2007
Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë
Nëntor 2007


Presidenti Henri B. Ajring,
Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë

Kur Presidenti Henri Benion Ajring mendon mbi shtegun e papritur që ka marrë jeta e tij, ai i buzëqesh dijes që Perëndia mund të kryejë mrekulli në jetën e fëmijëve të Tij, pavarësisht se ata druajnë dhe ndihen të papërshtatshëm.

Ai merr forcë nga ajo njohuri kur mendon për atë që ai e quan “përgjegjësi shumë të rëndësishme” e cila ka ardhur bashkë me thirrjen e tij në Presidencinë e Parë. Presidenti Ajring plotëson boshllëkun që u krijua nga vdekja e Presidentit Xhejms E. Faust më 10 gusht 2007.

Megjithëse e pret me dëshirë një shoqërim më të shpeshtë me Presidentin Gordon B. Hinkli dhe Presidentin Tomas S. Monson, përsëri ai e ndien mungesën e Presidentit Faust.

“As nuk kam ndërmend t’i zë vendin Presidentit Faust, sepse kjo është e pamundur”, thotë ai. “Ai ishte një Këshilltar i Dytë në Presidencinë e Parë i përgatitur e i kualifikuar në një mënyrë të pashoqe. Ai kishte dhunti të pashoqe.”

Në konferencën e shtypit që pasoi lajmërimin e thirrjes së tij më 6 tetor, Presidenti Ajring rikujton se si u ftua tek zyra e Presidentit Faust shpejt pasi u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, më 1 prill 1995. Në vend që t’i ofronte inkurajimin e pritshëm, Presidenti Faust bëri shenjë nga qielli, buzëqeshi dhe tha: “Mos bisedo me mua. Bisedo me Të.” Presidenti Ajring shpjegoi: “Në vend që të përpiqej të zgjidhte të gjitha çështjet e mia, ai më drejtoi tek Perëndia. Ai kishte dhuntinë e të qenit shumë i ndjeshëm dhe dashamirës — miku më i dashur dhe drejtuesi më i mirë që mund të kishit.”

Duke shprehur mirënjohje ndaj Zotit për besimin e Tij dhe ndaj Presidentit Hinkli për mirëbesimin e tij, Presidenti Ajring thotë: “Është… një mundësi e madhe që shërbej me njerëz që i dua dhe që i mbështes si profetë, shikues e zbulues dhe si Apostuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht.”

Duke pohuar dorën mbështetëse të Zotit, ai shton: “President Hinkli përherë thotë: ‘Gjërat do të zgjidhen’. Kam po atë besim, madje edhe kur kam përpara këtë përgjegjësi të rëndësishme.”

Lindur më 31 maj 1933, në Prinston të Nju Xhersit, Henri B. Ajring ishte i dyti nga të tre djemtë e Henri dhe Mildrid Benion Ajring. I ati, një kimist me famë botërore, i nxiti djemtë e tij të ndiqnin karierën shkencore. Presidenti Ajring përfundoi aktivitetin studentor në fizikë, por, pasi shërbeu dy vjet në Forcat Ajrore të ShBA-së, u regjistrua në Shkollën e Biznesit të Harvardit, ku mori tituj të lartë në administrimin e biznesit.

Kur ishte në Harvard, gjatë verës së vitit 1961, u takua me Ketlin Xhonson, e cila ndodhej në Boston për të ndjekur shkollën gjatë verës. Ata takoheshin gjatë asaj vere, patën letërkëmbim mbas kthimit të saj në Kaliforni dhe u martuan në Tempullin Logan Juta në korrik 1962. Po atë vit Presidenti Ajring u bë një asistent profesor në Shkollën e Biznesit të Stenfordit, ku ai studioi nga viti 1962 deri më 1971.

Presidenti Ajring e përshkruan bashkëshorten e tij si “një person që gjithnjë më ka bërë të dëshiroj të jem më i miri që mundem.” Ai tipar u tregua në një mesnatë të vitit 1971, kur ajo e zgjoi të shoqin dhe e pyeti: “A je i sigurt se po bën atë që duhet me jetën tënde?” Pastaj e pyeti nëse do të ishte më mirë të punonte bashkë me Nil A. Maksuellin, që ishte atëherë Komisioner i Sistemit Arsimor të Kishës.

Presidentit Ajring i pëlqente mësimdhënia në Stenford, ku ishte pranë familjes së bashkëshortes dhe shërbente si peshkop i Lagjes së Parë të Stenfordit, por filloi të lutej lidhur me pyetjen e të shoqes. Familja Ajring nuk njihej me Komisionerin Maksuell, por brenda disa ditësh ai u telefonoi dhe e ftoi Presidentin Ajring në Salt Lejk Siti, ku i kërkoi të ishte presidenti i Kolegjit të Riksit, tani UBJ—Idaho. Presidenti Ajring e pranoi ofertën dhe shpejt e vendosi familjen e tij — e cila sot përfshin 4 djem, 2 vajza dhe 25 nipër e mbesa — në Reksburg të Idahos.

Gjashtë vjet më pas, ai u bë zëvendëskomisioner i Sistemit Arsimor të Kishës [SAK] dhe tre vjet më vonë Komisioner i tij, duke shërbyer deri në thirrjen e tij si Këshilltari Parë i Këshillit të Peshkopit Kryesues, në prill 1985. Në shtator 1992 ai u riemërua Komisioner i SAK, duke shërbyer njëkohësisht në atë funksion dhe si anëtar i Kuorumit të Parë të të Shtatëdhjetëve, në të cilin u thirr një muaj më vonë.

Presidenti Ajring, i njohur për predikimet e tij të çiltra dhe shpirtin e tij të ndjeshëm, thotë se 12 vitet e shërbimit të tij në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, i mësuan një mësim të rëndësishëm për ndihmën ndaj fëmijëve të Atit Qiellor.

“Për shkak të përvojës në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, kam më shumë bindje se, në qoftë se ne thjesht vihemi në një linjë me atë që dëshirojnë Ati Qiellor dhe Shpëtimtari, ne mund të arrijmë shumë më tepër sesa kemi bërë”, thotë ai. “Perëndia do të prekë jetën e njerëzve nëpërmjet nesh me më tepër efektshmëri, sesa mund të presim ne dhe Ai do të bëjë më shumë me jetën tonë, sesa mund të përfytyrojmë ndonjëherë.”

Megjithë druajtjet dhe ndjenjat tona të papërshtatshmërisë, shton ai, Ati Qiellor do të na drejtojë. “Nëse shkoni përpara me besim dhe nëse jeni të përulur, do ta ndieni zërin e Tij”, thotë ai.