Mësime të Presidentëve
Kapitulli 23: ‘Sa e Mirë dhe e Kënaqshme Është … të Banojnë Bashkë në Unitet’


Kapitulli 23

“Sa e Mirë dhe e Kënaqshme Është … të Banojnë Bashkë në Unitet”

“Punoni gjatë, punoni fort dhe punoni të gjithë së bashku.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Më 27 dhjetor 1832, Profeti Jozef Smith mori një urdhërim nga Zoti që shenjtorët duhet të fillonin të ndërtonin një tempull në Kirtland (shih DeB 88:119). Më 1 qershor 1833, Zoti i dha udhëzime të mëtejshme Profetit: “Tani, këtu është urtësia dhe mendja e Zotit—shtëpia duhet të ndërtohet, jo sipas mënyrës së botës, … ajo duhet të ndërtohet sipas mënyrës që unë do t’ia tregoj tre prej jush” (DeB 95:13–14).

Disa ditë më vonë, Zoti e përmbushi premtimin e Tij, duke i dhënë Jozef Smithit dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë një vegim të mrekullueshëm në të cilin ata panë plane të detajuara për tempullin. Frederik G. Uilliams, Këshilltari i Dytë në Presidencën e Parë, kujtoi më vonë: “Jozef [Smithi] mori fjalën e Zotit për të që të merrte dy këshilltarët e tij, [Frederik G.] Uilliams dhe [Sidni] Rigdon, dhe të vinte përpara Zotit, dhe Ai do t’u tregonte atyre planin ose modelin për shtëpinë që duhej të ndërtohej. Ne u ulëm në gjunjë, i thirrëm Zotit dhe ndërtesa u shfaq në largësi sa mund ta shihnim, unë qeshë i pari që e zbulova. Pastaj të gjithë ne e pamë atë së bashku. Pasi e kishim parë mirë së jashtmi, ndërtesa u duk sikur erdhi tamam mbi ne.”1

Kur Jozef Smithi i shpjegoi një këshilli të priftërinjve të lartë planin e lavdishëm që i ishte zbuluar Presidencës së Parë, vëllezërit u kënaqën dhe dolën menjëherë që të zgjidhnin një vend ndërtimi – një vend në një fushë me grurë që vëllezërit Smith e kishin mbjellë vjeshtën e mëparshme. Menjëherë Hajrëm Smithi vrapoi që të merrte një kosë për të filluar pastrimin e tokës për ndërtim, duke thirrur: “Ne po përgatitemi të ndërtojmë një shtëpi për Zotin dhe unë jam i vendosur që të jem i pari në këtë punë”2.

Kjo ndjenjë entuziazmi u bë një emocion bashkues ndërsa shenjtorët punuan dhe sakrifikuan për të ndërtuar tempullin e parë në këtë periudhë ungjillore. Nën drejtimin e Ema Smithit, gratë bënë çorape, pantallona dhe xhaketa për ndërtuesit e tempullit. Gratë gjithashtu bënë perdet dhe qilimat për tempullin, puna për mjedisin e brendshëm të tempullit drejtohej nga Brigam Jangu. Vëllai Xhon Taner shiti fermën e tij prej 890,31 hektarësh në Nju-Jork, duke mbërritur në Kirtland tamam në kohë që t’i jepte hua Profetit 2.000 dollarë amerikanë për të shlyer pengun mbi bllokun e tempullit, që gati po skadonte duke i hequr të drejtën e pronësisë. Për të mbrojtur tempullin nga turma kërcënuese, burra e ruanin tempullin natën, duke fjetur me po ato rroba që kishin veshur gjatë ditës si punëtorë ndërtimi.

Profeti shpalli: “Po bëheshin përgatitje të mëdha për të filluar një shtëpi të Zotit; dhe megjithëse Kisha ishte e varfër, përsëri uniteti, harmonia dhe bamirësia jonë gëluan për të na forcuar që të përmbushnim urdhërimet e Perëndisë”3.

