2007
Pas Gjithçkaje që Ne Mund të Bëjmë
Nëntor 2007


Pas Gjithçkaje që Ne Mund të Bëjmë

Ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, kemi zgjedhur të mos jemi burra dhe gra të zakonshme.

Pamja

Kam dëgjuar se nuk ka vdekur ndonjë njeri duke mbajtur fjalim në një konferencë të përgjithshme. Po të më ndodhë sonte nga emocionet, kërkoj ndjesë sinqerisht.

Ndërsa kryeja shërbimin ushtarak të detyrueshëm në Argjentinë, lexova një libër të cilit nuk ia mbaj mend autorin. Ai shkroi: “Kam zgjedhur të mos jem një njeri i zakonshëm; është e drejta ime të jem dikush përtej të zakonshmes, nëse jam në gjendje.”

Të jesh dikush përtej të zakonshmes, do të thotë të jesh i suksesshëm, i veçantë dhe i shquar.

Kjo frazë më ka ngelur e gdhendur në mendje dhe në zemër. Ndjesia ime ishte dhe është se ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, kemi zgjedhur të mos jemi burra dhe gra të zakonshme. Fjalët e fundit, “nëse jam në gjendje”, më bënë të mendoj se nuk është e mjaftueshme që thjesht të pagëzohesh e të konfirmohesh, por, më tepër, ne duhet të plotësojmë dhe të nderojmë zotimin që i bëmë Zotit atë ditë të paharrueshme.

Lehi e mësoi birin e tij, Jakobin, duke i thënë: “Kështu që, njerëzit janë të lirë sipas mishit; dhe të gjitha gjërat u janë dhënë atyre të cilat janë të nevojshme për njeriun. Dhe ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit; pasi ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë” (2 Nefi 2:27).

Pa dyshim, ajo çka kërkojmë ne, është liria dhe jeta e përjetshme. Ne dridhemi vetëm nga mendimi i vdekjes dhe i robërisë së djallit.

Nefi na mësoi qartë se çfarë duhet të bëjmë. Ai tha: “Pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23).

Besoj se gjëja e parë që duhet të mbajmë parasysh për “[gjithçka] që ne mund të bëjmë”, është të pendohemi për mëkatet tona. Kurrë nuk do të jemi në gjendje të arrijmë potencialin tonë hyjnor, nëse mbetemi në mëkatet tona.

Kam kujtime të dashura nga dita e pagëzimit tim kur isha tetë vjeç. Ai u krye në degën Liniers, ndërtesa e parë e Kishës që u ngrit në Amerikën e Jugut. Pas pagëzimit tim, ndërsa po kthehesha në shtëpi bashkë me familjen, vëllai im më i madh filloi të bënte mundje me mua, siç bënte shpesh. Unë thirra: “Mos më prek! Unë nuk mëkatoj dot!” Ndërsa ditët kalonin, kuptova se nuk ishte e mundur të mbetesha i pamëkatë për jetën time në vazhdim.

Është e vështirë të durohen vuajtjet që na shkaktohen, por mundimi i vërtetë në jetë është të vuash pasojat e vetë të metave dhe mëkateve tona, që ne i shkaktojmë vetes.

Ka vetëm një mënyrë që të shpëtojmë nga kjo vuajtje. Ajo është me anë të pendimit të sinqertë. Kam mësuar se, nëse i shfaq Zotit një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, duke ndier një trishtim sipas Perëndisë për mëkatet e mia, duke e përulur veten, duke qenë i penduar për gabimet e mia, atëherë Ai, nëpërmjet sakrificës së Tij të mrekullueshme shlyese, mund t’i fshijë ato mëkate dhe të mos i kujtojë më ato.

Poeti argjentinas Hosé Hernández, në librin e tij të famshëm “Martín Fierro”, shkroi:

Njeriu humbet plot gjëra

dhe nganjëherë i gjen ato përsëri,

por është detyra ime t’ju informoj,

dhe bëni mirë ta mbani mend,

nëse ndjenja e turpit njëherë humbet,

ajo nuk rigjendet më kurrë.

(La Vuelta de Martín Fierro, pjesa 2 e Martín Fierro [1879], canto 32; botim dygjuhësh, përkthim C. E. Ward [1967], fq. 493.)

