2007
Fuqia për t’u Ndryshuar
Nëntor 2007


Fuqia për t’u Ndryshuar

Presidenti Faust e përgatiti këtë artikull në muajt para se të ndërronte jetë më 10 gusht 2007.

Fuqia për t’u ndryshuar është mjaft reale dhe është dhuratë e madhe shpirtërore nga Perëndia.

Pamja

Secilit prej nesh i është dhënë fuqi të ndryshojë jetën e vet. Si pjesë e planit të Zotit, planit të madh të lumturisë, ne kemi liri vetjake të zgjedhjes për të marrë vendime. Mund të marrim vendim të veprojmë më mirë dhe të jemi më të mirë. Në disa drejtime, ne të gjithë nevojitet të ndryshojmë; domethënë, disa nga ne duhet të jenë më të sjellshëm në shtëpi, më pak egoistë, më të dëgjueshëm dhe më të vëmendshëm në mënyrën si i trajtojnë të tjerët. Disa prej nesh kanë zakone që duhen ndryshuar, zakone që na dëmtojnë neve dhe të tjerë përreth. Nganjëherë mund të na nevojitet një shkundje që të na shtyjë drejt ndryshimit.

Një ndryshim i theksuar i ndodhi Saulit kur po udhëtonte drejt Damaskut. Sauli ishte “duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit” (Veprat e Apostujve 9:1). Kur po udhëtonte drejt Damaskut, një dritë nga qielli shkëlqeu rreth tij.

“Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: ‘Saul, Saul, përse më përndjek?’

Dhe ai tha: ‘Kush je, Zot?’ Dhe Zoti tha: ‘Unë jam Jezusi, që ti e përndjek’” (Veprat e Apostujve 9:4-5).

Ndoshta zemra e Saulit u zbut në kohën kur turma nxori Stefanin nga qyteti dhe e vrau me gurë, dhe rrobat e tyre i vunë tek këmbët e Saulit. Por nuk pati asnjë dyshim rrugës për në Damask, kur ai dëgjoi zërin e Zotit, i cili tha: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek.”

“Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: ‘Zot, ç’don ti të bëj unë?’ Dhe Zoti: ‘Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç’duhet të bësh’” (Veprat e Apostujve 9:6). Kur u ngrit, Sauli ishte i verbër dhe duhej ta çonin në Damask, ku shikimi iu kthye dhe ai u pagëzua. Menjëherë filloi të predikojë “Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë” (Veprat e Apostujve 9:20). Sauli, i cili më vonë u njoh si Pali, provoi një ndryshim që ishte i përgjithshëm, i qartë, i plotë dhe i pandryshueshëm derisa vdiq.

Ndryshim nëpërmjet Kthimit në Besim

Sigurisht juve nuk ju ka ndodhur një ngjarje e tillë, as mua! Kthimi në besim, për pjesën më të madhe nga ne, është shumë më pak i befasishëm, por duhet të jetë po aq i efektshëm dhe domethënës. Të kthyerit e rinj të Kishës zakonisht provojnë një ndjenjë shpirtërore në kohën e pagëzimit të tyre. Dikush e përshkroi kështu: “Nuk do ta harroj kurrë ndjenjën brenda shpirtit; të jesh i pastër, t’ia fillosh rishtas si një fëmijë i Perëndisë… . Çfarë ndjenje e veçantë që ishte!”1

Kthimi i vërtetë në besim ndryshon jetën e njerëzve. Një e re shkruante sa e brengosur ishte jeta saj në shtëpi kur ishte e vogël. Ajo shkroi: “Më therte në zemër kur nëna dhe vëllezërit e motrat e mia më të vogla vuanin nga brutaliteti i një babai të dehur.” Kur ishte 14 vjeçe, dikush i tha asaj se një nga urdhërimet e Perëndisë ishte nderimi i prindërve. Duke u menduar se si ta zbatonte këtë, nguliti në mendjen e saj të studionte, të bëhej nxënëse e mirë dhe të ishte bija më e mirë në qytet.

Kjo nuk i ndryshoi dhe aq gjërat në shtëpi, por ajo mendoi t’i ndiqte objektivat e saj, dhe në moshën 18-vjeçare u largua nga shtëpia që të ndiqte disa studime të veçanta. Tre javë më vonë shkoi të vizitonte shtëpinë e saj dhe ajo kujtonte:

“Nëna më takoi duke qarë. Mendova se mos kishte ndodhur diçka e tmerrshme, por ajo më përqafoi dhe më tha: ‘Qëkurse je larguar për studime, babai nuk ka futur më pije në gojë.’

… Nëna më tha se mbrëmjen që unë u largova erdhën disa misionarë mormonë… .

Babai im u bë si të ishte fëmijë i vogël. Mund t’ia shihja në sy pendimin dhe përulësinë. Ai kishte ndryshuar plotësisht. Kishte lënë menjëherë duhanin dhe pijen dhe përpiqej të mbante urdhërimet që i kishin mësuar misionarët. Mua më trajtonte si mbretëreshë dhe nënën e vëllezërit dhe motrat e mia i trajtonte si familje mbretërore.

