2007
Çfarë Bëjnë më Mirë Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme: Qëndrojnë Fort e të Palëkundura
Nëntor 2007


Çfarë Bëjnë më Mirë Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme: Qëndrojnë Fort e të Palëkundura

Ne duhet të qëndrojmë të forta e të palëkundura në besim, të forta e të palëkundura në familje dhe të forta e të palëkundura në ndihmë.

Pamja

Motrat e mia të dashura, unë i afrohem kësaj përgjegjësie tepër të madhe me lutje në zemër. Unë kam një dëshmi për ungjillin e vërtetë të rivendosur të Jezu Krishtit. Shpëtimtari është udhëheqësi dhe shembulli ynë, shkëmbi ynë, forca jonë dhe mbrojtësi ynë. Çfarëdo roli që mund të luaj për të ndihmuar Atë dhe profetin e Tij të shuguruar, është një bekim në jetën time. Kam patur gjithnjë dashuri dhe respekt të madh për motrat e kësaj shoqate dhe besoj se gratë e kësaj Kishe janë gratë më të mrekullueshme dhe më të afta në botë. Ju lutem ta dini dashurinë time për ju — gratë e shkëlqyera të kësaj Kishe.

Presidenti Hinkli tha në një mbledhje mbarëbotërore trajnimi të udhëheqësve: “Unë jam i bindur se nuk ka askund ndonjë ogranizatë që të barazohet me Shoqatën e Ndihmës të kësaj Kishe. Ajo ka një anëtarësi prej më se pesë milionë grash ngado në botë. Nëse ato do të jenë të bashkuara dhe do të flasin me një zë, forca e tyre do të jetë e pallogaritshme … Ka një rëndësi kaq të jashtëzakonshme që gratë e Kishës të qëndrojnë të forta e të palëkundura për atë çka është e drejtë dhe e përshtatshme sipas planit të Zotit.”1

Unë e kam menduar dhe studiuar këtë detyrë frymëzuese dhe kam kërkuar përgjigje lidhur me atë se si mundet gratë e kësaj Kishe të plotësojnë sfidën dhe premtimin e Presidentit Hinkli. Si munden ato të flasin me një zë dhe të qëndrojnë të forta e të palëkundura për ato gjëra që janë të drejta dhe të përshtatshme? Brenda planit të Zotit, ka gjëra specifike që gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme duhet t’i bëjnë, sepse ato janë bija të Perëndisë, të zgjedhura të vijnë në tokë në një kohë që është quajtur “një periudhë shumë e vështirë në historinë e botës.”2

Me qëllim që të bëjmë pjesën tonë si gra sipas planit të Zotit, ne duhet të qëndrojmë të forta e të palëkundura në besim, të forta e të palëkundura në familje dhe të forta e të palëkundura në ndihmë. Ne duhet të dallohemi në këto tre fusha të rëndësishme që na veçojnë si dishepuj të Zotit. Nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës ne praktikohemi të jemi dishepuj të Krishtit. Ne mësojmë çfarë Ai do që të mësojmë, ne bëjmë atë që Ai kërkon të bëjmë dhe ne bëhemi ashtu si Ai do që të bëhemi. Kur ne mblidhemi të përqendruara me këtë fokus, puna e Shoqatës së Ndihmës është me vend, sido qofshin rrethanat tuaja — nëse jeni 18 apo 88 vjeç, beqare apo të martuara, keni fëmijë apo jo, apo nëse jetoni në Bauntiful të Jutas apo në Bengalore të Indisë.

