2007
Jetoni me Anë të Besimit dhe Jo të Frikës
Nëntor 2007


Jetoni me Anë të Besimit dhe Jo të Frikës

Kur zgjedhim të ndjekim Krishtin me besim dhe jo të zgjedhim një udhë tjetër për shkak të frikës, ne bekohemi me pasoja që u përshtaten zgjedhjeve tona.

Pamja

Të dashur vëllezër e motra, bashkohem me ju për t’i shprehur dashurinë dhe mbështetjen përkrahëse Presidentit Ajring dhe familjes së tij. Presidenti Hinkli ma drejtoi këtë thirrje për të shërbyer në Kuorumin e të Dymbëdhjetëve, të enjten vonë pasdite. Nuk mund t’jua shpreh morinë e ndjenjave që kam përjetuar që atëherë. Ka patur netë pa gjumë dhe shumë lutje. Shpirti im është ngushëlluar, megjithatë, nga njohuria se Presidenti Hinkli është profeti dhe se anëtarësia e Kishës do të luten për mua dhe familjen time.

Të them se ndihem thellësisht i papërshtatshëm, nuk do të ishte mjaft. Kur u thirra si një Autoritet i Përgjithshëm në prill të vitit 1996, gjithashtu u ndieva jo në lartësinë e duhur për atë thirrje. Plaku Nil A. Maksuell më risiguroi atëherë se karakteristika më e rëndësishme për të gjithë ne që shërbejmë në mbretëri, është të ndihemi mirë në ndarjen e dëshmisë mbi karakterin hyjnor të Shpëtimtarit. Paqja erdhi mbi mua në atë kohë dhe që atëherë ka qëndruar me mua, sepse e dua Shpëtimtarin dhe kam patur përvoja shpirtërore që më lejojnë mua të dëshmoj për Të. Unë gëzohem nga mundësia për të ndarë dëshmi për Jezu Krishtin në të gjithë botën (shih DeB 107:23), pavarësisht dobësive të mia.

Në Doktrina e Besëlidhje 68, vargjet 5 dhe 6, lexojmë:

“Vini re, ky është premtimi i Zotit për ju, O ju shërbëtorët e mi.

Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah; dhe ju do të jepni dëshmi për mua, madje Jezu Krishtin, që jam Biri i Perëndisë së gjallë, që isha, që jam dhe që do të vij.”

Unë kërkoj shoqërinë e Frymës së Shenjtë ndërsa ju flas këtë mëngjes Shabati.

Ndjenja e jashtëzakonshme që kam në marrjen e kësaj thirrjeje, është që duhet të jetojmë me anë të besimit dhe jo të frikës. Tek 2 Timoteut, Apostulli Pal flet për besimin e gjyshes së Timoteut, Loidës dhe nënës së tij, Eunikes. Pali shkruan:

“Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie” (2 Timoteut 1:7).

Në vetë rastin tim, me respekt kujtoj paraardhësit që tani ndodhen në anën tjetër të velit, të cilët dhanë gjithçka që iu kërkua për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë.

Jam mirënjohës që gjithë jetën time jam rrethuar nga njerëz që e duan Shpëtimtarin. Zemra ime është plot me vlerësim për familjen time. Gruaja ime, Meri, ka qenë gëzimi i jetës sime. Forca e saj shpirtërore, shembulli i drejtësisë, ndjenja e humorit dhe mbështetja me dashuri, më kanë bekuar gjatë gjithë jetës sime. Tre fëmijët tanë dhe bashkëshortet e tyre kanë qenë burime kënaqësie të madhe vetjake dhe së bashku me nëntë nipërit e mbesat tona, kanë qenë një bekim mjaft i madh për ne. Besimi e lutjet e tyre dhe mirësia e jetës së tyre kanë qenë një ngushëllim i madh për Merin dhe për mua.

Kur mendoj për rininë time në Logan, Juta (Lugina Kesh e preferuar e Plakut Peri), e kuptoj tani sa me fat isha që u rrita në një shtëpi të mirë — që pata një nënë të drejtë e cila ishte plot me besim, një baba të dashur, një vëlla më të madh, i cili ka qenë një shembull i jashtëzakonshëm për mua si dhe një mik e këshillues, dhe një motër më të vogël, e cila ka qenë e dashur dhe më ka mbështetur. Sa me fat gjithashtu që kam patur udhëheqës Kishe, mësues, trajnerë dhe miq të talentuar dhe të përkushtuar, të cilët kanë qenë shembuj të mrekullueshëm për mua.

