Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9: Dhurata të Shpirtit


Kapitulli 9

Dhurata të Shpirtit

“Nëse ju do t’i bindeni Ungjillit me zemra të pastra, unë ju premtoj në emrin e Zotit se dhuratat, siç janë premtuar nga Shpëtimtari ynë, do të vijojnë pas jush.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Faqja e titullit e Librit të Mormonit shpjegon se si ky libër i mrekullueshëm i shkrimit të shenjtë do të bëhej i disponueshëm për botën. Në kohët e lashta, fletët e arta ishin “shkruar dhe vulosur dhe fshehur te Zoti, që të mund të mos [shkatërroheshin]”. Në ditët e fundit, ato do “të [vinin] në dritë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” dhe do të interpretoheshin “nëpërmjet dhuratës së Perëndisë”. Në përmbushje të këtyre profecive, Perëndia zgjodhi Jozef Smithin që të përkthente analet e shenjta. Dallueshëm, aftësia e Jozefit për të përkthyer germat e lashta nuk erdhi nëpërmjet arsimit: ai kishte njohuri vetëm të shkollës fillore në lexim, shkrim dhe aritmetikë. Aftësia e tij për të përkthyer analet e shkruara shekuj më parë, në një gjuhë për të cilën ai nuk kishte njohuri, erdhi si një dhuratë nga Vetë Perëndia.

Ema Smith, një nga shkrueset e para në punën e bashkëshortit të saj, dëshmoi për këtë dhuratë hyjnore: “Asnjë njeri nuk do të mund të kishte diktuar shkrimin e dorëshkrimeve nëse nuk do të ishte i frymëzuar; sepse, kur [unë] po veproja si shkruesja e tij, [Jozefi] do të më diktonte mua për orë me radhë; dhe kur ktheheshim pas vakteve të ushqimit, ose pas ndërprerjeve, ai menjëherë do të fillonte atje ku e kishte lënë, madje pa e parë fare dorëshkrimin ose pa ia lexuar asnjë pjesë të tij”1.

Zoti i dha Profetit ndihmë materiale thelbësore që e lejoi atë të ecte përpara me punën e përkthimit. Jozef Najt Plaku, një mik i Profetit, i dha Jozefit pará dhe ushqim në disa raste. Në një kohë veçanërisht të dëshpëruar, Vëllai Najt udhëtoi deri tek shtëpia e Profetit për t’i dhënë Jozefit dhe Oliverit “një fuçi me peshk skumbri dhe një sasi letre me vija për të shkruar”, bashkë me “nëntë ose dhjetë shinikë gruri dhe pesë ose gjashtë shinikë kërtollash [patatesh]”. Vëllai Najt kujtoi: “Jozefi dhe Oliveri … u kthyen në shtëpi dhe më gjetën mua atje me furnizime, dhe ata u gëzuan, sepse kishin ngelur pa furnizime”2.

Gjatë prillit dhe majit të 1829-ës, përndjekjet po e ndërpritnin gjithnjë e më shumë punën e Profetit për përkthim në shtëpinë e tij në Harmoni të Pensilvanisë. Oliver Kaudri i shkroi një miku, Dejvid Uitmerit, duke i treguar për punën e shenjtë dhe duke i kërkuar të lejonte që puna të vazhdonte në shtëpinë e Uitmerit në Fajet të Nju-Jorkut. Nga fundi i majit ose fillimi i qershorit 1829, Profeti dhe Oliveri udhëtuan me Dejvid Uitmerin në karrocën e tij me një kalë deri tek shtëpia fermë e babait të Dejvidit, Piter Uitmer Plaku. Gjatë muajit qershor, në një dhomë në katin e sipërm të shtëpisë së Uitmerëve, përkthimi u përfundua me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.