Hiber C. Kimball, që u bë anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve një vit përpara se tempulli të përkushtohej, përshkroi përpjekjen e madhe: “E gjithë kisha u bashkua në këtë ndërmarrje dhe çdo burrë dha një dorë për ndihmë. Ata që nuk kishin pendë kafshësh transporti shkuan të punonin në gurore dhe përgatitën gurë për t’u transportuar tek ndërtesa.”4 Plaku Kimball kujtoi gjithashtu: “Jozefi tha: ‘Ejani vëllezër, le të shkojmë tek gurorja dhe të punojmë për Zotin’. Dhe Profeti shkoi vetë me tunikën dhe pantallonat e tij të linjta [rroba pune të linjta] dhe punoi në nxjerrjen e gurëve ashtu si ne të tjerët. Pastaj çdo të shtunë ne çuam çdo pendë kafshësh transporti për të çuar gurë në Tempull dhe ne vazhduam kështu derisa ajo shtëpi u përfundua; dhe gratë tona gjithë kohës thurnin, tirrnin e qepnin dhe … bënin gjithë llojet e punëve.”5

Përpjekjet e shenjtorëve të Kirtlandit ishin tipike të unitetit, sakrificës dhe përkushtimit që do të bënin të mundur që qëllimet e Zotit të përmbusheshin në vitet që do të vinin. Kjo ishte njëra nga herët e shumta kur shenjtorët do të punonin së bashku, duke ia vënë veshin këshillës së Profetit Jozef Smith: “Punoni gjatë, punoni fort dhe punoni të gjithë së bashku”6.

Mësime të Jozef Smithit

Kur punojmë së bashku në unitet, ne mund t’i përmbushim më mirë qëllimet e Perëndisë.

“[Ne] ndihemi të gëzuar që takojmë shenjtorët në një tjetër Konferencë të Përgjithshme [tetor 1840]. … Shenjtorët janë po aq të zellshëm, të palodhur dhe energjikë sa gjithmonë, në veprën e madhe të ditëve të fundit; dhe [kjo] na jep gëzim dhe ngushëllim dhe na nxit shumë, ndërkohë që luftojnë me vështirësitë që shtrihen domosdoshmërisht në udhën tonë.

Vëllezërit le të shfaqin gjithmonë një shpirt të tillë, dhe të na mbështesin, dhe ne duhet, ne do të shkojmë përpara; vepra e Zotit do të përparojë, Tempulli i Zotit do të ngrihet, Pleqtë e Izraelit do të nxiten, Sioni do të ndërtohet dhe do të bëhet lëvdata, gëzimi e lavdia e të gjithë tokës; dhe kënga e lëvdatës, lavdisë, nderimit dhe madhështisë për Atë që rri ulur mbi fron, dhe për Qengjin, në shekuj të shekujve do të kumbojë nga kodra në kodër, nga mali në mal, nga ishulli në ishull e nga kontinenti në kontinent, dhe mbretëritë e botës do të bëhen mbretëria e Perëndisë tonë dhe e Krishtit të Tij [shih Zbulesa 11:15].

Ne vërtet jemi të gëzuar të dimë se ekziston një shpirt i tillë bashkimi kudo në kisha, në vend dhe jashtë tij, në këtë kontinent, si dhe në ishujt e detit; sepse sipas këtij parimi dhe nëpërmjet një përqendrimi të veprimit, ne do të jemi në gjendje të plotësojmë qëllimet e Perëndisë tonë.”7

“[Tempulli i Navusë] po përparon me shpejtësi të madhe; përpjekje energjike po bëhen në çdo përgjegjësi për të lehtësuar ndërtimin e tij dhe gjithfarë materialesh janë në një gjendje mbarëvajtjeje të lartë dhe nga vjeshta e ardhshme ne presim ta shohim ndërtesën të përfunduar. … Shpesh, gjatë dimrit, kanë qenë tamam njëqind duar që nxirrnin gurë, ndërsa në të njëjtën kohë mori të tjerësh kanë qenë duke u marrë me bartje dhe në lloje të tjera punësh. …