… E gjithë familja jonë u pagëzua… . Babai im, në moshën 40 vjeç, u bë babai më i mirë në botë.”2

Fuqia e ungjillit me të vërtetë mund ta ndryshojë jetën tonë dhe të na nxjerrë nga brenga dhe dëshpërimi tek lumturia dhe gëzimi.

Ndryshim nëpërmjet Pendimit

Shkelja e ligjit sjell dhimbje dhe trishtim. Por ka një rrugëdalje nga “vreri i hidhësisë dhe nga prangat e paudhësisë” (Mosia 27:29). Nëse i drejtohemi Zotit dhe besojmë në emrin e Tij, ne mund të ndryshojmë. Ai do të na japë fuqinë për të ndryshuar jetën tonë, fuqinë për të larguar nga zemra mendimet dhe ndjenjat e këqija. Ne mund të nxirremi nga “[humnera më e thellë]” për të “[parë] dritën e mrekullueshme të Perëndisë” (Mosia 27:29). Ne mund të falemi. Ne mund të gjejmë paqe.

Pak vite më parë Plaku Merion D. Henks, tani një Autoritet i Përgjithshëm i merituar, tregoi një ngjarje që i ndodhi një burri që u pendua dhe ndryshoi jetën e vet brenda një nate:

“Ai e kishte çuar të birin në shtëpinë e një familjeje që do t’i siguronte strehim ndërsa merrte pjesë në një seri ndeshjesh bejsbolli. I riu sikur ngurronte të shkonte me të atin tek shtëpia e mirëbërësit të tij dhe babai filloi të mendonte se mos ata njerëz nuk e kishin trajtuar mirë të birin. Kur trokitën tek dera, djali qëndronte gjysmë i strukur pas të atit. Ndërsa ndodheshin brenda, sidoqoftë, i biri u përshëndet ngrohtësisht nga familja pritëse dhe dukej qartë se ai i donte shumë ata.

Më vonë, pasi e kishte marrë të birin, babai që ishte vënë në siklet, i kërkoi të shpjegonte sjelljen e tij të çuditshme… . Përgjigjja e të birit [ishte]:

‘Kisha frikë se mos harroje dhe përmendje të shara në shtëpinë e tyre, babi. Ata nuk shajnë në atë shtëpi; janë njerëz shumë të sjellshëm. I flasin njëri-tjetrit me mirësjellje dhe qeshin vazhdimisht, dhe luten çdo herë që hanë dhe çdo mëngjes e mbrëmje, dhe ata më ftojnë të lutem me ta.’

Babai thoshte: “Nuk ishte çështja se djali turpërohej nga i ati; ai më donte aq shumë, sa nuk dëshironte të bëja figurë të keqe.’

Ky atë, pasi kishte kundërshtuar brezin e njerëzve të sinqertë që u përpoqën ta ndihmojnë të gjente një mënyrë jete më të mirë, u prek nga shpirti i ëmbël i vetë të birit të ri.”3

Fuqia për të ndryshuar u forcua aq shumë, sa ky atë jo vetëm u kthye në veprimtarinë e Kishës, por u bë një udhëheqës kunji.

Ndryshim nëpërmjet Shkëputjes nga Varësitë

Një lloj tjetër ndryshimi që dëshiroj të trajtoj është shkëputja nga zakonet skllavëruese. Ato përfshijnë çrregullime të lidhura me alkoolin, drogat, duhanin, të ngrënit, kumarin, sjelljen gjinore të padenjë dhe shikimin e pornografisë. Po citoj nga një libër i botuar së fundi për varësitë që sjellin dobësi: “Abuzimi me substancat është shkak kryesor i sëmundjeve të parandalueshme dhe i vdekjes në Shtetet e Bashkuara. Keqpërdorimi i ilaçeve rrënon familjet, kushton miliarda nga humbja e prodhimtarisë, sforcon sistemin shëndetësor dhe mbyll jetë.”4 Është mallkim për shoqërinë.

Ka shumë lloje varësie dhe është e vështirë që dikush që ka një nga këto varësi serioze, të ndryshojë, pasi disa nga ato prekin mendimin. Një artikull i kohës së fundit thoshte për varësinë: “Në trurin e atyre që kanë varësi, ka një zvogëlim të kores trunore parafrontale, ku mendimi i arsyeshëm mund të ushtrojë kontroll mbi sjelljen e rrëmbyer.”5 Disa varësi mund të na kontrollojnë deri në atë masë, sa të na heqin lirinë e zgjedhjes që kemi nga Perëndia. Një nga mjetet e mëdha të Satanit është gjetja e mënyrave që të na kontrollojë. Rrjedhimisht, duhet të përmbahemi para çdo gjëje që do të na pengonte të plotësonim qëllimet që Zoti ka për ne, gjë e cila mund të vërë në rrezik bekimet e përjetësisë. Në këtë jetë ne duhet të fitojmë kontroll mbi trupin dhe jo të ndodhë e kundërta.

Çdo lloj varësie imponon një çmim të tmerrshëm dhimbjeje e vuajtjeje dhe madje mund të na dëmtojë shpirtërisht. Megjithatë, ka shpresë, pasi shumica e varësive mund të mposhten me kohë të mjaftueshme. Ne mund të ndryshojmë, por do të jetë e vështirë.

