2007
I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar
Nëntor 2007


I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar

Ne deklarojmë se vetëkuptohet nga shkrimet e shenjta se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë persona të veçantë, tre qenie hyjnore.

Pamja

Siç e theksoi më parë Plaku Ballard në këtë seancë, veprimtaritë në fushën publike dhe në kryqëzime rrymash të ndryshme të kohës tonë, kanë sjellë rritjen e vëmendjes publike ndaj Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti u tregoi njerëzve të lashtësisë se kjo punë e ditëve të mëvonshme do të ishte një “mrekulli dhe çudi”1, dhe ajo është. Por edhe kur ne ftojmë një dhe të gjithë të shqyrtojnë nga afër mrekullinë e saj, ka një gjë për të cilën ne nuk do të donim askënd që të çuditej — kjo është nëse jemi apo jo “të krishterë.”

Zakonisht kundërshtimet në këtë lëmë janë vërtitur mbi dy çështje doktrinore — pikëpamja jonë mbi Kreun-Perëndi dhe besimi ynë në parimin e vijimit të zbulesave që çon në një kanun të hapur të shkrimeve të shenjta. Duke iu adresuar kësaj çështjeje ne nuk kemi nevojë të bëjmë apologjinë e besimit tonë; por ne nuk do të donim të na keqkuptojnë. Kështu, me dëshirën për të thelluar kuptimin dhe për të deklaruar pa lëkundje se ne jemi të krishterë, unë po flas sot mbi të parën nga dy çështjet doktrinore që sapo përmenda.

Neni i parë dhe më i rëndësishëm i besimit tonë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe në Frymën e Shenjtë.”2 Ne besojmë në këta tre persona të shenjtë që përbëjnë Kreun-Perëndi dhe janë të bashkuar në qëllim, në sjellje, në dëshmi dhe në mision. Ne besojmë që Ata janë të mbushur me të njëjtën ndjesi të perëndishme mëshire dhe dashurie, drejtësie dhe mirësie, durimi, faljeje dhe shlyerjeje. Unë mendoj se është e saktë të thuash se ne besojmë që Ata janë një në çdo aspekt të rëndësishëm dhe të përjetshëm që përfytyrohet, përjashtuar besimin që Ata të jenë tre persona të kombinuar në një substancë, një nocion i Trinisë që nuk është paraqitur kurrë në shkrimet e shenjta, ngaqë ai nuk është i vërtetë.

Me të vërtetë, një burim i rëndësishëm i quajtur Harper’s Bible Dictionary shënon se “doktrina formale e Trinisë siç është formuluar nga këshille të mëdha kishtare të shekujve të katërt dhe të pestë nuk është gjetur në [Dhjatën e Re].”3

Kështu çfarëdo kritike që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk i përmbahet pikëpamjes së tanishme të krishterë mbi Perëndinë, Jezusin dhe Frymën e Shenjtë nuk është një koment mbi angazhimin tonë ndaj Krishtit, por më tepër një njohje (e saktë, mund të shtoj) se pikëpamja jonë mbi Kreun-Perëndi shkëputet nga historia e krishterë e pas Dhjatës së Re dhe rikthehet tek doktrina që vetë Jezu Krishti u mësoi njerëzve. Tani, disa komente mbi historinë mbrapa Dhjatës së Re mund të jenë të vlefshme.

Në vitin 325 pas Krishtit, perandori romak Konstandini mblodhi Këshillin e Nikesë për t’iu drejtuar, midis të tjerash, çështjes në rritje të gjoja “trinisë në unitet” të Perëndisë. Ajo çka rezultoi nga debatet e nxehta midis priftërinjve, filozofëve dhe hierarkëve të shquar kishtarë, u njoh (pas 125 viteve të tjera dhe tre këshilleve të tjera të mëdha)4 si Shpallja e Nikesë, me riformulime të tjera të tilla si Shpallja Athanasiane. Këto zhvillime dhe ripërsëritje të ndryshme të besimit, dhe të tjera që do të vinin gjatë shekujve, e deklaronin Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë si abstrakte, absolute, transhendente, të kudo dhe kurdo gjendur, gjithëmateriale, të përjetshme dhe të panjohshme, pa trup, pjesë apo ndjesi dhe që qëndrojnë jashtë hapësirës dhe kohës. Në të tilla shpallje të tre anëtarët janë persona të veçantë, por ata janë një qenie e vetme, ajo që shpesh përmendet si “misteri i trinisë.” Ata janë tre persona që dallohen nga njëri-tjetri, dhe prapë jo tre Perëndi por një. Të tre personat janë të pakapshëm nga mendimi dhe prapë është një Perëndi që është i pakapshëm nga mendimi.

