2007
Zonja Pejtën — Historia Vazhdon
Nëntor 2007


Zonja Pejtën — Historia Vazhdon

Jam i sigurt se Ati ynë Qiellor ishte në dijeni të nevojave të saj dhe donte që ajo të dëgjonte të vërtetat ngushëlluese të ungjillit.

Pamja

Më merr malli për kolegun tim Xhejms E. Faust sot dhe shpreh dashurinë time gruas dhe familjes së tij të dashur dhe jam i sigurt që ai po i shërben Zotit në tjetër vend. U uroj mirëseardhjen Autoriteteve të Përgjithshme të mbështetur, Presidentit Ajring, Plakut Kuk dhe Plakut Gonzales dhe i siguroj se kanë përkrahjen time të plotë.

Tridhjetë e tetë vite më parë, gjatë një konference të përgjithshme e cila u zhvillua në Tabernakull, tek Sheshi i Tempullit, fola për një nga miqtë e mi të fëmijërisë, Artur Pejtën, i cili vdiq në një moshë të re. Biseda titullohej: “Zonja Pejtën, Arturi Jeton.”1 Ia drejtova fjalët e mia nënës së Arturit, zonjës Pejtën, e cila nuk ishte anëtare e Kishës. Megjithëse kisha pak shpresë se zonja Pejton do ta dëgjonte në fakt bisedën time, doja të ndaja me të gjithë që mund të rroknin zërin tim, mesazhin e lavdishëm të ungjillit për shpresë dhe dashuri. Kohët e fundit kam pasur ndjenjën që t’i referohem edhe një herë Arturit dhe t’ju tregoj çfarë ndodhi në vijim të bisedës sime të parë.

Së pari, më lejoni t’ju flas për Arturin. Ai kishte flokë të verdhë kaçurrelë dhe një buzëqeshje aq të madhe sa vetë bota. Ishte më i gjatë se të gjithë djemtë e klasës. Mendoj se kjo ishte arsyeja, që në vitin 1940, ndërsa konflikti i madh i cili u kthye në Luftën e Dytë Botërore, po shtrihej në pjesën më të madhe të Europës, Arturi arriti t’i mashtrojë oficerët rekrutues dhe u fut në marinë në moshën e njomë të të 15-ave. Për Arturin dhe shumicën e djemve, lufta ishte një aventurë e madhe. Më kujtohet sa përshtypje na bënte i veshur me uniformën e flotës. Sa dëshironim që të ishim më të mëdhenj ose të paktën më të gjatë, kështu që të rekrutoheshim edhe ne.

Rinia është një kohë mjaft e veçantë e jetës. Siç shkroi Longfellou:

Sa e bukur është rinia, sa shumë shkëlqen,

Me iluzionet, aspiratat dhe ëndrrat e saj!

Libër i fillesave, histori pa fund,

Çdo vajzë një heroinë e çdo burrë një mik!2

Nëna e Arturit ishte mjaft krenare për yllin blu që i jepte nur dritares në dhomën e saj të ndenjies. Përfaqësonte për çdo kalimtar faktin se djali i saj ishte veshur në uniformën e vendit të tij dhe po shërbente aktivisht. Kur kaloja nga shtëpia, ajo shpesh hapte derën dhe më ftonte brenda për të lexuar letrën e fundit nga Arturi. Sytë e saj mbusheshin me lot; mua më pas më kërkohej të lexoja me zë të lartë. Arturi ishte gjithçka për nënën e tij të ve.

Akoma mund t’i përfytyroj duart e ashpra të zonjës Pejtën ndërsa ajo me kujdes e rivendoste letrën në zarfin e vet. Ato ishin duar punëtore; zonja Pejtën ishte pastruese e një ndërtese zyrash në qendër të qytetit. Çdo ditë të jetës së saj përveç të dielave, atë mund ta shihje duke ecur përgjatë trotuarit, me kovë dhe fshesë në dorë, flokët e saj të mbledhura topuz, me shpatullat e lëshuara nga puna dhe të kërrusura nga mosha.

