Mësime të Presidentëve
Kapitulli 25: Të vërteta prej Shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit në Mateu 13


Kapitulli 25

Të vërteta prej Shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit në Mateu 13

“Rrotat e koçisë së Mbretërisë ende po rrotullohen përpara, të shtyra nga krahu i fuqishëm i Jehovait; dhe me gjithë kundërshtimin, ende do të rrotullohen përpara, derisa fjalët e Tij të përmbushen të gjitha.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Ndërkohë që ndërtimi i Tempullit të Kirtlandit iu afrua përfundimit, Jozef Smithi dhe shenjtorët filluan të përgatiten për bekimet e mëdha që do të merrnin atje. Për të ndihmuar vëllezërit që të përgatiteshin për përkushtimin e tempullit, në nëntor 1835 filloi një sesion i Shkollës së Pleqve. Kjo shkollë ishte themeluar në vitin 1834, një vazhdim i Shkollës së Profetëve që ishte mbajtur më parë.

Midis lëndëve të tjera, Jozef Smithi dhe vëllezërit e tjerë studiuan hebraishten, gjuhën në të cilën ishte shkruar fillimisht pjesa më e madhe e Dhiatës së Vjetër. Ditari i profetit për këtë periudhë tregon se ai studionte hebraisht thuajse çdo ditë, shpesh për shumë orë në ditë. Shënimet në ditarin e tij përfshijnë fjalë të tilla si: “E kalova ditën duke lexuar hebraisht”, ose “Shkova në shkollë dhe lexova hebraisht”1. Më 19 janar 1836, ai shënoi: “E kalova ditën në shkollë. Zoti na bekoi në studimet tona. Sot ne filluam të lexojmë në Biblat tona në hebraisht me shumë sukses. Duket sikur Zoti na i hap mendjet tona në një mënyrë të mrekullueshme, për të kuptuar fjalën e Tij në gjuhën origjinale.”2 Një muaj më vonë, ai shkroi: “Shkova në shkollë dhe, si zakonisht, lexova e përktheva me klasën time. Shpirti im kënaqet kur e lexoj fjalën e Zotit në origjinal.”3

Përvoja e Jozef Smithit në Shkollën e Pleqve është vetëm një provë e dashurisë së tij për shkrimet e shenjta. Ai i studioi shkrimet e shenjta me zell, duke gjetur tek to ngushëllim, dije dhe frymëzim gjatë gjithë jetës së tij. Në mënyrë domethënëse, ishte një fragment nga Bibla që e drejtoi atë të kërkonte urtësi nga Perëndia dhe të merrte Vegimin e Parë kur qe vetëm 14 vjeç (shih Jakobi [Bibël] 1:5).

Shkrimet dhe predikimet e Profetit janë të mbushura me citime dhe interpretime të shkrimeve të shenjta, sepse ai i kishte studiuar shkrimet e shenjta aq gjerësisht saqë ato u bënë pjesë përbërëse e mendimit të tij. Në mësimet e tij, ai i citonte shkrimet e shenjta fjalë për fjalë, i përmendte tërthorazi ato, i parafrazonte ato dhe i përdorte ato si themel për predikimet e tij. “Unë i di shkrimet e shenjta dhe i kuptoj ato”, deklaroi ai në prill 1844.4

Njohuria e tij e jashtëzakonshme për shkrimet e shenjta e lejoi atë t’ua mësonte dhe t’ua interpretonte ato me fuqi dhe qartësi të madhe; dhe shumë vetë që e dëgjuan atë të fliste, e kujtonin aftësinë e tij. Presidenti Brigam Jang kujtoi se Profeti mund “t’i merrte shkrimet e shenjta dhe t’i bënte ato aq të qarta e të thjeshta saqë gjithkush të mund t’i kuptonte”5.

Uondëll Mejs kujtoi: “E kam dëgjuar Profetin Jozef Smith para të gjithëve dhe veçmas, në kohë me diell dhe me shi, ashtu si kanë bërë shumë të tjerë kur ai i mësonte ata nga foltorja. Edhe në shtëpinë time, edhe në shtëpinë e tij, unë jam njohur me të … dhe e di se asnjë njeri nuk mund t’i shpjegonte shkrimet e shenjta, t’i bënte ato aq lehtë të kuptueshme, saqë askush nuk mund të keqkuptonte kuptimin e tyre, përveç nëse ai të ishte mësuar nga Perëndia.