Ne biem dakord me ata që na kritikojnë të paktën në këtë pikë, që një formulim i tillë për hyjninë është me të vërtetë i pakapshëm për mendimin. Me një formulim të tillë hutues mbi Perëndinë që i imponohet kishës, nuk është për t’u çuditur që një murg i shekullit të katërt thirri: “I mjeri unë! Ata e kanë larguar prej meje Perëndinë… dhe unë nuk di kë të adhuroj apo kujt t’i drejtohem.”5 Si do të mundemi ne t’i besojmë, ta dashurojmë, ta adhurojmë, për të mos përmendur përpjekjen për t’i ngjarë, Njërit që është i pakuptueshëm dhe i panjohshëm? Si ta kuptojmë lutjen e Jezusit drejtuar Atit të Tij në Qiell që “kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”?6

Nuk është qëllimi ynë të nënçmojmë besimin e ndonjë personi dhe as doktrinën e ndonjë feje. Ne tregojmë për të gjithë të njëjtin respekt për doktrinat e tyre siç kërkojmë për tonat. (Ky, gjithashtu, është një nen i besimit tonë.) Por, nëse dikush thotë që ne nuk jemi të krishterë sepse nuk i përmbahemi një pikëpamjeje të shekullit të katërt apo të pestë për Kreun-Perëndi, atëherë çfarë të themi për shenjtorët e parë të krishterë, shumë prej të cilëve ishin dëshmitarë okularë të Krishtit të gjallë, që as ata nuk e kishin këtë pikëpamje?

Ne deklarojmë se vetëkuptohet nga shkrimet e shenjta se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë persona të veçantë, tre qenie hyjnore, duke theksuar ilustrime të tilla që nuk lenë vend për mëdyshje, si Lutja e madhe Ndërmjetësuese e Shpëtimtarit që sapo përmendëm, pagëzimi i Tij në duart e Gjonit, përvoja e malit të Shpërfytyrimit dhe martirizimi i Stefanit — për të përmendur vetëm katër.

Me këto burime nga Dhjata e Re dhe të tjerë8 që i kemi parasysh, mund të jetë e panevojshme të pyesësh çfarë kuptimi kishte kur Jezusi tha: “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati.”9 Në një rast tjetër Ai tha: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.”10 Për kundërshtarët e Tij Ai tha: “[Ata] e kanë parë dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.”11 Dhe ka sigurisht gjithnjë një vartësi plot respekt ndaj Atit të Tij që e bën Jezusin të thotë: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia.”12 “Ati është më i madh se unë.”13

Kujt i lutej Jezusi me kaq zjarr gjithë ato vite, përfshi thirrjet plot ankth si “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë”14, dhe “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”15 Të njohësh të dhënat nga shkrimet e shenjta që pjestarët e bashkuar përsosmërisht të Kreut-Perëndi, sidoqoftë ndahen në qenie të veçanta e të dallueshme nuk është se po bën një faj politeist, kjo është më tepër pjesë e zbulesës së madhe që dha Jezusi lidhur me natyrën e qenieve hyjnore. Ndoshta Apostulli Pal e tha atë në mënyrën më të mirë: “Jezu Krishti … edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë.”16

Një arsye e lidhur me këtë përse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përjashtohet nga kategoria e krishterë prej disave, është se ne besojmë, siç bënin profetët dhe apostujt e lashtësisë, në një Perëndi me trup — por sigurisht të përlëvduar.17 Ata që e kritikojnë këtë besim të mbështetur në shkrimet e shenjta, unë i pyes së paku në mënyrë retorike: Nëse ideja e një Perëndie me trup është fyese, përse doktrinat qendrore dhe unikale, karakteristikat më dalluese të të gjithë Krishtërimit janë Mishërimi, Shlyerja dhe Ringjallja fizike e Zotit Jezu Krisht? Nëse pasja e një trupi, jo vetëm është e panevojshme, por e padëshirueshme nga Hyjnia, përse Shëlbuesi i njerëzimit e shëlboi trupin e Tij, duke e shëlbuar nga kthetrat e vdekjes dhe të varrit, duke garantuar se ai nuk do të ndahej kurrë më nga shpirti i Tij në kohë apo në përjetësi?18 Kushdo që hedh poshtë konceptin e një Perëndie me trup hedh poshtë qoftë Krishtin e vdekshëm, qoftë Krishtin e ringjallur. Askush që kërkon të jetë një i krishterë i vërtetë nuk dëshiron ta bëjë këtë.