Nëse nuk përjetojmë trishtimin sipas Perëndisë, që vjen prej mëkateve apo veprimeve tona të padrejta, do të jetë e pamundur që ne të mbetemi në shtegun për t’u bërë njerëz të shquar.

Një tjetër parim i rëndësishëm që duhet mbajtur mend në kryerjen e “[gjithçkaje] që ne mund të bëjmë”, është të kërkojmë dhe krijojmë mundësitë që jeta sipas ungjillit na ofron vazhdimisht dhe të jemi të vetëdijshëm se Zoti na ka dhënë gjithçka që kemi. Ai është i përgjegjshëm për gjithçka të mirë në jetën tonë.

Një tjetër gjë që duhet të jetë përgjegjësia jonë e përhershme, është të bëjmë “[gjithçka] që ne mund të bëjmë” për të përhapur ungjillin e lumturisë në mbarë njerëzimin.

Disa kohë më parë mora një letër nga vëllai Rafael Pérez Cisneros nga Galicia, Spanjë, ku më tregonte për kthimin e tij në besim. Një pjesë nga letra thotë sa vijon:

“Nuk e kisha konceptin e qëllimit të jetës apo se çfarë është vërtet familja. Kur më së fundi lejova që misionarët të hynin në shtëpinë time, u thashë: ‘Më thoni mesazhin tuaj, por ju paralajmëroj se asgjë nuk do të më detyrojë të ndryshoj besimin tim’. Që në rastin e parë, fëmijët dhe gruaja ime po dëgjonin me vëmendje. U ndjeva i ndarë nga grupi. Kjo më trembi dhe, pa menduar, shkova në dhomën e gjumit. Mbylla derën dhe fillova të lutem nga thellësia e shpirtit siç nuk isha lutur kurrë më parë. ‘Atë, nëse është e vërtetë se këta të rinj janë dishepujt e Tu dhe kanë ardhur të na ndihmojnë, të lutem ma bëj të ditur.’ Tamam në atë çast nisa të qaj si një fëmijë i vogël. Lotët më rridhnin çurg dhe ndjeva lumturi siç nuk e kisha provuar asnjëherë më parë. U përthitha në një fushë ndikimi plot gëzim dhe lumturi, e cila më përshkoi shpirtin. E kuptova se Perëndia po i përgjigjej lutjes time.

E gjithë familja ime u pagëzua dhe patëm bekimin të vuloseshim në Tempullin e Zvicrës, gjë që më bëri njeriun më të lumtur në botë.”

Mendoj se ky tregim duhet të na motivojë të bëjmë “[gjithçka] që ne mund të bëjmë” për të përhapur bekimet e gëzimit që vjen nga jeta sipas ungjillit të lumturisë.

Koncepti i fundit që dua të ndaj me ju, është se ne duhet të bëjmë “[gjithçka] që ne mund të bëjmë” deri në fund të provës sonë në vdekshmëri. Pa dyshim, ne kemi shembuj të gjallë si Presidenti Gordon B. Hinkli dhe shumë burra e gra të tjera, që vazhdojnë të shërbejnë me besnikëri deri në një moshë që të tjerët mund ta konsiderojnë të papërshtatshme.

Kur shërbeja si president i Misionit të Bilbaos në Spanjë, më linte mbresë cilësia e anëtarëve dhe misionarëve që takoja, që e çonin punën përpara me aftësi dhe dashuri të madhe, po ashtu si dhe shumë anëtarë besnikë të Kishës në vende të tjera të botës. Të gjithë atyre unë iu shpreh respektin dhe adimirimin tim të sinqertë.

Zoti ka thënë se Ai “[gëzohet të nderojë] ata që [i] shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund.

I madh do të jetë shpërblimi i tyre dhe e përjetshme do të jetë lavdia e tyre” (DeB 76:5-6).

Paçim kurdoherë në mendje dhe në zemrat tona fjalët e Nefit:

“Zgjohu, shpirti im! Mos bjer më në mëkat… .

… Shpirti im do të gëzohet në ty, Perëndia im dhe shkëmbi i shpëtimit tim!” (2 Nefi 4:28, 30).

Lutja ime e përulur është që Zoti na bekoftë të bëjmë gjithçka, “gjithçka që ne mund të bëjmë”, në këtë shteg “jashtë të zakonshmes” që kemi zgjedhur dhe që unë dëshmoj se është i vërtetë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.