Qëndroni të Forta e të Palëkundura në Besim

Së pari, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme duhet të jenë të forta e të palëkundura në besimin e tyre. Ato mund dhe duhet të shquhen në të jetuarit dhe në ndarjen e dëshmive të tyre për Zotin Jezu Krisht dhe ungjillin e Tij të rivendosur. Ne e bëjmë këtë kur:

  1. Bëjmë dhe mbajmë besëlidhje me Të.

  2. Jemi të denja dhe adhurojmë në tempujt e Tij.

  3. Studiojmë doktrinën e Tij në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve.

  4. Aftësohemi për të patur, për ta njohur dhe ndjekur Frymën e Shenjtë.

  5. Ndajmë dhe mbrojmë ungjillin e Tij.

  6. Marrim pjesë në lutje të sinqerta personale dhe familjare.

  7. Organizojmë mbrëmje familjare në shtëpi.

  8. Jetojmë me parimet e mbështetjes tek vetja dhe të jetës së matur.

Këto janë gjëra thelbësore që duhet të bëhen përpara gjërave jothelbësore. Këto janë praktika të thjeshta, të domosdoshme që duken gati të rëndomta kur flasim për to. Sidoqoftë, ato janë shenja të të qenit dishepull që kanë qenë gjithnjë themelore për motrat e Shoqatës së Ndihmës. Askush tjetër nuk mund t’i bëjë këto gjëra për ne — këto janë praktika dhe zakone vetiake që na veçojnë si të forta e të palëkundura për atë që është e drejtë.

Sa e ndryshme do të ishte bota dhe Kisha nëse çdo motër shenjtore e ditëve të mëvonshme do të shquhej në bërjen, ripërtëritjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve, nëse çdo motër do të kualifikohej për një rekomandim tempulli dhe do të adhuronte më shpesh në tempuj, nëse çdo motër do të studionte shkrimet e shenjta dhe doktrinën e Krishtit dhe do t’i njihte ato aq mirë sa që të mund t’ua mësonte të tjerëve dhe ta mbronte atë doktrinë në çdo kohë e vend. Mendoni për forcën tonë të bashkuar nëse çdo motër do të bënte një lutje të sinqertë çdo mëngjes dhe mbrëmje, ose më mirë akoma, do të lutej pa pushim siç ka urdhëruar Zoti. Nëse çdo familje do të bënte një lutje familjare çdo ditë dhe do të organizonte një Mbrëmje Familjare në Shtëpi çdo javë, ne do të ishim më të forta. Nëse çdo motër do të ishte mjaft e mbështetur tek vetja sa të jetë në gjendje t’i japë lirisht njohuritë, talentet dhe vlerat e saj dhe, nëse qenia dishepull i secilës motër do të pasqyrohej në atë çka tha dhe çka veshi, ne do të ishim të patundura në atë që është e drejtë.

Qëndroni të Forta e të Palëkundura në Familje

Së dyti, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme duhet të jenë të forta e të palëkundura në familje. Ato mund dhe duhet të ndihmojnë familjen më shumë se kushdo tjetër. Ne, si dishepuj të Krishtit, mund dhe duhet të jemi më të mirat në botë në mbështetjen, edukimin dhe mbrojtjen e familjes. Ne e bëjmë këtë kur:

  1. Kuptojmë dhe mbrojmë rolet e shenjta të gruas.

  2. Përqafojmë bekimet e priftërisë.

  3. Formojmë familje të përjetshme.

  4. Mbajmë martesa të forta.

  5. Lindim dhe rritim fëmijë.

  6. Tregojmë dashuri dhe edukojmë pjestarët e familjes.

  7. Pranojmë përgjegjësi për të përgatitur një brez të drejtë që po rritet.

  8. Njohim, jetojmë dhe mbrojmë doktrinën e familjes.

  9. Kërkojmë dhe kryejmë ordinanca tempulli për njerëz të rrethit të gjerë familjar.

Si dishepull i Jezu Krishtit, çdo gruaje në këtë Kishë i jepet përgjegjësia për mbështetjen, edukimin dhe mbrojtjen e familjes. Grave u janë caktuar detyra të shquara qysh përpara se të krijohej bota. Dhe si gra shenjtore të ditëve të mëvonshme që mbajnë besëlidhjet, ngritja e zërit tuaj në mbrojtje të doktrinës së familjes3 është thelbësore për forcimin e familjes në mbarë botën.

