Mësime të Presidentëve
Kapitulli 10: Lutja dhe Zbulesa Vetjake


Kapitulli 10

Lutja dhe Zbulesa Vetjake

“Është privilegji i fëmijëve të Perëndisë të vijnë tek Perëndia dhe të marrin zbulesë.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Deri nga qershori 1829, shumë ngjarje të rëndësishme të rivendosjes në rritje të ungjillit kishin ndodhur tashmë. Qiejt ishin hapur në kohën e Vegimit të Parë dhe Perëndia u kishte folur përsëri njerëzve në tokë. Profeti Jozef Smith kishte marrë fletët e Librit të Mormonit dhe po përkthente mesazhin e tyre të shenjtë. Priftëria e shenjtë ishte rivendosur dhe ordinanca e pagëzimit ishte bërë e disponueshme për fëmijët e Perëndisë. Secila prej këtyre ngjarjeve kishte ndodhur në përgjigje të lutjeve ndërsa Profeti kërkoi udhëheqje nga Zoti.

Ndërsa puna e përkthimit po i afrohej fundit, Profeti edhe një herë kërkoi drejtim nga Zoti. Meqenëse Moroni e kishte udhëzuar Jozefin që të mos ia tregonte fletët askujt, përveç nëse urdhërohej ta bënte këtë, Jozefi ishte ndier tepër i vetmuar dhe i ngarkuar rëndë me përgjegjësinë e tij ndërsa përkthente fletët. Megjithatë, ai kishte zbuluar nga vetë anali se Zoti do të siguronte tre dëshmitarë të veçantë që do t’i dëshmonin botës se Libri i Mormonit ishte i vërtetë (shih 2 Nefi 11:3; Ethëri 5:2–4).

“Gati menjëherë pasi kishim bërë këtë zbulim”, kujtoi Jozef Smithi, “u ndodhi Oliver Kaudrit, Dejvid Uitmerit dhe … Martin Herrisit (që kishte ardhur të pyeste për përparimin tonë në punë) që ata donin që unë të pyesja Zotin që të dija nëse ata mund të merrnin prej tij privilegjin që të ishin këta tre dëshmitarë të veçantë.”1 Profeti u lut për drejtim dhe mori një zbulesë që deklaronte se tre burrat do të lejoheshin të shihnin fletët, si edhe shpatën e Labanit, Urimin e Thumimin dhe Liahonën (shih DeB 17).

Pak ditë më vonë, Profeti dhe të tre burrat shkuan në pyjet pranë shtëpisë Uitmer në Fajet të Nju-Jorkut dhe filluan të luten që ky privilegj i madh t’u jepej atyre. Martini u tërhoq, pasi u ndie i padenjë. Profeti raportoi se çfarë ndodhi atëherë: “Ne … nuk kaluam shumë kohë duke u lutur, kur pak më pas vumë re një dritë mbi ne në ajër, me shkëlqim të jashtëzakonshëm; dhe vë re, një engjëll [Moroni] qëndroi para nesh. Në duar ai mbante fletët për të cilat ne ishim lutur që t’i shihnim. Ai i ktheu fletët një nga një, kështu që ne të mund t’i shihnim ato dhe të dallonim qartë gdhendjet e tyre.”2 Burrat gjithashtu dëgjuan zërin e Perëndisë që dëshmonte për vërtetësinë e përkthimit dhe i urdhëronte ata të raportonin atë që kishin parë dhe dëgjuar. Jozefi pastaj shkoi të gjente Martinin, që ishte duke u lutur diku tjetër në pyll. Ata u lutën së bashku dhe panë të njëjtin vegim dhe dëgjuan të njëjtin zë.

