Mësime të Presidentëve
Kapitulli 28: Shërbimi Misionar: Një Thirrje e Shenjtë, një Vepër e Lavdishme


Kapitulli 28

Shërbimi Misionar: Një Thirrje e Shenjtë, një Vepër e Lavdishme

“Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin.”

Nga Jeta e Jozef Smithit

Nga fundi i viteve të pakta që shenjtorët jetuan në Kirtland, shumë anëtarë dhe madje disa udhëheqës të Kishës ranë në braktisje. Dukej se Kisha po kalonte përmes një kohe krize. “Në këtë gjendje të gjërave”, shkroi Profeti, “Perëndia më zbuloi mua se diçka e re duhej të bëhej për shpëtimin e Kishës së Tij.”1 Kjo “diçka e re” ishte një zbulesë për të dërguar misionarë në Angli për të predikuar ungjillin.

Hiber C. Kimball, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, kujtoi: “Rreth ditës së parë të qershorit 1837, Profeti Jozef erdhi tek unë, ndërsa unë isha i ulur në … Tempull, në Kirtland dhe, duke më pëshpëritur, më tha: ‘Vëllai Hiber, Shpirti i Zotit më ka pëshpëritur: “Shërbëtori im Hiber le të shkojë në Angli dhe të predikojë ungjillin tim, dhe të hapë derën e shpëtimit për atë komb”.’”2 Plaku Kimball u hutua nga mendimi i një ndërmarrjeje të tillë: “E ndieja veten si një prej më të dobëtve fare prej shërbëtorëve të Perëndisë. E pyeta Jozefin se çfarë duhet të thosha kur të shkoja atje; ai më tha të shkoja tek Zoti dhe Ai do të më udhëhiqte e do të fliste përmes meje me anë të të njëjtit shpirt që [drejtonte] atë.”3

Profeti u drejtoi thirrje gjithashtu Orson Hajdit, Uillard Riçardsit dhe Jozef Fildingut në Kirtland, si dhe Isak Rasëllit, Xhon Snajdërit dhe Xhon Gudsanit në Toronto të Kanadasë. Këta vëllezër duhet të bashkoheshin me Plakun Kimball në misionin e tij në Angli. Të mbledhur në Nju-Jork-Siti, ata lundruan me anijen Garrick drejt Britanisë së madhe më 1 korrik 1837. Misioni i parë jashtë Amerikës së Veriut solli në Kishë rreth 2.000 të kthyer në besim gjatë vitit të parë të misionarëve në Angli. Plaku Kimball i shkroi me gëzim Profetit: “Lavdi Perëndisë, Jozef, Zoti është me ne mes kombeve!”4

Një mision i dytë i apostujve në Britani, duke përfshirë shumicën e anëtarëve të Të Dymbëdhjetëve nën udhëheqjen e Brigam Jangut, u drejtua nga Profeti prej Navusë. Të nisur në vjeshtën e 1839-ës, Të Dymbëdhjetët arritën në Angli më 1840. Atje ata filluan një punë që deri në vitin 1841 do të sillte mbi 6.000 të kthyer në besim në Kishë, duke plotësuar premtimin e Zotit që Ai do të bënte “diçka të re” për shpëtimin e Kishës së Tij.

Prej Navusë, Jozef Smithi vazhdoi të dërgonte misionarë në të gjithë botën. Plaku Orson Hajd zbarkoi në Angli në vitin 1841 dhe më vonë vazhdoi misionin që i ishte caktuar në Jeruzalem. Ai mbartte një letër rekomandimi prej Jozef Smithit që lejonte që “mbajtësi i këtyre letrave, një shërbestar besnik dhe i denjë i Jezu Krishtit, të jetë agjenti dhe përfaqësuesi ynë në toka të huaja, për të … biseduar me priftërinjtë, sunduesit dhe Pleqtë e judenjve”5. Më 24 tetor 1841, Plaku Hajd u gjunjëzua në Malin e Ullinjve në Jeruzalem dhe i bëri kërkesë Atit Qiellor që të përkushtonte dhe shenjtëronte tokën “për mbledhjen tok të mbetjeve të shpërndara të Judës, sipas profecive të profetëve të shenjtë”6. Plaku Hajd pastaj shkoi në Gjermani ku hodhi një themel fillestar për rritjen e Kishës atje.