Ndërkohë që moritë e zëna me punë kanë qenë angazhuar kështu sipas profesioneve të tyre të ndryshme, duke kryer punën e tyre të përditshme, dhe duke punuar një të dhjetën e kohës së tyre, të tjerë nuk kanë qenë më pak të gatshëm që të sillnin të dhjetat dhe përkushtimet e tyre për të njëjtin synim fisnik. Asnjëherë, që kur u bë themelimi i kësaj Kishe, nuk kemi parë të shfaqet një gatishmëri më e madhe për t’iu bindur [kërkesave] të Jehovait, një dëshirë më e zjarrtë për të bërë vullnetin e Perëndisë, të ushtrohen përpjekje më të zellshme, apo të bëhen sakrifica më të mëdha nga sa janë bërë që kur Zoti tha: ‘Tempulli duhet të ndërtohet nëpërmjet së dhjetës së popullit tim’. [Shih DeB 97:10–11]. U duk sikur shpirti i iniciativës, bamirësisë dhe bindjes qëndroi në të njëjtën kohë mbi të moshuar e të rinj; dhe vëllezër e motra, djem e vajza dhe madje të huaj, që nuk bënin pjesë në Kishë, të bashkuar me një bujari të pashembullt në përmbushjen e kësaj pune të mrekullueshme; as e veja, në shumë raste, nuk mund të ndalej që nga të ardhurat e saj të pakta, të hidhte dy monedhat e saj të vogla.

Në këtë kohë ne ndiejmë që t’u japim të gjithëve, të moshuar e të rinj, si në Kishë ashtu dhe jashtë saj, falënderimet tona të sinqerta për bujarinë, mirësinë, zellin dhe bindjen e tyre të pashembullt, që ata e kanë shfaqur kaq saktësisht në kohë në rastin e tanishëm. Jo se ne kemi përfituar personalisht apo individualisht nga një pikëpamje monetare, por kur vëllezërit, si në këtë rast, tregojnë një unitet qëllimi dhe plani, dhe të gjithë i vënë shpatullat punës; meraku, përpjekja, mundimi dhe ankthi ynë pakësohen në mënyrë thelbësore, zgjedha jonë bëhet e ëmbël dhe barra jonë bëhet e lehtë [shih Mateu 11:30].”8

“Tani, më lejoni ta them njëherë e për gjithmonë, ashtu si Psalmisti i lashtësisë: ‘Sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. … Si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit’, është një unitet i tillë; ‘sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi’. Uniteti është fuqi. [Shih Psalmet 133:1–3.]”9

Ne rritemi në unitet ndërsa përpiqemi të jemi të bindur ndaj ligjeve të Perëndisë dhe të kapërcejmë ndjenjat egoiste dhe paragjykimet tona.

Në dhjetor 1840 Profeti u shkroi anëtarëve të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe udhëheqësve të tjerë të priftërisë që po shërbenin misione në Britaninë e Madhe: “Është … shumë e kënaqshme për mendjen time që ka pasur një mirëkuptim kaq të mirë midis jush, dhe që shenjtorët ia kanë vënë veshin këshillës kaq gëzueshëm, dhe [janë përpjekur shumë] me njëri-tjetrin në këtë punë dashurie, dhe në përkrahjen e së vërtetës e drejtësisë. Kështu duhet të jetë në Kishën e Jezu Krishtit; uniteti është fuqia. ‘Sa … e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!’ [Psalmet 133:1.] Le ta lëvrojnë gjithmonë shenjtorët e Më Të Lartit këtë parim dhe bekimet më të lavdishme duhet të vijnë si rezultat, jo vetëm për ata individualisht, por për të gjithë Kishën – rendi i mbretërisë do të mbahet, shërbestarët e saj do të respektohen dhe kërkesave të saj do t’u binden me gatishmëri dhe gëzim. …

