Mësime të Presidentëve
Kapitulli 34: Fuqia e Faljes


Kapitulli 34

Fuqia e Faljes

“Eja, vëlla i dashur, meqenëse kaloi kjo luftë, Sepse miqtë e fillimit, janë përsëri miq në fund.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Në verën e vitit 1839, Profeti i vuri emrin Navu vendit ku po mblidheshin shenjtorët nga ana e Ilinoisit të lumit Misisipi. Emri ishte me origjinë hebraike, që do të thotë “një terren, ose vend i bukur, i cili mbart, gjithashtu, idenë e pushimit”1. Nën drejtimin e Profetit, shenjtorët filluan ta shndërrojnë fshatin Komers në një qytet të bukur. Së pari ata i zëvendësuan kasollet dhe tendat e tyre me shtëpi me trarë si të kufirit dhe pastaj një sasi shtëpish me skelet druri dhe me tulla të plota filluan të shfaqen. Ata mbollën fruta dhe pemë hijegjerë, dhe bimë kacavjerrëse, dhe shkurre për të zbukuruar ngastrat e tyre të mëdha të tokës. Në Navunë e tyre të bukur, shenjtorët shpresonin të gjenin një vend paqësor strehimi ku të mund të hidhnin pas shpine përndjekjet e Misurit.

Gjatë kësaj kohe ndërtimi, Jozef Smithi pati një përvojë që tregoi karakterin e tij të mëshirshëm dhe gatishmërinë për të falur të tjerët, duke u lejuar të kalonin përtej gabimeve të së shkuarës. Daniel Tajlër tregoi përvojën:

“Një burrë që kishte qëndruar lart në Kishë ndërsa ishte në Far-Uest [Misuri], u sëmur me të dridhura, apo atak malarieje dhe ethe. Ndërkohë që mendja e tij, si dhe trupi, ishte e dobët, grupe të pakënaqurish i prishën mendjen dhe e bindën të linte shenjtorët e të shkonte me ta. Ai dha disa dëshmi kundër Profetit. Ndërsa shenjtorët po vendoseshin në Komers, pasi u shërua nga sëmundja e tij, ai u zhvendos nga Misuri për në Kuinsi të Ilinoisit. Atje ai shkoi të punonte për të prerë dru zjarri për të siguruar mjete për të shkuar vetë dhe familja në Navu dhe [t’i jepte] një dhuratë njeriut të dëmtuar të Perëndisë, nëse, ndoshta, ai do ta falte atë dhe do t’i lejonte të kthehej në vathë. … Ai ndiente se nuk kishte shpëtim askund tjetër për atë dhe nëse kjo do t’i mohohej, gjithçka ishte e humbur për sa i përkiste atij. Ai u nis me një zemër të pikëlluar dhe pamje të dëshpëruar.

Ndërkohë [që burri ishte] rrugës, Zoti i tha Vëllait Jozef se ai po vinte. Profeti vështroi nga dritarja dhe e pa që po vinte në rrugë. Sapo ai u kthye që të hapte portën, Profeti kërceu nga karrigia dhe vrapoi, dhe e takoi atë në oborr, duke thirrur: ‘O Vëlla ——, sa i gëzuar jam që të shoh!’ Ai e përqafoi dhe të dy qanë si fëmijë.

Mjafton të them se u bë dëmshpërblimi i duhur dhe burri i rënë përsëri hyri në Kishë nga dera, e mori përsëri Priftërinë e tij, shkoi në disa misione të rëndësishme, u bashkua me shenjtorët në Sion dhe vdiq me besim të plotë.”2

Xhorxh Q. Kanon, që shërbeu si këshilltar në Presidencën e Parë, dha prova të mëtejshme të natyrës shpirtbutë të Jozef Smithit: “Me përkrahjen e tij të patundur për të vërtetën dhe zbatimin e tij të palëkundur të urdhërimeve të Perëndisë, Jozefi qe gjithmonë i mëshirshëm ndaj të dobëtit dhe gabuesit. Gjatë verës së 1835-ës, ai po punonte në këshilla dhe mbledhje në Kirtland e rrethina, dhe u zgjodh të merrte pjesë në diskutimet kundër disa anëtarëve që do të gjykoheshin për shprehje të bëra kundër Presidencës së Kishës. Qoftë nëse i ra shorti të mbronte kauzën e të akuzuarve, apo t’i ndiqte penalisht, ndonëse ai vetë mund të ishte njëri kundër të cilit ishte kryer padrejtësi, ai veproi me kaq shumë butësi dhe drejtësi saqë fitoi dashurinë e të gjithëve.”3

Mësime të Jozef Smithit

Ne duhet të ushtrojmë parimin e mëshirës dhe të falim vëllezërit dhe motrat tona.