Më 11 maj 1843, Profeti thirri Pleqtë Edison Prat, Noa Roxhers, Benxhamin F. Gruard dhe Noulton F. Hanks për të kryer misione në ishujt e Paqësorit Jugor. Ky qe misioni i parë i Kishës kudo qoftë në atë rajon të gjerë. Plaku Hanks vdiq në det, por Plaku Prat udhëtoi tek Ishujt Austral, ku ai u mësoi ungjillin në ishullin Tubuai. Pleqtë Roxhers dhe Gruard vazhduan për në Tahiti, ku qindra njerëz u pagëzuan si rezultat i punëve të tyre.

Nën drejtimin e Jozef Smithit, shenjtorët po përparonin drejt plotësimit të urdhrit të Zotit: “Shkoni në të gjithë botën; dhe në çfarëdo vendi që nuk mund të shkoni, duhet të dërgoni, që dëshmia të mund t’i shkojë nga ju gjithë botës, çdo krijese” (DeB 84:62).

Mësime të Jozef Smithit

Shërbimi misionar është një punë e shenjtë; besimi, virtyti, zelli dhe dashuria na mundësojnë ta kryejmë këtë punë.

“Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin.”7

Në dhjetor 1840 Jozef Smithi u shkroi anëtarëve të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe udhëheqësve të tjerë të priftërisë që po shërbenin misione në Britaninë e Madhe: “Jini të sigurt, vëllezër të dashur, që unë nuk jam një mbikëqyrës i painteresuar i gjërave që po ndodhin në faqen e të gjithë tokës; dhe në mes lëvizjeve të përgjithshme që janë në përparim, asnjëra nuk është më e rëndësishme se puna e lavdishme në të cilën jeni angazhuar ju tani; si rrjedhojë unë kam një merak në lidhje me ju, që ju, me anë të virtytit, besimit, zellit dhe dashurisë hyjnore mund të lavdëroni veten tek njëri-tjetri, tek Kisha e Krishtit dhe tek Ati juaj që është në qiell; përmes hirit të të cilit ju jeni thirrur në një thirrje kaq të shenjtë; dhe ju është mundësuar të kryeni detyrat e mëdha e të përgjegjshme që bien mbi ju. Dhe unë mund t’ju siguroj, që nga të dhënat që kam marrë, unë ndihem i kënaqur që ju nuk keni qenë të shkujdesur në detyrën tuaj; por që zelli dhe besnikëria juaj kanë qenë të tilla që duhet t’ju sigurojnë juve miratimin e atij Perëndie shërbëtorë të të cilit jeni dhe gjithashtu dashamirësinë e shenjtorëve në të gjithë botën.

Përhapja e Ungjillit nëpër të gjithë Anglinë sigurisht është e kënaqshme; soditja e së cilës mund të shkaktojë vetëm ndjenja të pazakonshme në gjirin e atyre që hoqën barrën dhe vapën e ditës, dhe që qenë mbështetësit e vendosur të ungjillit dhe avokatët e tij të zellshëm në foshnjërinë e tij, ndërkohë që qenë qarkuar nga rrethanat më të pafavorshme dhe shkatërrimi i kërcënohej nga të gjitha anët – ashtu si lundra [anija] guximtare, që ka lundruar përmes stuhisë e padëmtuar, shpalos velat e saj ndaj flladit dhe fisnikërisht çan rrugën e saj përmes valës së nënshtruar, më e ndërgjegjshme se kurrë për forcën e brinjëve të saj, si dhe për përvojën dhe aftësinë e kapitenit, timonierit dhe ekuipazhit të saj. …

Dashuria është një prej karakteristikave kryesore të Hyjnisë dhe duhet të shfaqet prej atyre që dëshirojnë të jenë bij të Perëndisë. Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore. Kjo ka qenë ndjenja juaj dhe ju ka bërë të hiqni dorë prej kënaqësive të shtëpisë, që ju të mund të jeni një bekim për të tjerë, që janë kandidatë për pavdekshmërinë, por të huaj ndaj së vërtetës; dhe për ta bërë këtë, unë lutem që bekimet më të zgjedhura të qiellit të bien mbi ju.”8

Ne ua mësojmë të vërtetat e thjeshta të ungjillit me përulësi e butësi dhe shmangim debatin me të tjerët për besimet e tyre.