Nganjëherë jam ndier i turpëruar për veten time sepse, edhe pse i kisha studiuar kaq shumë shkrimet e shenjta, madje që fëmijë, nuk e kisha kuptuar atë që ishte aq e qartë kur ai i shpjegonte ato. Ai dukej sikur kthente çelësin dhe dera e diturisë hapej e tëra, duke zbuluar parime të çmuara, si të reja edhe të vjetra.”6

Dija e Profetit për shkrimet e shenjta duket qartë në letrën në vijim, në të cilën ai dha një interpretim profetik të shëmbëlltyrave të Shpëtimtarit në Mateu 13. Ai u mësoi se këto shëmbëlltyra përshkruajnë themelimin e Kishës në kohën e Shpëtimtarit dhe rritjen e fatin e mrekullueshëm të saj në ditët e fundit.

Mësime të Jozef Smithit

Shpëtimtari dha mësim me shëmbëlltyra, që ata që besuan në mësimet e Tij të mund të merrnin dritë më të madhe, ndërsa ata që nuk i pranuan mësimet e Tij do të humbitnin edhe dritën që kishin.

“‘Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë [Shpëtimtarit]: “Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?”’ [Do të komentoja këtu se fjala “atyre” e përdorur në këtë pyetje … i referohet turmës.] Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre [që domethënë dishepujve,]: ‘Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre [që domethënë mosbesuesve,] nuk u është dhënë; sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka’. [Mateu 13:10–12.]

Ne kuptojmë nga kjo thënie se ata që më parë kishin qenë në kërkim të një Mesie që do të vinte sipas dëshmisë së Profetëve, dhe që për më tepër në atë kohë po kërkonin një Mesia, por që nuk kishin dritë të mjaftueshme për shkak të mosbesimit të tyre, që ta dallonin Atë si Shpëtimtarin e tyre dhe që Ai ishte Mesia i vërtetë, si pasojë ata duhet të ishin të zhgënjyer, dhe të humbitnin madje gjithë dijeninë, ose t’u merrej atyre gjithë drita, kuptimi dhe besimi që ata kishin pasur për këtë çështje. Prandaj, ai që nuk do të marrë dritën më të madhe, duhet t’i merret atij gjithë drita që ka; dhe në qoftë se drita, pra, që është në ju bëhet errësirë, vër re, sa e madhe do të jetë errësira! ‘Prandaj’, thotë Shpëtimtari, ‘unë u flas atyre me shëmbëlltyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë; kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: “Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni”.’ [Mateu 13:13–14.]

Tani ne zbulojmë se vetë arsyeja që jepet nga ky profet [Isaia], përse ata nuk do ta pranonin Mesian ishte sepse ata nuk e kuptuan ose nuk arrinin ta kuptonin; dhe duke vështruar, ata nuk dalluan; ‘sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj’. [Mateu 13:15.] Por çfarë u thotë Ai dishepujve të Vet? ‘Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë; sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t’i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t’i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan!’ [Mateu 13:16–17.]

Përsëri komentojmë këtu – sepse gjejmë që vetë parimi sipas të cilit dishepujt u quajtën të bekuar, ishte që ata ishin lejuar të shihnin me sytë e tyre dhe të dëgjonin me veshët e tyre – që dënimi që qëndronte mbi turmën që nuk i mori fjalët e Tij, qe sepse ata nuk ishin të gatshëm të shihnin me sytë e tyre dhe të dëgjonin me veshët e tyre; jo sepse ata nuk mundeshin, dhe nuk patën privilegjin të shihnin e të dëgjonin, por sepse zemrat e tyre qenë plot me ligësi dhe urrejtje; ‘ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju’. [Veprat e Apostujve 7:51.] Profeti, duke parashikuar që ata do t’i ngurtësonin kështu zemrat e tyre, e deklaroi qartë atë; dhe që këtu është dënimi i botës; që drita ka ardhur në botë dhe njerëzit zgjedhin errësirën në vend të dritës, sepse veprat e tyre janë të mbrapshta. Kjo është mësuar kaq qartë nga Shpëtimtari, saqë një njeri që lexon pa u thelluar nuk do ta kuptonte gabim atë.