Le të kujtojnë shenjtorët që gjëra të mëdha varen nga përpjekja e tyre individuale, dhe se ata janë thirrur të jenë bashkëpunëtorë me ne dhe me Shpirtin e Shenjtë për të përmbushur veprën e madhe të ditëve të fundit; dhe duke marrë parasysh shtrirjen, bekimet dhe lavditë e saj, çdo ndjenjë egoiste, jo vetëm le të varroset, por le të asgjësohet; dhe le të mbizotërojë dashuria për Perëndinë dhe njeriun, dhe le të mbretërojë triumfuese në çdo mendje, që zemrat e tyre të mund të bëhen si Enoku i lashtësisë, dhe të kuptojnë gjithë gjërat, të tashme, të kaluara e të ardhme, dhe të mos u mungojë asnjë dhunti, duke pritur për ardhjen e Zotit Jezu Krisht [shih 1 Korintasve 1:7].

Puna në të cilën jemi angazhuar të bashkuar nuk është një punë e një lloji të zakonshëm. Armiqtë me të cilët duhet të luftojmë janë të mprehtë dhe të aftësuar mirë në manovrim; është me vend për ne që të jemi në gatishmëri për të përqendruar energjitë tona, dhe që ndjenjat më të mira duhet të ekzistojnë mes nesh; dhe pastaj, me ndihmën e të Plotfuqishmit, ne do të shkojmë nga fitorja në fitore, dhe nga pushtimi në pushtim; pasionet tona të liga do të mposhten, paragjykimet tona do të mënjanohen; ne nuk do të gjejmë vend në kraharorin tonë për urrejtje; nuk do të shihet shëmtia e vesit, dhe ne do të qëndrojmë të miratuar para qiellit, dhe do të pranohemi si bij të Perëndisë.

Le të kuptojmë që ne nuk duhet të jetojmë për veten tonë, por për Perëndinë; duke bërë kështu bekimet më të mëdha do të qëndrojnë mbi ne si për kohën edhe për përjetësinë.”10

“Ne do t’u thoshim shenjtorëve që vijnë këtu [në Navu], ne kemi hedhur themelin për mbledhjen e popullit të Perëndisë në këtë vend, dhe [ne] presim që kur shenjtorët të vijnë, ata do të jenë nën këshillën që ka caktuar Perëndia. … Këtu ne po përpiqemi të ngjeshim ijët tona, dhe të spastrojmë nga mesi ynë ata që bëjnë paudhësi; dhe shpresojmë që kur vëllezërit të arrijnë që nga jashtë vendit, ata do të na ndihmojnë që ta çojmë përpara këtë vepër të mirë, dhe ta përmbushim këtë plan të madhërishëm, që ‘Sioni të mund të ndërtohet në drejtësi; dhe gjithë kombet të mblidhen rreth flamurit të tij’; që si popull i Perëndisë, nën drejtimin e Tij, dhe të bindur ndaj ligjit të Tij, ne të mund të rritemi në drejtësi dhe të vërtetë; që kur qëllimet e Tij të përmbushen, ne të mund të marrim një trashëgimi ndërmjet atyre që janë shenjtëruar.”11

“Ne, të gjithë ne, kemi miqtë tanë, lidhjet tona, familjet dhe shoqëritë tona; dhe ne shohim se lidhjet e miqësisë … dhe të vëllazërisë na kanë bashkuar pazgjidhshmërisht së bashku me anë të mijëra shoqërimeve të dashura; ne kemi përqafuar besimin e përbashkët të vetëm, madje atë ‘që u qe trasmetuar shenjtorëve njëherë’. [Juda 1: 3.] Ne kemi pasur privilegjin të dëgjojmë ungjillin e përjetshëm, që na është sjellë neve me anë të shpirtit të profecisë, me anë të hapjes së qiejve, me anë të dhuratës së Frymës së Shenjtë, me anë të shërbesës së engjëjve dhe me anë të fuqisë së Perëndisë. … I njëjti mirëkuptim vepron nëpër të gjithë trupin, madje trupin e Krishtit, i cili, sipas deklaratës së Palit, është kisha e tij; dhe asnjë pjesë e trupit nuk mund të dëmtohet pa e ndier dhembjen pjesët e tjera, sepse thotë Pali, nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të [shih 1 Korintasve12:12–27].”12

Bekimet më të mëdha tokësore dhe shpirtërore gjithmonë rrjedhin nga një unitet i përpjekjes.