Oliver Kaudri përshkroi përvojën e mrekullueshme kur shërbente si shkruesi i Profetit: “Këto ishin ditë për të mos u harruar kurrë—të ulesh nën tingullin e një zëri të diktuar nga frymëzimi i qiellit, duke zgjuar mirënjohjen më të madhe të këtij kraharori! Ditë pas dite unë vazhdova, i pandërprerë, të shkruaja nga goja e tij, ndërkohë që ai përkthente me Urimin dhe Thumimin … historinë ose analin e quajtur ‘Libri i Mormonit’.”3

Gjatë kësaj kohe, Jozef Smithi mësoi se dhurata hyjnore ishte me të vetëm kur ai ishte i denjë të udhëhiqej nga Shpirti. Dejvid Uitmer tregoi: “Një mëngjes kur [Jozef Smithi] po bëhej gati të vazhdonte përkthimin, diçka nuk shkoi mirë në shtëpi dhe ai u mërzit për atë. Ishte diçka që kishte bërë Ema, bashkëshortja e tij. Oliveri dhe unë shkuam lart dhe Jozefi erdhi menjëherë më pas për të vazhduar përkthimin, por ai nuk mund të bënte asgjë. Ai nuk mund të përkthente as dhe një rrokje të vetme. Ai zbriti shkallët, doli jashtë në kopsht dhe iu përgjërua Zotit; shkoi për rreth një orë – u kthye në shtëpi, i kërkoi falje Emës dhe pastaj ngjiti shkallët, dhe erdhi ku ishim ne, dhe përkthimi vazhdoi në rregull. Ai nuk mund të bënte asgjë po të mos ishte i përulur dhe besnik.”4

Me përulje dhe besnikëri duke përdorur dhuratën që i dha Perëndia, Profeti i ri përmbushi një detyrë në dukje të pamundur të përkthimit të gati të gjithë Librit të Mormonit midis fillimit të prillit dhe fundit të qershorit 1829.

Mësime të Jozef Smithit

Secilit prej nesh i jepen dhurata të Shpirtit; dhuratat e secilit person janë të nevojshme në Kishë.

Nenet e Besimit 1:7: “Ne besojmë në dhuratën e gjuhëve, të profecisë, zbulesës, vegimeve, shërimit, interpretimit të gjuhëve e kështu me radhë.”5

“Ne … besojmë në profecinë, në gjuhët, vegimet, dhe në zbulesa, në dhurata, dhe në shërime; dhe se këto gjëra nuk mund t’i kemi pa dhuratën e Frymës së Shenjtë.”6

Amasa Poter kujtoi: “Më kujtohet që Profeti u ngrit për t’i predikuar një kongregacioni të madh në korijen në perëndim të Tempullit në Navu. Ai deklaroi se do të predikonte për dhuratat shpirtërore. … Jozefi deklaroi se çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme kishte një dhuratë dhe duke jetuar një jetë të drejtë e duke e kërkuar atë, Shpirti i Shenjtë do t’ia zbulonte atij ose asaj.”7

“Pali thotë: ‘Dikujt i jepet dhuntia e gjuhëve, një tjetri dhuntia e profecisë, dhe një tjetri dhuntia e shërimit’; dhe përsëri: ‘A profetizojnë të gjithë? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?’ Duke treguar qartë se të gjithë nuk i zotëronin këto dhurata të ndryshme; por që dikush mori një dhuratë, një tjetër mori një dhuratë tjetër – jo të gjithë profetizonin, jo të gjithë flisnin gjuhë të ndryshme, jo të gjithë bënin mrekulli; por të gjithë morën vërtet dhuratën e Frymës së Shenjtë; nganjëherë ata folën në gjuhë të ndryshme dhe profetizuan në kohën e Apostujve dhe nganjëherë nuk i bënë ato. …

Kisha është një trup kompakt i përbërë nga anëtarë të ndryshëm dhe është saktësisht e ngjashme me sistemin njerëzor, dhe Pali, pasi flet për dhuratat e ndryshme, thotë: ‘Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç. Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve. Janë të gjithë mësues? A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?’ Është e qartë se jo; por ende ata janë të gjithë gjymtyrë të një trupi. Të gjithë gjymtyrët e trupit natyror nuk janë syri, veshi, koka apo dora – por përsëri syri nuk mund t’i thotë veshit: ‘unë nuk kam nevojë për ty’, as koka këmbës: ‘unë nuk kam nevojë për ty’; ata janë të gjithë kaq shumë pjesë përbërëse në makinën e përsosur – trupin e vetëm; dhe nëse një gjymtyrë vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë bashkë me të dhe nëse një gjymtyrë gëzon, gjithë të tjerat nderohen me të. [Shih 1 Korintasve 12:9–10, 18–21, 26–30.]

