që dikur e dinte se ishte e vërtetë. Ajo filloi të pyeste veten nëse Jozef Smithi ishte me të vërtetë një profet dhe nëse Libri i Mormonit ishte një shkrim i shenjtë i vërtetë. Ndenji shumë net pa gjumë, duke menduar se mund të ishte mashtruar.

Zoti ia shfaqi në një ëndërr Elajxhas shqetësimin e Junisës dhe ai u kthye menjëherë në Nju‑Jork. Kur ai trokiti në derën e saj, Junisa u shtang – ajo kishte planifikuar t’i thoshte atij se nuk besonte më, kur ta shihte sërish. Por përkundrazi, e la të hynte brenda. Kur Elajxha e ftoi atë në predikimin e tij atë mbrëmje, ajo ngurroi dhe nuk dëshironte të shkonte. Por përfundimisht u dorëzua dhe shkoi ta dëgjonte atë që ai kishte për të thënë.

Në predikimin e tij, Elajxha citoi vargun 1 Pjetër 4:12, në të cilin thuhet “mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar”. Prova e zjarrit që kishte kërkuar ta shkatërronte besimin e Junisës nuk mund t’ia dilte mbanë – ndërsa Junisa e dëgjoi Elajxhan të fliste, dyshimet iu zhdukën. Te vëllimi Saints [Shenjtorët] tregohet në këtë mënyrë: “Siguria që ajo kishte dikur filloi të vërshonte sërish”3.

Siguria Vërshon Sërish

Përvoja e Junisës më ngeli në mendje dhe kam reflektuar për të herë pas here. Ashtu si Junisa, unë mora një mësim nga fjalët e thjeshta dhe të fuqishme të Elajxhas. Neve nuk duhet “[të na] duket çudi” që kemi pyetje rreth besimit tonë. Është shumë normale. Ndërsa e vërteta dikur mund të dukej sikur derdhej nga qielli, do të ketë çaste më vonë në jetë ku ndiejmë një thatësirë shpirtërore. Mund të pyesim veten nëse e kemi ndier ndonjëherë shiun me të vërtetë. Pa përgjigje ose konfirmime që nuk i kemi marrë ende, ne mund të vazhdojmë të lutemi për shi zbulese. Ne mund të kërkojmë një dëshmi për të ditur se çfarë ishte e vërtetë dje është ende e vërtetë sot. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Nëse ishte e drejtë kur u lutët për të dhe e mirëbesuat atë dhe jetuat për të, është e drejtë edhe tani. … Përballuni me dyshimet tuaja. Mposhteni frikën tuaj.”4

Duke ia hapur derën përsëri mikut të saj misionar, madje edhe në kohën kur pyeste veten se përse duhej ta bënte, Junisa e hapi sërish zemrën. Zoti mund të zgjatej sërish drejt Junisës dhe ta ndihmonte të ndiente një pohim për gjithçka që ajo dinte dikur. Në mënyrë të ngjashme, secili prej nesh mund ta lerë derën hapur për besimin edhe kur lufton me dyshime. Ne mund të vazhdojmë të bëjmë atë që është e drejtë dhe të kërkojmë zbulesë – edhe kur nuk jemi të sigurt se përse po e bëjmë pikërisht atë që po bëjmë.

Ne e mbajmë derën hapur duke vazhduar së bëri gjërat e vogla që Perëndia na ka treguar se janë të mira për shpirtrat tanë. Ne e mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë dhe frekuentojmë mbledhjet tona. Ne lexojmë shkrimet e shenjta, edhe kur nganjëherë është vetëm një varg. Ne dëgjojmë një himn ose bisedë konference. Ne flasim me Atin Qiellor rreth shqetësimeve e shpresave tona dhe i kërkojmë Atij të na ndihmojë që të dimë të vërtetën. Ne zbatojmë urdhërimet, pendohemi dhe kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Nëse nuk mund të bëjmë më shumë sesa të dëshirojmë të besojmë, ne ende mund të vazhdojmë të bëjmë gjërat e vogla dhe ta lëmë dëshirën të veprojë në ne. Ne mund të lëmë pak vend në zemrat tona që të rritet më shumë besim. (Shih Alma 32:27.)

Ajo që di Unë

Pamja
man standing before open door

Edhe pse ndonjëherë kam pyetur veten, jam endur dhe jam luhatur, kam mësuar e rimësuar për veten time se kjo është Kisha e Krishtit. Edhe pse Jozef Smithi mund të ketë qenë një njeri i papërsosur, unë e di se ai ishte një profet i frymëzuar nga Perëndia, i cili sakrifikoi gjithçka dhe bëri më të mirën e tij. Unë gjithashtu e di se Libri i Mormonit është një anal i lashtë dhe shkrim i shenjtë i vërtetë që u ruajt pikërisht për ne në kohën tonë. Ati Qiellor vazhdon të m’i pohojë këto të vërteta çdo ditë. Dhe jam e lumtur që Ai ia konfirmoi këto të vërteta edhe Junisa Frenklinit.

Unë e di se ndërsa i mbajmë dyert dhe zemrat tona të hapura për të vërtetën, Perëndia do të na ndihmojë të ndiejmë nëpërmjet Frymës së Shenjtë se çfarë është dhe nuk është e vërtetë. Përvojat tona shpirtërore do të jenë të pamohueshme në atë çast. Dhe nga ai çast e tutje, kur të ndiejmë se dyshimet po rriten gradualisht, ne mund t’i kujtojmë vetes se si u ndiem. Ashtu siç ndodhi me Junisën, siguria jonë rreth të vërtetave të ungjillit mund të vërshojë sërish.

Nuk kemi përse të jetojmë në thatësirën e dyshimit për një kohë të gjatë nëse do të mbahemi thjesht te përvojat tona shpirtërore. Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Përqafojini kujtimet tuaja të shenjta. … Mirëbesoni se ato ju vijnë nga Ati juaj Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur. Le t’ju sjellin ato durim ndaj dyshimeve tuaja dhe kuptueshmëri ndaj vështirësive tuaja! Ju premtoj se ndërsa i pranoni me gatishmëri dhe i ruani me kujdes si thesar ndodhitë që ju përcaktojnë shpirtërisht në jetën tuaj, shumë e më shumë të tilla do t’ju vijnë.”5

Unë e di se për ata që përpiqen fort të kenë përvoja të reja shpirtërore dhe ushtrojnë besim në Krisht, ky premtim është i vërtetë: “Kush beson në [Krisht], nuk do të ketë më kurrë etje” (Gjoni 6:35). Përgjigjet për të cilat kemi nevojë, do të vijnë. Ne mund të kalojmë përmes provave të zjarrit që Satani na hedh përgjatë rrugës. Dhe ne mund t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë tonë të dashur gjithë ditët e jetës sonë.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  2. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, f. 96.

  3. Shih Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 315–317.

  4. Jeffrey R. Holland, “Cast Not Away Therefore Your Confidence” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 2 mars 1999), f. 4, speeches.byu.edu.

  5. Nil L. Andersen, “Kujtime që të Përcaktojnë Shpirtërisht”, Liahona, maj 2020, f. 21–22.