“Një nga skenat më tërheqëse që mund të ndodhin në tokë, kur një mëkat është kryer nga një person kundër një tjetri, është ta falësh atë mëkat; dhe pastaj sipas modelit madhështor dhe të përsosur të Shpëtimtarit, t’i lutesh Atit tonë në qiell ta falë [mëkatarin] gjithashtu.”4

“Ushtrojeni gjithmonë parimin e mëshirës dhe jini gati ta falni vëllanë tonë në shenjat e para të pendesës dhe të kërkimit të ndjesës; dhe nëse ne ende e falim vëllanë tonë, ose madje armikun tonë, përpara se ai të pendohet apo të kërkojë ndjesë, Ati ynë qiellor do të jetë po aq i mëshirshëm ndaj nesh.”5

“Jini pranues dhe të duruar njëri me tjetrin, sepse kështu vepron Zoti me ne. Lutuni për kundërshtarët tuaj në Kishë dhe mos i mallkoni armiqtë tuaj jashtë saj: sepse mua më përket hakmarrja, thotë Zoti, dhe unë kam për të shpaguar [shih Romakëve 12:19]. Çdo anëtari të shuguruar, dhe të gjithëve, ne u themi, jini të mëshirshëm dhe ju do të gjeni mëshirë. Kërkoni të ndihmoni për të shpëtuar shpirtra, jo për t’i shkatërruar ata; sepse vërtet ju e dini që ‘në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen’. [Shih Lluka 15:7.]”6

Eliza R. Snou raportoi për këto fjalë të Profetit: “[Shenjtorët] duhet të armatosen me mëshirë, pavarësisht ligësisë që është mes nesh. Ai tha se kishte qenë vegël në nxjerrjen e ligësisë në dritë – ishte një mendim i trishtuar dhe e tmerrshme që kaq shumë vetë do ta vinin veten nën dënimin e djallit dhe do të shkonin në humbje. Me ndjenjë të thellë ai tha se ata janë të vdekshëm si ne, dikur i kemi dashur, a nuk do t’i nxisim drejt korrigjimit? Ne [ende] nuk i kemi falur ata shtatëdhjetë herë shtatë, siç udhëzoi Shpëtimtari ynë [shih Mateu 18:21–22]; ndoshta ne nuk i kemi falur as një herë. Tani është një ditë shpëtimi për të tillët nëse pendohen dhe korrigjohen.”7

“Supozoni se Jezu Krishti dhe engjëjt e shenjtë nuk do të na duronin për gjëra të pavlera, çfarë do të bëhej me ne? Ne duhet të jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin dhe të mos vëmë re gjëra të vogla.”8

Uillard Riçards, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, raportoi: “Jozefi vërejti se gjithçka shkonte mirë mes tij dhe qiellit; se ai nuk kishte armiqësi kundrejt askujt; dhe sipas lutjes së Jezusit, apo modelit të tij, ashtu u lut Jozefi – ‘Atë, m’i fal mua fajet e mia, ashtu siç ua fal unë fajtorëve të mi’ [shih Mateu 6:12, 14], sepse unë lirisht i fal të gjithë njerëzit. Nëse ne dëshirojmë të sigurojmë dhe kultivojmë dashurinë e të tjerëve, ne duhet t’i duam të tjerët, madje kundërshtarët tanë si edhe miqtë.”9

Falja rivendos harmoninë e ndjenjës.

“Brengosem që nuk ka vëllazërim më të plotë; nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha e ndiejnë; nga uniteti i ndjenjës ne marrim fuqi nga Perëndia. Krishti tha se Ai erdhi për të thirrur në pendim mëkatarët, për t’i shpëtuar ata. Krishti u dënua prej çifutëve që i jepnin të drejtë vetes sepse Ai mori mëkatarët në shoqërimin e Tij; Ai i mori ata mbi parimin që ata të pendoheshin për mëkatet e tyre. … Nëse [mëkatarët] pendohen, ne kemi detyrimin t’i pranojmë ata dhe me anë të mirësisë t’i shenjtërojmë e pastrojmë nga gjithë padrejtësia me anë të ndikimit tonë duke i mbrojtur ata. … Asgjë nuk është kaq e mirë llogaritur për t’i çuar njerëzit që të braktisin mëkatin sesa t’i marrësh ata për dore dhe t’i mbrosh ata me butësi.”10

