Mësime të Presidentëve
Kapitulli 39: Shoqata e Ndihmës: Organizata Hyjnore e Grave


Kapitulli 39

Shoqata e Ndihmës: Organizata Hyjnore e Grave

“Nëse shkoni baras me privilegjet tuaja, engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit tuaj.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në pranverën e 1842-it, anëtarë të Kishës në Navu ishin tepër të zënë me punën e ndërtimit të Tempullit të Navusë. Dy anëtare të tilla ishin Sara Granxher Kimball dhe rrobaqepësja e saj, Margaret A. Kuk, të cilat, kur po flisnin së bashku një ditë, vendosën të bashkojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar punëtorët e tempullit. Motra Kimball tha se ajo do të siguronte cohë që Motra Kuk të mund të bënte këmisha për burrat. Dy gratë vendosën të ftojnë motra të tjera që të bashkoheshin me to, për të formuar një shoqëri grash, për të çuar më tej përpjekjet e tyre dashamirëse. Sara Granxher Kimball kujtoi: “Motrat fqinje u mblodhën në sallonin tim dhe vendosëm të organizoheshim. Mua më ngarkuan të thërrisja Motrën Eliza R. Snou dhe t’i kërkoja asaj të shkruante për ne një Akt Themelimi e Urdhëresa dhe t’ia paraqisja ato Presidentit Jozef Smith përpara takimit tonë të së enjtes së ardhshme.”

Pasi i shqyrtoi aktin e themelimit dhe urdhëresat e propozuara, Profeti i shpalli ato si më të mirat që kishte parë ndonjëherë, por pastaj tha: “‘Nuk është kjo ajo që ju duhet. Thuaju motrave se oferta e tyre pranohet prej Zotit dhe ai ka diçka më të mirë për to sesa një Akt Themelimi me shkrim. Unë i ftoj ato të gjitha të takohen me mua dhe disa prej vëllezërve … pasditen e së enjtes së ardhshme.’”1

Prandaj, më 17 mars, Profeti, i shoqëruar nga Pleqtë Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards, u takua me 20 gra të të gjitha moshave në dhomën e sipërme të Dyqanit me Tulla të Kuqe. Profeti zyrtarisht organizoi Shoqatën e Ndihmës të Grave të Navusë dhe u mësoi të pranishmëve për qëllimet e organizatës së re. Motrat zgjodhën Ema Smithin si presidente të Shoqatës së Ndihmës dhe Ema përzgjodhi dy këshilltaret e saj. Profeti pastaj lexoi një zbulesë të marrë 12 vjet më parë në të cilën Zoti e caktoi Emën të mblidhte himne për botim dhe e emëroi atë si një “zonjë e zgjedhur” (DeB 25:3). Ema Smith u ngrit për të folur, duke theksuar potencialin e madh të shoqërisë: “Ne do të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. … Ne presim raste të jashtëzakonshme dhe thirrje të ngutshme.”2

Ema Smith, presidentja e parë e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, kishte pasur gjithmonë një dëshirë të fuqishme për t’u shërbyer të tjerëve e për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë, duke deklaruar njëherë se ajo dëshironte të ishte “një bekim për të gjithë ata të cilëve në ndonjë farë mënyre iu duhej diçka prej saj”3. Në Nju-Jork, ajo qepi veshje për katër misionarët që u thirrën për t’u predikuar ungjillin lamanitëve. Në Kirtland, ajo punoi me gra të tjera për të mbledhur batanije, ushqim e veshje për marshuesit e Kampit të Sionit, për t’ia çuar shenjtorëve të pikëlluar në Misuri. Ajo ndihmoi në përgatitjen e vakteve dhe bërjen e çorapeve, pantallonave dhe xhaketave për punëtorët që po ndërtonin Tempullin e Kirtlandit. Ajo mori kaq shumë punëtorë të tempullit për të banuar në shtëpinë e saj, saqë asaj dhe Jozefit iu desh të flinin përtokë. Në ditët e hershme të Navusë, ajo ia kushtoi shumë prej kohës dhe vëmendjes së saj përkujdesjes për shumë viktima të malaries të vendosura në kampim jashtë shtëpisë së saj në brigjet e lumit Misisipi. Në këto dhe shumë mënyra të tjera, ajo u bë shembull i shërbimit të dhënë prej shumë motrave në kohën e saj. Poli Anxhel kujtoi që, kur Profeti pa një grup grash që po qepnin me vrull perdet e përdorura për të ndarë mjediset në Tempullin e Kirtlandit, ai tha: “Epo, motra, … ju jeni gjithmonë të gatshme. Motrat janë gjithmonë të parat dhe pararoja në gjithë veprat e mira.”4