Në mars të vitit 1944, kur lufta ishte tërbuar, Arturi u transferua nga USS Dorsey, anije gjuajtëse, tek USS White Plains, një aeroplanmbajtëse. Ndërsa ishin në Saipan të Paqësorit Jugor, anijen e sulmuan. Arturi ishte një nga njerëzit në anije i cili humbi në det.

Yllin blu e morën nga vendi i tij i shenjtë në dritaren ballore të shtëpisë së familjes Pejtën. E zëvendësuan me një yll ngjyrë ari, i cili tregonte se ai që përfaqësohej nga ylli blu, ishte vrarë në betejë. Një dritë u fik në jetën e zonjës Pejtën. Ajo vuajti në trishtim të thellë dhe dëshpërim të madh.

Me një lutje në zemër, iu afrova rrugës së njohur për në shtëpinë e zonjës Pejtën, duke pyetur veten se çfarë fjalësh ngushëllimi mund të dilnin nga buzët e një djali të thjeshtë.

Dera u hap dhe zonja Pejtën më përqafoi sikur të isha djali i saj. Shtëpia u bë një kishë ndërsa një nënë e pikëlluar dhe një djalë i pasigurt u gjunjëzuan në lutje.

Ndërsa u çuam nga lutja, zonja Pejtën më foli duke më vështruar drejt e në sy: “Tomi, unë nuk i përkas ndonjë kishe, por ti po. Më thuaj, a do të jetojë përsëri Arturi?” Me sa mirë që dita, i dëshmova asaj se Arturi me të vërtetë do të jetonte përsëri.

Në konferencën e përgjithshme ato shumë vite më parë, ndërsa e ndava këtë rrëfim, përmenda se i kisha humbur kontaktet me zonjën Pejtën, por që doja t’i përgjigjesha edhe një herë pyetjes së saj: “A do të jetojë përsëri Arturi?”

Fola për Shpëtimtarin e botës, i cili eci në udhët me pluhur të fshatrave që tani me nderim e quajmë Toka e Shenjtë; i cili bëri që të verbërit të fitonin përsëri të parit, të shurdhërit të dëgjonin, të çalët të ecnin dhe të vdekurit të ringjalleshin; për Atë që me butësi dhe dashuri na siguroi: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.”3

Shpjegova se plani i jetës dhe një shpjegim për kursin e saj të përjetshëm na erdhi nga Mjeshtri i qiellit dhe tokës, madje Jezu Krishti, Zoti. Për të kuptuar domethënien e vdekjes, ne duhet të vlerësojmë qëllimin e jetës.

Unë shpreha se në këtë periudhë ungjillore, Zoti shpalli: “Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, unë isha në fillim me Atin dhe jam i Parëlinduri.”4 “Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë.”5

Jeremia, profeti, shkroi:

“Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë: ‘Para se unë të të formoja … të kam njohur; para se ti të dilje … të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve.’”6

Nga ajo botë e madhërishme e shpirtrave ne hyjmë fazën e madhe të jetës për të provuar veten, të bindur ndaj të gjitha gjërave të urdhëruara nga Perëndia. Gjatë vdekshmërisë ne rritemi nga foshnjëria e pafajshme, në fëmijërinë kureshtare dhe më pas në pjekurinë medituese. Ne përjetojmë gëzim dhe trishtim, përmbushje dhe zhgënjim, sukses dhe dështim. Ne shijojmë të ëmblën, por provojmë edhe të hidhurën. Kjo është jeta e vdekshme.

Më pas, çdo jetë arrin në përvojën e njohur si vdekje. Askush nuk përjashtohet. Të gjithë duhet të kalojnë nëpër portat e saj.

Për shumicën, ka diçka të ligë dhe misterioze rreth këtij vizitori të paftuar e të quajtur vdekje. Ndoshta është frika e të panjohurës e cila bën që shumë t’i frikësohen ardhjes së saj.