Profeti Jozef Smith i shkroi një grupi udhëheqësish të Kishës: “Tani, vëllezër, më lejoni t’ju them se është prirja ime të jap e të fal dhe të pranoj e të duroj, me gjithë shpirtmirësinë dhe durimin, të metat, marrëzitë, dobësitë dhe ligësinë e vëllezërve të mi dhe të të gjithë botës së njerëzimit; dhe mirëbesimi e dashuria ime kundrejt jush nuk është pakësuar, as dobësuar. Dhe tani, nëse ju duhet të thirreni për të duruar bashkë me ne pak prej dobësive dhe të metave tona; dhe duhet, si ne, të merrni një qortim për veten, mos u fyeni.… Kur ju dhe unë të takohemi ballë për ballë, unë pres, pa dyshimin më të vogël, që të gjitha çështjet mes nesh do të kuptohen qartë dhe dashuria e përsosur do të triumfojë; dhe besëlidhja e shenjtë me anë të së cilës ne jemi lidhur së bashku, do të ketë vendin më të lartë në zemrat tona.”11

Profeti Jozef Smith tha sa vijon në një mbledhje me këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe Të Dymbëdhjetët: “Nganjëherë unë kam folur tepër ashpër prej shtysës së çastit dhe, duke qenë se unë kam lënduar ndjenjat tuaja, vëllezër, unë kërkoj faljen tuaj, sepse unë ju dua dhe do t’ju mbështes me gjithë zemër në gjithë drejtësi, përpara Zotit dhe përpara gjithë njerëzve; por sigurohuni, vëllezër, unë jam i gatshëm të ndaloj rrëkenë e gjithë kundërshtimit, në furtunë dhe në stuhi, në bubullima e në vetëtima, nëpër det dhe nëpër tokë, në vend të shkretë apo mes vëllezërve të rremë, apo turmave, apo kudo që Perëndia, me providencën e Tij, mund të na thërrasë. Dhe unë jam i bindur se as lartësitë, as thellësitë, as pushtetet, as fuqia, as gjërat e tashme apo gjërat e ardhshme, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të më ndajnë mua prej jush [shih Romakëve 8:38–39].

Dhe unë do të besëlidh tani me ju përpara Perëndisë, se unë nuk do të dëgjoj as do t’i zë besë çfarëdo raporti poshtërues kundër cilitdo prej jush, as do t’ju dënoj mbi bazën e ndonjë dëshmie nën qiej, përveç asaj dëshmie që është e pagabueshme, derisa t’ju shoh ballë për ballë dhe ta di me siguri; dhe unë vendos besim të pazvogëlueshëm në fjalën tuaj, sepse unë besoj se ju jeni njerëz të së vërtetës. Dhe unë kërkoj të njëjtën gjë prej jush, kur unë ju them çfarëdoqoftë, që ju të vendosni besim të njëjtë në fjalën time, sepse unë nuk do t’ju them se e di ndonjë gjë që nuk e di.”12

Në vjeshtën e 1835-ës, Uilliami, vëlla më i vogël i Profetit, nuk u pajtua me një vendim që kishte marrë Profeti, u inatos dhe filloi ta trajtonte Profetin me përbuzje, dhe nxiti të tjerë të bënin po ashtu. Kjo sjellje e hidhëroi Profetin dhe ai i shkroi sa vijon Uilliamit: “Unë dëshiroj, Vëllai Uilliam, që ti do të përulesh. Unë të fal lirisht dhe ti e di prirjen time të palëkundur e të pandryshuar; unë e di se tek cili besoj; unë qëndroj mbi shkëmb; përmbytjet nuk munden, jo, ato nuk do të më rrëzojnë mua. Ti e di që doktrina që ju mësoj është e vërtetë, ti e di që Perëndia më ka bekuar. … Ti e di që është detyra ime të të këshilloj, kur ti bën gabim. Unë gjithmonë do ta marr këtë guxim dhe ti do të kesh të njëjtin privilegj. Unë marr guximin të të këshilloj, për shkak të së drejtës time prej lindjes; dhe unë ta jap privilegjin, sepse është detyra ime të jem i përulur dhe të marr qortim e udhëzim prej një vëllai, ose një miku. …