Këto, pra, janë të gjitha dhurata; ato vijnë nga Perëndia; ato janë nga Perëndia; ato janë të gjitha dhuratat e Frymës së Shenjtë.”8

Ne i marrim dhuratat e Shpirtit nëpërmjet bindjes dhe besimit.

“Meqenëse besimi mungon, frytet e tij mungojnë. Që nga krijimi i botës asnjë njeri nuk pati besim pa pasur diçka bashkë me të. Besimtarët e lashtë fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, gratë morën të vdekurit e tyre etj. Me anë të besimit botët u ndërtuan. [Shih Hebrenjve 11:3, 34–35.] Një njeri që nuk ka asnjë nga dhuratat nuk ka besim; dhe ai e mashtron veten, nëse mendon se ka besim. Besimi ka munguar, jo vetëm mes paganëve, por dhe në krishtërimin e shprehur, kështu që gjuhët e ndryshme, shërimet, profecia dhe profetët e apostujt, dhe gjithë dhuratat e bekimet kanë munguar.”9

“Ky dimër [1832–1833] u kalua duke përkthyer Shkrimet e Shenjta; në Shkollën e Profetëve; dhe duke qëndruar në konferenca. Unë pata shumë stinë të lavdishme përtëritjeje. Dhuratat që i pasojnë ata që besojnë dhe i binden Ungjillit, si shenja se Zoti është gjithmonë i njëjti në veprimet e Tij me dashuruesit dhe pasuesit e përulur të së vërtetës, filluan të derdhen mes nesh, si në kohët e lashta.”10

Eduard Stivenson qe i pranishëm kur Jozef Smithi predikoi në Pontiak të Miçiganit, në 1834-n. Ai kujtoi këto fjalë të Profetit: “Nëse ju do t’i bindeni Ungjillit me zemra të pastra, unë ju premtoj në emrin e Zotit se dhuratat, siç janë premtuar nga Shpëtimtari ynë, do të vijojnë pas jush dhe me anë të kësaj ju mund të më provoni mua se jeni një shërbëtor i vërtetë i Perëndisë”11.

Dhuratat e Shpirtit zakonisht merren qetësisht dhe privatisht, pa shfaqje të jashtme.

“Pikëpamjet e njerëzve në lidhje me dhuratën e Frymës së Shenjtë janë të ndryshme dhe kundërshtuese. Disa njerëz kanë pasur zakonin ta quajnë çdo shfaqje mbinatyrore si efekte të Shpirtit të Perëndisë, ndërsa ka të tjerë që mendojnë se nuk ka fare shfaqje të lidhura me të; dhe se nuk është gjë tjetër veçse një impuls i thjeshtë i mendjes, apo një ndjenjë, mbresë e brendshme, ose një dëshmi e fshehtë apo provë, që njeriu e zotëron dhe se nuk ka një gjë të tillë si një shfaqje e jashtme.

Nuk është çudi që njerëzit duhet të jenë injorantë, në një masë të madhe, për parimet e shpëtimit dhe më në veçanti për natyrën, detyrën, fuqinë, ndikimin, dhuratat dhe bekimet e dhuratës së Frymës së Shenjtë; kur ne marrim parasysh se familja njerëzore ka qenë mbështjellë në një errësirë dhe injorancë të madhe për shumë shekuj në të kaluarën, pa zbulesë, ose çfarëdo kriteri të saktë [me anë të të cilit] të mbërrinte në një njohuri të gjërave të Perëndisë, që mund të njihen vetëm nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë. Kështu që jo rrallë ndodh që, kur Pleqtë e kësaj Kishe u predikojnë banorëve të botës se nëse ata i binden Ungjillit, ata do të marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë, njerëzit presin të shohin ndonjë shfaqje të mrekullueshme, njëfarë paraqitjeje të madhe të fuqisë, ose të kryhet ndonjë mrekulli e jashtëzakonshme. …

