2007
Fe, Familje, Fakte dhe Fryte
Nëntor 2007


Fe, Familje, Fakte dhe Fryte

Spikatja në rritje e Kishës dhe pyetjet në rritje nga të tjerët, na japin mundësi të mëdha të ngremë ura, të bëjmë miq dhe të përcjellim informacion të saktë.

Pamja

Vëllezër dhe motra, që nga përvjetori i 150-të i pionierëve, më 1997, ka pasur në mbarë botën një shtim të jashtëzakonshëm të kërkesave për t’u informuar mbi Kishën. Ky interesim në rritje nxitet nga rritja jonë e shpejtë, nga ngjarje të tilla si Lojërat Olimpike Dimërore këtu në Salt Lejk Siti dhe nga cilësitë e spikatura profesionale të shumë prej anëtarëve tanë të veçantë.

Jam i sigurt që këto pyetje i vijnë jo vetëm Kishës, por edhe vetë juve si anëtarë. Nuk është e thjeshtë t’u shpjegosh diçka aq të madhe si Kisha ose aq të mrekullueshme si ungjilli i rivendosur, njerëzve që dinë pak ose aspak në lidhje me ne. Madje edhe pyetjet mbi një aspekt të veçantë mund të jetë e vështirë t’u përgjigjesh, ngaqë çdo pyetje duket sikur lidhet me pyetje të tjera. Pyetja më e zakonshme që dëgjojmë është një pyetje fare e thjeshtë, pak a shumë si kjo: “Më trego pak për Kishën tënde.” Fjala kyç këtu është fjala “pak.” Ata nuk po thonë: “Më trego çdo gjë që di ti dhe pastaj më sill të tjerë të më thonë çdo gjë tjetër.”

Sigurisht ne e mirëpresim interesimin e njerëzve dhe shumë nga ata do të duan t’u mësosh më shumë për doktrinat dhe besimet tona. Kjo është arsyeja pse kemi 53.000 misionarë kohëplotë që shërbejnë kudo në botë me shpenzimet e veta.

Por duhet të kujtojmë që ka një ndryshim midis interesimit dhe kuriozitetit të thjeshtë. Nganjëherë njerëzit thjesht duan të dinë çfarë është Kisha. Ata që janë kureshtarë në këtë mënyrë të përgjithshme, meritojnë një informim të qartë dhe të saktë drejtpërdrejt nga ne që jemi anëtarë, në mënyrë që atyre të mos u duhet të bazohen mbi përgjigjet e paplota, të vërtetat gjysmake ose thëniet e rreme që mund vijnë nga mjetet e informimit ose zëra të tjerë të jashtëm. Shumë keqkuptime e të dhëna të rreme mbi Kishën janë disi e meta jonë, duke mos u shpjeguar qartë se cilët jemi dhe çfarë besojmë.

Komiteti i Çështjeve me Publikun, në të cilin shërbej, ka mësuar se ka një kërkesë të madhe për formulime të qarta e të thjeshta, e cila vjen nga ata që janë kureshtarë lidhur me bazat e Kishës në kohën e sotme. Më lejoni t’ju tregoj disa prej gjërave që kemi parë se ndihmojnë. Ju ndoshta dëshironi të përgatisni listën tuaj me çështje për diskutim, e cila do t’ju ndihmojë t’u shpjegoni miqve dhe të njohurve tuaj të besimeve të tjera se çfarë besoni. Mund të jetë e dobishme për ju, ashtu siç është për mua, të keni një fletë me disa fakte për Kishën në kohën e sotme, që t’ua jepni atyre së bashku me një kopje të Neneve të Besimit.

Këtu gjenden katër çështje që do ta ndihmojnë dikë sot të fitojë një kuptim themelor për Kishën. Nën secilin prej katër titujve ka disa formulime të thjeshta që i kam parë të dobishme. Përpiquni të përfytyroni dëgjimin ose leximin e tyre nga një person që praktikisht nuk di asgjë për ne. Katër çështjet kryesore lidhen me faktet, fenë, familjet dhe frytet e ungjillit të rivendosur.