Në janar 1841, Profeti Jozef Smith dhe këshilltarët e tij në Presidencën e Parë iu dhanë udhëzime shenjtorëve që po vinin në Navu nga pjesë të ndryshme të botës: “Vetëm me anë të një përqendrimi të veprimit dhe një uniteti të përpjekjes, ne mund të përmbushim veprën e madhe të ditëve të fundit …, ndërsa interesat tona, si tokësore edhe shpirtërore, do të rriten shumë dhe bekimet e qiellit duhet të rrjedhin mbi ne në një rrjedhë të pandërprerë; për këtë, ne mendojmë se nuk mund të ketë dyshim.

Bekimet më të mëdha tokësore dhe shpirtërore, që gjithmonë rrjedhin nga besnikëria dhe përpjekja e përqendruar, asnjëherë nuk shoqëruan përpjekjen ose ndërmarrjen individuale. Historia e të gjitha epokave të kaluara e dëshmon me bollëk këtë fakt. …

Ne do të donim që shenjtorët të kuptonin që, kur vijnë këtu, ata nuk duhet të presin përsosuri, apo që gjithçka do të jetë harmoni, paqe dhe dashuri; nëse ata shkojnë pas këtyre ideve, ata pa dyshim që do të mashtrohen, pasi këtu ka njerëz, jo vetëm nga shtete të ndryshme, por nga kombe të ndryshme, të cilët, ndonëse ndiejnë një lidhje të fortë me çështjen e së vërtetës, kanë paragjykimet e tyre të edukimit dhe, si pasojë, duhet njëfarë kohe përpara se këto gjëra të kapërcehen. Përsëri, ka shumë që depërtojnë në befasi dhe përpiqen të mbjellin mosmarrëveshje, grindje dhe armiqësi në mesin tonë dhe duke vepruar kështu, sjellin të ligën mbi shenjtorët. … Prandaj, ata që vijnë në këtë vend, le të jenë të vendosur për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë dhe të mos shkurajohen nga ato gjëra që ne kemi renditur, dhe atëherë ata do të lulëzojnë – inteligjenca e qiellit do t’u komunikohet atyre, dhe ata vërtet do të shohin, sy për sy, dhe do të gëzohen në përmbushjen e plotë të asaj lavdie që është ruajtur për të drejtët.

Në mënyrë që të ngrihet Tempulli i Zotit, do të kërkohen përpjekje të mëdha nga ana e shenjtorëve, që ata të mund të ndërtojnë një shtëpi që do të pranohet nga i Plotfuqishmi, dhe në të cilën do të manifestohen fuqia dhe lavdia e Tij. Prandaj, ata që mund të bëjnë lirisht një sakrificë të kohës së tyre, talenteve të tyre dhe pronave të tyre, për lulëzimin e mbretërisë dhe për dashurinë që kanë ndaj çështjes të së drejtës, le të … bashkohen me ne në veprën e madhe të ditëve të fundit dhe të marrin pjesë në vuajtje, që në fund të mund të marrin pjesë në lavdinë dhe triumfin.”13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Mendoni për deklaratën e Profetit Jozef Smith, “punoni gjatë, punoni fort dhe punoni të gjithë së bashku” (faqe 291). Çfarë ndodh kur një përpjekje nuk është e gjatë mjaftueshëm ose e fortë mjaftueshëm? Çfarë ndodh kur njerëzit tërheqin në drejtime të ndryshme? Si mund ta zbatojmë deklaratën e Profetit në shtëpitë tona, në thirrjet tona në Kishë?

  • Lexoni paragrafin e dytë në faqen 292. Përse barrët tona bëhen më të lehta kur punojmë së bashku? (Për disa shembuj, shihni faqet 289–292.) Cilat parime ju kanë ndihmuar juve të punoni në unitet më të madh me të tjerët?