Familja njerëzore është shumë e prirur të veprojë në mënyra ekstreme, veçanërisht në çështjet fetare, prandaj njerëzit në përgjithësi ose duan ndonjë shfaqje të mrekullueshme, ose nuk besojnë fare tek dhurata e Frymës së Shenjtë. Nëse një Plak vë duart e tij mbi një person, shumë vetë mendojnë se ai person menjëherë duhet të ngrihet dhe të flasë në gjuhë të tjera, dhe të profetizojë; kjo ide është krijuar nga rasti kur Pali vuri duart e tij mbi disa individë që më parë ishin pagëzuar (siç pohuan ata) me pagëzimin e Gjonit; të cilët kur ai e bëri këtë ‘folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan’. [Shih Veprat e Apostujve 19:1–6.] …

Ne besojmë se Fryma e Shenjtë dhurohet me anë të vënies së duarve prej atyre që kanë autoritet dhe se dhurata e gjuhëve të tjera e gjithashtu dhurata e profecisë janë dhurata të Shpirtit, dhe merren me anë të atij mjeti [Frymës së Shenjtë]; por të thuash më tej se njerëzit gjithmonë profetizuan dhe folën në gjuhë të tjera kur iu vendosën duart, do të ishte të deklaroje atë që është e pavërtetë, në kundërshtim me praktikën e Apostujve dhe në mospërputhje me shkrimin e shenjtë. …

… Të gjitha dhuratat e Shpirtit nuk janë të dukshme për shikimin natyror, apo kuptimin e njeriut; në fakt shumë pak prej tyre janë të dukshme. … Pak prej tyre mund të dallohen nga kushdo. Pjetri dhe Gjoni ishin Apostuj, por gjykata çifute i rrahu me kamzhik si mashtrues. Pali ishte edhe Apostull edhe Profet, por ata e qëlluan me gurë dhe e futën në burg. Njerëzit nuk dinin asgjë për këtë, ndonëse ai kishte në zotërim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Shpëtimtari ynë ishte ‘[vajosur] me vaj gëzimi përmbi shokët e [tij]’ [Hebrenjve 1:9], megjithatë njerëzit ishin kaq larg nga njohja e Tij, saqë thanë se Ai ishte Beelzebubi dhe e kryqëzuan Atë si mashtrues. Kush mund ta dallojë një Bari, një Mësues, apo një Ungjilltar nga pamja e tyre e jashtme, megjithatë ata kanë dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Por le të vijmë tek anëtarët e tjerë të Kishës dhe të shqyrtojmë dhuratat për të cilat flet Pali, ne do të shohim se bota në përgjithësi nuk di t’i dallojë fare ato dhe se janë vetëm një apo dy që mund të dallohen menjëherë, nëse ato derdhen të gjitha në çastin e vendosjes së duarve. Tek [1 Korintasve 12:4–11], Pali thotë: ‘Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë. Ka edhe larmi shërbimesh, por i njëjti Zot. Dhe ka larmi veprimtarish por është i njëjti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë. Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.’

Këtu përmenden disa dhurata, megjithatë, cila nga të gjitha ato do të njihej nga një vëzhgues në çastin e vendosjes së duarve? Fjala e diturisë dhe fjala e njohurisë, janë po aq dhurata sa cilado tjetër, megjithatë, nëse ndonjë person i zotëroi të dyja këto dhurata, apo i mori me anë të vendosjes së duarve, kush do ta dinte këtë? Një tjetër do të mund të merrte dhuratën e besimit dhe ata do të ishin po aq injorantë për atë. Ose supozoni se një burrë do të kishte dhuratën e shërimit apo fuqinë për të kryer mrekulli, kjo nuk do të dihej në atë moment; do të kërkonte kohë dhe rrethana që të thirreshin në veprim këto dhurata. Supozoni se një burrë kishte dallimin e frymërave, kush do të ishte në gjendje ta dallonte atë? Ose nëse do të kishte interpretimin e gjuhëve, përveçse nëse dikush do të fliste në një gjuhë të panjohur, sigurisht që ai do të duhej të qëndronte në heshtje; janë vetëm dy dhurata që mund të dallohen – dhurata e gjuhëve dhe dhurata e profecisë. Këto janë gjërat për të cilat flitet më shumë, megjithatë, nëse një person do të fliste në një gjuhë të panjohur, sipas dëshmisë së Palit, ai do të ishte i huaj për të pranishmit [shih 1 Korintasve 14:11]. Ata do të thoshin që janë fjalë pa kuptim; dhe nëse do të profetizonte do t’i quanin gjepura. Dhurata e gjuhëve ndoshta është dhurata më e vogël nga të gjitha; megjithatë është ajo që kërkohet më shumë.