Njohja dhe mbrojtja e roleve të shenjta të gruas është aq e rëndësishme në një botë ku gratë bombardohen nga mesazhe false mbi identitetin e tyre. Personalitete popullore të medias në radio dhe televizion e paraqesin veten si autoritete dhe zëdhënëse të grave. Ndërsa këto mesazhe të mediave mund të përmbajnë elemente të së vërtetës, shumica predikojnë një ungjill të plotësisë vetiake dhe të vetë-adhurimit, shpesh duke i çorientuar gratë lidhur me identitetin dhe vlerën e tyre të vërtetë. Këta zëra ofrojnë një lumturi të rreme dhe si rrjedhim shumë gra janë të trishtuara, të vetmuara dhe të pështjelluara.

I vetmi vend ku gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme do të mësojnë të gjithë dhe plotësisht të vërtetën mbi rolin e tyre të pazëvendësueshëm në planin e lumturisë, është në këtë Kishë dhe në doktrinën e saj. Ne e dimë se në konfliktin e madh para-tokësor ne qëndronim në anën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për të ruajtur potencialin tonë të përkatësisë në familjet e përjetshme. Ne e dimë se jemi bija të Perëndisë dhe ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Gratë gjejnë lumturi të vërtetë kur ato kuptojnë dhe gëzohen për rolin e tyre unik në kuadrin e planit të shpëtimit. Gjërat që gratë munden dhe duhet të bëjnë shumë mirë është të gjejnë mbrojtje dhe mësimdhënie pa rezerva këtu. Ne besojmë në formimin e familjeve të përjetshme. Kjo do të thotë se ne besojmë në martesën. Ne e dimë se urdhërimi për t’u shumuar dhe për të mbushur tokën mbetet në fuqi. Kjo do të thotë se ne besojmë në lindjen e fëmijëve. Ne kemi besim se me ndihmën e Zotit mund të jemi të suksesshme në mbështetjen dhe mësimin e fëmijëve. Këto janë përgjegjësi jetësore në planin e lumturisë dhe kur gratë i përqafojnë këto role me gjithë zemër, ato janë të lumtura! Njohja dhe mbrojtja e të vërtetës mbi familjet është privilegji i çdo motre në këtë Kishë.

Ngaqë familjet janë të përjetshme, ne nuk mund të jemi rastësore ose të vetëkënaqura lidhur me këto marrëdhënie. Shumë nga puna e madhe e kësaj shoqate në të kaluarën, ka qenë përqendruar në ndihmën për gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme që të forcojnë familjet, me theksin në përmirësimin e aftësive tona edukuese — aftësive të mbajtjes së shtëpisë, aftësive prindërore dhe aftësive martesore. Familje do të thotë punë, por ato janë puna jonë e madhe — dhe ne nuk i trembemi punës. Kjo është çka ne e bëjmë më mirë, askush nuk bën familje më të mira se motrat e Shoqatës së Ndihmës. Ne i mbështesim, i edukojmë dhe i mbrojmë ato.

Qëndroni të Forta e të Palëkundura në Ndihmë

Së treti, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme duhet të jenë të forta e të palëkundura në ndihmë. Ne jemi një Shoqatë Ndihme dhe ne duhet të jemi gratë më të mira në botë në dhënien e ndihmës. Kjo ka qenë fusha jonë e posaçme qysh nga fillimi. Fjala ndihmë do të thotë “të ngresh lart, të lehtësosh.” Ajo do të thotë “ngritje.” “Nocioni është ‘të ngresh (dikë) nga shqetësimi.’”4 Shërbimi ynë dhe ndihma që ofrojmë janë një shenjë se ne jemi dishepuj të Zotit dhe anëtare të Kishës së Tij të vërtetë e të rivendosur. Është një privilegj të jesh pjesë e kësaj organizate mbarë botërore të grave, emri i së cilës tregon se çfarë na kërkohet të bëjmë: të japim ndihmë.

