2007
Një Priftëri Mbretërore
Nëntor 2007


Një Priftëri Mbretërore

Kohërat mund të ndryshojnë, rrethanat mund të shndërrohen, por cilësitë e një mbajtësi të vërtetë të priftërisë së Perëndisë mbeten të njëjta.

Pamja

Vëllezër, tek vështroj nga njëra anë e kësaj ndërtese të mrekullueshme në tjetrën, mundem vetëm të them se ju jeni një pamje frymëzuese. Është e mrekullueshme të mendosh se në mijëra ndërtesa kishe në mbarë botën, të tjerë si ju, mbajtës të priftërisë së Perëndisë, po e ndjekin këtë aktivitet nëpërmjet transmetimit satelitor. Kombësitë tuaja janë të ndryshme, gjuhët tuaja të shumta, por një fill i përbashkët na bashkon. Neve na është besuar të mbajmë priftërinë dhe të veprojmë në emrin e Perëndisë. Ne jemi ata tek të cilët është vendosur një besim i shenjtë. Nga ne pritet shumë.

Ne që mbajmë priftërinë e Perëndisë dhe e nderojmë atë, jemi midis atyre që janë ruajtur për këtë periudhë të veçantë në histori. Apostulli Pjetër na përshkroi në kapitullin e dytë të letrës 1 Pjetri, vargu i nëntë: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.”

Si mundemi ju dhe unë të cilësohemi për të qenë të denjë për atë titull, “një priftëri mbretërore”? Cilat janë karakteristikat e një biri të vërtetë të Perëndisë së gjallë? Sonte dëshiroj të marrim në konsideratë vetëm disa nga këto karakteristika.

Kohërat mund të ndryshojnë, rrethanat mund të shndërrohen, por cilësitë e një mbajtësi të vërtetë të priftërisë së Perëndisë mbeten të njëjta.

Më lejoni të sugjeroj se, më parë nga të gjitha, secili prej nesh duhet të ketë cilësinë e largpamësisë. Një shkrimtar ka thënë se porta e historisë lëviz në mentesha të vogla dhe po kështu edhe jeta e njerëzve. Nëse duhet ta zbatojmë atë thënie në jetën tonë, mund të themi se ne jemi rezultati i shumë vendimeve të vogla. Në të vërtetë, ne jemi prodhimi i zgjedhjeve tona. Duhet të zhvillojmë aftësinë që të kujtojmë të kaluarën, të vlerësojmë të tashmen dhe të shohim drejt së ardhmes, që të plotësojmë në jetën tonë atë që Zoti dëshiron të bëjmë.

Ju të rinj që mbani Priftërinë Aarone, duhet të keni aftësinë të përfytyroni ditën kur do të mbani Priftërinë Melkizedeke dhe pastaj të përgatiteni si dhjakë, si mësues, si priftërinj që të merrni Priftërinë e shenjtë Melkizedeke të Perëndisë. Ju keni përgjegjësinë të jeni gati, kur të merrni Priftërinë Melkizedeke, që t’i përgjigjeni thirrjes për të shërbyer si misionar duke e pranuar dhe duke e përmbushur atë. Unë lutem sinqerisht që çdo djalë e çdo burrë të ketë cilësinë e largpamësisë.

Parimi i dytë që duhet të theksoj, si një karakteristikë e një mbajtësi të vërtetë të priftërisë së Perëndisë, është cilësia e përpjekjes. Nuk mjafton të dëshirosh të bësh përpjekje dhe të thuash ne do ta bëjmë përpjekjen. Ne duhet ta bëjmë vërtet përpjekjen. Qëllimet tona i përmbushim duke bërë, jo thjesht duke menduar. Nëse i shtyjmë vazhdimisht për më vonë qëllimet tona, asnjëherë nuk do t’i shohim të plotësuara. Dikush e shprehu në këtë mënyrë: Jeto vetëm për të nesërmen dhe sot do të kesh plot të djeshme bosh.1

Në korrik 1976, atleti Geri Bjorklund ishte i vendosur të kualifikohej për garën ekipore të 10.000 metrave me skuadrën olimpike të ShBA-së, e cila do të zhvillohej në Lojërat Olimpike të Montrealit. Megjithatë, nga gjysma e garës së vështirë kualifikuese, atij i ra këpuca atletike e majtë. Çfarë do të bënim ju dhe unë nëse do të na ndodhte neve? Mendoj se ai mund ta kishte lënë garën e të ndalonte. Mund t’ia vinte fajin fatit të tij të keq dhe të humbte shansin e pjesëmarrjes në garën më të madhe të jetës së tij, por ai atlet kampion nuk e bëri këtë. Ai vazhdoi të vraponte me një atlete. E dinte se duhet të vraponte më shpejt se asnjë herë tjetër në jetë. E dinte se konkurentët tani kishin një epërsi që nuk e kishin patur në fillim të garës. Ai vrapoi mbi atë pistë me zhur, me një këpucë mbathur e një zbathur, duke mbërritur i treti e duke u kualifikuar për mundësinë e pjesëmarrjes në garën për medaljen e artë. Koha vetjake e arritur ishte më e mira që kishte regjistruar ndonjëherë. Ai bëri përpjekjen e nevojshme për të arritur qëllimin e vet.