Prandaj, sipas dëshmisë së Shkrimit të Shenjtë dhe shfaqjeve të Shpirtit në kohët e lashta, shumë pak do të njihej për të nga turmat rrethuese, përveç ndonjë rasti të jashtëzakonshëm, si në ditën e Rrëshajëve. Dhuratat më të mëdha, më të mira dhe më të dobishme nuk do të dalloheshin fare nga një vëzhgues. …

Shfaqjet e dhuratës së Frymës së Shenjtë, shërbesat e engjëjve, ose zhvillimi i fuqisë, madhështisë apo lavdisë së Perëndisë shumë rrallë u shfaqën në publik dhe këto zakonisht popullit të Perëndisë, si për shembull izraelitëve; por më në përgjithësi, kur kanë ardhur engjëjt, apo Perëndia e ka zbuluar Veten, kjo ka ndodhur për individë në mënyrë vetjake, në dhomën e tyre; në shkretëtirë apo fusha dhe kjo në përgjithësi pa zhurmë ose gurgule. Engjëlli e nxori nga burgu Pjetrin në mes të natës; erdhi tek Pali i pavëzhguar nga pjesa tjetër e grupit; iu shfaq Marisë dhe Elizabetës pa dijeninë e të tjerëve; i foli Gjon Pagëzorit ndërkohë që njerëzit përreth nuk kishin dijeni për të.

Kur Eliseu pa qerret e Izraelit dhe kalorësit e tyre, kjo nuk dihej nga të tjerët. Kur Zoti iu shfaq Abrahamit, kjo ndodhi tek hyrja e çadrës së tij; kur engjëjt shkuan tek Loti, asnjë person nuk i dalloi ata përveç tij, ndoshta kështu ndodhi me Abrahamin dhe gruan e tij; kur Zoti iu shfaq Moisiut, kjo ndodhi tek ferrishtja që flakëronte, në tabernakull, ose në majë të malit; kur Elia u mor në një qerre të zjarrtë, kjo nuk u vëzhgua nga bota; dhe kur ai qe në një të çarë mali, kishte bubullimë të fortë, por Zoti nuk qe në bubullimë; ra një tërmet, por Zoti nuk qe në tërmet; dhe pastaj pati një zë të vogël e të qetë, që ishte zëri i Zotit dhe që tha: ‘Ç’bën aty Elia?’ [Shih 1 Mbretërit 19:11–13.]

Zoti nuk mund të njihet gjithmonë nga gjëmimi i zërit të Tij, nga paraqitja e lavdisë së Tij, apo nga shfaqja e fuqisë së Tij; dhe ata që janë më të dëshiruar t’i shohin këto gjëra, janë më pak të përgatiturit për t’u ndeshur me to dhe nëse Zoti do ta shfaqte fuqinë e Tij, siç bëri me bijtë e Izraelit, njerëz të tillë do të ishin të parët që do të thoshin: ‘Por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim’. [Shih Eksodi 20:19.]”12

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Zoti i dha Profetit Jozef Smith një dhuratë që të ishte në gjendje të përkthente fletët e arta (faqet 119–120). Kur ju ka dhënë dhurata Zoti për t’ju ndihmuar që të merrni pjesë në punën e Tij?

  • Çfarë mund të mësojmë nga historia e treguar nga Dejvid Uitmer në faqen 120? Çfarë përvojash në vetë jetën tuaj ju kanë mësuar se duhet të jeni të denjë që të mund të përdorni dhuratat tuaja shpirtërore?