Dhe tani Perëndia pastë mëshirë për shtëpinë e atit tim; Perëndia e largoftë armiqësinë midis meje dhe teje; dhe gjithë bekimet u rivendosshin dhe e kaluara të harrohet për gjithmonë. Pendesa e përulur na sjelltë ne të dyve tek Ti, O Perëndi, dhe tek fuqia e mbrojtja Jote, dhe një kurorë, për të gëzuar shoqërinë e atit, nënës, Alvinit, Hajrëmit, Sofronias, Samuelit, Katerinës, Karlosit, Lusit, shenjtorëve dhe të gjithë të shenjtëruarve në paqe, përgjithmonë, është lutja e vëllait tuaj.”13

Më 1 janar 1836, Profeti tha sa vijon për përpjekjet e tij për të zgjidhur këtë vështirësi në familjen e tij: “Me gjithë mirënjohjen që mbush zemrën time kur hedh vështrimin pas në vitin e kaluar dhe bekimet e shumëfishta që kanë kurorëzuar kokën tonë, zemra ime më dhemb brenda meje, për shkak të vështirësisë që ekziston në familjen e babait tim.… Unë jam i vendosur që nuk do të mungojë asgjë nga ana ime për të ndrequr e zgjidhur miqësisht dhe sistemuar gjithë vështirësitë familjare në këtë ditë, që viti dhe vitet e ardhshëm, qofshin ata pak apo shumë, të mund të kalohen në drejtësi para Perëndisë. …

Vëllezërit Uilliam e Hajrëm dhe xhaxhai Xhon Smith, erdhën në shtëpinë time dhe ne shkuam në një dhomë më vete, në shoqëri me babanë dhe Plakun Martin Herris. Babai Smith e hapi pastaj intervistën tonë me lutje, pas së cilës ai u shpreh vetë për rastin në një mënyrë shumë emocionuese dhe prekëse, madje me gjithë keqardhjen e një ati, ndjenjat e të cilit ishin lënduar thellë për shkak të vështirësisë që po ekzistonte në familje; dhe ndërsa ai na drejtohej neve, Shpirti i Perëndisë zbriti mbi ne me forcë të madhe dhe zemrat tona u zbutën. Vëllai Uilliam bëri një rrëfim të përulur dhe kërkoi faljen time për abuzimin që më kishte bërë. Dhe aty ku kisha gabuar unë, kërkova faljen e tij.

Dhe shpirti i rrëfimit dhe faljes qe reciprok midis nesh të gjithëve dhe ne besëlidhëm me njëri-tjetrin, në shikimin e Perëndisë dhe të engjëjve të shenjtë, dhe të vëllezërve, që të përpiqeshim që nga ajo kohë e tutje që ta mbështetnim njëri-tjetrin në drejtësi në të gjithë gjërat, dhe të mos dëgjonim fjalë të liga në lidhje me njëri-tjetrin; por, si vëllezër të vërtetë, do të shkonim tek njëri-tjetri, me ankesat tona, në shpirtin e butësisë dhe të pajtoheshim, dhe në këtë mënyrë të përkrahnim lumturinë tonë dhe lumturinë e familjes, dhe, shkurt, lumturinë dhe mirëqenien e të gjithëve. Bashkëshortja dhe nëna ime, dhe shkruesi im u thirrën të hynin pastaj, dhe ne e përsëritëm për ata besëlidhjen që kishim bërë; dhe ndërsa mirënjohja na gufoi kraharorin, lot rrodhën nga sytë tanë. Mua pastaj më kërkuan të mbyllja intervistën tonë, gjë që e bëra, me lutje; dhe qe vërtetë një festim dhe kohë për gëzim.”14

Duke u shfaqur shpirtmirësi, durim dhe mëshirë të penduarve, ne mund të ndihmojmë t’i sjellim ata në “lirinë e fëmijëve të dashur të Perëndisë”.

Nga fundi i 1838-ës, Uilliam W. Felps, që kishte qenë një anëtar i besuar i Kishës, ishte midis atyre që dhanë dëshmi të rreme kundër Profetit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës, duke shpënë në burgimin e tyre në Misuri. Në qershor 1840, Vëllai Felps i shkroi Jozef Smithit, duke iu lutur që ta falte. Profeti Jozef u përgjigj: “Duhet të them se nuk është me ndjenja të zakonshme që përpiqem t’ju shkruaj disa rreshta në përgjigje të letrës tuaj të datës 29 [të muajit të fundit]; në të njëjtën kohë jam i gëzuar nga privilegji që më është dhënë.