Nëna e Jozef Smithit, që ishte për vizitë tek Profeti në Fajet në këtë kohë, kujtoi gëzimin dhe qetësimin e birit të saj pas kësaj shfaqjeje: “Kur Jozefi hyri [në shtëpinë Uitmer], ai u lëshua pranë meje. ‘Atë! Nënë!’ thirri ai, ‘ju nuk e dini sa i lumtur jam. Zoti ka bërë që fletët t’u tregohen edhe tre të tjerëve përveç meje, që gjithashtu kanë parë një engjëll dhe do të dëshmojnë për të vërtetën e asaj që kam thënë, sepse ata e dinë vetë se unë nuk endem përreth duke mashtruar njerëzit. Dhe unë ndihem sikur u lehtësova nga një barrë e lemerishme që ishte gati tepër e madhe për mua që ta duroja. Por tani ata do të duhet të mbajnë një pjesë dhe më gëzon shpirtin se nuk do të jem më plotësisht i vetëm në botë.’”3

Gjatë gjithë jetës së tij Jozef Smithi do t’i drejtohej Perëndisë me lutje për të kërkuar ndihmën dhe udhëheqjen që i duhej. Një anëtar i Kishës kujtoi kur e dëgjoi atë të lutej në Kirtland të Ohajos në një kohë vështirësie të madhe vetjake: “Asnjëherë deri atëherë unë nuk kisha dëgjuar një njeri t’i drejtohej Krijuesit të tij sikur Ai të ishte i pranishëm duke dëgjuar, si një atë i dashur do të dëgjonte brengat e një fëmije të bindur. … Nuk kishte shtirje për t’u dukur, ngritje të zërit si nga entuziazmi i rremë, por një ton i thjeshtë bisede, ashtu si një njeri do t’i drejtohej një miku të pranishëm. Mua m’u duk sikur, nëse veli do të hiqej, unë do të mund të shihja Zotin duke qëndruar përballë shërbëtorit të Tij më të përulur që kisha parë ndonjëherë.”4

Mësime të Jozef Smithit

Perëndia do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do të na flasë sot, tamam si Ai u foli shenjtorëve të lashtë.

“Meqenëse Zoti nuk i ka thënë asnjëherë botës në ndonjë zbulesë të mëparshme se ai u ka rreshtur së foluri përgjithmonë krijesave të Tij, kur kërkohet sipas mënyrës së duhur, pse duhet të mendohet si një gjë e pabesueshme se ai do të kishte kënaqësi t’u fliste përsëri në këto ditë të fundit për shpëtimin e tyre?

Ndoshta ju do të çuditeni nga ky pohim, që unë duhet ta them për shpëtimin e krijesave të tij në këto ditë të fundit, meqenëse ne kemi tashmë në zotërimin tonë një vëllim të gjerë të fjalës së tij që ai na e ka dhënë më parë. Por ju do ta pranoni se fjala që iu fol Noeut nuk ishte e mjaftueshme për Abrahamin, ose që nuk iu kërkua Abrahamit të linte tokën e lindjes së tij dhe të kërkonte një trashëgimi në një vend të huaj në bazë të fjalës që iu tha Noeut, por Abrahami mori premtime për veten e tij në dorën e Zotit dhe eci me atë përsosuri saqë u quajt miku i Perëndisë. Isakut, farës së premtuar, nuk iu kërkua ta mbështeste shpresën e tij mbi premtimet që iu bënë të atit të tij, Abrahamit, por pati privilegjin të merrte sigurinë e miratimit qiellor për të me anë të zërit të drejtpërdrejtë të Zotit për të.