  • Rishikoni seksionin që fillon në faqen 121. Në cilat mënyra përfiton Kisha ngaqë ka anëtarë me dhurata të ndryshme të Shpirtit? Si keni përfituar ju nga dhuratat shpirtërore të të tjerëve? Kur keni parë njerëz me dhurata të ndryshme të punojnë së bashku për të ndihmuar njëri-tjetrin?

  • Studioni seksionin në faqen 122. Mendoni për disa dhurata shpirtërore që do t’ju forconin juve personalisht ose do t’ju ndihmonin t’i shërbenit Zotit dhe të tjerëve. Përcaktoni se çfarë do të bëni që të “kërkoni me zell dhuratat më të mira” (DeB 46:8).

  • Rishikoni seksionin që fillon në faqen 123. Mendoni ose diskutoni këshillën e veçantë që gjeni për mënyrën se si shfaqen dhuratat shpirtërore. Përse është e rëndësishme të kujtojmë që dhuratat shpirtërore “shumë rrallë [shfaqen] në publik”? (faqe 125). Përse mendoni se shumë dhurata shpirtërore vijnë qetësisht dhe privatisht? Përse është e rëndësishme të kujtojmë që shumë dhurata shpirtërore kërkojnë “kohë dhe rrethana që të [thirren] në veprim”? (faqe 125).

  • Pasi të lexoni këtë kapitull, cilat do të thoshit ju se janë disa nga qëllimet e dhuratave shpirtërore?

Shkrime të Shenjta Përkatëse:1 Korintasve 12:1–31; 3 Nefi 29:6; Moroni 10:6–23; DeB 46:8–33

Shënime

  1. Emma Smith, intervistë nga Joseph Smith III, shkurt 1879, Saints’ Herald (periodik i botuar nga Kisha e Riorganizuar e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të quajtur tani Komuniteti i Krishtit), 1 tetor 1879, f. 290.

  2. Joseph Knight, Reminiscences, f. 6, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  3. Oliver Cowdery, cituar në Joseph Smith—Historia 1:71, shënim në fund të faqes; prej një letre të Oliver Cowdery-it drejtuar William W. Phelps, 7 shtator 1834, Norton, Ohio, botuar në Messenger and Advocate, tetor 1834, f. 14.

  4. David Whitmer, intervistë nga William H. Kelley dhe George A. Blakeslee, 15 shtator 1881, Saints’ Herald, 1 mars 1882, f. 68.

  5. Nenet e Besimit 1:7.

  6. History of the Church, 5:27; nga “Gift of the Holy Ghost”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 qershor 1842, f. 823; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  7. Amasa Potter, “A Reminiscence of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 15 shkurt 1894, f. 132.

  8. History of the Church, 5:28–29; nga “Gift of the Holy Ghost”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 qershor 1842, f. 823–824; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  9. History of the Church, 5:218; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith më 2 janar 1843, në Springfield, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  10. History of the Church, 1:322; datat në kllapa në origjinal; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 270, Arkivat e Kishës.

  11. Cituar nga Edward Stevenson, Reminiscences of Joseph, the Prophet, and the Coming Forth of the Book of Mormon (1893), f. 4.

  12. History of the Church, 5:26–31; fjalët në kllapa në paragrafin e dytë në origjinal; janë modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga “Gift of the Holy Ghost”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 qershor 1842, f. 823–825; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

Pamja
Book of Mormon manuscript

Një pjesë e një faqeje nga dorëshkrimi origjinal i Librit të Mormonit. Fjalët e paraqitura janë pjesë e rrëfimit të Lehit për vegimin e tij të pemës së jetës, siç gjendet tek 1 Nefi 8:11–23.

Pamja
Abraham receiving inspiration

“Fuqi[a], madhështi[a] apo lavdi[a e] Perëndisë shumë rrallë [shfaqen] në publik. … Kur Zoti iu shfaq Abrahamit, kjo ndodhi tek hyrja e çadrës së tij [shih Zanafilla 18:1].”