2010–2019
Dhënia e Frymëzuar e Shërbesës
Prill 2018


Dhënia e Frymëzuar e Shërbesës

Ne e marrim më mirë Shpirtin e Shenjtë kur përqendrohemi te shërbimi ndaj të tjerëve. Kjo është arsyeja përse ne kemi përgjegjësinë priftërore për të shërbyer për Shpëtimtarin.

Vëllezërit e mi të dashur, jam mirënjohës për privilegjin që kam të flas me ju në këtë konferencë të përgjithshme historike. Ne e kemi mbështetur Presidentin Rasëll M. Nelson si Presidentin e 17-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ndërsa kam pasur bekimin të punoj me të çdo ditë, kam ndier një pohim nga Shpirti se Presidenti Nelson është thirrur nga Perëndia për të udhëhequr Kishën e vërtetë të Zotit.

Është gjithashtu dëshmia ime se Zoti i ka thirrur Plakun Gerrit W. Gong dhe Plakun Ulises Soares që të shërbejnë si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Unë i dua dhe i mbështet ata. Ata, me anë të shërbesës së tyre, do të bekojnë jetë njerëzish anembanë botës dhe përgjatë brezave.

Kjo konferencë është historike edhe për një arsye tjetër. Presidenti Nelson ka shpallur një hap të frymëzuar përpara në planin e organizuar të Zotit për Kishën e Tij. Ai plan përfshin një strukturë të re për kuorumet e priftërisë në lagje dhe kunje, në mënyrë që ne të mund t’i përmbushim më mirë përgjegjësitë tona të priftërisë. Të gjitha ato përgjegjësi kanë të bëjnë me përkujdesjen tonë priftërore për fëmijët e Atit tonë.

Plani i Zotit që shenjtorët e Tij të japin përkujdesje me dashuri, ka marrë shumë trajta me kalimin e viteve. Në ditët e hershme të Navusë, Profetit Jozef Smith i nevojitej një mënyrë e organizuar që të kujdesej për vërshimin e të kthyerve në besim kryesisht të varfër që po vinin në qytet. Katër prej stërgjyshërve të mi ishin mes tyre – familjet Ajring, Benion, Romni dhe Smith. Profeti e organizoi përkujdesjen për ata shenjtorë sipas gjeografisë. Në Ilinois, ato ndarje të qytetit quheshin “lagje”.

Ndërsa shenjtorët lëviznin përgjatë rrafshnaltave, përkujdesja e tyre për njëri-tjetrin u organizua në “kompani”. Njëri prej stërgjyshërve të mi nga babai po kthehej nga misioni i tij në atë që tani quhet Oklahoma, kur përgjatë shtegut u takua me një kompani. Ai qe kaq i pafuqishëm për shkak të sëmundjes saqë ai dhe shoku i tij ishin shtrirë në një karrocë të vogël.

Udhëheqësi i kompanisë dërgoi dy të reja për të ndihmuar këdo që mund të ishte në atë karrocë të braktisur. Njëra prej tyre, një motër e re e cila ishte kthyer në besim në Zvicër, i hodhi një vështrim njërit prej misionarëve dhe ndjeu dhembshuri. Ai u shpëtua nga ajo kompani shenjtorësh. Ai u shërua aq sa të ecte për pjesën e mbetur të rrugës deri në luginën e Solt-Lejkut me shpëtuesen e tij të re përkrah tij. Ata ranë në dashuri dhe u martuan. Ai u bë stërgjyshi im, Henri Ajring, dhe ajo u bë stërgjyshja ime, Maria Bomeli Ajring.

Vite më vonë, kur njerëzit komentonin rreth vështirësisë së madhe për t’u zhvendosur përmes një kontinenti, ajo tha: “O, jo, nuk ishte e vështirë. Ndërkohë që ecnim, gjatë gjithë rrugës bisedonim se çfarë mrekullie ishte që të dy ne e kishim gjetur ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit. Ishte koha më e lumtur që mund të kujtoj”.

Që prej asaj kohe, Zoti ka përdorur një larmi mënyrash për t’i ndihmuar shenjtorët e Tij që të përkujdesen për njëri-tjetrin. Tani Ai na ka bekuar me kuorume të forcuara e të bashkuara në nivele lagjeje dhe kunji – kuorume që funksionojnë në bashkërendim me të gjitha organizatat e lagjes.

Lagje brenda bashkisë, kompani dhe kuorume të forcuara, që të gjitha kanë kërkuar të paktën dy gjëra për të qenë të suksesshme në synimin e Zotit që shenjtorët e Tij të përkujdesen për njëri-tjetrin në mënyrën se si Ai përkujdeset për ta. Ato ia dalin mbanë kur shenjtorët e ndiejnë dashurinë e Krishtit për njëri-tjetrin mbi interesin e tyre [vetjak]. Shkrimet e shenjta e quajnë atë “dashuria hyjnore … dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Dhe ato ia dalin mbanë kur Fryma e Shenjtë e udhërrëfen kujdestarin që të dijë se ajo që Zoti di, është më e mira për personin që Ai po përpiqet të ndihmojë.

