2007
Dëshmi Shkrimesh të Shenjta
Nëntor 2007


Dëshmi Shkrimesh të Shenjta

Shkrimet e shenjta të Rivendosjes nuk konkurojnë me Biblën; ato e plotësojnë Biblën.

Pamja

Shprehim dashurinë dhe admirimin për Presidentin Henri B. Ajring, Plakun Kuentin L. Kuk dhe Plakun Uolter F. Gonzales dhe lutemi që bekimet e Zotit t’i shoqërojnë ata në thirrjet e tyre të reja.

I shprehim ndjenja të sinqerta mirënjohjeje secilit prej jush, vëllezër dhe motra. Nëpër të gjithë botën, shembujt tuaj të shërbimit dhe dhembshurisë po tërheqin shumë vëmendje. Në të njëjtën kohë, shumë njerëz pyesin veten rreth historisë dhe doktrinave të kësaj Kishe. Ndërmjet atyre që pyesin, disa zgjedhin të përgojojnë Librin e Mormonit.1

Nënvleftësimi i Librit të Mormonit ose i çfarëdo shkrimi tjetër të shenjtë, më shqetëson thellë. Duke trajtuar atë shqetësim, i kam titulluar shënimet e mia “Dëshmi Shkrimesh të Shenjta.”

Përkufizime

Do ta përkufizoj termin shkrimesh të shenjta në lidhje me Biblën dhe shkrimet e shenjta të Rivendosjes.2 Anëtarët e Kishës “[besojnë] Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi; ne gjithashtu e besojmë Librin e Mormonit të jetë fjala e Perëndisë.”3 Shkrimet e shenjta të Rivendosjes përfshijnë gjithashtu Doktrina e Besëlidhje si dhe Perlën me Vlerë të Madhe.

Një fjalor e përkufizon emrin dëshmi si një “vërtetim të një fakti ose ngjarjeje: [një] pohim.”4 Termi dëshmi mbart një kuptim të veçantë kur zbatohet për fjalën e Perëndisë. Në Bibël lexojmë këtë deklaratë të rëndësishme: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve.”5 Kjo i siguron fëmijët e Perëndisë se doktrinat hyjnore konfirmohen nga më shumë se një dëshmi shkrimesh të shenjta.

Shkrimet e Shenjta Dëshmojnë për Jezu Krishtin

Bibla dhe Libri i Mormoni janë që të dy dëshmi për Jezu Krishtin. Ata na mësojnë se Ai është Biri i Perëndisë, se Ai jetoi një jetë shembullore, se Ai shleu për gjithë njerëzimin, se Ai vdiq mbi kryq dhe u ngrit sërish si Zot i ringjallur. Ata na mësojnë se Ai është Shpëtimtari i botës.

Dëshmitë e shkrimeve të shenjta vërtetojnë njëra-tjetrën. Ky koncept u shpjegua shumë kohë më parë kur një profet shkroi se Libri i Mormonit “është shkruar me qëllim që ju të mund të besoni në [Bibël]; dhe në qoftë se besoni në [Bibël], ju do besoni [Librin e Mormonit] gjithashtu.”6 Secili libër i referohet tjetrit. Secili libër qëndron si provë se Perëndia jeton dhe i flet fëmijëve të Tij me anë të zbulesave drejtuar profetëve të Tij.7

Dashuria për Librin e Mormonit e rrit dashurinë për Biblën dhe anasjelltas. Shkrimet e shenjta të Rivendosjes nuk konkurojnë me Biblën; ato e plotësojnë Biblën. I jemi borxhlinj martirëve që dhanë jetën e tyre që ne të mund të kemi Biblën. Ajo tregon natyrën e përjetshme të ungjillit dhe të planit të lumturisë. Libri i Mormonit rivendos dhe thekson doktrina biblike të tilla si e dhjeta8, tempulli9, dita e Shabatit10 dhe priftëria.11

Një engjëll shpalli se Libri i Mormonit12 do të tregojë vërtetësinë e Biblës.13 Ai gjithashtu nxori në shesh se shkrimet në Bibël, të disponueshme në ditët tona, nuk janë aq të plota sa ishin kur u shkruan fillimisht nga profetët dhe apostujt.14 Ai deklaroi se Libri i Mormonit do të rivendosë gjërat e thjeshta e të çmueshme që janë hequr nga Bibla.15

Një profeci në Librin e Mormonit paralajmëroi se disa njerëz do ta kundërshtonin nocionin e shkrimeve të tjera të shenjta. Ata që mendojnë se “nuk kemi nevojë për Bibël tjetër”16, le të vrasin mendjen për këtë këshillë të dhënë nga Perëndia:

“A nuk e dini se ka më shumë kombe se një? A nuk e dini se unë Zoti, Perëndia juaj, kam krijuar të gjithë njerëzit … dhe se unë sundoj lart në qiejt dhe poshtë në tokë; dhe unë ua çoj fjalën time fëmijëve të njerëzve, po, madje të gjitha kombeve të tokës?