Që nga ato ditë të hershme të Shoqatës së Ndihmës, gratë në Kishë kanë mbetur një forcë e pamasë për mirë. Në një takim të mbajtur një javë pasi u organizua Shoqata e Ndihmës, Lusi Mak Smith, nëna e Profetit, u dha motrave këshillë që përhapet tek miliona gra në Kishë sot: “Ne duhet ta duam fort njëra-tjetrën, ta mbrojmë njëra-tjetrën, ta ngushëllojmë njëra-tjetrën dhe të marrim udhëzim, që të mund të qëndrojmë të gjitha në qiell së bashku.”5

Mësime të Jozef Smithit

Shoqata e Ndihmës, organizuar nën priftërinë dhe sipas modelit të saj, është një pjesë thelbësore e Kishës.

Sara Granxher Kimball kujtoi se, pak përpara se Profeti Jozef Smith të organizonte Shoqatën e Ndihmës, ai tha: “Unë do t’i organizoj gratë nën priftërinë dhe sipas modelit të priftërisë. … Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosurisht derisa gratë u organizuan kështu.”6

Historia e Profetit për datën 24 mars 1842, shënon: “Organizata [e Shoqatës së Ndihmës së Grave] u plotësua këtë ditë. Znj. Ema Smith zë karrigen e presidentes; Zonjat Elizabet En Uitni dhe Sara M. Klivlend janë këshilltaret e saj; Zonjusha Elvira [Koules] është arkëtare dhe, poetesha jonë e mirënjohur dhe e talentuar, Zonjusha Eliza R. Snou, sekretare.”7

Eliza R. Snou raportoi: “Presidenti Jozef Smith u ngrit. Foli për organizimin e Shoqatës së Ndihmës së Grave; tha se ishte thellësisht i interesuar, që ajo të mund të ndërtohej për Shumë Të Lartin në një mënyrë të pranueshme.”8

Eliza R. Snou raportoi gjithashtu: “[Jozef Smithi] i nxiti motrat që gjithmonë të përqendronin besimin e lutjet e tyre dhe ta vendosnin mirëbesimin tek … ata burra besnikë që Perëndia i ka vendosur në krye të Kishës për ta udhëhequr popullin e Tij; se ne duhet t’i përforcojmë e t’i mbështesim ata me lutjet tona. … Nëse kjo Shoqatë dëgjon këshillën e të Plotfuqishmit, përmes krerëve të Kishës, ata do të kenë fuqi të urdhërojnë mbretëreshat mes tyre.”9

“Kjo Shoqatë do të marrë udhëzime nëpërmjet rendit që Perëndia ka caktuar – nëpërmjet shërbesës së atyre që janë caktuar për të udhëhequr – dhe tani unë jua dorëzoj çelësin juve në emrin e Perëndisë, dhe kjo Shoqatë do të gëzojë, dhe dije e inteligjencë do të burojë që nga kjo kohë – ky është fillimi i ditëve më të mira për këtë Shoqatë.”10

Shoqata e Ndihmës u mundëson grave të veprojnë sipas natyrës së tyre dashamirëse, duke u kujdesur për ata në nevojë.

“Kjo është një Shoqatë mirëbërëse dhe sipas natyrës tuaj; është e natyrshme për gratë që të kenë ndjenja bamirësie dhe dashamirësie. Tani ju jeni vendosur në një situatë në të cilën ju mund të veproni sipas atyre ndjenjave të dhembshura që Perëndia ka mbjellë në kraharorin tuaj.”11

“Tha Jezusi: ‘Bëni gjërat që më keni parë të bëj’. [Shih 2 Nefi 31:12.] Këto janë fjalët-kyç të mrekullueshme sipas të cilave të veprojë shoqata.”12

Uillard Riçards raportoi: “Mbledhjes [së Shoqatës së Ndihmës të Grave] iu drejtua Presidenti Jozef Smith, për të sqaruar synimin e Shoqatës – që Shoqata e Motrave mund t’i nxisë vëllezërit për vepra të mira që të kujdesen për nevojat e të varfërve – duke rendur pas njerëzve që kanë nevojë për bamirësi dhe duke u shërbyer nevojave të tyre – për të ndihmuar në korrigjimin e vlerave morale dhe forcimin e virtyteve të komunitetit”13.