… Njerëzit, kur e vërteta shfaqet nga shërbëtorët e Perëndisë, e kanë zakon që të thonë se gjithçka është e fshehtë; ata kanë folur me shëmbëlltyra dhe, si rrjedhim, që të mos kuptohen. Është e vërtetë që ata kanë sy për të parë dhe nuk shohin, por askush nuk është aq i verbër sa ata që nuk pranojnë të shohin; dhe, ndonëse Shpëtimtari u foli kështu njerëzve të tillë, përsëri dishepujve të Tij ai ua shpjegoi qartë; dhe ne kemi arsye të jemi vërtet të përulur përpara Perëndisë së etërve tanë, që Ai i ka lënë këto gjëra të regjistruara për ne, kaq qartë, saqë me gjithë përpjekjet dhe ndikimin e ndërthurur të priftërinjve të Baalit, ata nuk kanë fuqi të na lidhin sytë dhe të errësojnë kuptueshmërinë tonë, nëse ne thjesht i hapim sytë dhe lexojmë me paanshmëri, për një çast.”7

Shëmbëlltyra e mbjellësit paraqet rezultatet e predikimit të ungjillit; ajo gjithashtu tregon se Shpëtimtari e themeloi mbretërinë e Tij në meridianin e kohës.

“Në kohën kur Shpëtimtari tha këto fjalë dhe shëmbëlltyra të bukura që përmbahen në [Mateu 13], ne e gjejmë Atë të ulur në një barkë për shkak të turmës që u grumbullua rreth Tij për të dëgjuar fjalët e Tij; dhe Ai filloi t’i mësonte ata duke thënë:

‘Ja, një mbjellës doli për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë; por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë. Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën. Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish. Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!’ [Mateu 13:3–9.] …

Por dëgjoni shpjegimin e shëmbëlltyrës së Mbjellësit: ‘Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij’. Tani vini re shprehjen – atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. ‘Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.’ [Mateu 13:19.] Njerëzit që nuk kanë parim të drejtësisë në vetvete, dhe zemrat e të cilëve janë të mbushura me paudhësi, dhe që nuk kanë dëshirë për parimet e së vërtetës, nuk e kuptojnë fjalën e së vërtetës kur e dëgjojnë atë. I ligu e largon fjalën e së vërtetës prej zemrave të tyre, sepse nuk ka dëshirë për drejtësi tek ata.

‘Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë. Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme. Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.’ [Mateu 13:20–23.]

Kështu Vetë Shpëtimtari u shpjegoi dishepujve të Tij shëmbëlltyrën që u shprehu dhe nuk la fshehtësi ose errësirë në mendjet e atyre që besuan vendosmërisht në fjalët e Tij.

Atëherë ne nxjerrim përfundimin se arsyeja e thjeshtë përse turma, ose bota, siç u emërtua nga Shpëtimtari, nuk e mori një shpjegim të shëmbëlltyrave të Tij, ishte për shkak të mosbesimit. Juve, thotë Ai (duke u folur dishepujve të Tij), ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë [shih Mateu 13:11]. Dhe përse? Për shkak të besimit dhe mirëbesimit që ata patën tek Ai. Kjo shëmbëlltyrë u tha për të paraqitur rezultatet që jep predikimi i fjalës; dhe ne besojmë se ajo ka një nënkuptim drejtpërsëdrejti për nisjen, ose themelimin, e Mbretërisë në atë kohë; prandaj ne do të vazhdojmë të ndjekim thëniet e Tij në lidhje me këtë Mbretëri që nga ajo kohë e më tej, madje deri në fund të botës.”8

Shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës na mëson se të drejtët dhe të ligjtë do të rriten së bashku deri në fund të botës, kur të drejtët do të mblidhen dhe të ligjtë do të digjen.

“‘Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër [shëmbëlltyrë që ka një kuptim të fshehtë për themelimin e Mbretërisë edhe në atë periudhë të botës]: ‘Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku. Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra. Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: “Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra?” Dhe ai u tha atyre: “Këtë e ka bërë armiku”. Atëherë shërbëtorët i thanë: “A do ti të shkojmë e ta shkulim?” Por ai tha: “Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin. I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim.”’’ [Mateu 13:24–30.]

Tani ne mësojmë prej kësaj shëmbëlltyre jo vetëm themelimin e Mbretërisë në ditët e Shpëtimtarit, që përfaqësohet nga fara e mirë, që prodhoi fryte, por gjithashtu për prishjen e Kishës, që përfaqësohet nga egjra, që e mbolli armiku, që dishepujt e Tij do ta shkulnin me dëshirë, ose prej të cilës do ta pastronin Kishën, nëse këndvështrimi i tyre do të ishte miratuar nga Shpëtimtari. Por Ai, duke i ditur të gjitha gjërat thotë: ‘Mos e bëni këtë’. Është sikur të thotë se këndvështrimet tuaja nuk janë të sakta, Kisha është në foshnjërinë e saj dhe, nëse ju ndërmerrni këtë hap të nxituar, ju do të shkatërroni grurin, apo Kishën, bashkë me egjrën; prandaj është më mirë t’i lëmë ata të rriten së bashku deri në të korra, ose në fundin e botës, që do të thotë shkatërrimi i të ligjve, që nuk është përmbushur ende. …

‘…Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: “Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë”. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut. Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut.”’ [Mateu 13:36–38.]