“Oh, ju pleq të Izraelit, mbani vesh zërin tim; dhe kur të dërgoheni në botë për të predikuar, thoni ato gjëra për të cilat jeni dërguar që t’i thoni; predikoni dhe thërrisni me zë të lartë: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër; pendohuni dhe besoni Ungjillin’. Shpallni parimet e para dhe lërini të fshehtat mënjanë, që të mos ngatërroheni…. Predikoni ato gjëra për të cilat ju ka thënë Zoti të predikoni – pendim dhe pagëzim për heqjen e mëkateve.”9

“Unë fola dhe shpjegova në lidhje me padobishmërinë e predikimit në botë për ndëshkimet e mëdha, por më tepër e rëndësishme është të predikosh Ungjillin e thjeshtë.”10

“Pleqtë [duhet] të shkojnë përpara … me gjithë butësinë, me vetëpërmbajtje dhe të predikojnë Jezu Krishtin, madje Atë që u kryqëzua; jo të debatojnë me të tjerët në emër të besimit të tyre apo sistemeve të fesë, por të ndjekin një sjellje të rregullt. Këtë dhashë me anë të urdhërimit; dhe të gjithë ata që nuk e zbatojnë atë, do të tërheqin përndjekje mbi kokën e tyre, ndërsa ata që e zbatojnë, do të jenë gjithmonë të mbushur me Frymën e Shenjtë; këtë e shpalla si një profeci.”11

“Nëse ka ndonjë derë të hapur për Pleqtë që të predikojnë parimet e para të ungjillit, le të mos rrinë në heshtje. Mos flisni keq kundër sekteve; as mos flisni kundër dogmave të tyre. Por predikoni Krishtin dhe madje Atë që u kryqëzua, dashuri për Perëndinë dhe dashuri për njeriun; … kështu që, po të jetë e mundur, ne të mund të zbutim paragjykimin e njerëzve. Jini të bindur dhe të përvuajtur në zemër dhe Zoti Perëndia i etërve tanë do të jetë me ju përgjithmonë.”12

“Vini re këtë Çelës dhe jini të mençur për hir të Krishtit dhe për hir të vetë shpirtit tuaj. Ju nuk jeni dërguar që t’ju mësojnë, por që të jepni mësim. Secila fjalë le të jetë zbutur me hijeshi. Jini vigjilentë; jini të matur. Kjo është një ditë paralajmërimi dhe jo fjalësh të shumta. Veproni me ndershmëri përpara Perëndisë dhe njeriut…. Jini të ndershëm, të çiltër dhe të sinqertë në gjithë [sjelljet] tuaja me njerëzimin. [Shih DeB 43:15; 63:58.]”13

Përpara se Xhorxh A. Smith të nisej për një mision në vitin 1835, ai takoi Profetin Jozef Smith, që ishte kushëri i tij. Xhorxh A. Smithi shënoi: “Unë kërkova të takoja kushëririn Jozef. Ai më dha një Libër të Mormonit, toku duart me mua dhe tha: ‘Mbaj predikime të shkurtra, bëj lutje të shkurtra dhe bëji predikimet e tua me një zemër plot lutje’.”14

Ne e japim mësim ungjillin siç drejtohemi nga Shpirti.

“Të gjithë duhet ta predikojnë Ungjillin, me anë të fuqisë dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë; dhe asnjë njeri nuk mund ta predikojë Ungjillin pa Frymën e Shenjtë.”15

“Siç tha Pali, atij iu desh të bëhej gjithçka për të gjithë, që kështu ai të mund të shpëtonte disa [shih 1 Korintasve 9:22], kështu duhet të bëjnë pleqtë e ditëve të fundit; dhe, meqenëse janë dërguar për të predikuar Ungjillin dhe për të paralajmëruar botën për gjykimet që do të vijnë, ne jemi të sigurt, kur ata japin mësim siç drejtohen nga Shpirti, sipas zbulesave të Jezu Krishtit, që ata do të predikojnë të vërtetën dhe do të përparojnë pa arsye për t’u ankuar. Kështu ne nuk kemi urdhërim të ri për të dhënë, por i këshillojmë pleqtë dhe anëtarët që të jetojnë me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë [shih Mateu 4:4], që të mos privohen nga lavdia që është rezervuar për besnikun.”16