Artur Pejtën vdiq shpejt. Të tjerë më ngadalë. Ne e dimë, nëpërmjet fjalës së zbuluar të Perëndisë, se “shpirtrat e të gjithë njerëzve, posa të largohen nga ky trup i vdekshëm, … çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë.”7

E sigurova zonjën Pejtën dhe të gjithë të tjerët që po dëgjonin, se Perëndia nuk do t’i braktiste kurrë — se Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur në botë për të na mësuar nëpërmjet shembullit jetën që duhet të bënim. Biri i Tij vdiq në kryq për të shëlbyer gjithë njerëzimin. Fjalët e Tij ndaj Martës së brengosur dhe ndaj dishepujve të Tij, na sjellin ngushëllim ne sot:

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.”8

“Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.

… Do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.”9

Përsërita dëshmitë e Gjon Zbuluesit dhe Palit, Apostullit. Gjoni shkroi:

“Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, …

Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të.”10

Pali shpalli: “Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.”11

Shpjegova se deri në mëngjesin e Ringjalljes së lavdishme, ne ecim nëpërmjet besimit. “Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe.”12

E risigurova zonjën Pejtën se Jezusi e ftonte atë dhe gjithë të tjerët:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”13

Si pjesë e mesazhit tim, i shpjegova zonjës Pejtën se një njohuri e tillë do ta mbështeste atë në dhimbjen e saj — se ajo nuk do të ndodhej kurrë në situatën tragjike të mosbesuesit, e cila, pasi kishte humbur të birin, u dëgjua të thoshte ndërsa shihte arkivolin të futej brenda tokës mëmë: “Lamtumirë, biri im. Lamtumirë përgjithmonë.” Në vend të kësaj, me kokën lart, me kurajo të fortë dhe besim të palëkundur, ajo mund të ngrinte sytë ndërsa shihte matanë valëve të qeta të Paqësorit blu dhe të pëshpëriste: “Lamtumirë, Artur, biri im i dashur. Lamtumirë — derisa të takohemi sërish.”

Citova fjalët e Tenisonit, sikur të ishin folur për të nga Arturi:

Yll i perëndimit dhe i mbrëmjes,

Dhe një thirrje e qartë për mua!

Mos pastë rënkime në grykën e limanit,

Kur unë nisem për në det, …

Muzgu dhe këmbana e mbrëmjes,

e më pas errësirë!

Mos pastë trishtim lamtumire,

Kur unë me anije të nisem;

Sepse megjithëse nga territori i Kohës dhe Vendit tonë

Uji larg mund të më çojë,

Shpresoj të shoh Pilotin tim ballë për ballë

Kur limanit t’i jem larguar.14

Kur përfundova mesazhin tim ato shumë vite më parë, i shpreha zonjës Pejton dëshminë time personale si një dëshmitar i veçantë, duke i thënë asaj se Perëndia Ati ynë kujdesej për të — se nëpërmjet lutjes së sinqertë ajo mund të komunikonte me Të; se Ai gjithashtu kishte një Bir i cili vdiq, madje Jezu Krishtin Zot; se Ai është avokati ynë me Atin, Princi i Paqes, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë hyjnor dhe se një ditë do ta shihnim Atë ballë për ballë.

Shpresoja se mesazhi im drejtuar zonjës Pejtën do të shkonte e do të prekte të tjerë të cilët kishin humbur një të dashur.

Dhe tani, vëllezërit dhe motrat e mia, po ju tregoj pjesën tjetër të këtij rrëfimi. E dhashë mesazhin tim më 6 prill 1969. Përsëri, kisha pak ose aspak shpresa që zonja Pejtën në fakt do ta dëgjonte bisedën time. Nuk kisha arsye të mendoja se ajo do të dëgjonte konferencën e përgjithshme. Siç e përmenda, ajo nuk ishte anëtare e Kishës. Dhe më pas, mësova se diçka afër mrekullisë kishte ndodhur. Duke mos patur ndonjë ide se kush do të fliste në konferencë, ose për çfarë temash do të flisnin, fqinjët shenjtorë të ditëve të mëvonshme të zonjës Tereza Pejtën në Kaliforni, ku ajo ishte shpërngulur, e ftuan atë në shtëpinë e tyre për të dëgjuar me ta një sesion të konferencës. Ajo e pranoi ftesën e tyre dhe kështu po dëgjonte po atë sesion ku unë i drejtova asaj personalisht fjalët e mia.