Lexuesit tanë le të vënë re shprehjen – ‘Ara është bota, … egjra janë bijtë e të ligut, dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës [le të vënë re ata me kujdes këtë shprehje – fundi i botës,] dhe korrësit janë engjëjt.’ [Mateu 13:38–39.]

Tani njerëzit nuk kanë ndonjë bazë të mundshme që të thonë se kjo është e figurshme, apo se ajo nuk nënkupton atë që thotë, sepse tani Ai po shpjegon atë që ka thënë më parë me shëmbëlltyra; dhe sipas kësaj gjuhe, fundi i botës është shkatërrimi i të ligjve; koha e korrjes dhe fundi i botës kanë një nënkuptim drejtpërsëdrejti për familjen njerëzore në ditët e fundit, jo për tokën siç kanë përfytyruar shumë vetë, dhe atë që do t’i paraprijë ardhjes së Birit të Njeriut dhe ripërtëritjes të të gjitha gjërave të folura nga goja e të gjithë profetëve të shenjtë që nga fillimi i botës; dhe engjëjt do të kenë për të bërë diçka në këtë vepër të madhe, sepse ata janë korrësit.

‘Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës’ [Mateu 13:40]; që do të thotë, ndërkohë që shërbëtorët e Perëndisë shkojnë duke paralajmëruar kombet, si priftërinjtë edhe njerëzit, dhe ndërkohë që ata ngurtësojnë zemrat e tyre dhe nuk pranojnë dritën e së vërtetës, këta të parët do t’u dorëzohen goditjeve të Satanit, dhe ligji e dëshmia lidhen, … ata lihen në errësirë, dhe dorëzohen në ditën e djegies; duke qenë kështu të kufizuar prej besimeve të tyre, dhe lidhjet e tyre bëhen të forta prej priftërinjve të tyre, [ata] përgatiten për përmbushjen e thënies së Shpëtimtarit – ‘Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.’ [Mateu 13:41–42.]

Ne kuptojmë se vepra e mbledhjes së bashku të grurit në hambarë, ose në drithnikë, do të ndodhë ndërsa egjra lidhet dhe përgatitet për ditën e djegies; që pas ditës së djegies, ‘të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!’ [Mateu 13:43].”9

Shëmbëlltyra e kokrrës së sinapit na mëson se Kisha dhe mbretëria e Perëndisë, të themeluara në këto ditë të fundit, do të përhapen në të gjithë tokën.

“Dhe përsëri, Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër, që ka një kuptim të tërthortë për Mbretërinë që duhet të themelohet pikërisht përpara apo tamam në kohën e të korrave, që thotë sa më poshtë – ‘Mbretëria e Qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet. Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj.’ [Mateu 13:31–32.] Tani mund të zbulojmë qartë se kjo shëmbëlltyrë është dhënë për të përfaqësuar Kishën ashtu si do të vijë në ditët e fundit. Vini re, Mbretëria e Qiellit ngjasohet me të. Tani, si ngjason me të?

Le të marrim Librin e Mormonit, që një burrë e mori dhe e fshehu në fushën e tij, duke e siguruar me besimin e tij, që të lindte në ditët e fundit, apo në kohën e duhur; le ta vëmë re ndërsa del nga toka, që vërtet llogaritet si më e vogla nga të gjitha farat, por vini re si degëzohet më tej, po, madje lartësohet me degë të larta dhe madhështi si e Perëndisë, derisa, ashtu si fara e sinapit, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet. Dhe është e vërtetë, dhe ajo ka mbirë e dalë nga toka, dhe drejtësia fillon të dërgohet nga qielli [shih Psalmet 85:11; Moisiu 7:62], dhe Perëndia po dërgon fuqitë, dhuratat dhe engjëjt e Tij që të gjejnë strehë në degët e saj.