Profeti foli në një konferencë të mbajtur në tetor 1839: “Presidenti [Jozef Smith] vazhdoi t’u japë udhëzime Pleqve në lidhje me predikimin e Ungjillit dhe u theksoi atyre nevojën e marrjes së Shpirtit, që ata të mund të predikonin me Frymën e Shenjtë të dërguar nga qielli; dhe gjithashtu që të ishin të kujdesshëm kur të flisnin mbi ato tema që nuk janë përmendur qartë në fjalën e Perëndisë, që çojnë në spekulim dhe grindje”17.

Më 14 maj 1840, Jozef Smithi u shkroi nga Navuja Pleqve Orson Hajd dhe Xhon E. Pejxh, që ishin nisur për një mision në Tokën e Shenjtë: “Mos u shkurajoni prej madhësisë së punës; vetëm jini të përulur dhe besnikë dhe atëherë ju mund të thoni: ‘Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë’. [Shih Zakaria 4:7.] Ai që e shpërndau Izraelin ka premtuar t’i mbledhë ata; prandaj, duke qenë se ju duhet të jeni mjete në këtë punë të madhe, Ai do t’ju pajisë ju me fuqi, urtësi, forcë dhe inteligjencë dhe çdo cilësi të nevojshme; ndërsa mendja juaj do të zgjerohet gjerë e më gjerë, derisa ju të mund të përfshini tokën dhe qiejt, të arrini në përjetësi dhe të soditni veprimet e fuqishme të Jehovait në gjithë llojshmërinë dhe lavdinë e tyre.”18

Ne kërkojmë mundësira për të dhënë mësim ungjillin dhe për të dhënë dëshmi për vërtetësinë e tij.

Në vjeshtën e vitit 1832 Jozef Smithi udhëtoi bashkë me Peshkopin Njuël K. Uitni nga Kirtlandi i Ohajos, për në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara. Më 13 tetor, Profeti i shkroi Ema Smithit nga Nju-Jork-Siti: “Kur mendoj për këtë qytet të madh si qyteti Ninive, ku nuk dallonin dorën e tyre të djathtë nga e majta e tyre, po, më shumë se dyqind mijë shpirtra, zemra ime mbushet me dhembshuri për ta dhe unë jam i vendosur që të ngre zërin tim në këtë qytet dhe t’ia lë rezultatin Perëndisë, që i mban të gjitha gjërat në dorën e tij dhe nuk do të lejojë që asnjë fije floku nga koka jonë të bjerë përtokë pa u vënë re. …

Kam pasur disa biseda me pak vetë, që më dhanë ndjenja përmbushje, dhe me një zotëri të ri shumë të këndshëm nga Xhersi, pamja e të cilit ishte shumë solemne. Ai erdhi dhe u ul pranë meje, dhe filloi të bisedojë me mua mbi kolerën, dhe unë mësova se atë e kishte zënë ajo, dhe kishte mbërritur buzë vdekjes prej saj. Ai tha se Zoti e kishte kursyer atë për ndonjë qëllim të mençur. Unë përfitova prej kësaj dhe hapa një bisedë të gjatë me të. Ai i mori mësimet e mia në dukje me shumë kënaqësi dhe u bë shumë i lidhur me mua. Ne biseduam deri natën vonë dhe e lamë që ta vazhdonim bisedën ditën tjetër. Por duke qenë se i duhej të bënte disa punë, ai u vonua derisa barka qe gati për t’u nisur dhe i duhej të largohej. Ai erdhi tek unë dhe më la lamtumirën, dhe ne u ndamë fare pa dëshirë.”19