Nëse një njeri mund të jetojë sipas zbulesave që i jepen një tjetri, a nuk do të ishte me vend që të pyesja, atëherë përse nevojitej që Zoti t’i fliste Isakut, siç e bëri, siç shënohet në kapitullin e 26-të të Zanafillës? Sepse atje Zoti përsërit, ose më saktë premton përsëri, që të kryej betimin që i kishte bërë më parë Abrahamit. Dhe përse kjo përsëritje për Isakun? Përse premtimi i parë nuk ishte po aq i sigurt për Isakun sa ishte për Abrahamin? A nuk ishte Isaku i biri i Abrahamit? Dhe a nuk mund të kishte ai besim të patundur në fjalën e atit të tij si një njeri i Perëndisë që ishte? Ndoshta ju mund të thoni se ai ishte një njeri shumë i veçantë dhe i ndryshëm nga njerëzit në këto ditë të fundit; si rrjedhim, Zoti e favorizoi me bekime të veçanta dhe të ndryshme, meqë ishte i ndryshëm nga njerëzit e kësaj kohe. Unë e pohoj se ai ishte një burrë i veçantë dhe jo vetëm që u bekua veçanërisht, por edhe u bekua shumë. Por gjithë e veçanta që unë mund të zbuloj tek ai burrë, ose gjithë ndryshimi midis tij dhe njerëzve të kësaj kohe, është se ai ishte më i shenjtë dhe më i përsosur përpara Perëndisë dhe shkoi tek ai me një zemër më të pastër dhe me më tepër besim se njerëzit në këtë ditë.

E njëjta gjë mund të thuhet mbi çështjen e historisë së Jakobit. Përse ndodhi që Zoti i foli atij në lidhje me të njëjtin premtim pasi ai ia kishte bërë njëherë Abrahamit dhe ia kishte përtërirë Isakut? Përse Jakobi nuk mund të mbeste i kënaqur me fjalën që i ishte thënë paraardhësve të tij?

Kur po afrohej koha kur Zoti premtoi të çlironte fëmijët e Izraelit nga toka e Egjiptit, përse ishte e domosdoshme që Zoti të fillonte t’u fliste atyre? Premtimi ose fjala e dhënë Abrahamit ishte se pasardhësit e tij do të shërbenin në robëri dhe do të ishin të shtypur për katërqind vjet, dhe pas kësaj ata do të dilnin me pasuri të mëdha. Përse ata nuk u mbështetën në këtë premtim dhe, pasi kishin mbetur në Egjipt në robëri për katërqind vjet, të dilnin pa pritur për zbulesë tjetër, e të vepronin plotësisht sipas premtimit të dhënë Abrahamit që ata duhej të dilnin? …

… Unë mund të besoj se Enoku eci me Perëndinë. Unë mund të besoj se Abrahami komunikoi me Perëndinë dhe bisedoi me engjëjt. Unë mund të besoj se Isaku mori një përtëritje të besëlidhjes, që iu bë Abrahamit, drejtpërdrejt nga zëri i Zotit. Unë mund të besoj se Jakobi bisedoi me engjëjt e shenjtë dhe dëgjoi zërin e Krijuesit të tij, se ai luftoi me engjëllin derisa ngadhnjeu dhe fitoi një bekim. Unë mund të besoj se Elia u mor në qiell nga një qerre e zjarrtë me kuaj të zjarrtë. Unë mund të besoj se shenjtorët panë Zotin dhe biseduan me të ballë për ballë pas ringjalljes së tij. Unë mund të besoj se kisha hebraike iu afrua malit të Sionit dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor dhe morisë së engjëjve. Unë mund të besoj se ata panë në përjetësi dhe panë Gjykatësin e të gjithëve dhe Jezusin, Ndërmjetësin e Besëlidhjes së re.

Por a do të më japë e gjitha kjo një siguri mua, apo a do të më çojë tek vendet e ditës së përjetshme me rrobat e mia të panjolla, të kulluara dhe të bardha? Ose, a nuk duhet përkundrazi të fitoj unë për vete, nëpërmjet besimit dhe zellit tim për mbajtjen e urdhërimeve të Zotit, një siguri për shpëtimin për vete? Dhe a nuk kam unë një privilegj të njëjtë me atë të shenjtorëve të lashtë? Dhe a nuk do të dëgjojë Zoti lutjet e mia dhe thirrjet e mia po aq shpejt sa e bëri me të tyret, nëse unë i afrohem atij në po atë mënyrë që e bënë ata?”5

Gjithçka që ndërmarrim ne mund ta bëjmë subjekt lutjeje.

