Mësime të Presidentëve
Kapitulli 18: Përtej Velit: Jeta në Përjetësitë


Kapitulli 18

Përtej Velit: Jeta në Përjetësitë

“[Të drejtët që kanë vdekur] do të ngrihen përsëri për të banuar në flakët e përjetshme në lavdi të pavdekshme, për të mos u hidhëruar, vuajtur ose vdekur më, por do të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Puna e Jozef Smithit për përkthimin e Biblës çoi në vegimin më të shquar të jetës në përjetësitë. Më 16 shkurt 1832, Profeti po punonte në shtëpinë e Xhon Xhonsonit në Hiram të Ohajos, me Sidni Rigdonin që po shërbente si shkruesi i tij. Ai po përkthente Ungjillin e Gjonit. “Prej zbulesash të ndryshme që ishin marrë”, tha Profeti më vonë, “ishte e dukshme se shumë pika të rëndësishme që preknin shpëtimin e njeriut ishin hequr nga Bibla, ose kishin humbur përpara se të hartohej ajo. Dukej e qartë nga ato të vërteta që kishin mbetur se, nëse Perëndia e shpërblente secilin sipas veprimeve të bëra kur ishin në trup, termi ‘Qiell’, i menduar si shtëpia e përjetshme e shenjtorëve, duhet të përfshijë më shumë se një mbretëri.”1

Profeti përktheu Gjonin 5:29, që përshkruan se si të gjithë “do të dalin” në ringjallje – “ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit”. Ndërkohë që ai dhe Sidni meditonin mbi këtë shkrim të shenjtë, një vegim i mrekullueshëm iu hap atyre. Ashtu si shënoi Profeti: “Me anë të fuqisë së Shpirtit sytë tanë u hapën dhe të kuptuarit tonë u ndriçua, kështu që të shihnim dhe të kuptonim gjërat e Perëndisë—madje ato gjëra që ishin nga fillimi, përpara se bota të ishte, të cilat u shuguruan nga Ati, nëpërmjet Birit të tij të Vetëmlindur, që ishte në gjirin e Atit, madje që nga fillimi” (DeB 76:12–13).

Në këtë vegim të lavdishëm, Profeti dhe Sidni Rigdoni panë Birin e Perëndisë në të djathtë të Atit dhe “morë[n] nga plotësia e tij” (DeB 76:20). Ata panë të tre mbretëritë e lavdisë që Perëndia kishte përgatitur për fëmijët e Tij dhe mësuan se kush do të trashëgojë këto mbretëri. Ata panë gjithashtu Satanin të flakur jashtë pranisë së Perëndisë si dhe vuajtjet e atyre që e lejojnë veten të mposhten nga Satani.

Ky vegim u bë më vonë seksioni i 76-të i Doktrinës e Besëlidhjeve. Profeti shpjegoi: “Asgjë nuk mund të jetë më e kënaqshme për shenjtorët mbi rendin e mbretërisë së Zotit, sesa drita që shpërthen mbi botën prej vegimit të mëparshëm. Çdo ligj, çdo urdhërim, çdo premtim, çdo e vërtetë dhe çdo pikë që prek fatin e njeriut, që nga Zanafilla deri tek Zbulesa, aty ku pastërtia e shkrimeve të shenjta mbetet e paprekur nga puna e pamend e njerëzve, … dëshmon faktin se ai dokument është një përkthim prej analeve të botës së përjetshme. Madhështia e ideve; pastërtia e gjuhës; shkalla e veprimit; kohëzgjatja e vazhdueshme për t’u përmbushur, në mënyrë që trashëgimtarët e shpëtimit të mund të lavdërojnë Zotin dhe të ulen; shpërblimet për besnikërinë dhe dënimet për mëkatet, janë kaq shumë përtej mendjengushtësisë së njerëzve, saqë çdo njeri i ndershëm është i detyruar të thërrasë: ‘Ka ardhur nga Perëndia.’”2

Mësime të Jozef Smithit

Perëndia ka përgatitur tre shkallë lavdie për fëmijët e Tij.