Kur isha i ri pata mundësinë të shërbej në Misionin Britanik, i cili ishte një ngjarje me ndikim të madh dhe përcaktues në jetën time. Ndikimi i një presidenti misioni të guximshëm është një nga mrekullitë e mëdha të ungjillit të rivendosur. Pak javë më parë mora një kartolinë për ditëlindje, e cila ishte dërguar në selinë e Kishës nga një grua që ndihmova të mësoj në Glouçester, Angli, shumë vite më parë. I pata humbur kontaktet me të. Ajo më informoi se ajo dhe bashkëshorti i saj janë të dy anëtarë mjaft aktivë dhe kanë 6 fëmijë dhe 20 nipër e mbesa, të gjithë të lindur në besëlidhje. Mund të ketë qenë kartolina më e mirë që kam marrë ndonjëherë për ditëlindje.

Meri dhe unë u larguam nga Juta në mënyrë që unë të ndiqja shkollën për jurisprudencë në Palo Alto, Kaliforni. Ne kishim planifikuar që të ktheheshim në Juta pas diplomimit, por Shpirti më drejtoi që të qëndronim në Kaliforni. Ne jetuam në Kaliforni për 33 vjet dhe e rritëm atje familjen tonë. Të dy patëm mjaft mundësi për të shërbyer. Ne na pëlqente mjaft larmia e anëtarëve dhe zotimi i tyre ndaj ungjillit të Jezu Krishtit. Do të jem përjetësisht mirënjohës për shenjtorët e mrekullueshëm të ditëve të mëvonshme në Kaliforni të cilët kanë qenë një ndikim mjaft pozitiv në jetën time.

Këto 11 vite e gjysmë në shërbim si një i Shtatëdhjetë, kanë qenë me të vërtetë shpërblyes. Ndërsa largohem nga ai kuorum, dua që vëllezërit e mi të dinë dashurinë dhe vlerësimin tim për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj mbretërisë së Perëndisë mbi tokë — për besnikërinë dhe veprat e tyre të mira. Dua që ata të dinë për gëzimin që ka qenë të shërbeja me ta.

I dua Vëllezërit që mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues, me gjithë zemrën time. Jam përpjekur të shërbej me nder dhe ta lehtësoj përgjegjësinë e tyre me çdo mënyrë që kam mundur. I jam mirënjohës Presidencisë së Parë dhe Kuorumit të të Dymbëdhjetëve për shembullin dhe jetën e tyre me mirësi, për durimin, mësimdhënien, mirësinë dhe kushtimin e tyre ndaj Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur. Jam mirënjohës që Perëndia thirri Jozef Smithin për të qenë një profet me anë të të cilit u rivendos në tokë plotësia e ungjillit.

Përvoja ime si Autoritet i Përgjithshëm ma ka mbushur zemrën me vlerësim për besimin dhe mirësinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në mbarë botën. Ne shërbyem për dy vjet në Filipine. Në prill të vitit 1961 Presidenti Hinkli, atëherë Asistent i të Dymbëdhjetëve, dërgoi misionarët e parë në Manila. Kishte vetëm një mbajtës të priftërisë filipino, në Filipine. Sot ka pothuaj 600 000 anëtarë. Jeta e tyre nuk është e lehtë dhe atyre u mungojnë shumë gjëra materiale, por ata e duan Shpëtimtarin. Ungjilli është duke patur një ndikim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e jetës së tyre. Ç’bekim të shërbesh në mes tyre!

Ne gjithashtu shërbyem për tre vjet në Ishujt e Paqësorit. Është domethënës fakti që pothuaj 25 përqind e të gjithë polinezianëve në botë janë anëtarë të Kishës. Besimi dhe natyra e tyre shpirtërore janë legjendare. Një herë, motra Kuk dhe unë ishim në Vava’u, në Ishujt e Tongës. Sapo kisha folur në lidhje me ndjekjen e Profetit në sesionin e përgjithshëm të konferencës së kunjit. Në drekën që patëm pas konferencës, u ula pranë një patriarku të njohur e të moshuar. Ai më tha se sa mirënjohës ishte të dëgjonte atë se çfarë po mësonte Profeti. Ai më tregoi sa më poshtë: Vava’u, i cili është një ishull relativisht i vogël, përgjithësisht ka shira të mjaftueshme, por herë pas here ka edhe thatësira të mëdha. Ishulli ka shumë gjire të gjatë ose gjuhëza deti, pothuaj si gjarpërime uji, të cilat përdridhen në ishull poshtë kodrave të rrëpirëta. Kur kushtet e thatësirës e lanë fshatin pa ujë, kishte vetëm një mënyrë që të mund të siguronin ujë të freskët dhe të mbijetonin. Përgjatë shekujve, ata kishin zbuluar se uji i freskët përshkonte një rrugë poshtë formacioneve shkëmbore brenda maleve dhe dilte në disa vende në det.