Ju mund ta kuptoni në njëfarë mase se cilat ishin ndjenjat e mia, si dhe të Plakut Rigdon dhe të Vëllait Hajrëm, kur ne lexuam letrën tuaj – vërtet zemrat tona u zbutën deri në brishtësi dhe dhembshuri kur konstatuam vendosmërinë tuaj etj. Mund t’ju siguroj se ndiej një prirje të veproj në rastin tuaj në një mënyrë që do t’i përshtatet miratimit të Jehovait (shërbëtor i të cilit jam), dhe të pranueshme për parimet e së vërtetës dhe të drejtësisë që janë zbuluar; dhe, duke qenë se shpirtmirësia, durimi dhe mëshira kanë karakterizuar gjithmonë veprimet e Atit tonë qiellor kundrejt të përulurit dhe të penduarit, unë ndihem i prirur të kopjoj shembullin, të ushqej të njëjtat parime dhe, duke e bërë këtë, të jem një shpëtimtar i bashkënjerëzve të mi.

Është e vërtetë që ne kemi vuajtur shumë si pasojë e sjelljes tuaj – kupa e vrerit, tashmë e mbushur plot që ta pinë të vdekshmit, ishte vërtet e mbushur deri në derdhje kur ju u kthyet kundër nesh, ju me të cilin kishim bërë shpesh bashkë biseda të këndshme dhe kishim gëzuar shumë kohë gjallëruese nga Zoti – ‘sepse po të kishte qenë një armik, ne do ta kishim duruar’. [Shih Psalmet 55:12–14.] ‘Ditën që ti rrije mënjanë, ditën që të huajt e çonin në robëri ushtrinë e tij dhe të huajt hynin nga portat e tij dhe hidhnin në short fatet e [Far-Uestit], edhe ti ishe si një prej tyre; por ti nuk duhet të shikoje me gëzim ditën e vëllait tënd, ditën e fatkeqësisë së tij, dhe as të flisje me arrogancë ditën e fatkeqësisë së tyre.’ [Shih Abdia 1:11–12.]

Gjithsesi, kupa u pi, vullneti i Atit tonë u krye, dhe ne jemi ende gjallë, gjë për të cilën falënderojmë Zotin. Dhe pasi jemi çliruar nga duart e njerëzve të ligj me anë të mëshirës së Perëndisë sonë, ne themi se është privilegji juaj që të çliroheni prej fuqive të kundërshtarit, të silleni në lirinë e fëmijëve të dashur të Perëndisë dhe përsëri të zini vendin tuaj midis shenjtorëve të Më të Lartit, dhe me zell, përulësi dhe dashuri jo të shtirur, t’ia rekomandoni veten Perëndisë sonë dhe Perëndisë tuaj, dhe Kishës së Jezu Krishtit.

Duke besuar se rrëfimi juaj është i vërtetë dhe pendesa juaj e sinqertë, unë do të jem i lumtur që edhe një herë t’ju jap dorën e djathtë në shoqërim dhe të gëzoj në kthimin e djalit plangprishës.

Letra juaj iu lexua shenjtorëve të dielën e shkuar dhe një shprehje e ndjenjave të tyre u mor, kur u vendos unanimisht që U. W. Felps duhet të merrej në shoqërim.

‘Eja, vëlla i dashur, meqenëse kaloi kjo luftë,

Sepse miqtë e fillimit, janë përsëri miq në fund.’”15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Ky kapitull përfshin disa rrëfime për Jozef Smithin që fal të tjerë. Rishihni këto rrëfime në faqet 417–419, 422–424 dhe 424–426. Në çfarë mënyrash këto ndodhì mund të ndihmojnë dikë që po përpiqet të falë një tjetër?

  • Çfarë bekimesh vijnë në jetën tonë kur ne falim ata që na kanë fyer? Përse nganjëherë ne kemi vështirësi të falim të tjerët? Çfarë mund të bëjmë që të zhvillojmë një shpirt që fal më tepër?