Bashkëshortja e Njuël K. Uitnit, Elizabet En, kujtoi udhëtimin e bashkëshortit të saj me Jozef Smithin në vitin 1832 për në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara: “Bashkëshorti im udhëtoi me Jozefin, Profetin, përmes shumë prej qyteteve lindore, duke dhënë dëshminë e tyre dhe duke mbledhur mjete për ndërtimin e një Tempulli në Kirtland dhe gjithashtu për të blerë toka në Misuri…. Ai i tha bashkëshortit tim: ‘Nëse ata nuk na pranojnë ne, ata do ta kenë dëshminë tonë, sepse ne do ta shkruajmë dhe do t’ua lëmë atë tek pragu i dyerve dhe dritareve të tyre’.”20

Në vitin 1834 Jozef Smithi predikoi në një shkollë në Pontiak të Miçiganit. Eduard Stivenson qe i pranishëm dhe e kujtoi atë përvojë: “Qe në atë mjedis shkolle ku dy Pleq mormonë paraqitën Ungjillin e rivendosur në vitin 1833; dhe në vitin 1834 Jozef Smith Profeti predikoi me një fuqi të tillë si nuk ishte dëshmuar kurrë më parë në këtë shekull të nëntëmbëdhjetë…. Unë mund të kujtoj fare mirë shumë prej fjalëve të Profetit djalosh pasi ato u shprehën me thjeshtësi, por me një fuqi që qe e papërballueshme për gjithë të pranishmit. …

Me dorë të ngritur ai tha: ‘Unë jam një dëshmitar që ka një Perëndi, sepse unë e pashë Atë në dritën e ditës, ndërsa lutesha në një korije të heshtur, në pranverën e vitit 1820’. Ai dëshmoi më tej se Perëndia, Ati i Përjetshëm, duke treguar drejt një personazhi të veçantë, të ngjashëm me Të, tha: ‘Ky është Biri im i Dashur, dëgjoje Atë!’ Oh, këto fjalë sa e emocionuan gjithë qenien time dhe më mbushën me gëzim të pashprehshëm që të shihja dikë që, ashtu si Pali, apostulli i kohëve të lashta, mund të dëshmonte me guxim se ai kishte qenë në prani të Jezu Krishtit! …

… U mbajtën një seri mbledhjesh, në të cilat me Profetin u bashkuan, dhe në mënyrë shumë interesante, edhe tre dëshmitarët e Librit të Mormonit. Gjatë vizitës së tij tek kjo degë, Profeti dëshmoi se ai ishte udhëzuar të organizonte një Kishë sipas modelit të Kishës që kishte organizuar Jezusi, me Dymbëdhjetë Apostuj, të Shtatëdhjetë, Pleq, dhurata dhe bekime, me përcjellje të shenjave, siç gjendet e regjistruar në kapitullin e gjashtëmbëdhjetë të Markut. … ‘Si një shërbëtor i Perëndisë’, tha Jozefi, ‘unë ju premtoj, në qoftë se ju do të pendoheni dhe pagëzoheni për heqjen e mëkateve tuaja, ju do të merrni Frymën e Shenjtë.’”21

Ndërsa po e merrnin prej Far-Uestit të Misurit, në nëntor 1838, për në vendin e burgimit të tij në Riçmond të Misurit, Profeti përsëri dha mësim ungjillin: “Ne na vizituan disa zonja dhe zotërinj. Njëra nga gratë erdhi dhe shumë çiltërsisht e pyeti skuadronin se cili prej të burgosurve ishte Zoti që adhuronin ‘mormonët’. Një nga rojet drejtoi gishtin drejt meje me një buzëqeshje të madhe dhe tha: ‘Ky është ai’. Gruaja atëherë, duke u kthyer nga unë, pyeti nëse unë deklaroja të isha Zoti dhe Shpëtimtari. Unë u përgjigja se unë deklaroja se nuk isha gjë tjetër përveçse një njeri dhe një shërbestar i shpëtimit, i dërguar nga Jezu Krishti për të predikuar Ungjillin.

Kjo përgjigje e befasoi kaq shumë gruan saqë ajo filloi të pyesë për doktrinën tonë dhe unë u predikova një diskutim, si asaj edhe shoqëruesve të saj, si dhe ushtarëve të habitur, të cilët dëgjuan me vëmendje të madhe pothuaj pa frymë ndërsa unë parashtrova doktrinën e besimit tek Jezu Krishti dhe të pendimit, dhe të pagëzimit për heqjen e mëkateve, me premtimin e Frymës së Shenjtë, siç regjistrohet në kapitullin e dytë të Veprave të Apostujve [shih Veprat e Apostujve 2:38–39].