  • Rishihni paragrafin e dytë në faqen 293. Cilat janë disa nga rreziqet e egoizmit? Çfarë mund të bëjmë që të asgjësojmë ndjenja egoiste brenda nesh? Si ndiheni kur “[lini] të mbizotërojë dashuria për Perëndinë dhe njeriun” në zemrën tuaj?

  • Rishihni paragrafin e parë të plotë të faqes 295. Në çfarë mënyrash keni përfituar prej “lidhje[ve] të miqësisë” dhe “shoqërimeve të dashura” në lagjen ose degën tuaj? Si përfitojnë lagjet dhe degët kur “i njëjti mirëkuptim vepron nëpër të gjithë trupin”?

  • Studioni paragrafin e parë të plotë të faqes 296. Si mendoni ju, përse është e pamatur të presim përsosuri tek anëtarët e lagjeve dhe degëve tona? Kur keni parë një grup të papërsosur njerëzish të përdorin talentet dhe aftësitë e tyre të ndryshme për një kauzë të përbashkët? Cilat kanë qenë rezultatet e kësaj përpjekjeje të bashkuar?

Shkrime të Shenjta Përkatëse:Mateu 18:19–20; Gjoni 17:6–26; Mosia 18:21; 3 Nefi 11:29–30; DeB 38:24–27; Moisiu 7:18

Shënime

  1. Frederick G. Williams, cituar nga Truman O. Angell, në Truman Osborn Angell, Autobiography 1884, f. 14–15, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Hyrum Smith, cituar në Lucy Mack Smith, “The History of Lucy Smith, Mother of the Prophet”, 1844–1845 manuscript, book 14, f. 1–2, Arkivat e Kishës.

  3. History of the Church, 1:349; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book A-1, f. 296–297, Arkivat e Kishës.

  4. Heber C. Kimball, “Extracts from H. C. Kimball’s Journal”, Times and Seasons, 15 prill 1845, f. 867–868.

  5. Heber C. Kimball, Deseret News, 27 maj 1863, f. 377; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe.

  6. Cituar nga Brigham Young, Deseret News: Semi-Weekly, 20 prill 1867, f. 2; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit.

  7. History of the Church, 4:212–213; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit; është ndryshuar ndarja në paragrafë; nga një raport i Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë, 4 tetor 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, tetor 1840, f. 187.

  8. History of the Church, 4:608–609; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; nga “The Temple”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 2 maj 1842, f. 775–776; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  9. History of the Church, 6:70; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar shenjtorëve, 1 nëntor 1843, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 nëntor 1843, f. 376–377; kjo letër është datuar pasaktësisht 8 nëntor 1843, në History of the Church.

  10. History of the Church, 4:227, 230–231; është modernizuar drejtshkrimi; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Të Dymbëdhjetëve, 15 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 janar 1841, f. 258, 260–261; kjo letër është datuar pasaktësisht 19 tetor 1840, në History of the Church.

  11. History of the Church, 5:65–66; nga “The Government of God”, një kryeartikull botuar në Times and Seasons, 15 korrik 1842, f. 858; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  12. “To the Saints of God”, një kryeartikull i botuar në Times and Seasons, 15 tetor 1842, f. 951; është modernizuar drejtshkrimi, përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe; Joseph Smith ishte botuesi i periodikut.

  13. History of the Church, 4:272–273; nga një letër e Joseph Smith-it dhe këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë drejtuar shenjtorëve, 15 janar 1841, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 15 janar 1841, f. 276–277.

Pamja
Hyrum Smith

Pasi Jozef Smithi shpjegoi planin e Tempullit të Kirtlandit, siç u zbulua nga Zoti, Hajrëm Smithi vrapoi që të merrte një kosë, duke thirrur: “Ne po përgatitemi të ndërtojmë një shtëpi për Zotin dhe unë jam i vendosur që të jemi i pari në këtë punë”.

Pamja
men

“Uniteti është fuqia. ‘Sa … e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!’ Le ta lëvrojnë gjithmonë shenjtorët e Më Të Lartit këtë parim.”