Sara Granxher Kimball raportoi: “Në Shkollën e Profetëve …, kur Jozef Smithi u jepte udhëzime vëllezërve, ai u tha ta bënin gjithçka që ndërmerrnin subjekt lutjeje”6.

“Kërkoni të njihni Perëndinë në dhomëzat tuaja, përgjërojuni atij në fusha. Ndiqni udhëzimet e Librit të Mormonit dhe lutuni për to dhe për familjet tuaja, bagëtinë tuaj, tufat tuaja, kopetë tuaja, drithin tuaj dhe gjithë gjërat që zotëroni [shih Alma 34:18–27]; kërkoni bekimin e Perëndisë për gjithë punët tuaja dhe gjithçka ku merrni pjesë.”7

“Mos lini pas dore detyrat tuaja në familjet tuaja, por përgjërojuni Perëndisë për bekimet e tij mbi ju e familjet tuaja, mbi tufat e kopetë tuaja dhe gjithçka që ju përket – që ju të mund të keni paqe dhe begati – dhe ndërkohë që bëni këtë, ‘lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan’. [Shih Psalmi 122:6.]”8

Një lutje që Profeti shënoi në gusht 1842 tregon dëshirën e tij për urtësi nga Perëndia: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve …, shih poshtë tek shërbëtori Yt Jozef në këtë kohë; dhe lejo që besimi në emrin e Birit Tënd Jezu Krisht, në një shkallë më të madhe se shërbëtori Yt ka gëzuar ndonjëherë deri tani, t’i dhurohet atij, madje besimi i Elijas; dhe lejo që drita e jetës së përjetshme të ndizet në zemrën e tij, për të mos u marrë më kurrë; dhe lejo që fjalët e jetës së përjetshme të derdhen në shpirtin e shërbëtorit Tënd, që ai të mund të njohë vullnetin Tënd, dekretet e Tua dhe urdhërimet e Tua, dhe gjykimet e Tua, që t’i bëjë ato. Ashtu si vesa mbi malin Hermon, u derdhshin mbi kokën e shërbëtorit Tënd, hiri, lavdia dhe nderi Yt hyjnor, në bollëkun e mëshirës dhe fuqisë, dhe mirësisë Tënde.”9

Kur lutemi me besim dhe thjeshtësi, ne marrim bekimet që Perëndia sheh të përshtatshme të na dhurojë neve.

“Lutuni përulësisht te froni i hirit, që Shpirti i Zotit të qëndrojë gjithmonë me ju. Kujtoni se pa kërkuar ne nuk mund të marrim asgjë; prandaj, kërkoni me besim dhe ju do të merrni të tilla bekime që Perëndia sheh të përshtatshme t’ju dhurojë. Mos u lutni me zemra lakmitare që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja, por kërkoni me zell dhuratat më të mira [shih DeB 46:8–9].”10

“Virtyti është një nga parimet më të spikatura që na mundëson të kemi vetëbesim në qasjen tonë tek Ati ynë që është në qiell që të kërkojmë urtësi nga dora e tij. Prandaj, nëse do ta ushqeni këtë parim në zemrën tuaj, ju mund të kërkoni me gjithë vetëbesimin para tij dhe do të derdhet mbi kokën tuaj [shih DeB 121:45–46].”11

“Le t’i luten shenjtorët qiellit, që lutjet e tyre të mund të hyjnë në veshët e Zotit të Sabaothit, pasi shumë fuqi ka lutja e të drejtit [shih Jakobi (Bibël) 5:16].”12

Henri W. Bigler kujtoi: “Duke folur për lutjen drejtuar Atit tonë në qiell, unë e dëgjova njëherë Jozef Smithin të bënte vërejtjen: ‘Jini të çiltër e të thjeshtë dhe kërkoni atë që doni, tamam sikur të shkonit tek një fqinj dhe t’i thoni se doni t’i merrni hua kalin për të shkuar në mulli’”13.