Mbretëria e Qiellit ngjasohet me farën e sinapit. Vini re, atëherë, a nuk është kjo Mbretëria e Qiellit që po ngre krye në ditët e fundit, në madhështinë e Perëndisë së saj, madje Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, si një shkëmb i padepërtueshëm, i palëkundshëm në mes të oqeanit të fuqishëm, e hapur ndaj stuhive dhe furtunave të Satanit, që deri tani ka mbetur e palëkundur, dhe ende po i qëndron me kurajë valëve sa një mal të kundërshtimit, që po ngrihen nga erërat e stuhishme të aftësive mashtruese që po dobësohen, që janë [përplasur] dhe ende vazhdojnë të përplasen me shkumë të llahtarshme kundrejt bregut të saj triumfues; të shtyrë me furi të dyfishuar nga armiku i drejtësisë? …

Retë e errësirës kanë kohë që po godasin si valë sa një mal mbi shkëmbin e palëkundshëm të Kishës së Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme; dhe me gjithë këtë, fara e sinapit ende lartësohet me degë të larta, lart e më lart, dhe po shtrin veten gjithmonë e më gjerësisht; dhe rrotat e koçisë së Mbretërisë ende po rrotullohen përpara, të shtyra nga krahu i fuqishëm i Jehovait; dhe me gjithë kundërshtimin, ende do të rrotullohen përpara, derisa fjalët e Tij të përmbushen të gjitha.”10

Dëshmitë e Tre Dëshmitarëve dhe shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme janë si majaja që zihet brumë me miell; shëmbëlltyra e rrjetës mëson për mbledhjen mbarëbotërore.

“‘Dhe Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e Qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tre masa miell derisa brumi të mbruhet plotësisht.”’ [Mateu 13:33.] Mund të kuptohet se Kisha e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e ka marrë fillimin e saj nga një sasi e vogël majaje që u vendos në tre dëshmitarë. Vini re, sa shumë i ngjan kjo shëmbëlltyrës! Shpejt ajo po e bën të vijë pjesën dhe së shpejti do të bëjë të vijë e gjitha. …

‘Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash. Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç’është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë.’ [Mateu 13:47–48.] Për funksionin e kësaj shëmbëlltyre, shihni farën e Jozefit, që përhap rrjetën e Ungjillit mbi faqen e tokës, që mbledh gjithfarë lloje gjërash, që të mirët të mund të shpëtohen në kosha të përgatitur për atë qëllim, dhe engjëjt do të kujdesen për ata që nuk janë të mirë. ‘“Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët; dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.” Jezusi u tha atyre: “A i kuptuat të gjitha këto?” Ata i thanë: “Po, Zot.”’ [Mateu 13:49–51.] Dhe ne themi: ‘Po, Zot’; dhe ata mund ta thonë me plot gojën: ‘Po, Zot’; sepse këto gjëra janë kaq të qarta dhe të lavdishme, saqë çdo shenjtor në ditët e fundit duhet t’u përgjigjet atyre me një Amen të përzemërt.

‘Dhe ai u tha atyre: “Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra.”’ [Mateu 13:52.]

Për funksionin e këtij shembulli, shihni Librin e Mormonit që del nga thesari i zemrës. Gjithashtu besëlidhjet e dhëna shenjtorëve të ditëve të mëvonshme [Doktrina e Besëlidhje], gjithashtu përkthimi i Biblës – duke nxjerrë kështu nga zemra gjëra të reja dhe të vjetra, duke iu përgjigjur kështu tre masave të miellit që pësojnë prekjen pastruese nga një zbulesë e Jezu Krishtit dhe shërbesa e engjëjve, të cilët e kanë filluar tashmë këtë vepër në ditët e fundit, që simbolizohen nga majaja që bëri të vijë gjithë porcionin. Amen.”11

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni faqet 311–314. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit që të na ndihmojë në studimin tonë vetjak të shkrimeve të shenjta?

  • Rishihni shpjegimin e Jozef Smithit se përse nganjëherë Shpëtimtari dha mësim me shëmbëlltyra (faqet 314–315). Ndërsa mësojmë të vërtetat e ungjillit, si mendoni ju, çfarë do të thotë të shohim me sytë tanë dhe të dëgjojmë me veshët tanë? Si mendoni ju, përse neve do të na merret drita nëse nuk jemi të gatshëm të marrim dritë më të madhe? Mendoni për atë që duhet të bëni për të marrë më shumë dritë të ungjillit.