Jozef Smithi tha se gratë e kësaj Kishe ishin organizuar për të dhënë “në ndihmë të nevojtarëve, të të varfërve, të të vejave dhe të jetimëve dhe për të realizuar çdo qëllim dashamirës”5 dhe “jo vetëm për të ndihmuar të varfërit, por për të shpëtuar shpirtra.”6 Kjo përpjekje ndihme u përcaktua më tej nga plaku Xhon A. Uidso si “lehtësim i varfërisë, lehtësim i sëmundjes, lehtësim i dyshimit, lehtësim i padijes — lehtësim nga gjithçka që frenon gëzimin dhe përparimin e gruas.”7

Me gjithë rëndësinë e përpjekjeve të ndihmës në të kaluarën, puna më e madhe dhe më e rëndësishme për gratë e kësaj Kishe përsëri është përpara. Ruzulli tokësor duhet të përgatitet të presë Zotin Jezu Krisht dhe ne duhet të ndihmojmë në këtë përgatitje në mes të luftrave, trazirave, katastrofave natyrore dhe një rritjeje të ligësisë. Nuk ka patur ndonjë periudhë në historinë e botës kur të ketë qenë më e nevojshme një përpjekje ndihme me të gjitha rezervat. Ngaqë ne jemi dishepuj të Jezu Krishtit dhe kemi bërë besëlidhje me Të, ne jemi tashmë të angazhuara nga besëlidhja për të marrë pjesë në këtë përpjekje ndihme.

Secila nga ju është unikale dhe e çmuar. Secila nga ju ka barrët dhe sfidat e saj, të cilat ju japin bekimin që t’i drejtoheni Zotit për ndihmë. Ne gjithashtu kemi mundësinë të ndihmojmë Zotin duke dhënë ndihmë për të tjerët, që është zgjidhja më e madhe, më e shpejtë e problemit të vetmisë dhe mungesës së shpresës, një rrugë e sigurtë për të arritur shoqërinë e Shpirtit. Gjithçka na nevojitet që të fillojmë të japim ndihmë është të biem në gjunjë dhe të pyesim: “Kush ka nevojë për ndihmën time?” Çdo motër — e martuar apo beqare, e re apo e moshuar — është e nevojshme në këtë përpjekje për të ndihmuar dhe kjo është ajo që ne duhet ta bëjmë më mirë se çdo gjë tjetër.

Udhëheqëse të Forta e të Palëkundura

Tani, disa mendime për ju presidenci të shkëlqyera të Shoqatës së Ndihmës, që shërbeni kaq besnikërisht. Ju keni një përgjegjësi nxitëse dhe mbani një detyrë të shenjtë kur kryeni punën e Shoqatës së Ndihmës. Është detyra juaj të ndihmoni gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme të shquhen në besim, në familje dhe në ndihmë. Ju do të ndihmoni që ungjilli të bëhet një interes i madh dhe imponues për gratë e Kishës. Ju do të ndihmoni gratë të përsosen në mbajtjen e shtëpisë, si prindër dhe në aftësitë për martesë, kështu që ato të mund të jetojnë plotësisht ungjillin në shtëpitë e tyre.

Çdo udhëheqëse e thirrur dhe e veçuar e Shoqatës së Ndihmës ka të drejtën dhe autoritetin të udhëhiqet në plotësimin e rolit të saj të frymëzuar për të plotësuar sa më mirë nevojat e atyre që u shërben.8 Ju do të merrni ndihmë nga Fryma e Shenjtë kur përqendroheni në gjërat thelbësore dhe do të merrni kurajo të kapërceni gjërat pa vlerë.

Çdo udhëheqëse e di se familja po goditet rëndë nga furtunat e kësaj bote, furtuna si droga, borxhet, tradhëtia dhe mosbindja. Shpëtimtari e pa ditën tonë si “fillimi[n] e dhembjeve”9, kur shumë do të mashtroheshin. Ai foli për luftra dhe pëshpërima luftrash, zi buke, tërmete dhe murtaja. Kjo tregon botën ku ne jetojmë sot dhe është thelbësore që gratë e kësaj Kishe të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre për të qenë të përgatitura për të gjitha gjërat.