Gruaja u kënaq dhe lëvdoi Perëndinë në prani të ushtarëve, dhe shkoi duke u lutur që Perëndia të na mbronte dhe çlironte ne.”22

Dan Xhons kujtoi se në mbrëmjen përpara se të martirizohej Profeti në burgun e Karthixhit, ndodhi sa vijon: “Jozefi u dha dëshmi të fuqishme rojeve për vërtetësinë hyjnore të Librit të Mormonit, rivendosjen e Ungjillit, administrimin e engjëjve dhe që mbretëria e Perëndisë ishte vendosur përsëri në tokë, për hir të së cilës për më tepër ai ishte i burgosur në atë burg dhe jo sepse ai kishte dhunuar ndonjë ligj të Perëndisë apo të njeriut”23.

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Mbani parasysh këto ide ndërsa studioni kapitullin ose përgatiteni që të jepni mësim. Për ndihmë të mëtejshme, shihni faqet VII–XII.

  • Rishihni faqet 349–352, duke u kushtuar vëmendje përpjekjeve misionare që u organizuan nën udhëheqjen e Profetit Jozef Smith. A jeni ndikuar ju në ndonjë mënyrë përmes punës së këtyre misionarëve të hershëm? Nëse po, si?

  • Lexoni paragrafin e parë të plotë të faqes 353 dhe mendoni se përse dashuria na ndikon në mënyrën që përshkruan Profeti. Cilat janë disa karakteristika të tjera që na duhen që të jemi misionarë efektivë? (Për disa shembuj, shihni faqet 352–353.)

  • Rishihni fjalët e Profetit Jozef Smith për atë që duhet të japin mësim misionarët dhe se si duhet të japin mësim (faqet 353–356). Përse ne duhet të predikojmë “parimet e para” të ungjillit? Cilat mund të jenë pasojat e diskutimit me të tjerët mbi temën e fesë? Si mendoni ju, çfarë do të thotë që “secila fjalë le të jetë zbutur me hijeshi” kur predikoni ungjillin?

  • Rishihni paragrafin e dytë në faqen 355. Në cilat mënyra ka udhëhequr Fryma e Shenjtë përpjekjet tuaja për të shpërndarë ungjillin? Përse nuk mund ta predikojmë ungjillin pa Frymën e Shenjtë?

  • Rishihni përvojat e Jozef Smithit të ritreguara në faqet 356–359. Çfarë mund të mësojmë mbi shpërndarjen e ungjillit nga këto përvoja?

  • Në çfarë mënyrash mund të kërkojmë aktivisht mundësira për të ndarë ungjillin me të tjerët? Në çfarë mënyrash mund të përgatitemi për mundësi të tilla? Si mund të përfshijmë familjet tona në punën misionare?

Shkrime të Shenjta Përkatëse: Mateu 28:19–20; 2 Nefi 2:8; Alma 26:26–37; DeB 4:1–7; 31:3–5

Shënime

  1. History of the Church, 2:489; nga “History of the Church” (dorëshkrim), book B-1, f. 761, Arkivat e Kishës, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Salt Lake City, Utah.

  2. Heber C. Kimball, “Synopsis of the History of Heber Chase Kimball”, Deseret News, 14 prill 1858, f. 33; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe germës së madhe.

  3. Heber C. Kimball, Deseret News, 21 maj 1862, f. 370; është modernizuar përdorimi i germës së madhe.

  4. Cituar nga Orson F. Whitney, në Conference Report, tetor 1920, f. 33.

  5. Letër porosie e lëshuar nga Joseph Smith-i dhe të tjerë drejtuar Orson Hyde, 6 prill 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, prill 1840, f. 86.

  6. Orson Hyde, A Voice from Jerusalem, or a Sketch of the Travels and Ministry of Elder Orson Hyde (1842), f. 29.

  7. History of the Church, 2:478; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Messenger and Advocate, prill 1837, f. 487.

  8. History of the Church, 4:226–227; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Të Dymbëdhjetëve, 15 dhjetor 1840, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons, 1 janar 1841, f. 258; kjo letër është datuar pasaktësisht 19 tetor 1840, në History of the Church.