Faktet

Disa fakte mund të përfshinin:

  • Së pari: “mormon” është një pseudonim për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Anëtarët shpesh përmenden si “Mormonë”, “Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme” ose “LDS” [“ShDM”]. Fjala “Shenjtorëve” nënkupton “anëtarë.”

  • Së dyti: Kisha u rivendos në vitin 1830 në veri të Nju Jorkut, me profet dhe president të parë të saj Jozef Smithin. Sot ajo e ka selinë në Salt Lejk Siti dhe ka si profet të tanishëm Presidentin Gordon B. Hinkli.

  • Së treti: tani ka mbi 13 milionë anëtarë në 176 vende e treva. Rreth 6 milionë prej tyre janë në Shtetet e Bashkuara, duke na renditur si feja e krishterë e katërt më e madhe në Amerikë. Duke qenë një nga besimet e krishtera që rritet më shpejt në botë, ne përfundojmë së ndërtuari një kishe të re për çdo ditë pune. Anëtarët paguajnë të dhjetë, e cila është 10 përqind e të ardhurave të tyre, duke bërë të mundur këto ndërtime dhe programe të tjera.

  • Së katërti: bashkësitë vendore të besimtarëve udhëhiqen nga anëtarë vullnetarë e të papaguar. Edhe burra, edhe gra shërbejnë në detyrat udhëheqëse që caktohen.

  • Dhe së pesti: mormonët përfaqësohen mirë në politikë dhe qeveri. (Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, ka 16 anëtarë në Kongres, në të dyja partitë politike.) Anëtarët gjithashtu shërbejnë në funksione të larta e të besuara kudo në botë, në aktivitete private, mjekësi, drejtësi, arsim, mjete informimi, sporte dhe argëtim.

Feja

Më pas, njerëzit duhet të dinë diçka për besimin e fenë tonë si të krishterë të zotuar, me vlera të fuqishme tradicionale. Së bashku me Nenet e Besimit, ne duhet të theksojmë se:

  • Ne besojmë tek përjetësia e shpirtit, se Perëndia është Ati i shpirtit tonë dhe se mund të kthehemi tek Ai pas vdekjes.

  • Besojmë se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë vetjak dhe ne përpiqemi ta formojmë jetën tonë sipas modelit të Tij dhe të mësimeve të Tij. Ne përkujtojmë sakrificën shlyese të Krishtit në shërbesat tona të adhurimit, të dielave, që ngjan me marrjen e meshës në kisha të tjera. Pranojmë si të krishterë të tjerë të gjithë ata që besojnë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Shumë të krishterë nuk e kuptojnë që ne kemi shumë ide të përbashkëta me ta. Jozef Smithi na mësoi se Jezu Krishti është zemra e besimit tonë dhe çdo gjë tjetër është shtojcë. (Joseph Smith, The Elders Journal, korrik 1838, fq. 44.) Emri i Kishës është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  • Ne besojmë se kisha e hershme që themeloi Jezusi, humbi dhe është rivendosur përsëri në kohën tonë. Priftëria, autoriteti që i jepet njeriut të veprojë në emër të Perëndisë, së bashku me apostujt dhe një profet për të na udhëhequr, është rivendosur duke pasur të gjitha ordinancat e nevojshme të shpëtimit.

  • Ne besojmë dhe përdorim Biblën e Shenjtë, si Dhiatën e Vjetër, ashtu dhe atë të Re.

  • Dhe ne besojmë tek Libri i Mormonit dhe libra të tjerë shkrimesh të shenjta të cilat mbështesin dhe vërtetojnë Biblën si dhe dëshmojnë për shërbesën dhe hyjninë e Krishtit dhe për zbulesën e vazhdueshme drejtuar njeriut. Në të vërtetë, Libri i Mormonit është “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.”