“Unë mora pjesë sipas kërkesës, në Shoqatën e Ndihmës të Grave, synimi i së cilës ishte ndihma për të varfrit, të mjerët, të vejat e jetimët dhe ushtrimi i të gjithë qëllimeve mirëdashëse. … Në organizimin e shoqatës dhe gjithashtu në mbledhjet vijuese, kishte një pjesëmarrje të shumtë të disa prej zonjave tona më inteligjente, njerëzore, bamirëse dhe të respektuara; dhe ne jemi shumë të sigurt prej një dije të atyre parimeve të kthjellëta të dashamirësisë që rrjedhin vetvetiu prej zemrës së tyre njerëzore dhe bamirëse, se me burimet që ato do të kenë në dispozicion, ato do të fluturojnë në ndihmë të të huajit; ato do t’ia lajnë me vaj dhe me verë zemrën e plagosur të pikëlluarit; ato do të thajnë lotët e jetimit dhe do ta bëjnë të gëzojë zemrën e së vesë.

Gratë tona janë dalluar gjithmonë për aktet e tyre të dashamirësisë dhe mirësisë; … në mes të përndjekjes ndaj tyre, kur buka është shkulur prej bijve të tyre të pambrojtur nga shtypësit e tyre mizorë, ato kanë qenë gjithmonë gati për t’ia hapur dyert udhëtarit të lodhur, për ta ndarë sasinë e tyre të pakët të ushqimit me të uriturin dhe për të ndarë me më nevojtarët e më të pikëlluarit prej dollapëve të tyre të grabitur e shkretuar; dhe tani që po jetojnë në një mjedis më të ngrohtë dhe mes njerëzve më pak barbarë, dhe zotërojnë lehtësira që deri tani nuk i kanë gëzuar, ne ndihemi të bindur se me përpjekjet e tyre të përqendruara, gjendja e të varfërve që vuajnë, e të huajve dhe e jetimëve do të përmirësohet.”14

Shoqata e Ndihmës i nxit gratë të ushtrojnë shenjtëri dhe të udhëzojnë njëra-tjetrën.

“Shoqata e Ndihmës e Zonjave nuk është vetëm për të ndihmuar të varfrit, por për të shpëtuar shpirtra.”15

“Tani motra të dashura, … ne dëshirojmë që ju të bëni pjesën tuaj dhe ne do të bëjmë tonën, sepse ne dëshirojmë të mbajmë urdhërimet e Perëndisë në të gjitha gjërat, siç na janë dhënë drejtpërsëdrejti prej qiellit, duke jetuar sipas çdo fjale që del nga goja e Zotit. Perëndia e shtoftë bekimin e tij mbi kokën tuaj dhe ju udhëheqtë në gjithë shtigjet e virtytit, dëlirësisë dhe hirit.”16

“Shoqata [e Ndihmës] ka vepruar mirë: parimet e tyre janë që të ushtrojnë shenjtëri. Perëndia ju do dhe lutjet tuaja në emrin tim kanë shumë fuqi: le të mos pushojnë ato së ngjituri vazhdimisht drejt Perëndisë në emrin tim.”17

“Ju duhet ta mposhtni ligësinë dhe me anë të shembujve tuaj të mirë, të nxitni Pleqtë për vepra të mira.”18

Uillard Riçards raportoi: “Presidenti Jozef Smith i lexoi zbulesën Ema Smithit, nga libri i Doktrinës e Besëlidhjeve [DeB 25]; dhe deklaroi se ajo duhet … t’ua sqaronte shkrimet e shenjta të gjithëve; dhe t’i jepte mësim pjesës femërore të komunitetit; dhe se jo vetëm ajo, por dhe të tjera, mund të arrinin të njëjtat bekime”19.