“Teksti im është për ringjalljen e të vdekurve, që do ta gjeni në kapitullin e 14 të Gjonit – ‘Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa’. [Gjoni 14: 2.] Që duhet të jetë – ‘Në mbretërinë e Atit tim ka shumë mbretëri’, në mënyrë që ju të mund të jeni trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me mua. … Ka banesa për ata që i binden një ligji qiellor dhe ka banesa të tjera për ata që nuk i binden ligjit, çdo njeri sipas rendit të vet.”3

“‘Por’, thotë dikush, ‘unë besoj në një qiell dhe ferr universal, ku shkojnë të gjithë, dhe të gjithë janë njëlloj, dhe barabar të mjerë ose barabar të lumtur.’

Çfarë, ku të gjithë rrasen së bashku – të ndershmit, të virtytshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, kur është shkruar se ata do të gjykohen sipas veprimeve të bëra kur kishin trup?! Por shën Pali na informon për tre lavdi dhe tre qiej. Ai njihte një njeri që u rrëmbye gjer në të tretin qiell [shih 1 Korintasve 15:40–41; 2 Korintasve 12:2–4]. … Jezusi u tha dishepujve të Tij: ‘Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe … do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.’ [Shih Gjoni 14:2–3.]”4

Shkoni dhe lexoni vegimin në [Doktrina e Besëlidhje 76]. Ilustrohet qartë lavdi pas lavdie – një lavdi e diellit, një tjetër lavdi e hënës dhe një lavdi e yjeve; dhe ashtu si ndryshon në lavdi ylli nga ylli, po kështu ndryshojnë në lavdi ata të botës telestiale, dhe çdo njeri që mbretëron në lavdinë çelestiale është një Perëndi për zotërimet e tij. …

Pali thotë: ‘Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli. Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve.’ [1 Korintasve 15:41–42.]”5

Ata që pranojnë dëshminë e Jezusit, marrin ordinancat e ungjillit dhe kanë sukses nëpërmjet besimit, do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale.

Profeti Jozef Smith pa sa vijon në vegim, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 76:50–59, 62, 68–70: “Dhe përsëri ne japim dëshmi—pasi ne pamë e dëgjuam dhe kjo është dëshmia e ungjillit të Krishtit lidhur me ata që do të vijnë në ringjalljen e të drejtëve—janë ata që morën dëshminë e Jezusit dhe besuan në emër të tij e u pagëzuan sipas mënyrës së varrimit të tij, duke u varrosur në ujë në emër të tij, dhe kjo sipas urdhërimit që ai ka dhënë—se me anë të zbatimit të urdhërimeve ata mund të lahen e pastrohen nga gjithë mëkatet e tyre dhe mund të marrin Shpirtin e Shenjtë me anë të vënies së duarve prej atij që shugurohet dhe vuloset në këtë fuqi; dhe të cilët kanë sukses nëpërmjet besimit dhe vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit, që Ati e derdh mbi gjithë ata që janë të drejtë dhe të vërtetë.

Janë ata që janë kisha e të Parëlindurit. Janë ata, në duart e të cilëve Ati ka dhënë gjithçka—janë ata që janë priftërinj dhe mbretër, të cilët kanë marrë nga plotësia e tij dhe nga lavdia e tij; dhe janë priftërinj të Më të Lartit, sipas urdhërit të Melkizedekut, i cili ishte sipas urdhërit të Enokut, i cili ishte sipas urdhërit të Birit të Vetëmlindur.

Prandaj, siç është shkruar, ata janë perëndi, madje bijtë e Perëndisë—prandaj, të gjitha gjërat janë të tyret, qoftë jetë apo vdekje, ose gjërat e tanishme, ose gjërat që do të vijnë, të gjitha janë të tyret dhe ata janë të Krishtit e Krishti është i Perëndisë. …

Këta do të banojnë në prani të Perëndisë dhe Krishtit të tij përherë e përgjithmonë. … Këta janë ata, emrat e të cilëve shkruhen në qiell, ku Perëndia dhe Krishti janë gjykatësi i të gjithëve. Këta janë ata që janë njerëz të drejtë, të bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij. Këta janë ata, trupat e të cilëve janë çelestialë, lavdia e të cilëve është ajo e diellit, madje lavdia e Perëndisë, më të lartit të të gjithëve, lavdi që diellin në kupën e qiellit është shkruar të ketë të ngjashëm.”6