Ne mund të marrim zbulesë vetjake me anë të Frymës së Shenjtë.

“Është privilegji i fëmijëve të Perëndisë të vijnë tek Perëndia dhe të marrin zbulesë. … Perëndia nuk tregohet i anshëm; ne të gjithë kemi të njëjtin privilegj.”14

“Ne besojmë se kemi të drejtë për të marrë zbulesa, vegime dhe ëndrra nga Perëndia, Ati ynë qiellor; dhe dritë e inteligjencë me anë të dhuratës së Frymës së Shenjtë, në emrin e Jezu Krishtit, për të gjitha çështjet që kanë lidhje me mirëqënien tonë shpirtërore; në qoftë se ne mbajmë urdhërimet e tij, që ta bëjmë veten të denjë në pamjen e tij.”15

“Një person mund të përfitojë duke vënë re treguesin e parë të shpirtit të zbulesës; për shembull, kur ju të ndieni inteligjencën e pastër të rrjedhë tek ju, ajo mund t’ju japë befas ide, pra duke e vënë re atë ide, ju mund të shihni se ajo përmbushet po atë ditë ose së shpejti; (domethënë) ato gjëra që iu paraqitën juve në mendje nga Shpirti i Perëndisë, do të ndodhin; dhe kështu duke mësuar Shpirtin e Perëndisë dhe duke e kuptuar atë, ju mund të rriteni drejt parimit të zbulesës, derisa të bëheni të përsosur tek Krishti Jezus.”16

“Unë kam një botim të vjetër të Dhiatës së Re në gjuhët latine, hebraike, gjermane dhe greke. … E falënderoj Perëndinë që e kam këtë libër të vjetër; por unë e falënderoj më shumë për dhuratën e Frymës së Shenjtë. Unë kam librin më të vjetër në botë; por unë kam librin më të vjetër në zemrën time, madje dhuratën e Frymës së Shenjtë. … Fryma e Shenjtë … është brenda meje, dhe kupton më shumë se gjithë bota; dhe unë do të shoqërohem me të.”17

“Asnjë njeri nuk mund të marrë Frymën e Shenjtë pa marrë zbulesa. Fryma e Shenjtë është një zbulues.”18

Xhon Tejlor, ndërsa shërbente si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, raportoi: “E kujtoj mirë një koment që më bëri Jozef Smithi më shumë se dyzet vjet më parë. Ai tha: ‘Vëllai Tejlor, ti je pagëzuar, ty të janë vënë duart mbi kokë për të marrë Frymën e Shenjtë dhe ti je shuguruar në priftërinë e shenjtë. Tani, nëse do të vazhdosh të ndjekësh udhëzimet e atij shpirti, ai gjithmonë do të të udhëheqë në të drejtë. Nganjëherë mund të jetë në kundërshtim me gjykimin tënd; s’ka gjë, ndiq çka të dikton; dhe nëse do të jesh i vërtetë ndaj pëshpëritjeve të tij, me kohë kjo do të bëhet tek ti një parim i zbulesës kështu që ti të dish të gjitha gjërat.’”19

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Vini re rëndësinë e lutjes në përvojën e Jozef Smithit dhe të të Tre Dëshmitarëve të Librit të Mormonit (faqet 129–131). Si i ka ndikuar lutja vetë përvojat tuaja me Librin e Mormonit? Çfarë aspektesh të tjera të jetës suaj janë ndikuar nga lutja?

  • Cilat janë mendimet tuaja kur lexoni paragrafin në fund të faqes 131? Ndërsa meditoni këtë deklaratë, mendoni se çfarë mund të përmirësoni në mënyrën se si i “drejtohe[ni] Krijuesit [tuaj]”.

  • Përse ne nuk mund të mbështetemi vetëm në zbulesat nga e kaluara? (Për disa shembuj, shihni faqet 132–134.) Përse na duhet zbulesë e vazhdueshme, vetjake?