Burrat e Tongës, niseshin me varkat e tyre të vogla ndërsa një plak i mençur qëndronte në cep të varkës duke kërkuar vendin e përshtatshëm. Djemtë e rinj e të fortë brenda varkës, qëndronin gati me enët e tyre, për t’u kredhur thellë në ujin e detit. Kur arrinin në vendin e përshtatshëm, burri i mençur i ngrinte të dy duart drejt qiellit. Ky ishte sinjali. Djemtë e rinj e të fortë hidheshin nga varka dhe kridheshin sa më thellë që mundnin dhe i mbushnin enët me ujë të freskët burimi. Ky patriark i vjetër e krahasoi këtë traditë jetë-shpëtuese, me ujërat e gjallë të ungjillit të Jezu Krishtit dhe burrin e mençur me profetin e Perëndisë këtu në tokë. Ai theksoi se uji ishte i pastër, i freskët dhe në kushtet e tyre të thatësirës, jetë-shpëtues. Por nuk gjendej lehtë. Nuk ishte i dukshëm për syrin e pastërvitur. Ky patriark donte të dinte gjithçka që profeti ishte duke mësuar.

Ne jetojmë në një kohë të rrezikshme. Bota ka një nevojë të madhe për ujin e freskët të burimit, i cili është ungjilli i Jezu Krishtit. Ne duhet ta dëgjojmë me vëmendje profetin ndërsa bëjmë zgjedhjet tona. Të dhënat e mia joformale tregojnë se Presidenti Hinkli ka theksuar vazhdimisht besimin tek Zoti Jezu Krisht. Ai është ndjekur nga theksi i tij mbi forcimin e familjeve dhe ruajtja e shpirtit fetar në shtëpi. Në mënyrë të përsëritur na ka treguar se nëse do ta jetojmë një parim, do të fitojmë një dëshmi për vërtetësinë e atij parimi, i cili nga ana tjetër do të rrisë besimin tonë.

E di se shumë prej jush shqetësohen për sa i përket rritjes së fëmijëve tuaj gjatë këtyre kohërave të vështira dhe rritjes së besimit të tyre. Kur gruaja ime dhe unë po nisnim familjen tonë në Zonën e Gjirit të San Françiskos, kishim po atë shqetësim. Në një moment kritik, anëtarët e kunjit tonë u këshilluan nga Plaku Harold B. Li, atëherë anëtar i të Dymbëdhjetëve, se ne mund t’i rrisnim familjet tona në drejtësi nëse ne do të:

  1. Ndjekim profetin.

  2. Krijojmë shpirtin e vërtetë të ungjillit në zemrën dhe shtëpinë tonë.

  3. Jemi një dritë për ata mes të cilëve jetojmë.

  4. Përqendrohemi mbi ordinancat dhe parimet e mësuara në tempull. (Shih DeB 115:5; Harold B. Lee, “Your Light to Be a Standard unto the Nations”, Ensign, gusht 1973, fq. 3-4.)

Ndërsa e ndoqëm atë këshillë, besimi ynë u rrit dhe frika jonë u zvogëlua. Besoj se mund të rrisim fëmijë të drejtë kudo në botë nëse atyre u mësohen parime fetare në shtëpi.

Një fushë në të cilën anëtarët mund të jetojnë nëpërmjet besimit dhe jo frikës, është në përpjekjet tona misionare. Para se të thirresha tek Presidencia e të Shtatëdhjetëve më 1 gusht të këtij viti, pata shërbyer në Departamentin Misionar për gjashtë vjet, ku tre vitet e fundit si Drejtor Ekzekutiv nën Plakun M. Rasëll Ballard, i cili shërbente si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv Misionar.

Disa presidentë misionesh na informonin se shumë anëtarë të mrekullueshëm janë të maskuar ndaj fqinjëve dhe kolegëve të tyre. Ata nuk u tregojnë njerëzve se kush janë dhe se çfarë besojnë. Ne kemi nevojë për më tepër përfshirje të anëtarëve në ndarjen e mesazhit të Rivendosjes. Romakëve 10, vargu 14, e vendos këtë në perspektivë:

“Si do ta thërrasin, pra, atë [duke folur për Shpëtimtarin], të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?”