Familja

Gjëja tjetër që njerëzit është mirë të dinë është sa përqendrohen tek familja teologjia jonë dhe mënyra jonë e jetesës. Edhe një herë, formulimet e thjeshta janë të dobishme për dikë që është i painformuar, por kureshtar të dijë për rëndësinë që ne i kushtojmë familjes.

  • Mormonët vënë një theks veçanërisht të fortë mbi familjen si njësi themelore e Kishës dhe e shoqërisë. Ne kemi një zotim të thellë ndaj martesës (e cila përkufizohet si bashkim midis një burri dhe një gruaje). Poligamia, një praktikë e kufizuar në ditët e hershme të pionierëve të Kishës, u ndërpre më 1890, afërsisht 117 vjet më parë.

  • Familjet dhe individët, qofshin anëtarë të besimit tonë ose jo, mund të frekuentojnë shërbesat e të dielave në kishat tona. Aty ne adhurojmë së bashku, duke mësuar njëri-tjetrin nga shkrimet e shenjta.

  • Familjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nxiten të kenë çdo javë mbrëmje familjare në shtëpi, zakonisht të hënave në mbrëmje. Kjo u siguron prindërve një kohë të rregullt e të parashikuar që t’u mësojnë fëmijëve të tyre vlera dhe të argëtohen së bashku. I ftojmë ata që nuk janë të fesë tonë, ta përvetësojnë këtë praktikë në familjet e veta.

  • Si mbështetje për familjet, Kisha ka programe ndihmëse për gratë, të rinjtë dhe fëmijët. Këto programe parashikojnë gjëra të tilla, si mësim fetar, mundësi për shërbim të krishterë, veprimtari sportive, shfaqje teatrore, muzikë dhe skautizëm.

  • Dhe gjithashtu ka një përqendrim të madh mbi rrethin familjar, gjenealogjinë dhe historikun e familjes vetjake, duke i pajisur të rinjtë dhe të rriturit me një ndjenjë më të fortë për rrënjët, identitetin dhe përkatësinë familjare. Ordinancat më të larta e më të shenjta të besimit tonë lidhen me familjet tona, qofshin në jetë apo të vdekur, dhe disa nga këto ordinanca kryhen në tempujt tanë.

Frytet

Tani, ndonëse dikush fillon të kuptojë disa fakte mbi ne dhe arrin të na njohë më saktë nëpërmjet fesë sonë dhe rëndësisë së familjes, ishte Shpëtimtari Ai që tha: “Ju, pra, do t’i njihni … nga frytet e tyre” (Mateu 7:20, me theksim shtesë). Kisha, ose çdo mënyrë jetese, duhet gjykuar nga frytet apo rezultatet që sjell. Këtu janë disa shembuj në bazë të statistikave në Shtetet e Bashkuara. Por këta do të ishin të ngjashëm kudo në botë mes mormonëve praktikues (me të cilën kuptojmë ata që frekuentojnë rregullisht kishën dhe tempullin).

  • Një nga frytet është jetë më e gjatë. Studimet tregojnë se mormonët praktikues janë më të shëndetshëm dhe prandaj jetojnë më gjatë sesa mesatarja kombëtare. Më 1833 Zoti i zbuloi Jozef Smithit Fjalën e Urtësisë, e cila është mënyra e jetesës për të gëzuar një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.

  • Së dyti, ata që martohen në tempull dhe e frekuentojnë atë rregullisht, kanë një shkallë divorci mjaft më të ulët se mesatarja kombëtare dhe botërore.

  • Së treti, ne arrijmë një nivel arsimor që është më i lartë se mesatarja kombëtare.

  • Së katërti, mbi 70.000 anëtarë dalin vullnetarë me shpenzimet e tyre për të shërbyer për 18 deri 24 muaj në aksione humanitare, detyra në shërbim të Kishës dhe shërbim misionar kohëplotë kudo nëpër botë.

  • Dhe së pesti, ne i vëmë theks të fuqishëm mbështetjes tek vetvetja dhe moralit të punës së palodhur. Ne nxisim përfshirjen aktive në komunitetet tona dhe në shërbimin ndaj të tjerëve. Kisha vazhdon të dhurojë mjaft para, të mira materiale dhe shërbime në çështjet humanitare përreth globit, duke përfshirë orë të panumërta pune që dhurohen nga anëtarët për të ndihmuar në zhdukjen dhe lehtësimin e pasojave të katastrofave.

Vëllezër dhe motra, në botën e sotme të zënë me punë, kam mësuar se shumica e njerëzve nuk do të lexojnë ose të përqendrohen në më shumë se vetëm disa fakte të rëndësishme njëherazi. Çfarëdo gjë që zgjidhni të përdorni për të informuar miqtë dhe të njohurit tuaj për Kishën, mbajeni shënim, verifikoni saktësinë e saj dhe shqiptojeni thjeshtë dhe shkurt.

Spikatja në rritje e Kishës dhe pyetjet në rritje nga të tjerët, na japin mundësi të mëdha të ngremë ura, të bëjmë miq dhe të përcjellim informacion të saktë. Por mundet gjithashtu të paraqesin mundësinë e keqkuptimit dhe madje nganjëherë të paragjykimit, nëse lejojmë të tjerë të na përcaktojnë cilët jemi dhe çfarë besojmë, në vend që ta bëjmë këtë vetë.

Në përgjithësi, nuk është problem me ata që njihen drejtpërdrejt me anëtarët tanë. Por ka miliona e miliona njerëz që nuk njohin ndonjë anëtar të besimit tonë. Dëshiroj të shpresoj që ata që dinë shumë pak për Kishën, të kërkojnë të mësojnë më shumë mbi ne. Dëshiroj të shpresoj që ata të arrijnë të njohin anëtarët tanë, në vend që të na gjykojnë nëpërmjet keqinformimit që u jepet nga ata që nuk dinë dhe, në disa raste, nga ata që do t’i çorientonin ose shpifnin qëllimisht.

Ju si anëtarë mund të ndihmoni që kjo të bëhet duke shkuar e duke u treguar të tjerëve të dhënat bazë që gjenden tek Nenet e Besimit, së bashku me gjëra të tilla, si faktet, feja, familjet dhe frytet e ungjillit.

Duhet të kujtojmë gjithashtu se nganjëherë mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur interesimit të njerëzve mund të jetë mënyra si jetojmë, sa e rrezatojmë gëzimin e ungjillit në jetën tonë, si i trajtojmë të tjerët dhe me sa sinqeritet i zbatojmë mësimet e Krishtit.

Për ata që dëshirojnë të mësojnë më shumë se vetëm disa parime që kam diskutuar, mund të ftoni misionarët t’u mësojnë doktrinën tek kapitulli 3 në librin “Predikoni Ungjillin Tim.” Misionarët dinë se si t’u përgjigjen pyetjeve të tyre të mëtejshme dhe tprijnë atyre drejt kthimit në besim dhe drejt pagëzimit.

Tani është koha që ne të gjithë të shkojmë e t’u themi të tjerëve cilët jemi. Përmblidhni disa fakte të thjeshta si ato që ju kam dhënë sot dhe ndihmojini ata që janë kureshtarë, të dinë diçka për Kishën dhe pastaj të dëshirojnë të dinë më shumë për Rivendosjen e ungjillit.

Vëllezër dhe motra, kurrë mos ngurroni të jepni dëshminë tuaj me sinqeritet dhe dashuri. Fuqia e dëshmisë vetjake nuk mund të mohohet dhe shpeshherë ndez tek të tjerët interesim për të ditur më shumë. E di se kjo është e vërtetë dhe ju lë dëshminë time absolute që e di se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë dhe jua jap atë dëshmi në emrin e Jezu Krishtit, amen.