  • Faqet 420–421 përmbajnë deklarata të shkurtra, të urta për faljen e të tjerëve. Për shembull: “Jini pranues dhe të duruar njëri me tjetrin, sepse kështu vepron Zoti me ne”. “Jini të mëshirshëm dhe ju do të gjeni mëshirë.” “Kërkoni të ndihmoni për të shpëtuar shpirtra, jo për t’i shkatërruar ata.” “Ne duhet të jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin dhe të mos vëmë re gjëra të vogla.” Çfarë fitoni nga secila prej këtyre deklaratave?

  • Në paragrafin e parë të plotë të faqes 421, rishihni fjalët e Profetit Jozef Smith mbi ndikimin e mirësisë dhe butësisë. Si mendoni ju, përse kjo këshillë është e vërtetë? Si i keni provuar këto parime në vetë jetën tuaj?

  • Rishihni paragrafin e parë të plotë të faqes 422. Çfarë problemesh mund të shmangim ndërsa zbatojmë këtë këshillë? Përse nganjëherë kjo këshillë është e vështirë të zbatohet? Si mund të mposhtim tundimin për të besuar raporte negative ndaj të tjerëve?

  • Në përpjekjet e tij për të falur të tjerë, Profeti foli për dëshirën e tij për të “[kopjuar] shembullin” e Atit Qiellor (faqe 424) dhe për të jetuar “sipas modelit madhështor dhe të përsosur të Shpëtimtarit” (faqe 419–420). Ndërsa përpiqemi të ndjekim shembullin e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, cilat janë disa karakteristika që ne duhet të përpiqemi t’i zhvillojmë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Psalmet 86:5; Mateu 18:21–35; 1 Nefi 7:16–21; Mosia 26:29–31; DeB 64:9–11

Shënime

  1. History of the Church, 4:268; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, 15 janar 1841, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 janar 1841, f. 273–274.

  2. Daniel Tyler, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 15 gusht 1892, f. 491; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  3. George Q. Cannon, The Life of Joseph Smith, the Prophet (1888), f. 190–191.

  4. History of the Church, 6:245; nga “A Friendly Hint to Missouri”, një artikull i shkruar nën drejtimin e Joseph Smith-it, 8 mars 1844, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 mars 1844, f. 473.

  5. History of the Church, 3:383; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 2 korrik 1839, në Montrose, Iowa; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  6. History of the Church, 2:230; shënim në fund të faqes; nga “To the Saints Scattered Abroad”, Messenger and Advocate, qershor 1835, f. 138.

  7. History of the Church, 5:19–20; fjala “ende” në kllapa në origjinal; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 26 maj 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  8. History of the Church, 5:23; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 qershor 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  9. History of the Church, 5:498; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 korrik 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards.

  10. History of the Church, 5:23–24; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 9 qershor 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Eliza R. Snow.

  11. Letër nga Joseph Smith-i drejtuar Edward Partridge dhe të tjerëve, 30 mars 1834, Kirtland, Ohio; në Oliver Cowdery Letterbook, f. 34–35, Huntington Library, San Marino, California; kopje në Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  12. History of the Church, 2:374; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga protokolli i një mbledhjeje këshilli të Presidencës së Parë dhe Të Dymbëdhjetëve mbajtur më 16 janar 1836, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Warren Parrish.

  13. History of the Church, 2:343; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar William Smith-it, 18 dhjetor 1835, Kirtland, Ohio.

  14. History of the Church, 2:352–354; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një shënim ditari i Joseph Smith-it, 1 janar 1836, Kirtland, Ohio.

  15. History of the Church, 4:162–164; kompleti i dytë i fjalëve në kllapa në paragrafin e tretë në origjinal; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; janë hequr germat e pjerrëta; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar William W. Phelps-it, 22 korrik 1840, Nauvoo, Illinois.

Pamja
Christ teaching

Shpëtimtari duke treguar dhembshuri kundrejt një gruaje të kapur duke shkelur kurorën (shih Gjoni 8: 1–11). “Krishti tha se Ai erdhi për të thirrur në pendim mëkatarët, për t’i shpëtuar ata”, deklaroi Jozef Smithi.

Pamja
W. W. Phelps speaking with Joseph

Uilliam W. Felps, i paraqitur këtu bashkë me Jozef Smithin pasi u kthye në shoqërim të plotë me shenjtorët, shkroi për Profetin që e kishte falur atë kaq lirisht: “Lavdi atij që me Jehovën foli!” ([“Lavdi Njeriut”] “Himne dhe Këngë të Fëmijëve”, f. 50).