Si udhëheqëse të Shoqatës së Ndihmës, ju mund të ndihmoni çdo motër në çdo shtëpi, në çdo lagje dhe degë të bëhet e aftë të mbështetet tek vetja. Ato duhet të krijojnë një rezervë të hollash, ushqimi dhe aftësish, që do t’i ndihmojnë ato dhe familjet e tyre në kohë rreziku. Kisha ju ka dhënë ndihma të mëdha të tilla si fletëpalosje të mbështetjes tek vetja, sa për të filluar. Kjo është pjesë e punës tuaj.

Ju keni privilegjin të këshilloheni në unitet me udhëheqësit e priftërisë, që të planifikoni një mbrojtje dhe një strehë kundër këtyre furtunave dhe të organizoni një përpjekje ndihme për nevojat e veçanta të njerëzve tuaj. Miqësia dhe shoqërimi që e bëjnë jetën shumë më të ëmbël do të jenë një rezultat i natyrshëm i përpjekjes tonë. Përqendrimi në ndihmë gjithnjë do të krijojë veprimtari shoqërore, ndërsa përqendrimi në veprimtari shoqërore nuk mundet gjithnjë të sjellë ndihmë.

Kur ne mblidhemi për çfarëdo qëllimi nën flamurin e Shoqatës së Ndihmës, ne duhet të harxhojmë kohën tonë të çmuar dhe fondet e kushtuara me qëllim ndihmën për motrat, dhe bëjmë atë që duhet ta bëjmë më mirë. Në mbledhjet tona të Shoqatës së Ndihmës të dielave, hapja duhet të jetë e shkurtër dhe të ftojë Shpirtin të jetë me ne. Ne kemi nevojë për çdo minutë të mundshme për të studiuar ungjillin së bashku, sepse kështu ne mund të jemi më të mirat në përgjegjësitë tona. Të gjitha konferencat, veprimtaritë, mbledhjet dhe takimet e Shoqatës së Ndihmës duhet të përqendrohen në ndihmën që motrat të bëjnë sa më mirë atë që duhet. Lutja e Presidentit Hinkli për ne është:

“Ne kemi një sfidë më të madhe se sa kuptojmë… .

… ‘Bëni më të mirën që mundeni’. Por unë dua të theksoj se ajo duhet të jetë më e mira… Ne jemi të aftë të bëjmë kaq shumë më mirë…

… Ne duhet të biem në gjunjë dhe t’i lutemi Zotit për ndihmë, forcë dhe drejtim. Ne duhet pastaj të ngrihemi në këmbë dhe të ecim përpara.”10

Motra të mia të dashura, profeti ynë, të cilin unë e mbështes me gjithë zemër, ka thënë se ka një rrugë më të mirë se sa rruga e botës. Ai u ka bërë thirrje grave të Kishës të qëndrojnë të bashkuara për drejtësi. Ai ka thënë se, nëse ne jemi të bashkuara dhe flasim me një zë, forca jonë do të jetë e pallogaritshme. Unë i kam shprehur atij besimin tim se gratë e kësaj Kishe do të qëndrojnë të forta e të palëkundura në besimin tonë tek Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur; të forta e të palëkundura në mbështetjen, edukimin dhe mbrojtjen e familjeve tona; dhe të forta e të palëkundura në dhënien e ndihmës. Na bekoftë Zoti ndërsa ne bëjmë këtë punë, punën më të rëndësishme të gruas, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Standing Strong and Immovable”, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 20.

  2. Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 20.

  3. Shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, fq. 49.

  4. Shih Online Etymology Dictionary, “relief,” “relieve,” www.etymonline.com.

  5. History of the Church, 4:567.

  6. History of the Church, 5:25.

  7. Evidences and Reconciliations, përp. G. Homer Durham, 3 vëllime në 1 (1960), fq. 308.

  8. Shih Richard G. Scott, Worldwide Leadership Training Meeting, janar 2004.

  9. Mateu 24:3-8; shih edhe vargjet 3-7; 1 Timoteut 4:1-2; 2 Timoteut 3:1-5.

  10. Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 21.