Tani, për të gjithë ata që më dëgjojnë, të cilët kanë menduar nëse jemi apo jo të krishterë, unë shpreh këtë dëshmi. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i i vërtetë, i gjallë i Perëndisë tonë të vërtetë, të gjallë. Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë i cili, nën drejtimin e Atit, ishte Krijuesi i qiellit dhe i tokës dhe i të gjitha gjërave që ndodhen në to. Unë dëshmoj se Ai u lind nga një nënë e virgjër, se në gjithë jetën e Tij Ai kreu mrekullira të fuqishme, që u panë nga një numër i madh dishepujsh të Tij si dhe gjithashtu nga armiqtë e Tij. Unë dëshmoj se Ai pati fuqi mbi vdekjen sepse Ai ishte hyjnor, por se Ai me dëshirë iu nënshtrua vdekjes për shpëtimin tonë sepse për një kohë Ai ishte po ashtu i vdekshëm. Unë deklaroj se në nënshtrimin e Tij të vullnetshëm ndaj vdekjes Ai mori mbi vete mëkatet e botës, duke paguar një çmim pa kufi për çdo mjerim dhe sëmundje, çdo dhimbje zemre dhe dëshpërim që nga Adami deri në fund të botës. Duke bërë kështu Ai mposhti edhe varrin fizikisht, edhe ferrin shpirtërisht dhe i dha lirinë familjes njerëzore. Unë dëshmoj se Ai u ringjall me të vërtetë nga varri dhe pas ngritjes tek Ati i Tij për të plotësuar procesin e asaj Ringjalljeje, Ai u shfaq, në mënyrë të përsëritur, tek qindra dishepuj në Botën e Lashtë dhe atë të Re. Unë e di se Ai është i Shenjti i Izraelit, Mesia që do të vijë një ditë përsëri në lavdinë finale, të mbretërojë në tokë si Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve. Unë e di që nuk ka emër tjetër të dhënë nën qiell me të cilin mund të shpëtohet një njeri dhe që vetëm duke u mbështetur tërësisht tek meritat, mëshira dhe dhembshuria e Tij pa fund19 ne mund të fitojmë jetën e përjetshme.

Dëshmia tjetër e imja lidhur me këtë doktrinë të shkëlqyer është se në përgatitjen për mbretërimin e tij mijravjeçar të ditëve të mëvonshme, Jezusi ka ardhur tashmë, më shumë se një herë, në lavdi të madhërishme trupore. Në pranverën e vitit 1820, një djalë 14-vjeçar, i hutuar nga shumë si këto doktrina që akoma e ngatërrojnë shumë krishtërimin, shkoi në një korie pemësh që të lutej. Duke iu përgjigjur kësaj lutjeje të sinqertë, të bërë nga një moshë e tillë e ndjeshme, Ati dhe Biri iu paraqitën si qenie me trupa, të lavdishme profetit-djalosh Jozef Smith. Ajo ditë shënoi fillimin e rikthimit të së vërtetës, ungjillit të Dhjatës së Re të Zotit Jezu Krisht dhe rivendosjen e të vërtetave të tjera profetike të treguara që nga Adami deri në ditët tona.

Unë dëshmoj se ato që po them mbi këto gjëra janë të vërteta dhe se qiejt janë hapur për të gjithë ata që kërkojnë të njëjtin vërtetim. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne të gjithë mund të njohim “të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin [që Ai ka] dërguar.”20 Jetofshim mësimet e Tyre dhe qofshim të krishterë të vërtetë në veprime si edhe në fjalë, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Isaia 29:14.

  2. Nenet e Besimit 1:1.

  3. Në Paul F. Achtemeier, botues (1985), fq. 1099; me theksim shtesë.

  4. Konstandinopojë, 381 pas Krishtit; Efes, 431 pas Krishtit; Kalkedoní, 451 pas Krishtit.

  5. Cituar në Owen Chadwick, Western Ascetism (1958), fq. 235.

  6. Gjoni 17:3, me theksim shtesë.

  7. Për diskutimin e plotë të kësaj çështjeje, shih Stephen E. Robinson, Are Mormons Christian?, fq. 71-89; shih edhe Robert Millet, Getting at the Truth, (2004), fq. 106-122.

  8. Shih, për shembull, Gjoni 12:27-30; Gjoni 14:26; Romakëve 8:34; Hebrenjve 1:1-3.

  9. Gjoni 5:19; shih edhe Gjoni 14:10.

  10. Gjoni 6:38.

  11. Gjoni 15:24.

  12. Mateu 19:17.

  13. Gjoni 14:28.

  14. Mateu 26:39.

  15. Mateu 27:46.

  16. Filipianëve 2:5-6.

  17. Shih David L. Paulsen, “Early Christian Belief in a Corporeal Deity: Origen and Augustine as Reluctant Witnesses”, Harvard Theological Review, vëllimi 83, nr. 2 (1990): 105-116; David L. Paulsen, “The Doctrine of Divine Embodiment: Restoration, Judeo-Christian, and Philosophical Perspectives, BYU Studies, vëllimi 35, nr. 4 (1996): 7-94; James L. Kugel, The God of Old: Inside the Lost World of the Bible (2003), fq. xi-xii, 5-6, 104-106, 134-135; Clark Pinnock, Most Moved Mover: A Theology of God’s Openness (2001), fq. 33-34.

  18. Shih Romakëve 6:9; Alma 11:45.

  19. Shih 1 Nefi 10:6; 2 Nefi 2:8; 31:19; Moroni 6:4; Përkthimi i Jozef Smithit, Romakëve 3:24.

  20. Gjoni 17:3.