Si mbajtës të priftërisë, mund të përjetojmë çaste të jetës kur ligështohemi, kur lëshohemi ose lodhemi, apo kur provojmë zhgënjim ose pikëllim. Kur ndodh kjo, do të shpresoja që ne të ngulmojmë me përpjekje edhe më të madhe drejt qëllimit tonë.

Do të na vijë koha kur secili prej nesh të thirret për të zënë një detyrë në Kishë, qoftë si president i kuorumit të dhjakëve, si sekretar i kuorumit të mësuesve, këshilltar priftërie, mësues klase apo peshkop. Mund të përmendja më shumë, por ju e kuptoni thelbin. Isha vetëm 22 vjeç kur u thirra si peshkop i Lagjes së Gjashtë-Shtatë në Solt Lejk Siti. Me 1080 anëtarë në lagje, kërkohej përpjekje e madhe për t’u siguruar që isha kujdesur për çdo çështje që duhej trajtuar dhe që çdo anëtar i lagjes të ndiente përfshirje dhe përkujdesje. Ndonëse detyra ishte shumë e vështirë, unë nuk e lashë atë të më mposhtëte. Fillova punën, ashtu si të tjerët, dhe bëra gjithçka që munda për të shërbyer. Secili prej nesh mund të bëjë të njëjtën gjë, pavarësisht nga thirrja apo detyra.

Pikërisht vitin e kaluar vendosa të shihja se sa ndërtesa banimi kishin ngelur ende që nga koha midis viteve 1950 dhe 1955, kur shërbeja si peshkop i asaj zone. Eca me ngadalë me makinë përreth secilit bllok që përbënte dikur lagjen. U çudita kur vura re gjatë kërkimit se, nga të gjitha ndërtesat e banimit ku dikur jetonin 1080 anëtarë, kishin mbetur vetëm tre. Në një nga ato shtëpi, bari ishte rritur së tepërmi, pemët nuk ishin krasitur dhe unë zbulova se atje nuk banonte njeri. Nga dy shtëpitë që mbeteshin, njëra ishte e mbyllur dhe pa banorë, ndërsa tjetra ishte kthyer në zyrë të një farë biznesi.

Parkova makinën, fika kuadrin dhe ndenja aty për mjaft kohë. Mund të përfytyroja secilën shtëpi apo pallat. Ndërsa shtëpitë dhe pallatet nuk ishin më, kujtimet ishin ende shumë të gjalla për familjet që banonin në secilën banesë. Mendova për fjalët e autorit Xheims Berri i cili shkroi se Perëndia na i ka dhënë kujtimet që ne mund të kemi trëndafilat e qershorit në dhjetorin e jetës sonë.2 Sa mirënjohës isha për mundësinë për të shërbyer në atë detyrë. I tillë mund të jetë bekimi i secilit prej nesh nëse në detyrat tona bëjmë përpjekjet më të mëdha.

Cilësia e përpjekjes kërkohet prej secilit mbajtës të priftërisë.

Parimi i tretë që do të doja të theksoja është cilësia e besimit. Duhet të kemi besim në vetvete, besim në aftësinë e Atit tonë Qiellor për të na bekuar e udhëhequr në përpjekjet tona. Shumë vjet më parë shkrimtari i një psalmi shkroi një të vërtetë të mrekullueshme: “Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti, sesa t’i kesh besim njeriut. Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti, sesa t’u kesh besim princave.”3 Me fjalë të tjera, le të kemi besim në aftësinë e Zotit për të na udhëhequr. Ju e dini, miqësitë mund të ndërrojnë e të ndryshohen, por Zoti është i qëndrueshëm.