Eliza R. Snou raportoi: “Meqë [Profeti Jozef Smith] pati këtë mundësi, ai do të udhëzonte zonjat e kësaj Shoqate dhe të nxirrte në pah për ato mënyrën si të silleshin, që të mund të vepronin sipas vullnetit të Perëndisë. …

Nëse jetoni denjësisht sipas këtyre parimeve, sa i shkëlqyer e i lavdishëm do të jetë shpërblimi juaj në mbretërinë çelestiale! Nëse shkoni baras me privilegjet tuaja, engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit tuaj. Gratë, nëse janë të dëlira e të pafajshme, mund të vijnë në prani të Perëndisë; sepse çfarë është më e këndshme për Perëndinë sesa pafajësia; ju duhet të jeni të pafajshme, ose ju nuk mund të dilni para Perëndisë: nëse ne duam të dalim para Perëndisë, ne duhet ta mbajmë veten të pastër, ashtu si Ai është i pastër.”20

Shoqata e Ndihmës i nxit gratë të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke treguar mëshirë dhe duke shmangur grindjen.

“Nëse dëshironi që Perëndia të ketë mëshirë për ju, kini mëshirë për njëra-tjetrën. … Ne jemi plot egoizëm; djalli na lajkaton se jemi shumë të drejtë, kur ne përqendrohemi tek të metat e të tjerëve. Ne mund të jetojmë vetëm duke adhuruar Perëndinë tonë; të gjithë duhet ta bëjnë këtë për vete; asnjë nuk mund ta bëjë atë për një tjetër. Sa butë u soll Shpëtimtari me Pjetrin, duke i thënë: ‘Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu’. [Lluka 22:32.] Një herë tjetër, Ai i tha atij: ‘A më do ti mua?’ dhe pasi mori përgjigjen e Pjetrit, i tha: ‘Kulloti delet e mia’. [Gjoni 21:15–17.] Nëse motrat [e duan] Zotin, le të kullotin delet dhe jo t’i shkatërrojnë ato. …

Motra të shoqatës, a do të ketë grindje mes jush? Unë nuk do ta lejoja atë. Ju duhet të pendoheni dhe të merrni dashurinë e Perëndisë. Hiqeni vetëkënaqësinë. Masa apo parimi më i mirë për të sjellë të varfrit në pendesë është t’i administrojmë në nevojat e tyre.”21

Eliza R. Snou raportoi fjalët në vijim të Profetit: “Pavarësisht se të padenjët janë mes nesh, të virtytshmet nuk duhet prej vetëvlerësimit të fyejnë e të shtypin pa nevojë, këta të pafat – edhe këta duhet të nxiten që këtej e tutje të jetojnë që të nderohen nga kjo shoqatë, që janë pjesa më e mirë e komunitetit. Tha ai se kishte dy gjëra për t’ua rekomanduar anëtareve të kësaj shoqate, ta kontrollonin dy herë gjuhën: asnjë grup i organizuar nuk mund të ekzistojë fare pa këtë. … Synimi është që t’i bëjmë ata që nuk janë aq të mirë, të korrigjohen dhe të kthehen tek shtegu i virtytit që të mund të numërohen me të mirët. …

… Hetoni veten – gjuha është një e keqe e papërmbajtshme – mbajeni gjuhën për gjëra që kanë pak rëndësi – një thashethem i vogël mund t’i vërë zjarrin botës.”22

“Dhelprat e vogla dëmtojnë vreshtat – të liga të vogla shkaktojnë dëmin më të madh në Kishë. Nëse keni ndjenja të liga dhe flisni për to me njëri-tjetrin, kjo ka një prirje për të bërë dëme.”23

“Mos e lëndoni karakterin e askujt. Nëse anëtaret e Shoqatës do të sillen në mënyrë të gabuar, merruni vesh me to dhe mbajini brenda vetes gjithë veprimet tuaja me to, dhe konsiderojini gjithë karakteret si të shenjtë.”24

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Lexoni deklaratën e Ema Smithit në krye të faqes 480. Si mendoni ju, përse motrat e Shoqatës së Ndihmës janë në gjendje të përmbushin gjëra të jashtëzakonshme? Në çfarë mënyrash jeni bekuar ju dhe familja juaj përmes përpjekjeve të motrave të Shoqatës së Ndihmës? Lexoni këshillën nga Lusi Mak Smith në fund të faqes 480. Në çfarë mënyrash e ndjekin sot motrat e Shoqatës së Ndihmës këtë këshillë?

  • Profeti Jozef Smith e organizoi Shoqatën e Ndihmës “nën priftërinë dhe sipas modelit të priftërisë” (faqe 481). Si i veçon kjo ato prej organizatave të tjera të shërbimit në botë? (Për disa shembuj, shih faqen faqe 481–482.) Si mendoni ju, përse Kisha “nuk qe kurrë e organizuar përsosurisht” derisa Jozef Smithi organizoi Shoqatën e Ndihmës?

