Seminari
7. Ordinancat dhe Besëlidhjet


7. Ordinancat dhe Besëlidhjet, Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018)

7. Ordinancat dhe Besëlidhjet

Pamja
një vajzë duke u pagëzuar

Ordinancat

7.1. Një ordinancë është një akt i shenjtë që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë. Secila ordinancë u përcaktua nga Perëndia për të dhënë mësim të vërteta shpirtërore, shpesh nëpërmjet simbolikës.

7.2. Disa ordinanca janë thelbësore për ekzaltimin dhe quhen ordinanca shpëtuese. Vetëm me anë të marrjes së ordinancave shpëtuese dhe mbajtjes së besëlidhjeve që lidhen me to, mund të fitojmë të gjitha bekimet e bëra të mundshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pa këto ordinanca shpëtuese ne nuk mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor apo të kthehemi për të jetuar në praninë e Tij përjetësisht (shih DeB 84:20–22). Ordinancat shpëtuese kryhen nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.

7.3. Ordinanca e parë shpëtuese e ungjillit është pagëzimi me zhytje në ujë nga një person që ka autoritet. Pagëzimi është i domosdoshëm që një individ të bëhet anëtar i Kishës së Jezu Krishtit dhe të hyjë në mbretërinë çelestiale (shih Gjoni 3:5).

7.4. Pasi një person pagëzohet, një apo më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke e konfirmojnë atë si anëtar/e të Kishës dhe i japin atij ose asaj dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih 3 Nefi 27:20). Dhurata e Frymës së Shenjtë është e ndryshme nga ndikimi i Frymës së Shenjtë. Përpara pagëzimit, një njeri mund ta ndiejë ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe të marrë një dëshmi të së vërtetës. Pas marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, një njeri, i cili i mban besëlidhjet e tij ose të saj, ka të drejtën e shoqërimit të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.

7.5. Ordinancat e tjera shpëtuese përfshijnë shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), dhurimin [indaumentin] në tempull dhe vulosjen e martesës. Në tempull, këto ordinanca shpëtuese mund të kryhen gjithashtu në mënyrë mëkëmbëse për të vdekurit. Ordinancat mëkëmbëse hyjnë në fuqi vetëm kur njerëzit e vdekur i pranojnë ato në botën e shpirtrave dhe i nderojnë besëlidhjet që lidhen me to.

7.6. Ordinancat e tjera, të tilla si marrja e sakramentit për të ripërtërirë besëlidhjet tona të pagëzimit, administrimi ndaj të sëmurëve dhe vënia e emrit dhe bekimi i fëmijëve, janë gjithashtu të rëndësishme për zhvillimin tonë shpirtëror.

Referenca përkatëse: Malakia 4:5–6; Mateu 16:15–19; 1 Pjetër 4:6; DeB 131:1–4

Tema përkatëse: Kreu-Perëndi: Fryma e Shenjtë; Plani i Shpëtimit: Jeta pas Vdekjes; Shlyerja e Jezu Krishtit; Priftëria dhe Çelësat e Priftërisë

Besëlidhje

7.7. Një besëlidhje është një marrëveshje e shenjtë midis Perëndisë dhe njeriut. Perëndia jep kushtet për besëlidhjen dhe ne biem dakord të bëjmë atë që Ai na kërkon të bëjmë; pastaj Perëndia na premton bekime të caktuara për bindjen tonë (shih Eksodi 19:5–6; DeB 82:10). Nëse nuk iu bindemi besëlidhjeve tona, atëherë ne nuk do t’i marrim bekimet e premtuara.

7.8. Të gjitha ordinancat shpëtuese të priftërisë shoqërohen nga besëlidhje. Për shembull, ne besëlidhim me Zotin nëpërmjet pagëzimit (shih Mosia 18:8–10). Burrat që marrin Priftërinë Melkizedeke, hyjnë në betimin dhe besëlidhjen e priftërisë. Ne i ripërtërijmë besëlidhjet që kemi bërë nëpërmjet marrjes së sakramentit.

7.9. Ne bëjmë besëlidhje të mëtejshme kur i marrim ordinancat shpëtuese të dhurimit [indaumentit] dhe të vulosjes së martesës në tempull. Ne përgatitemi të marrim pjesë në ordinanca dhe të bëjmë besëlidhje në tempull duke i jetuar standardet e denjësisë që ka caktuar Zoti (shih Psalmeve 24:3–4). Është jetike që të jemi të denjë për t’u futur në tempull, sepse tempulli është me tërë kuptimin e fjalës shtëpia e Zotit. Ai është vendi më i shenjtë prej të gjitha vendeve të adhurimit në tokë.