… A nuk e dini se dëshmia e dy kombeve është një dëshmi për ju, se unë jam Perëndia, se unë kujtoj një komb sikurse një tjetër? Prandaj, unë i them të njëjtat fjalë një kombi, sikurse një tjetri. Dhe … dëshmia e të dy kombeve gjithashtu do të puqet.”17

Historia e shkrimeve të shenjta për Jezu Krishtin është me të vërtetë një histori në dy hemisfera.18 Ndërsa Maria dhe Jozefi në Lindje po bënin përgatitje për lindjen e fëmijës së shenjtë në Betlehem19, Nefi në Perëndim po merrte mësim nga Mesia i paralindjes. Zoti i tha Nefit: “Mos e humb kurajën … nesër unë do të vij në këtë botë, për t’i treguar botës se unë do të përmbush çdo gjë që kam bërë të thuhet nga goja e profetëve të mi të shenjtë.”20

Dyshuesve për këtë dëshmi të dytë, Librin e Mormonit, Zoti u dha këtë paralajmërim: “Dhe ngaqë i keni trajtuar me lehtësi gjërat që keni marrë … [ju] do të [mbeteni] nën … dënim derisa [ju] të [pendoheni] dhe të [kujtoni] … Librin e Mormonit dhe urdhërimet e mëparshme që iu kam dhënë, [Biblën, dhe] … për të vepruar sipas asaj që kam shkruar.”21

Zoti dha shkrime të tjera të Rivendosjes22 dhe deklaroi se ato fjalë gjithashtu do të përmbushen.23 Me këto dëshmi shkrimesh të shenjta, doktrinat e rrema do të turbullohen.24 Me këto dëshmi shkrimesh të shenjta, doktrinat e Biblës jo vetëm që ripohohen, por edhe sqarohen.

Shkrimet e Rivendosjes Sqarojnë Biblën

Si e sqarojnë Biblën shkrimet e Rivendosjes? Ekzistojnë shumë shembuj. Do të citoj vetëm pak prej tyre, duke filluar me Dhjatën e Vjetër.

Isaia shkroi: “Do të flasësh nga toka dhe fjala jote do të dalë e mbytur nga pluhuri; zëri yt do të ngjitet nga toka si ai i një mediumi dhe fjala jote do të pëshpëritë nga pluhuri,”25 A mund të ketë fjalë më përshkruese për Librin e Mormonit, që erdhi “nga toka” për “[t’i pëshpëritur] nga pluhuri” njerëzve sot?26

Por Isaia nuk ishte i vetmi profet i Dhjatës së Vjetër që parafoli për Librin e Mormonit. Ezekieli shkroi:

“Merr një copë dru dhe mbi të shkruaj: ‘Për Judën dhe për bijtë e Izraelit’… . Pastaj merr një copë tjetër dru dhe shkruaj mbi të: ‘Për Jozefin, bastun i Efraimit dhe [për] tërë [shtëpinë] e Izraelit’… .

Afroi pastaj njëri te tjetri në një dru të vetëm, me qëllim që të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde.”27

Sot, shenjtorët që jetojnë në shumë kombe të tokës e mbajnë me mirënjohje Biblën (bastun i Judës) dhe Librin e Mormonit (bastun i Efraimit) të lidhur si një gjë e vetme në duart e tyre.

Po për Dhjatën e Re? Libri i Mormonit qëndron gjithashtu si një dëshmi shkrimesh për mësimet e saj. Shembuj përfshijnë lindjen e mrekullueshme të bebes në Betlehem28, Predikimin e Tij në Mal29 dhe vuajtjen e thellë të Shpëtimtarit.30 Doktrina e Ringjalljes përmendet më shpesh në Librin e Mormonit sesa në Bibël.31

Nevoja për Frymën e Shenjtë u përmend nga Pali. Ai pyeti: “A e keni marrë Frymën e Shenjtë …? Ata iu përgjigjën: ‘Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë.’”32 Ajo doktrinë sqarohet nga një tjetër dëshmi shkrimesh të shenjta, e përcjellë nëpërmjet profetit të Zotit në epokën e Rivendosjes. Ai na mësoi të “besojmë në dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vendosjes së duarve.”33 Ajo dhuratë e çmuar dhe e fuqishme është përsëri e disponueshme për fëmijët e Perëndisë.

Pali i referohet tre shkallëve të lavdisë pas vdekjes kur na mësoi se “tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve.”34 Ajo shfaqje e lehtë e lavdisë së pasvdekjes është sqaruar nga një tjetër dëshmi shkrimesh të shenjta. Zoti na zbuloi se “lavdia e çelestialit është një, madje siç është lavdia e diellit një.