Fillojmë duke marrë vendimin për të ndryshuar. Kërkohet kurajë dhe përulësi të pranojmë se na duhet ndihmë, por pak vetë, në qoftë ndonjë nga ne, mund ta bëjnë këtë vetë. Kisha ka një program për shkëputjen nga varësia, i cili është përshtatur nga programi “Dymbëdhjetë Hapa nga Anonimë të Prekur prej Alkoolit” sipas kornizës së doktrinave dhe besimeve të Kishës. Këto 12 hapa gjenden në botimin “A Guide to Addiction Recovery and Healing” [Udhëzues për Shkëputjen dhe Shërimin nga Varësia], i cili mundësohet për udhëheqësit e priftërisë dhe anëtarë të tjerë.

Një ndryshim i plotë i mënyrës së jetesës mund të jetë i domosdoshëm. Duhet të dëshirojmë me gjithë zemër, mendje dhe forcën tonë të kapërcejmë këto varësi lënduese. Duhet të përgatitemi të braktisim patjetër dhe plotësisht përfshirjen në këto substanca ose praktika varësuese.

Shumë njerëz kanë qenë në gjendje të ndryshojnë zakonet e tyre të përdorimit të narkotikëve. Një nënë me tre fëmijë, Suzana, përdorte narkotikë vetëm në fundjavë, në përpjekje të fshihte problemin nga fëmijët e saj. Por fëmijët, megjithatë, e zbuluan dhe iu lutën ta linte. Pas tre vjetësh, me një ndihmë të veçantë dhe me mbështetjen e fëmijëve të saj, veçanërisht të djalit të saj 7-vjeçar, ajo e la. Duke parë në të kaluarën, ajo kuptoi që Ati Qiellor e kishte drejtuar gjatë gjithë kësaj dhe e kishte përgatitur të dëgjonte ungjillin. Ajo tha:

“Ungjilli më ka ndryshuar në zemër, në paraqitje, në sjellje dhe në ndjenja. Dhe unë mësova të lutem. Kurdo që kam një problem, i drejtohem Atit Qiellor dhe i them: ‘Më ndihmo’. Dhe Ai kujdeset derisa ta kapërcej… . Tani kur eci, e mbaj kokën lart, sepse e di që Ati Qiellor është përkrah meje në çdo hap të udhës… .

Oh, është ditë e re. Humba mjaft gjëra duke dashur të qëndroja në botën e narkotikëve — humba banesën, im bir gati sa nuk vdiq nga një zjarr, humba martesën, humba krejtësisht lumturinë. Por arrita ta rikthej. Ati Qiellor më dha një tjetër mundësi t’ia filloj rishtas. Tani jam një njeri i ri — krejt i ri, në brendësi dhe jashtë.”6

Çdo ditë e re që agon mund të jetë për ne një ditë e re që të fillojmë të ndryshojmë. Mund të ndryshojmë mjedisin tonë. Mund të ndryshojmë jetën tonë duke zëvendësuar zakone të vjetra me të reja. Mund t’i japim formë karakterit dhe së ardhmes sonë nëpërmjet mendimeve më të pastra dhe veprimeve më fisnike. Siç e shprehu dikush këtë njëherë: “Mundësia për t’u ndryshuar ndodhet aty kurdoherë, me premtimin e saj të padukshëm për paqe, lumturi dhe një mënyrë jetese më të mirë.”7

Varësitë janë fyese për Shpirtin. Megjithëse disa varësi kërkojnë ndihmë klinike profesionale, le të mos shpërfillim ndihmën shpirtërore që na mundësohet përmes bekimeve priftërore dhe përmes lutjes. Zoti na ka premtuar: “Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27). Le të kujtojmë që fuqia për t’u ndryshuar është mjaft reale dhe është dhuratë e madhe shpirtërore nga Perëndia.

Dëshmoj që, nëpërmjet pendimit dhe drejtësisë që pason atë, dhe me anë të fuqisë së Zotit tonë Jezu Krishti, ndryshimi përfundimtar mund të vijë në trupin tonë, në mënyrë që ai “të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Filipianëve 3:21).

Shënime

  1. Vivian Ford, “Ask and Ye Shall Receive”, No More Strangers, 4 vëllime, redaktuar nga Hartman Rector Jr. dhe Connie Rector (1971-1990), 3:175.

  2. Estilla Ayala, “The Change in My Father”, Ensign, shkurt 1975, fq. 42, 43.

  3. “Fitting into Your Family”, New Era, qershor 1991, fq. 8.

  4. Lynn R. Webster dhe Beth Dove, Avoiding Opioid Abuse While Managing Pain (2007), fq. 11.

  5. Michael D. Lemonick dhe Alice Park, “The Science of Addiction”, Time, 16 korrik 2007, fq. 44.

  6. LaRene Gaunt, “Testimonies from the Inner City”, Ensign, prill 1992, fq. 40.

  7. Joseph Walker, “The Miracle of Change”, Ensign, korrik 1992, fq. 12.