Profeti Jozef Smith dha mësim sa vijon në maj 1843, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 131:1–4: “Në lavdinë çelestiale ka tre qiej ose shkallë; dhe me qëllim që të fitojë më të lartën, një njeri duhet të hyjë në këtë rend të priftërisë [domethënë besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës]; dhe nëse nuk e bën këtë, ai nuk mund ta fitojë atë. Ai mund të hyjë në një tjetër, por është fundi i mbretërisë së tij; ai nuk mund të ketë rritje.”7

“Kjo, pra, është jeta e përjetshme – të njohësh të vetmin Perëndi të mençur e të vërtetë; dhe ju duhet të mësoni se si të bëheni ju vetë perëndi dhe të bëheni mbretër dhe priftër për Perëndinë, … duke kaluar nga një shkallë e vogël tek një tjetër dhe nga një aftësi e vogël tek një e madhe; nga hiri në hir, nga ekzaltimi në ekzaltim, derisa të arrini në ringjalljen e të vdekurve, dhe të jeni në gjendje të banoni në flakët e përjetshme, dhe të uleni në lavdi, siç e bëjnë ata që ulen në fron në fuqinë e përjetshme. …

… [Të drejtët që kanë vdekur] do të ngrihen përsëri për të banuar në flakët e përjetshme në lavdi të pavdekshme, për të mos u hidhëruar, vuajtur ose vdekur më, por do të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Jezu Krishtit. Çfarë është kjo? Të trashëgoni të njëjtën fuqi, të njëjtën lavdi dhe të njëjtin ekzaltim, derisa të arrini në gjendjen e një perëndie dhe të ngriheni tek froni i fuqisë së përjetshme, po ashtu si ata që kanë shkuar më përpara.”8

“Ata që sigurojnë një ringjallje të lavdishme nga vdekja, ekzaltohen shumë më lart principatave, fuqive, froneve, zotërimeve dhe engjëjve, dhe deklarohen shprehimisht të jenë trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Jezu Krishtit, duke pasur të gjithë fuqi të përjetshme [shih Romakëve 8:17].”9

“Burra[t] [e] ndershëm të tokës”, ata që nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit, do të trashëgojnë mbretërinë terrestriale.

Profeti Jozef Smith pa sa vijon në vegim, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 76:71–79: “Dhe përsëri, ne vështruam botën terrestriale dhe, vini re e shihni, këta janë ata që janë të terrestrialit, lavdia e të cilëve ndryshon nga ajo e kishës së të Parëlindurit që ka marrë plotësinë e Atit, madje si ajo e hënës ndryshon nga dielli në kupën qiellore.

Vini re, këta janë ata që vdiqën pa ligj; dhe gjithashtu ata që janë shpirtrat e njerëzve të mbajtur në burg, të cilët Biri i vizitoi dhe u predikoi ungjillin, që ata të mund të gjykohen sipas njerëzve në mish; të cilët nuk morën dëshmi për Jezusin në mish, por më pas e morën atë.

Këta janë ata që janë burra të ndershëm të tokës, të cilët ishin të verbuar nga dredhitë e njerëzve. Këta janë ata që marrin nga lavdia e tij, por jo nga plotësia e tij. Këta janë ata që marrin nga prania e Birit, por jo nga plotësia e Atit.

Prandaj, ata janë trupa tokësorë e jo trupa çelestialë dhe ndryshojnë në lavdi si hëna ndryshon nga dielli. Këta janë ata që nuk janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit; prandaj, ata nuk e marrin kurorën mbi mbretërinë e Perëndisë sonë.”10

Ata që janë të ligj dhe nuk pranojnë ungjillin ose dëshminë e Jezusit, do të trashëgojnë mbretërinë telestiale.

Profeti Jozef Smith pa sa vijon në vegim, që u regjistrua më vonë në Doktrina e Besëlidhje 76:81–85, 100–106, 110–112: “Dhe përsëri, ne pamë lavdinë e telestialit, lavdia e të cilit është ajo më e vogla, madje si lavdia e yjeve ndryshon nga ajo e lavdisë së hënës në kupën qiellore.