Vargu 15 përmban mesazhin e mrekullueshëm të marrë nga Isaia:

“Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!” (shih edhe Isaia 52:7.)

Është parë se anëtarëve do t’u duhet të lëvizin këmbët dhe t’u dëgjohet zëri, nëse duan ta arrijnë këtë bekim.

“Predikoni Ungjillin Tim, një udhëzues për shërbimin Misionar”, u prezantua së pari në tetor 2004. Presidenti Hinkli e filloi këtë përpjekje kur u kërkoi misionarëve ta mësojnë doktrinën dhe t’u mësojnë të tjerëve parimet nëpërmjet Shpirtit. Çdo anëtar i Presidencisë së Parë dhe Kuorumit të të Dymbëdhjetëve u përfshi në një masë të konsiderueshme. Plaku Ballard dhe unë ndjemë që pragjet e qiellit u hapën dhe frymëzimi i Zotit u derdh për të sjellë këtë burim të madh. Më shumë se 1.5 milionë kopje të “Predikoni Ungjillin Tim” janë siguruar nga anëtarët e Kishës. Ky është një themel i sigurt dhe misionarët janë mësues të fuqishëm dhe shpirtërorë. Megjithatë, nëse duam të përmbushim atë që Presidenti Hinkli ka kërkuar, anëtarët, duke jetuar me anë të besimit dhe jo të frikës, duhet të ndajnë ungjillin me miqtë dhe kolegët e tyre.

Në thirrjet tona individuale ne duhet të kemi besim dhe të mos jemi të frikësuar.

Vajza jonë, Kethrin, po shërben si presidente e Fillores në lagjen e saj në Solt Lejk Siti. Gruaja ime dhe unë ishim në lagjen e saj të dielën e kaluar për të parë prezantimin e Fillores në mbledhjen e sakramentit: “Do Ta Ndjek me Besim.” U emocionova ndërsa dëgjova fëmijët të thonë përmendësh shkrime të shenjta dhe histori të shoqëruara me këngë të përqendruara tek besimi në Krisht.

Pas mbledhjes e pyeta atë në lidhje me thirrjen e saj. Ajo tha se në fillim ndihej e mbingarkuar nga thirrja. Kalonin shumë kohë duke folur për problemet. Më pas presidencia vendosi të theksonte dashurinë, besimin dhe lutjen. Menjëherë mbresa shpirtërore erdhën në mendje në lidhje me një fëmijë apo familje të caktuar. Mosmarrëveshjet u zëvendësuan me dashuri. Ajo më tha se ndërsa vepruan sipas nxitjeve të Shpirtit, Fillorja reflektonte nderim e paqe dhe aty po zhvillohej mësimi i vërtetë i ungjillit.

Është besimi ynë tek Jezu Krishti që na mban në udhëkryqet e udhëtimit të jetës. Ai është parimi i parë i ungjillit. Pa të ne do t’i rrotullojmë më kot rrotat në udhëkryq, duke e harxhuar kohën tonë të vyer por duke mos arritur gjëkundi. Është Krishti i cili na jep ftesën ta ndjekim Atë, t’i japim Atij barrën tonë dhe të mbajmë zgjedhën e Tij; “sepse zgjedha [e Tij] është e ëmbël dhe barra [e Tij] është e lehtë” (Mateu 11:30).

Nuk ka emër tjetër nën qiell nga i cili njeriu mund të shpëtohet (shih Veprat e Apostujve 4:12). Ne duhet të marrim mbi vete emrin e Tij dhe të marrim shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë kështu që kur të shfaqet Ai, do të jemi më shumë si Ai (shih 1 Gjoni 3:2; Alma 5:14). Kur zgjedhim të ndjekim Krishtin me besim dhe jo të zgjedhim një udhë tjetër për shkak të frikës, ne bekohemi me pasoja që u përshtaten zgjedhjeve tona (shih DeB 6:34-36).

I dallofshim dhe dhënshim të gjithë falenderime për dhuratën e pakrahasueshme të jetës të cilën e gëzojmë të gjithë dhe për frymën që Ai na dhuron përditë. Zgjedhshim që të jemi të vendosur në udhëkryqet e jetës dhe të ushtrojmë besim tek Jezu Krishti. Lutja ime është që do të jetojmë me anë të besimit dhe jo të frikës. Jap dëshminë time për Perëndinë, i cili është Ati ynë Qiellor dhe për Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili shleu për mëkatet tona, në emrin e Jezu Krishtit, amen.