  • Studioni shëmbëlltyrën e mbjellësit (faqet 316–318). Në këtë shëmbëlltyrë, Shpëtimtari tregon se i njëjti mesazh i ungjillit jep rezultate të ndryshme në varësi se si njerëzit e marrin atë. Përse fjala e Perëndisë është e pamundur të rritet tek njerëzit “zemrat e të cilëve janë të mbushura me paudhësi”? Përse mundimi dhe përndjekja i bëjnë disa të lënë mënjanë fjalën e Perëndisë? Në çfarë mënyrash mundet që “shqetësimet e kësaj bote” dhe “mashtrimet e pasurisë” ta mbysin fjalën brenda nesh?

  • Si mund të sigurojmë që “toka” jonë të jetë e mirë kur fjala të mbillet në ne? Çfarë mund të bëjnë prindërit që të ndihmojnë fëmijët të përgatitin zemrat e tyre për të marrë fjalën?

  • Në shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës (faqet 318–320), gruri përfaqëson të drejtët, apo “bijtë e mbretërisë”. Egjra përfaqëson “bijtë e të ligut”. Si mund të mbetemi besnikë edhe pse “egjra” lejohet të rritet mes “grurit”? Si ju ndihmon Doktrina e Besëlidhje 86:1–7 që të kuptoni shëmbëlltyrën?

  • Në çfarë mënyrash Kisha është sot si pema në rritje në shëmbëlltyrën e farës së sinapit? (Për disa shembuj, shihni faqet 320–322.)

  • Rishihni faqet 322–323. Përmendni se majaja është një lëndë që e bën të fryhet brumin e bukës. Në ç’mënyrë shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme janë si majá për Kishën? Në ç’mënyrë janë ato si majá për ju personalisht? Në ç’mënyrë shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme janë si thesare “[të] reja dhe të vjetra”?

  • Në shëmbëlltyrën e rrjetës së ungjillit (faqe 322), si mendoni ju, përse është e rëndësishme që rrjeta të zërë peshk të çdo lloji? Si po plotësohet sot kjo shëmbëlltyrë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Lluka 8:4–18; Alma 12:9–11; DeB 86:1–11; 101:63–68

Shënime

  1. History of the Church, 2:326, 387; nga shënime ditari të Joseph Smith-it, 7 dhjetor 1835 dhe 29 janar 1836, Kirtland, Ohio.

  2. History of the Church, 2:376; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 19 janar 1836, Kirtland, Ohio.

  3. History of the Church, 2:396; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 17 shkurt 1836, Kirtland, Ohio.

  4. History of the Church, 6:314; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  5. Brigham Young, Deseret News, 30 dhjetor 1857, f. 340; është modernizuar drejtshkrimi.

  6. Wandle Mace, Autobiography, rreth 1890s, f. 45, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  7. History of the Church, 2:265–266; kompleti i dytë, i tretë dhe i katërt i fjalëve në kllapa në paragrafin e parë në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, dhjetor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, dhjetor 1835, faqet 225–226.

  8. History of the Church, 2:264–267; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, dhjetor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, dhjetor 1835, faqet 225–226.

  9. History of the Church, 2:267, 271; kompleti i parë i fjalëve në kllapa në paragrafin e parë në origjinal dhe kompleti i parë i fjalëve në kllapa në paragrafin e katërt në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe i germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, dhjetor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, dhjetor 1835, faqet 226–229.

  10. History of the Church, 2:268, 270; fjala në kllapa në paragrafin e tretë në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit, germës së madhe dhe gramatika; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, dhjetor 1835, Kirtland, Ohio botuar në Messenger and Advocate, dhjetor 1835, faqet 227–228. Shih faqen xvi për informacion mbi ndryshimet në emrin zyrtar të Kishës.

  11. History of the Church, 2:270, 272; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe i germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar pleqve të Kishës, dhjetor 1835, Kirtland, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, dhjetor 1835, faqet 228–229.

Pamja
Joseph teaching

Profeti Jozef Smith duke i dhënë mësim një grupi vëllezërish, përfshirë Brigam Jangun (majtas). Brigam Jangu tha se Profeti mund “t’i merrte shkrimet e shenjta dhe t’i bënte ato aq të qarta e të thjeshta saqë gjithkush të mund t’i kuptonte”.

Pamja
man sowing seeds

“Ja, një mbjellës doli për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës. … Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt.”

Pamja
waves

Kisha është si “një shkëmb i padepërtueshëm, i palëkundshëm në mes të oqeanit të fuqishëm, e hapur ndaj stuhive dhe furtunave të Satanit, që deri tani ka mbetur e palëkundur”.