  • Si krahasohen përgjegjësitë e motrave të Shoqatës së Ndihmës sot, me detyrat që motrat morën prej Jozef Smithit? (Për disa shembuj, shihni faqet 482–484.) Lexoni paragrafin e dytë të plotë të faqes 482. Në çfarë mënyrash mundësitë për të dhënë shërbim na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Shpëtimtari?

  • Lexoni paragrafin e parë të plotë të faqes 483. Si mendoni ju, çfarë do të thotë të shpëtosh një shpirt? Në ç’mënyrë anëtaret e Shoqatës së Ndihmës e përmbushin këtë përgjegjësi, si materialisht ashtu edhe shpirtërisht?

  • Lexoni paragrafin e tretë të plotë të faqes 482 dhe paragrafin e dytë të plotë të faqes 484. Çfarë mund të bëjnë motrat e Shoqatës së Ndihmës për të nxitur veprat e mira mes mbajtësve të priftërisë? Çfarë mund të bëjnë mbajtësit e priftërisë për të mbështetur motrat e Shoqatës së Ndihmës në punën e tyre?

  • Lexoni paragrafin e tretë të plotë të faqes 484. Çfarë mund të mësojmë prej kësaj deklarate mbi përgjegjësitë dhe mundësitë e çdo motre?

  • Profeti na paralajmëroi kundrejt “[përqendrimit] tek të metat e të tjerëve” (faqe 484). Si mendoni, çfarë do të thotë kjo? Si mund të vështirësojë ky qëndrim përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës – apo të cilitdo kuorumi apo grupi në Kishë? Çfarë mund të bëjmë që të kullotim delet e Zotit në vend që të përqendrohemi tek të metat e tyre?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Fjalët e Urta 31:10–31; 1 Korintasve 13:8; DeB 25:1–16; 88:125

Shënime

  1. Sarah Granger Kimball, “Auto-biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51.

  2. Emma Smith, cituar në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, shënim për datën 17 mars 1842, f. 12, raportuar nga Willard Richards, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  3. Emma Hale Smith, Blessing, 1844, daktilografim, Arkivat e Kishës.

  4. Cituar nga Polly Angell, në Edward W. Tullidge, The Women of Mormondom (1877), f. 76.

  5. Lucy Mack Smith, cituar në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, shënim për datën 24 mars 1842, f. 18–19, raportuar nga Eliza R. Snow, Arkivat e Kishës.

  6. Cituar në Sarah Granger Kimball, “Auto-biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51.

  7. History of the Church, 4:567; nga “Ladies’ Relief Society”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 743; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  8. History of the Church, 4:570; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 30 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  9. History of the Church, 4:604–605; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  10. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow, në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, f. 40, Arkivat e Kishës.

  11. History of the Church, 4:605; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  12. History of the Church, 5:20; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 26 maj 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  13. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 17 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards, në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, f. 7, Arkivat e Kishës.

  14. History of the Church, 4:567–568; nga “Ladies’ Relief Society”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 743; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  15. History of the Church, 5:25; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 qershor 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  16. Letër nga Joseph Smith dhe udhëheqës të tjerë të Kishës drejtuar Shoqatës së Ndihmës së Navusë, 1842, Nauvoo, Illinois; në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, f. 88, Arkivat e Kishës.

  17. History of the Church, 5:141; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 31 gusht 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  18. History of the Church, 4:605; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  19. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 17 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards, në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, f. 8, Arkivat e Kishës.

  20. History of the Church, 4:604–605; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 28 prill 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  21. History of the Church, 5:24–25; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 qershor 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  22. History of the Church, 5:20; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 26 maj 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  23. History of the Church, 5:140; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 31 gusht 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  24. Fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 17 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards, në Relief Society, Minute Book mars 1842–mars 1844, f. 10, Arkivat e Kishës.

Pamja
organizing of Relief Society

Më 17 mars 1842, Profeti Jozef Smith organizoi Shoqatën e Ndihmës të Grave, të Navusë.“Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosurisht derisa gratë të organizoheshin kështu”, deklaroi Profeti.

Pamja
women

“Kjo është një Shoqatë mirëbërëse. …Tani ju jeni vendosur në një situatë në të cilën ju mund të veproni sipas atyre ndjenjave të dhembshura që Perëndia ka mbjellë në kraharorin tuaj.”