Dhe lavdia e terrestrialit është një, madje siç është një lavdia e hënës.

Dhe lavdia e telestialit është një, madje siç është një lavdia e yjeve.”35

Më e larta e këtyre mbretërive, çelestialja, rezervohet për ata që i binden ligjit të asaj mbretërie:

“Dhe ata që nuk shenjtërohen nëpërmjet ligjit … të Krishtit, duhet të trashëgojnë një mbretëri tjetër, madje atë që është një mbretëri terrestriale ose atë që është një mbretëri telestiale.

Sepse ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie çelestiale, nuk mund të durojë një lavdi çelestiale.”36

Këto tre shkallë të lavdisë janë në lidhje me jetën pas vdekjes. Ato lidhen me pavdekësinë e shpirtit njerëzor. Ajo dhuratë e pavdekësisë u bë realitet për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit.37 Në anglisht, kjo fjalë e rëndësishme, shlyerje, në cilëndo nga format e saj, përmendet vetëm një herë në Versionin e Mbretit Xhejms të Dhjatës së Re!38 Në Librin e Mormonit, ajo shfaqet 39 herë!39

Gjoni, duke shkruar librin e Zbulesës së Dhjatës së Re, parashikoi “një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli.”40 Një engjëll i caktuar mbajti çelësat e përgjegjësisë për Librin e Mormonit.41 Ai ishte engjëlli Moroni! Këta shembuj janë disa nga shumë doktrina biblike që janë sqaruar nga shkrimet e Rivendosjes.42

Libri i Mormonit — Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

Ne i ndajmë me gatishmëri shkrimet e shenjta të Rivendosjes me njerëzit nëpër botë. Libri i Mormonit tregon shërbesën personale të Zotit të ringjallur për njerëzit e Amerikës së lashtë. Meditoni për këto të vërteta të përjetshme që shpalli Ai:

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Unë krijova qiejt dhe tokën dhe të gjitha gjërat që janë në to. Unë isha me Atin që nga fillimi… .

Shkrimet e shenjta u përmbushën në lidhje me ardhjen time… .

Unë jam drita dhe jeta e botës.”

Shpëtimtari vazhdoi:

“Kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe me një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë… .

… Unë erdha në botë që t’i sjell shëlbim botës, për ta shpëtuar botën nga mëkati.

Prandaj, kushdo që pendohet dhe vjen tek unë si një fëmijë i vogël, atë do ta pranoj, pasi për të tillë është mbretëria e Perëndisë… . unë dhashë jetën time dhe e mora përsëri; prandaj pendohuni dhe ejani tek unë, … dhe shpëtohuni.”43

Këto deklarata të Zotit përmbledhin se kush është Ai në të vërtetë dhe si do Ai që të bëhemi ne në të vërtetë. Ai do që të shkojmë tek Ai dhe së fundi, të marrim përqafim të lavdishëm në krahët e Tij të dashur.

Unë shpreh mirënjohjen time të thellë për dëshmitë e shkrimeve të shenjta. Unë kam parë ndryshimin e madh që vjen për njerëzit që zbatojnë mësimet e Zotit në jetën e tyre. Ndryshime të tilla udhëheqin drejt bekimeve të jetës së përjetshme.44

E di se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Ungjilli i Tij është rivendosur në këto ditë të fundit. Presidenti Gordon B. Hinkli është profeti i Tij në këtë kohë. Dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Titulli i plotë është “Libri i Mormonit — Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”.

  2. Rivendosja u parashikua nga Pjetri (shih Veprat e Apostujve 3:19-21), Gjoni (shih Zbulesa 14:6-8), dhe Pali (shih Efesianëve 1:10). Profeti Jozef Smith mori udhëzimin që, në këtë periudhë të fundit do të ketë një “[rivendosje të të] gjithë gjërave të thëna nga goja e tërë profetëve të shenjtë, që kur bota filloi” (DeB 27:6).

  3. Nenet e Besimit 1:8.

  4. Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. i 11-të (2003), “witness,” fq. 1439.

  5. 2 Korintasve 13:1. Deklarime të ngjashme shfaqen tek Mateu 18:16 dhe Ethëri 5:4.

  6. Mormoni 7:9.

  7. Profetit të kësaj periudhe të tanishme Zoti i deklaroi: “Por ky brez do ta ketë fjalën time nëpërmjet teje.” (DeB 5:10.)