Këta janë ata që nuk e pranuan ungjillin e Krishtit, as dëshminë e Jezusit. Këta janë ata që nuk e mohojnë Shpirtin e Shenjtë. Këta janë ata që flaken në ferr. Këta janë ata që nuk do të shëlbohen nga djalli deri në ringjalljen e parë, derisa Zoti, madje Krishti Qengji, do të përfundojë veprën e tij. …

Këta janë ata që thonë se janë disa të njërit e disa të tjetrit— disa të Krishtit e disa të Gjonit, dhe disa të Moisiut, dhe disa të Elias, dhe disa të Esaias, dhe disa të Isaias, dhe disa të Enokut; por nuk e pranuan ungjillin, as dëshminë e Jezusit, as profetët, as besëlidhjen e përjetshme.

Së fundi fare, këta të gjithë janë ata që nuk do të mblidhen me shenjtorët, për t’u rrëmbyer me kishën e të Parëlindurit dhe për t’u marrë mbi re.

Këta janë ata që janë gënjeshtarë dhe magjistarë, dhe kurorëshkelës, dhe kurvërues, dhe kushdo që do e bën një gënjeshtër. Këta janë ata që do të vuajnë zemërimin e Perëndisë në tokë. Këta janë ata që do të vuajnë hakmarrjen e zjarrit të përjetshëm. Këta janë ata që flaken në ferr dhe vuajnë zemërimin e Perëndisë së Plotfuqishëm, deri në plotësinë e kohëve, kur Krishti do t’i ketë nënshtruar gjithë armiqtë nën këmbët e tij dhe do ta ketë përsosur veprën e tij. …

Dhe dëgjuam zërin e Zotit duke thënë: Këta të gjithë do të përkulin gjunjët dhe çdo gjuhë do t’i rrëfejë atij që ulet në fron përherë e përgjithmonë; sepse ata do të gjykohen sipas veprave të tyre dhe çdonjëri do të marrë sipas veprave të tij, vetë sundimin e tij, në banesat që janë përgatitur; dhe ata do të jenë shërbëtorë të Më të Lartit; por atje ku Perëndia dhe Krishti banojnë, ata nuk mund të vijnë, botë pa fund.”11

Mundimi i të ligjve është të dinë se nuk e kanë arritur lavdinë që do të mund të kishin gëzuar.

“Perëndia ka dekretuar se të gjithë ata që nuk do t’i binden zërit të Tij nuk do t’i shpëtojnë mallkimit të ferrit. Cili është mallkimi i ferrit? Të shkojë me ata njerëz që nuk u janë bindur urdhërimeve të Tij. … Unë e di se të gjithë njerëzit do të mallkohen nëse nuk do të hyjnë në shtegun që Ai ka hapur dhe ky është shtegu i shënuar nga fjala e Zotit.”12

“Mjerimi i madh i shpirtrave të kaluar në botën e shpirtrave, ku ata shkojnë pas vdekjes, është të dinë se ata nuk e kanë arritur lavdinë që të tjerë gëzojnë dhe që ata vetë do të mund ta kishin gëzuar dhe ata janë akuzuesit e vetvetes.”13

“Nuk ka dhembje aq të tmerrshme sa ajo e ankthit të pasigurisë. Ky është dënimi i të ligjve; dyshimet, ankthi dhe pasiguria shkaktojnë të qara, vajtime dhe kërcëllimë dhëmbësh.”14

“Njeriu është munduesi i vetvetes dhe ndëshkuesi i vetvetes. Prej këndej vjen thënia se ata do të shkojnë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur [shih Zbulesa 21:8]. Mundimi i zhgënjimit në mendjen e njeriut është po aq therës sa një liqen që digjet me zjarr dhe squfur. Unë them, i tillë është mundimi i njeriut. …

… Disa do të ngrihen në flakët e përjetshme të Perëndisë, pasi Perëndia banon në flakët e përjetshme, dhe disa do të ngrihen në mallkimin e fëlliqësisë së tyre, që është një mundim i tmerrshëm si një liqen zjarri dhe squfuri.”15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni po meditonin mbi një varg të shkrimit të shenjtë kur morën zbulesën që është regjistruar në Doktrina e Besëlidhje 76 (faqet 229–230; shih gjithashtu DeB 76:15–19). Çfarë përvojash vetjake ju kanë ndihmuar të kuptoni se meditimi mund të çojë në kuptim të shtuar? Ndërsa studioni ose diskutoni këtë kapitull, po ashtu edhe kapituj të tjerë, kaloni kohë duke medituar mbi të vërtetat që lexoni.