Gjatë javës së parë të majit të 1969-ës, me habinë dhe gëzimin tim, mora një letër me pullë nga Pomona, Kaliforni dhe me datë 29 prill 1969. Ishte nga zonja Tereza Pejtën. Unë po ju lexoj një pjesë të asaj letre:

“I dashur Tomi,

Shpresoj nuk e ke problem që të thërras Tomi, meqë gjithmonë ashtu më kujtohesh. Nuk e di si të të falenderoj për bisedën ngushëlluese që dhe.

Arturi ishte 15 vjeç kur u rekrutua në flotë. Ai u vra një muaj para ditëlindjes së tij të 19-të, më 5 korrik 1944.

Ishte e mrekullueshme që ti mendove për ne. Nuk e di si të të falenderoj për fjalët ngushëlluese, si kur vdiq Arturi dhe përsëri në bisedën tënde. Kam patur shumë pyetje përgjatë viteve dhe ti u je përgjigjur atyre. Tani jam në paqe në lidhje me Arturin… . Perëndia të bekoftë dhe të ruajtë gjithmonë.

Me dashuri,

Tereza Pejtën”15

Vëllezërit dhe motrat e mia, nuk e besoj se ishte një rastësi që unë pata mbresën ta jap atë mesazh të veçantë në konferencën e përgjithshme të prillit 1969. As nuk besoj se ishte një rastësi që zonjën Tereza Pejtën e ftuan fqinjët e saj për t’u bashkuar me ta në shtëpinë e tyre për atë sesion të caktuar të konferencës. Jam i sigurt se Ati ynë Qiellor ishte në dijeni të nevojave të saj dhe donte që ajo të dëgjonte të vërtetat ngushëlluese të ungjillit.

Megjithëse zonja Pejtën e ka lënë këtë jetë shumë kohë më parë, kam patur një ndjenjë të fortë që të ndaj me ju mënyrën me të cilën Ati ynë Qiellor e bekoi dhe siguroi për të, të venë, në nevojën e saj. Me të gjithë forcën e shpirtit tim, unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor e do secilin prej nesh. Ai i dëgjon lutjet e zemrave të përulura; Ai i dëgjon thirrjet tona për ndihmë, ashtu siç dëgjoi atë të zonjës Pejtën. Biri i Tij, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë; na flet të gjithëve sot: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai.”16

A do ta dëgjojmë atë trokitje? A do ta dëgjojmë atë zë? A do t’ia hapim atë derë Zotit, që ne të mund të marrim ndihmën që Ai është gati të na japë? Lutem që do ta bëjmë atë, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1969, fq. 126-129.

  2. “Moritus Salutamus”, në The Complete Poetical Works of Henry Wadsworth Longfellow (1883), fq. 259.

  3. Gjoni 14:6.

  4. DeB 93:21.

  5. DeB 93:29.

  6. Jeremia 1:4, 5.

  7. Alma 40:11.

  8. Gjoni 11:25-26.

  9. Gjoni 14:2-3.

  10. Zbulesa 20:12-13.

  11. 1 Korintasve 15:22.

  12. 1 Korintasve 13:12.

  13. Mateu 11:28-29.

  14. Alfred, Tennyson, “Crossing the Bar”, në Poems of the English Race, bot. Raymond MacDonald Alden (1921), fq. 362.

  15. Letërkëmbim vetjak në pronësi të Tomas S. Monson.

  16. Zbulesa 3:20.