  8. Shih Alma 13:15; 3 Nefi 24:8-10.

  9. Shih 2 Nefi 5:16; Jakobi [LiM] 1:17; 2:2, 11; Mosia 2:5-7.

  10. Shih Mosia 13:16-19; 18:23.

  11. Shih 2 Nefi 6:2; Mosia 18:18; Alma 6:1; 13:1-3, 6-11; 3 Nefi 18:5; Moroni 3:1-4.

  12. Libri i Mormonit ka për qëllim “t’u [bëjë] të njohur të gjitha racave, gjuhëve dhe njerëzve, se Qengji i Perëndisë është Biri i Atit të Amshuar dhe Shpëtimtari i botës; dhe se të gjithë njerëzit duhet të vijnë tek ai ose ata nuk mund të shpëtohen” (1 Nefi 13:40).

  13. Shih 1 Nefi 13:40.

  14. Shih 1 Nefi 13:28-29.

  15. Shih 1 Nefi 13:40.

  16. 2 Nefi 29:6.

  17. 2 Nefi 29:7-8.

  18. Meqenëse Ai është Krijuesi i “[botëve] pa numër” (Moisiu 1:33), shkrime të tjera të shenjta, nga vendndodhje të tjera, janë një mundësi e qartë.

  19. Shih Lluka 2:4-6.

  20. 3 Nefi 1:13.

  21. DeB 84:54, 57.

  22. Shih DeB 135:3.

  23. Shih Joseph Smith — Mateu 1:31-35.

  24. Shih 2 Nefi 3:12; Ezra Taft Benson, “A New Witness for Christ,” Ensign, nëntor 1984, 8.

  25. Isaia 29:4.

  26. Isaia parashikoi që Perëndia do të bënte “mrekulli dhe çudi” në ditët e fundit (Isaia 29:14). Këto fjalë të Isaias iu thanë gjithashtu banorëve të Amerikës së lashtë: “Zoti do të shtrijë dorën e tij përsëri herën e dytë për të rivendosur njerëzit e tij nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë. Prandaj, ai do të fillojë një vepër të mrekullueshme dhe një çudi mes fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 25:17). Ajo vepër e mrekullueshme do të përfshinte ardhjen e Librit të Mormonit dhe Rivendosjen e ungjillit. Isaia citohet shpesh në Librin e Mormonit. Një studim i këtyre citimeve mund të jetë i gjatë dhe i lodhshëm por nuk është përsëritës. Nga 433 vargje të Isaias në Librin e Mormonit, 234 ndryshojnë nga homologët e tyre biblikë.

  27. Ezekieli 37:16-17.

  28. Shih 1 Nefi 11:13-20; Alma 7:10.

  29. Shih 3 Nefi 12-14.

  30. Shih Mosia 3:7. Një tregim i drejtpërdrejtë i vuajtjeve të Tij iu dha profetit të Tij të ditëve të mëvonshme (shih DeB 19:16-19).

  31. Fjala ringjallje shfaqet në 40 vargje të Versionit të Mbretit Xhejms të Biblës; ajo shfaqet në 56 vargje në Librin e Mormonit. Shih gjithashtu Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon (1997), 238-241.

  32. Veprat e Apostujve 19:2. Shih Veprat e Apostujve 2:38 për mësimet e Pjetrit në lidhje me nevojën e Frymës së Shenjtë.

  33. History of the Church, 5:41.

  34. 1 Korintasve 15:41.

  35. DeB 76:96-98; shih gjithashtu 131:1.

  36. DeB 88:21-22.

  37. Shih Mosia 16:10; Alma 42:23; Mormoni 6:21.

  38. Shih Romakëve 5:11.

  39. Shlyerje: 28 herë; shlyer ose shlyese: 8 herë; shlyen: 3 herë. Në disa vargje, fjala shlyerje shfaqet më shumë se një herë (shih 2 Nefi 9:7; Alma 34:9; 42:23).

  40. Zbulesa 14:6.

  41. Shih DeB 27:5; 128:20.

  42. Dhjata e Re u referohet “[deleve] të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm” (Gjoni 10:16). Ajo doktrinë sqarohet në Librin e Mormonit. Ajo mbart tregimin për Zotin e ringjallur që u flet njerëzve të Amerikës së lashtë. Atje Zoti tha: “Ju jeni ata për të cilët thashë: Dele të tjera unë kam që nuk janë të kësaj vathe; ato gjithashtu duhet t’i sjell dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim; dhe do të ketë një vathë dhe një bari” (3 Nefi 15:21).

    Një rrëfim i kufizuar i njohurisë së Palit për pagëzimin për të vdekurit shfaqet në Dhjatën e Re (shih 1 Korintasve 15:29). Vetëm në shkrimet e Rivendosjes sqarohet ajo doktrinë hyjnore (shih DeB 124:29-30, 41; 128:1, 11-12, 16-18; 138:47-48).

  43. 3 Nefi 9:15-16, 18, 20-22.

  44. Shih 3 Nefi 9:14; DeB 30:8.