  • Lexoni Gjoni 14:2–3 dhe 1 Korintasve 15:40–41. Në ç’mënyrë mësimet në këtë kapitull ju ndihmojnë të kuptoni këto vargje?

  • Në përshkrimin e atyre që do të trashëgojnë lavdinë çelestiale, terrestriale dhe telestiale, fraza “dëshmia e Jezusit” përdoret pesë herë (faqet 231–235). Cilat janë karakteristikat e një personi që është i “guximshëm në dëshminë e Jezusit”? Çfarë premtimesh u jepen atyre që janë të guximshëm në dëshminë e Jezusit?

  • Lexoni të gjithë paragrafin e fundit në faqen 231 duke i kushtuar vëmendje të veçantë frazës “kanë sukses nëpërmjet besimit”. Cilat janë disa gjëra që mund të na duhet t’i kapërcejmë me sukses? Si mund të na ndihmojë besimi në Jezu Krisht që të kapërcejmë me sukses problemet tona në këtë jetë?

  • Lexoni paragrafin e fundit në faqen 232. Në përparimin tonë të përjetshëm, si mendoni ju, përse na duhet të përmirësohemi “nga një shkallë e vogël tek një tjetër”? Çfarë përvojash keni pasur juve që ilustrojnë nevojën tonë për të mësuar dhe për t’u rritur në këtë mënyrë?

  • Rishihni paragrafin e parafundit në faqen 233, që përshkruan disa nga njerëzit që do të trashëgojnë mbretërinë terrestriale. Si mund të shmangim që të mos jemi të “verbuar nga dredhitë e njerëzve”? Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë të tjerët që të shmangin të qenët të verbuar?

  • Në faqet 235–236, kërkoni fjalë dhe fraza që përdori Jozef Smithi për të përshkruar gjendjen e të ligjve në jetën tjetër. Çfarë ju komunikojnë juve këto fjalë dhe fraza? Si mundet një njeri të jetë “munduesi i vetvetes dhe ndëshkuesi i vetvetes”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Alma 41:2–8; DeB 14:7; 76:20–49; 88:15–39

Shënime

  1. History of the Church, 1:245; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 183, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. History of the Church, 1:252–253; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 192, Arkivat e Kishës.

  3. History of the Church, 6:365; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 12 maj 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock.

  4. History of the Church, 5:425–426; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  5. History of the Church, 6:477–478; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  6. Doktrina e Besëlidhje 76:50–59, 62, 68–70; vegim i dhënë Joseph Smith-it dhe Sidney Rigdon-it më 16 shkurt 1832, në Hiram, Ohio.

  7. Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; fjalët në kllapa në origjinal; udhëzime dhënë nga Joseph Smith-i më 16 dhe 17 maj 1843 në Ramus, Illinois.

  8. History of the Church, 6:306; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

  9. History of the Church, 6:478; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 16 qershor 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Thomas Bullock; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  10. Doktrina e Besëlidhje 76:71–79; vegim i dhënë Joseph Smith-it dhe Sidney Rigdon-it më 16 shkurt 1832, në Hiram, Ohio.

  11. Doktrina e Besëlidhje 76:81–85, 100–106, 110–112; vegim i dhënë Joseph Smith-it dhe Sidney Rigdon-it më 16 shkurt 1832, në Hiram, Ohio.

  12. History of the Church, 4:554–555; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 20 mars 1842, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  13. History of the Church, 5:425; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 11 qershor 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards; shih gjithashtu shtojcën, faqe 598, zëri 3.

  14. History of the Church, 5:340; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  15. History of the Church, 6:314, 317; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 7 prill 1844, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Wilford Woodruff, Willard Richards, Thomas Bullock dhe William Clayton.

Pamja
John Johnson home

Shtëpia e restauruar e Xhon Xhonsonit në Hiram të Ohajos. Në shtëpinë e familjes Xhonson në shkurt 1832, Profeti Jozef Smith pa një vegim të tre shkallëve të lavdisë që Perëndia ka përgatitur për fëmijët e Tij.

Pamja
clouds

Ata që trashëgojnë mbretërinë çelestiale janë “ata, trupat e të cilëve janë çelestialë, lavdia e të cilëve është ajo e diellit, madje lavdia e Perëndisë, më të lartit të të gjithëve”.