Seminari
5. Profetët dhe Zbulesa


5. Profetët dhe Zbulesa, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018)

5. Profetët dhe Zbulesa

Pamja
njerëz duke i mbështetur udhëheqësit e tyre

5.1. Një profet është një njeri i cili është thirrur nga Perëndia që të flasë për Të (shih Jeremia 1:4–5; Amos 3:7; Gjoni 15:16; DeB 1:37–38). Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe e japin mësim ungjillin e Tij. Ata e bëjnë të njohur vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë. Ata e denoncojnë mëkatin, paralajmërojnë për pasojat e tij dhe na ndihmojnë që ta shmangim mashtrimin (shih Ezekieli 3:16–17; Efesianëve 4:11–14). Me raste, ata profetizojnë për ngjarje të së ardhmes. Profetët janë në gjendje t’i kryejnë këto përgjegjësi ngaqë marrin autoritet dhe zbulesë nga Perëndia.

5.2. Zbulesa është komunikim nga Perëndia dhënë fëmijëve të Tij. Shumica e zbulesës vjen nëpërmjet mbresave, mendimeve dhe ndjenjave nga Fryma e Shenjtë. Zbulesa gjithashtu mund të vijë nëpërmjet vegimeve, ëndrrave dhe vizitave nga engjëjt.

5.3. Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe përsëri në kohën tonë, Zoti e organizoi Kishën e Tij mbi themelin e profetëve dhe apostujve (shih Efesianëve 2:19–20). Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është profeti i Perëndisë për të gjithë njerëzit e tokës sot. Ne e mbështetim Presidentin e Kishës si profet, shikues dhe zbulues, dhe si të vetmin person në tokë që merr zbulesë për ta udhërrëfyer të gjithë Kishën. Nëse besnikërisht i marrim dhe iu bindemi mësimeve të Presidentit të Kishës, Perëndia do të na bekojë që ta mposhtim mashtrimin dhe ligësinë (shih DeB 21:4–6). Ne gjithashtu i mbështetim këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues.

5.4. Shkrimet e shenjta – Bibla, Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe – përmbajnë zbulesa të dhëna nëpërmjet profetëve të lashtë dhe të ditëve të mëvonshme. Ndërsa i studiojmë fjalët e profetëve, ne mund të mësojmë të vërtetën dhe të marrim udhërrëfim.

5.5. Ndërkohë që Perëndia jep zbulesë nëpërmjet profetëve për t’i udhërrëfyer të gjithë fëmijët e Tij, individët mund të marrin zbulesë që t’i ndihmojë me nevojat, përgjegjësitë dhe pyetjet e tyre të veçanta vetjake dhe që t’i ndihmojë në forcimin e dëshmive të tyre. Megjithatë, frymëzimi vetjak nga Zoti nuk do të jetë kurrë në kundërshtim me zbulesën që Perëndia e jep nëpërmjet profetëve të Tij.

Referenca përkatëse: Abraham 3:22–23; Mateu 16:15–19; 2 Timoteut 3:15–17; 2 Nefi 32:3; DeB 8:2–3; DeB 76:22–24

Tema përkatëse: Marrja e Njohurisë Shpirtërore; Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë