2007
Perëndia Ndihmon Mbajtësin Besnik të Priftërisë
Nëntor 2007


Perëndia Ndihmon Mbajtësin Besnik të Priftërisë

Mesazhi mund t’ju vijë me fjalë në mendje ose me ndjenjë, ose të dyja bashkë. Por ai do … t’ju japë siguri dhe udhëheqje në ato që duhet të bëni.

Pamja

Sonte, mendimet e mia i kam për një djalë diku në botë. Ai pyet veten nëse mund të bëjë atë që kërkohet prej tij si mbajtës i priftërisë. E kisha atë shqetësim kur isha 13 a 14 vjeç.

U rrita në fushën e misionit ku kishte vetëm një degë fare të vogël, e cila mblidhej tek shtëpia ime. Pastaj familja ime u vendos në një vend ku kishte kunje, lagje të mëdha, ndërtesa kishe dhe kuorume djemsh që dukej se të gjithë dinin më shumë se unë çfarë bëjnë mbajtësit e priftërisë. Ata kishin në atë lagje një model të ndërlikuar të shpërndarjes së sakramentit. Isha pothuajse i sigurt se do të bëja ndonjë gabim kur më erdhi radha mua për të shpërndarë ose përgatitur sakramentin.

Me frikën dhe dëshpërimin tim, më kujtohet si shkoja jashtë ndërtesës së kishës që të isha vetëm. Isha i shqetësuar. Lutesha për ndihmë dhe për ndonjë siguri që nuk do të dështoja për t’i shërbyer Perëndisë në priftërinë e Tij.

Tani jemi shumë vjet më pas. Kam mbajtur Priftërinë Melkizedeke për më shumë se 50 vjet. Por në pak ditët e fundit jam lutur me të njëjtën lutje të zellshme për ndihmë dhe siguri se nuk do të dështoj në thirrjen që më ka ardhur për të shërbyer në Presidencinë e Parë. Të tjerët duken shumë më të aftë për të shërbyer dhe shumë më të përgatitur. Por kur lutesha këtë herë, mendoj se arrita të ndiej një përgjigje që me sa duket m’u dha jashtë ndërtesës së Lagjes Jellkrest kohë më parë. Është e njëjta përgjigje që ju mund të prisni ta merrni kur hasni një thirrje për të shërbyer në priftëri, që duket përtej mundësisë suaj.

Mesazhi mund t’ju vijë me fjalë në mendje ose me ndjenjë, ose të dyja bashkë. Por ai do të përmbajë së paku tre gjëra, që t’ju japë siguri dhe udhëheqje në ato që duhet të bëni në këtë thirrje në dukje të papërballueshme.

E para, siguria do të vijë nga një kujtim i kohëve që Ati Qiellor ju ka ndihmuar mes rreziqeve dhe vështirësive. Kjo ishte ajo që më ndodhi këto pak ditë të fundit.

Kur isha i ri dhe jetoja ende në Nju Xhersi, kjo ndodhi në kohën që një grumbull i madh njerëzish të zemëruar u mblodh para shtëpisë sonë. Nëna ime doli jashtë t’i takonte, duke qëndruar vetëm në këtë grumbull njerëzish që më dukeshin shumë të rrezikshëm. Nuk arrija të dëgjoj çfarë tha, por pas pak minutash ata u larguan paqësisht. Ende e kujtoj mrekullinë që kisha parë.

Nga koha kur isha më i rritur, kam një kujtim më të freskët të një grumbulli njerëzish të zemëruar për të cilët m’u bë thirrje nga Presidencia e Parë që t’u dilja përpara, të cilët papritmas dhe në mënyrë të pashpjegueshme u prekën nga një shpirt qetësimi dhe pajtimi. Një herë tjetër, u dërgova t’u flas udhëheqësve të kishave në Shtetet e Bashkuara dhe shërbestarëve të atyre kishave që ishin mbledhur në Mineapolis për të shqyrtuar problemin e konkurencës mes kishave.

Kur arrita mësova se më kishin caktuar të isha folës. Tema ime duhet të ishte: “Përse kishte nevojë për një rivendosje të Kishës së vërtetë nëpërmjet Jozef Smithit.”

Isha caktuar në çastin e fundit si zëvendësues i Plakut Nil A. Maksuell.

Kur arrita në qytet në natën përpara mbledhjeve dhe pashë programin, i telefonova Presidentit Hinkli. I thashë se mbledhjet do të zgjasnin për tre ditë, që shumë biseda do të mbaheshin në të njëjtën kohë, që grumbulli i njerëzve mund të zgjidhte se në cilën do të merrte pjesë. I thashë se mendoja që, nëse thoshja të vërtetën, druhesha se asnjë nuk do të vinte në sesionin tim të dytë dhe se mund të shkoja në shtëpi tepër shpejt. E pyeta çfarë mendonte se duhet të bëja. Ai tha: “Gjyko si të jetë më mirë.”

U luta gjatë gjithë natës. Aty nga agimi, isha i sigurt se duhet t’u thoja për rivendosjen jo që “Kjo është ajo që ne besojmë se i ndodhi Jozef Smithit dhe pse besojmë se ndodhi”, por “Kjo është ajo që i ndodhi Jozef Smithit dhe kjo është arsyeja përse Zoti bëri këtë.” Gjatë natës nuk m’u dha asnjë siguri për rezultatin, vetëm një drejtim i qartë — ec përpara.

Për habinë time, mbas bisedës sime shërbestarët u vunë në radhë për të folur me mua. Secili prej tyre, duke ardhur njëri pas tjetrit tek unë, në thelb tregoi të njëjtën histori. Secili prej tyre kishte takuar diku në jetën e vet një anëtar të Kishës të cilin ata e admironin. Shumë prej tyre thanë se jetonin në një komunitet ku presidenti i kunjit u kishte shkuar në ndihmë jo vetëm anëtarëve të tij, por edhe komunitetit në një rast fatkeqësie. Ata kërkuan nëse mund t’ua përcillja përshëndetjet dhe falenderimet e tyre njerëzve që unë jo vetëm nuk i njihja, por nuk kisha asnjë shpresë t’i takoja ndonjëherë.

Nga fundi i tre ditëve mbledhje, grumbuj gjithnjë e më të mëdhej njerëzish vinin për të dëgjuar mesazhin e Rivendosjes së ungjillit dhe të Kishës së vërtetë të Jezu Krishtit jo ngaqë ata besonin mesazhin, por ngaqë kishin parë mirësi në jetën e njerëzve — frytet e asaj rivendosjeje.

Ndërsa lutesha në këto pak netë të fundit, këto dhe kujtime të tjera më vërshonin në mendje duke më dhënë një siguri pak a shumë si kjo: “A nuk jam kujdesur përherë për ty? Mendo kohët kur të kam çuar pranë ujërave që të çlodhin. Kujto kohët kur kam shtruar para teje tryezën në prani të armiqve të tu. Kujto dhe mos ki frikë nga asnjë e keqe.” (Shih Psalmet 23.)

Prandaj, dhjakëve të rinj: kujtoni. Ai është kujdesur për ju që në fëmijëri. Presidentëve të rinj të kuorumeve: kujtoni. Ju etërve që keni fëmijë të cilët përbëjnë sfidë për ju: kujtoni dhe mos kini asnjë frikë. Ajo që është e pamundur për ju, është e mundur me ndihmën e Perëndisë në shërbimin ndaj Tij. Madje edhe kur ishit shumë të vegjël, dhe në vitet e mëpasme, Ai me fuqinë e Tij dhe Shpirtin e Tij ka shkuar përpara fytyrës suaj e ka qenë në të djathtën e në të majtën tuaj, kur shkonit në shërbim të Tij (shih DeB 84:88). Ju mund të merrni sigurinë që Perëndia do të vigjëlojë mbi ju, nëse luteni për këtë me besim. E di këtë.

Pjesa e dytë e mesazhit që ju do të merrni ndërsa luteni për ndihmë në përballimin e një detyre të vështirë, më erdhi të premten shumë herët në mëngjes. Isha lutur, ashtu siç do të bëni ju, lidhur me ndjenjat dërrmuese të papërshtashmërisë. Përgjigjja ishte shumë e qartë dhe shumë e drejtpërdrejtë: “Harro vetveten — fillo lutu për njerëzit që je thirrur t’u shërbesh.” Kjo bën çudira, mund të dëshmoj, për të sjellë Frymën e Shenjtë.

Por përgatituni të humbisni idenë e kohës ndërsa luteni. Do të ndieni dashuri për njerëzit që duhet t’u shërbeni. Do të ndieni nevojat e tyre, shpresat e tyre, lëndimet e tyre dhe ato të familjeve të tyre. Dhe ndërsa luteni, rrethi do të zgjerohet më shumë sesa do ta përfytyronit, drejt njerëzve që ndoshta nuk janë në kuorumin tuaj apo në familjen tuaj, por drejt atyre që ata i duan anembanë botës. Kur harroni vetveten me qëllim që të luteni për rrethin e të tjerëve, shërbesa juaj do të shtrihet deri në zemrën tuaj. Ajo nuk do të ndryshojë vetëm shërbesën tuaj, por edhe zemrën tuaj. Kjo vjen ngaqë Ati dhe Biri i Tij i Dashur, në shërbim të të cilëve u thirrët, njohin dhe duan aq shumë njerëz të cilët do t’i prekë shërbesa juaj, sido që mund t’ju duket se ajo kufizohet në pak vetë.

Mesazhi i tretë dhe i fundit që ju mund të prisni kur luteni për ndihmë në një detyrë të vështirë priftërie, është ky — këtë gjithashtu e mora — vihuni punës! Fuqia e priftërisë ju jepet që të bekoni të tjerët. Dhe kjo kërkon gjithnjë të dalësh e të bësh diçka, zakonisht diçka të vështirë për të bërë. Pra, ju mund të prisni, përveç sigurisë për ndihmë nga Perëndia dhe urdhërimit që të harroni vetveten, nxitjen e qartë të Frymës së Shenjtë për të shkuar dhe bërë diçka e cila do të bekojë jetën e dikujt. Kjo mund të jetë aq e dallueshme saqë të shkoni në shpirt lutjeje për të vizituar një person ose familje apo një anëtar të kuorumit tek i cili jeni caktuar të shërbeni. Për një baba kjo mund të jetë për të ndrequr një nga fëmijët e tij.

Nëse ajo që bëni është ta ndreqni apo t’i mësoni ungjillin e Jezu Krishtit, ju do ta bëni më mirë, po të mbani mend cili do të jetë suksesi. Ju duhet të ndihmoni Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, t’ua mundësojë jetën e përjetshme atyre që u shërbeni. Që ta bëni këtë, duhet që Shpirti t’u çojë atyre një dëshmi deri në zemër. Dhe ajo dëshmi duhet t’i udhëheqë ata të zgjedhin mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë, çfarëdo qofshin stuhitë dhe tundimet që mund të vijnë.

Me këtë në mendje, Shpirti do t’ju drejtojë për mësimdhënie dhe korrigjim me fuqinë e priftërisë. Do të mbaheni të pastër për t’u mësuar të tjerëve nëpërmjet Shpirtit. Ju do të luteni për Shpirtin që ju tregon se kur të ndreqni, si të ndreqni dhe si të shfaqni një rritje të dashurisë (shih DeB 121:43-44). Çfarëdo që bëni në shërbesën tuaj priftërore, mund të drejtohet e të matet nga sa mirë ai shërbim mund të ndihmonte ose ka ndihmuar një person ta shpjerë dëshminë e së vërtetës thellë në jetën dhe zemrën e vet, aq sa Shlyerja të veprojë e të vazhdojë të veprojë.

Mund të merrni garantim në shërbesën tuaj. Mund të harroni vetveten dhe të filloni të luteni e t’i doni ata që duhet t’u shërbeni. Dhe mund të zgjidhni çfarë të bëni dhe ta masni suksesin nga shkalla në të cilën kjo ndryshon zemrat e njerëzve që u shërbeni.

Por asnjëherë nuk do të jetë e lehtë për ju ose për ata që u shërbeni. Do të ketë gjithnjë dhimbje në shërbesë dhe në pendesën që i nevojitet fuqisë së Shlyerjes për t’i ndryshuar zemrat. Kjo është natyra e asaj që ju thirreni të bëni. Mendoni për Shpëtimtarin, në shërbim të të cilit jeni. Në cilën pikë të jetës së Tij të vdekshme mund të shihni një rast kur ishte e lehtë për Të? A kërkoi Ai gjëra të lehta nga dishepujt e Tij atëherë? Atëherë përse duhet të jetë ndonjëherë e lehtë në shërbim të Tij ose e lehtë për dishepujt e Tij?

Arsyeja për këtë sugjerohet nga thënia “një zemër e thyer”, për të cilën u mësuat aq mirë sot. Shkrimet e shenjta nganjëherë flasin për zemrën e njeriut e cila zbutet, por më shpesh fjalët që përshkruajnë gjendjen që ne kërkojmë për vete dhe për ata që u shërbejmë, janë “zemër e thyer.” Kjo mund të na ndihmojë të pranojmë që thirrja jonë për të shërbyer dhe nevoja për pendimin që na duhet dhe që kërkojmë, nuk do të jenë të thjeshta. Dha ajo na ndihmon të kuptojmë më mirë përse dëshmia duhet të shkojë deri në zemrën e njerëzve tanë. Besimi që Jezu Krishti shleu për mëkatet e tyre, duhet të shkojë deri në zemër — një zemër e thyer.

Tani, le të vendosim sonte së bashku çfarë do të bëjmë. Të gjithë ne, cilado qofshin thirrjet tona, hasim detyra që janë përtej fuqisë sonë. Hasim unë edhe ju. Kjo është e vërtetë nga fakti i thjeshtë se sukses do të thotë ta çosh dëshminë deri në zemrën e njerëzve. Ne nuk mund ta realizojmë atë. Madje edhe Perëndia nuk do t’ia imponojë atë dikujt.

Prandaj, suksesi kërkon që njerëzit të cilëve u shërbejmë, të zgjedhin pranimin e dëshmisë së Shpirtit në zemrën e tyre. Shpirti është i gatshëm. Por shumë njerëz nuk janë gati të ftojnë Shpirtin. Detyra jonë, e cila është brenda fuqisë sonë, është të ftojmë Shpirtin në jetën tonë, që njerëzit të cilëve u shërbejmë të dëshirojnë të kenë në jetën e tyre frytet e Shpirtit — frytet që ata mund t’i shohin në jetën tonë.

Kjo më shpie drejt disa sugjerimeve për atë që mund të bëjmë ose të mos bëjmë. Disa gjëra është e mundur t’i bëjmë për të ftuar Shpirtin. Disa gjëra e detyrojnë Shpirtin të tërhiqet. E dini këtë nga përvoja vetjake.

Asnjë mbajtës i priftërisë i cili dëshiron t’ia dalë mbanë, nuk do të jetë i pakujdesshëm se ku mund t’i shkojnë sytë. Të zgjedhësh të shohësh pamje që nxisin epshin, do të bëjë që Shpirti të tërhiqet. U paralajmëruat nga Plaku Klejton, sikurse mund të paralajmëroheni kurdoherë mbi rreziqet e internetit dhe të mjeteve të informimit në vendosjen para nesh të pamjeve pornografike. Por mungesa e thjeshtësisë është tani aq e përhapur, saqë jeta e përditshme kërkon disiplinë — zgjedhjen e ndërgjegjshme për të mos mbetur duke parë çfarëdo që mund të krijojë brenda nesh ndjenja që zmbrapsin Shpirtin.

I njëjti kujdes kërkohet për ato që themi. Nuk mund të shpresojmë të flasim për Zotin, po të mos jemi të kujdesshëm me të folurën tonë. Gjuha e pahijshme dhe blasfemia e fyejnë Shpirtin. Ashtu si mungesa e thjeshtësisë duket më e përhapur, ashtu është edhe gjuha e pahijshme dhe blasfemuese. Zakonisht ndodhte që vetëm në disa vende dhe në disa grupe të caktuara dëgjonim të përdorej më kot emri i Zotit ose të dëgjonim fjalë të rëndomta dhe humor pa takt. Tani kjo duket se është kudo dhe, për shumë njerëz, e pranueshme në marrëdhëniet shoqërore, ku nuk ishte dikur.

Ju mund të vendosni — dhe duhet të vendosni — ta ndryshoni atë që flisni, madje edhe kur nuk mund të kontrolloni atë që thonë të tjerët. Por e di nga përvoja ime se edhe në një gjendje të tillë të padurueshme, ju mund të mbështeteni tek ndihma e Perëndisë. Vite më parë isha oficer në forcat ajrore duke shërbyer për dy vjet në një zyrë me një kolonel të flotës detare, një kolonel të ushtrisë dhe një komandant marine të thinjur. Ata, në kohë lufte dhe paqeje, ishin mësuar të flisnin në një mënyrë që më fyente mua, dhe e dija se ajo zmbrapste Frymën e Shenjtë. Po shërbeja atë kohë si misionar i distriktit, duke u përpjekur mbrëmjeve të dilja për të gjetur njerëz dhe t’i mësoja nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë. Ishte shumë e vështirë. Unë isha veç një toger. Ata renditeshin shumë më lart në gradë se unë. Nuk kisha asnjë mënyrë që t’ua ndryshoja të folurën. Por u luta për ndihmë. Nuk e di se si e bëri Perëndia, por me kohë gjuha e tyre ndryshoi. Dalëngadalë gjuha blasfemuese u zhduk dhe pastaj edhe ajo e pahijshme. Vetëm kur pinin alkool ajo u kthehej, por kjo ndodhte mbrëmjeve, kështu që unë gjeja rastin të largohesha për të bërë punë misionare.

Ju mund të keni kujtime si ky që ju mbajnë besimin kur jeta ju vendos në vende të vështira. Perëndia e ndihmon mbajtësin e priftërisë i cili vendos të mos shohë dhe të mos flasë ligësira, madje edhe në një botë të ligë. Nuk do të jetë e lehtë. Asnjëherë nuk është. Por mund t’ju plotësohet ky premtim ashtu siç e di se ai mund të plotësohet për mua: “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesa nga qiejt” (DeB 121:45).

Unë dëshmoj se e di që ju dhe unë mbajmë priftërinë e Perëndisë dhe që Ai do t’u përgjigjet lutjeve tona me sigurinë e ëmbël dhe me ndihmën për t’i shërbyer më mirë. Ashtu ju premtoj dhe ju dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.