Shekspiri, në veprën e tij “Henkriku VIII” na e mësoi këtë të vërtetë nëpërmjet Kardinalit Uollsi, një burrë që kishte gëzuar autoritet dhe krenari të madhe për shkak të miqësisë së tij me mbretin. Kur miqësia mori fund, Kardinalit Uollsi iu hoq autoriteti, duke sjellë si rezultat humbjen e rëndësisë dhe nderimit. Ai qe dikush që fitoi gjithçka dhe pastaj i humbi të gjitha. Me hidhërim në zemër, ai i tha të vërtetën e saktë shërbëtorit të tij, Kromuellit. Ai tha:

O Kromuell, Kromuell!

Sikur t’i kisha shërbyer Perëndisë tim me gjysmën e zellit

që i shërbeva mbretit, në moshën time Ai

nuk do të më kishte lënë të zhveshur ndaj armiqve.4

Unë besoj se ne do të kemi cilësinë e besimit në çdo zemër që është këtu sonte.

Po i shtoj listës sime cilësinë e virtytit. Zoti na tregoi se virtyti duhet t’i stolisë mendimet tona pa pushim.5

Më kujtohet një mbledhje priftërie në Tabernakullin në Solt Lejk Siti kur isha mbajtës i Priftërisë Aarone. Presidenti i Kishës po i fliste priftërisë dhe bëri një pohim që nuk e kam harruar kurrë. Në thelb, ai tha se njerëzit që kryejnë mëkat seksual ose mëkate të tjera, nuk e kryejnë sa hap e mbyll sytë. Ai theksoi se veprimet tona paraprihen nga mendimet tona dhe se, kur kryejmë mëkat, kjo vjen sepse më parë kemi menduar për ta kryer atë mëkat të veçantë. Pastaj Presidenti deklaroi se mënyra për të shmangur mëkatin është t’i mbajmë të pastra mendimet tona. Shkrimet e shenjta na tregojnë se ashtu si mendojmë në zemrat tona, ashtu jemi.6 Ne duhet të kemi cilësinë e virtytit.

Që të jemi misionarë në mbretërinë e Atit tonë Qiellor, duhet të kemi të drejtën e shoqërimit të Shpirtit të Tij të Shenjtë dhe na është thënë saktësisht se Shpirti i Tij nuk do të banojë në tabernakuj të papastër ose jo të shenjtë.

Së fundi, më lejoni të shtoj cilësinë e lutjes. Dëshira për të komunikuar me Atin e vet Qiellor është një cilësi e një mbajtësi të vërtetë të priftërisë së Perëndisë.

Ndërsa ne i ofrojmë Zotit lutjet tona familjare dhe personale, la ta bëjmë këtë me besim dhe mirëbesim tek Ai. Le të kujtojmë urdhërimin e Apostullit Pal drejtuar hebrenjve: “Sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.”7 Në qoftë se ndonjëri nga ne ka qenë i ngadalshëm të dëgjojë këshillën për t’u lutur gjithmonë, nuk ka kohë më të mirë për të filluar sesa tani. Uilliam Kauper deklaroi: “Satani dridhet kur sheh shenjtorin më të dobët të gjunjëzuar”8. Ata që mendojnë se lutja mund të tregojë një dobësi fizike, duhet ta mendojnë se një njeri asnjëherë nuk qëndron më lart, sesa kur është i gjunjëzuar.

Le të kujtojmë gjithmonë:

Lutja është dëshira e sinqertë e shpirtit,

E shqiptuar apo e pashprehur,

Shenja e një zjarri të fshehur

që fërgëllon në kraharor… .

O ti, me anë të të cilit vijmë tek Perëndia,

Jeta, e Vërteta dhe Udha!

Ti ke ecur në shtegun e lutjes;

Zot, na mëso si të lutemi.9

Kur kultivojmë cilësinë e lutjes, do të marrim bekimet që Ati ynë Qiellor ka për ne.

Si përfundim, qoftë e mundur të kemi largpamësi e të bëjmë përpjekje. Qofshim shembull besimi dhe virtyti dhe le ta kemi lutjen pjesë të jetës sonë. Atëherë do të jemi vërtet një priftëri mbretërore. Kjo është lutja ime, vetë lutja ime në këtë mbrëmje, dhe e ofroj atë nga zemra, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Meredith Willson and Franklin Lacey, The Music Man (1957).

  2. Shih Laurence J. Peter, përpilim, Peter’s Quotations: Ideas for Our Time (1977), fq. 335.

  3. Psalmet 118:8-9.

  4. Akti 3, skena 2, vargjet 455-458.

  5. Shih DeB 121:45.

  6. Shih Fjalët e Urta 23:7.

  7. Hebrenjve 11:6.

  8. Në William Neil, përpilim, Concise Dictionary of Religious Quotations (1974), fq. 144.

  9. “Prayer Is the Soul’s Sincere Desire”, Hymns, nr. 145.