  • Rishikoni seksionin që fillon në faqen 134. Gjeni mësimet e Profetit në lidhje se me kur duhet të lutemi dhe për çfarë duhet të lutemi. Si mund t’ju ndihmojnë këto mësime për lutjet tuaja vetjake? Si mund të ndihmojnë ato familjet për lutjen familjare?

  • Studioni mësimet e Profetit në faqet 135–136 për mënyrën se si duhet të lutemi. Cila është vlera e përdorimit të gjuhës së “çiltër e të thjeshtë” kur lutemi? Si mundet që jeta me drejtësi na jep vetëbesim që t’i qasemi Atit tonë Qiellor me lutje? Çfarë ju ka ndihmuar të merrni një dëshmi se Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve?

  • Lexoni paragrafin e katërt në faqen 136. Kur keni përfituar ngaqë vutë re “treguesin e parë” të Shpirtit që po ju nxiste? Si mund të mësojmë të njohim menjëherë pëshpëritjet e Shpirtit kur vijnë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: 1 Mbretërit 19:11–12; Jakobi (Bibël) 1:5–6; Helamani 5:30; 3 Nefi 18:18–21; DeB 6:22–23; 8:2–3; 88:63–65

Shënime

  1. History of the Church, 1:52–53; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 23, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 1:54; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 24–25, Arkivat e Kishës.

  3. Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–45 manuscript, book 8, f. 11, Arkivat e Kishës.

  4. Daniel Tyler, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 15 shkurt 1892, f. 127.

  5. Letër nga Joseph Smith drejtuar xhaxhait të tij Silas Smith, 26 shtator 1833, Kirtland, Ohio; në Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1845 manuscript, f. 229–232, Arkivat e Kishës.

  6. Sarah Granger Kimball, në “R. S. Report”, Woman’s Exponent, 15 gusht 1892, f. 30.

  7. History of the Church, 5:31; nga “Gift of the Holy Ghost”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 qershor 1842, f. 825; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  8. “To the Saints of God”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1842, f. 952; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  9. History of the Church, 5:127–128; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 23 gusht 1842, pranë Nauvoo-së, Illinois; ky shënim është datuar pasaktësisht 22 gusht 1842 në History of the Church.

  10. Letër nga Joseph Smith dhe John Whitmer drejtuar shenjtorëve në Colesville, New York, 20 gusht 1830, Harmony, Pennsylvania, në Newel Knight, Autobiography and Journal, rreth 1846–1847, f. 129, Arkivat e Kishës.

  11. Deklaratë e shkruar nga Joseph Smith në shkurt 1840 në Philadelphia, Pennsylvania; origjinali ndodhet në zotërim privat.

  12. History of the Church, 6:303; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  13. Henry W. Bigler, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 mars 1892, f. 151–152.

  14. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith rreth korrikut 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards, në Willard Richards, Pocket Companion, f. 75, 78–79, Arkivat e Kishës.

  15. Letër nga Joseph Smith drejtuar Isaac Galland, 22 mars 1839, Liberty Jail, Liberty, Missouri, botuar në Times and Seasons, shkurt 1840, f. 54.

  16. History of the Church, 3:381; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 27 qershor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  17. History of the Church, 6:307–308; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  18. History of the Church, 6:58; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith më 15 tetor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  19. John Taylor, Deseret News: Semi-Weekly, 15 janar 1878, f. 1.

Pamja
Moroni

Në qershor 1829, Oliver Kaudri, Dejvid Uitmeri dhe Jozef Smithi patën privilegjin të shihnin Moronin dhe fletët e arta. Pak kohë më pas në të njëjtën ditë, Martin Herrisi pa gjithashtu engjëllin dhe fletët.

Pamja
family praying

“Mos lini pas dore detyrat tuaja në familjet tuaja, por përgjërojuni Perëndisë për bekimet e tij mbi ju e familjet tuaja.”