  9. History of the Church, 5:344; është modernizuar drejtshkrimi; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 8 prill 1843, në Nauvoo, Illinois; raportuar nga Willard Richards dhe William Clayton.

  10. History of the Church, 4:11; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith-i më 29 shtator 1839, në Commerce, Illinois; raportuar nga James Mulholland.

  11. History of the Church, 2:431; nga udhëzime të dhëna nga Joseph Smith-i më 30 mars 1836, në Kirtland, Ohio.

  12. Letër nga Joseph Smith dhe të tjerë drejtuar Hezekiah Peck, 31 gusht 1835, Kirtland, Ohio; në “The Book of John Whitmer”, f. 80, Community of Christ Archives, Independence, Missouri; kopje e “The Book of John Whitmer” në Arkivat e Kishës.

  13. History of the Church, 3:384; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 2 korrik 1839, në Montrose, Iowa; raportuar nga Wilford Woodruff dhe Willard Richards.

  14. George A. Smith, “History of George Albert Smith by Himself”, f. 36, George Albert Smith, Papers, 1834–1875, Arkivat e Kishës.

  15. History of the Church, 2:477; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 prill 1837, në Kirtland, Ohio; raportuar nga Messenger and Advocate, prill 1837, f. 487.

  16. History of the Church, 5:404; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar botuesit të Times and Seasons, 22 maj 1843, Nauvoo, Illinois, botuar në Times and Seasons,15 maj 1843, f. 199; ky numër i Times and Seasons u botua me vonesë.

  17. History of the Church, 4:13; nga një fjalim i mbajtur nga Joseph Smith-i më 6 tetor 1839, në Commerce, Illinois; raportuar në Times and Seasons, dhjetor 1839, f. 31.

  18. History of the Church, 4:128–129; nga një letër e Joseph Smith-it drejtuar Orson Hyde dhe John E. Page, 14 maj 1840, Nauvoo, Illinois. Edhe pse Plaku Hyde e përfundoi misionin e tij në Tokën e Shenjtë, Plaku Page mbeti në Shtetet e Bashkuara.

  19. Letër nga Joseph Smith drejtuar Emma Smith, 13 tetor 1832, New York City, New York; Community of Christ Archives, Independence, Missouri.

  20. Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 1 tetor 1878, f. 71; është modernizuar drejtshkrimi, përdorimi i shenjave të pikësimit dhe i germës së madhe.

  21. Edward Stevenson, “The Home of My Boyhood”, Juvenile Instructor, 15 korrik 1894, f. 443–445; është modernizuar përdorimi i shenjave të pikësimit dhe gramatika; janë ndryshuar ndarjet në paragrafë.

  22. History of the Church, 3:200–201; një relacion i një fjalimi të mbajtur nga Joseph Smith-i më 4 nëntor 1838, pranë lumit Missouri, ndërsa po dërgohej si i burgosur prej Far West-it për në Independence, Missouri; raportuar nga Parley P. Pratt.

  23. History of the Church, 6:600; një relacion i udhëzimeve të dhëna nga Joseph Smith-i më 26 qershor 1844, në Carthage Jail, Carthage, Illinois; raportuar nga Dan Jones.

Pamja
men shaking hands

Hiber C. Kimball dhe Jozef Filding në Angli duke u përshëndetur prej atyre që ishin bashkuar me Kishën si rezultat i punës së tyre misionare. “Lavdi Perëndisë, Jozef”, i shkroi Plaku Kimball Profetit, “Zoti është me ne mes kombeve!”

Pamja
missionaries

“Predikoni Krishtin dhe madje Atë që u kryqëzua, dashuri për Perëndinë dhe dashuri për njeriun. …Jini të bindur dhe të përvuajtur në zemër dhe Zoti Perëndia i etërve tanë do të jetë me ju përgjithmonë.”

Pamja
sister missionaries teaching

Secili anëtar i Kishës ka përgjegjësi për të shpërndarë ungjillin. “Të gjithë duhet ta predikojnë Ungjillin”, deklaroi Profeti Jozef Smith, “me anë të fuqisë dhe ndikimit të Frymës së Shenjtë.”