Herë pas here në javët e fundit, anëtarë të Kishës kanë vepruar në praninë time sikur t’i paraprinin në njëfarë mënyre asaj që Zoti do të bënte, ashtu siç është lajmëruar sot këtu. Më lejoni t’ju jap vetëm dy shembuj. I pari, një bisedë e thjeshtë në një mbledhje sakramenti nga një mësues 14-vjeçar në Priftërinë Aarone, i cili e kupton atë që mund të arrijnë mbajtësit e priftërisë në shërbimin e tyre për Zotin. I dyti, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke i cili, me dashurinë e Krishtit, u frymëzua që t’i shërbente një familjeje.

Fillimisht, më lejoni t’ju them fjalët e një të riu që po fliste në mbledhjen e sakramentit të një lagjeje. Isha i pranishëm. Përpiquni të kujtoni se si qetë ju kur ishit 14 vjeç dhe mbani vesh për ta dëgjuar atë të thotë më shumë se sa mund të dijë logjikisht një djalë kaq i ri:

“Më ka pëlqyer vërtet të jem anëtar i kuorumit të mësuesve në lagjen tonë qëkurse mbusha 14 vjeç vitin e kaluar. Një mësues ka ende të gjitha përgjegjësitë e një dhjaku duke shtuar disa të reja.

Meqenëse disa prej nesh janë mësues, dhe të tjerë do të jenë një ditë, dhe çdokush në Kishë bekohet nga priftëria, prandaj është e rëndësishme që të gjithë ne të dimë më shumë rreth detyrave të një mësuesi.

Pikë së pari, Doktrina e Besëlidhje 20:53 thotë: ‘Detyra e mësuesit është të vëzhgojë mbi kishën gjithmonë dhe të jetë me ta e t’i forcojë ata’.

Më pas, Doktrina e Besëlidhje 20:54–55 thotë:

‘Dhe të kujdeset që nuk ka paudhësi në kishë, as ashpërsi me njëri-tjetrin, as gënjeshtra, të folur pas shpine apo të folur dashakeqës;

Dhe të kujdeset që kisha të mblidhet së bashku shpesh dhe gjithashtu të kujdeset që tërë anëtarët të bëjnë detyrën e tyre’.”

I riu vazhdoi:

“Zoti po na thotë se është përgjegjësia jonë që jo vetëm të përkujdesemi për Kishën, por edhe për njerëzit brenda Kishës në mënyrën që Krishti do ta bënte, sepse kjo është Kisha e Tij. Nëse po përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet, të jemi mirëdashës ndaj njëri-tjetrit, të jemi të ndershëm, të jemi miq të mirë dhe të kënaqemi duke qenë së bashku, atëherë ne do të jemi në gjendje ta kemi Shpirtin me vete dhe të dimë atë që Ati Qiellor do që ne të bëjmë. Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë nuk mund ta përmbushim thirrjen tonë.”

Ai vazhdoi të thoshte:

“Kur një mësues zgjedh të japë shembullin e drejtë duke qenë një mësues i mirë shtëpie, duke i përshëndetur anëtarët në kishë, duke e përgatitur sakramentin, duke ndihmuar në shtëpi dhe duke qenë një paqebërës, ai po zgjedh ta nderojë priftërinë e tij dhe ta përmbushë thirrjen e tij.

Të qenit një mësues i mirë nuk nënkupton vetëm të qenit të përgjegjshëm kur jemi në kishë apo në veprimtaritë e Kishës. Apostulli Pal dha mësim: ‘Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi’ (1 Timoteut 4:12).”

Më pas, i riu tha:

“Pavarësisht se ku jemi ose çfarë po bëjmë, ne mund të jemi një shembull i mirë i drejtësisë në të gjitha kohët e në të gjitha vendet.

Unë dhe babi im e bëjmë mësimin e shtëpisë te familja Braun.1 Sa herë që shkojmë atje, ia kaloj shumë mirë duke biseduar dhe duke arritur t’i njoh ata. Një gjë që më pëlqen shumë nga familja Braun është se, sa herë që shkojmë atje, ata janë të gatshëm të dëgjojnë dhe gjithmonë kanë histori të bukura për të treguar.

Kur i njohim mirë njerëzit në lagje për shkak të mësimit të shtëpisë, bëhet më e lehtë që ta bëjmë detyrën tjetër si mësues, dhe ajo është që t’i përshëndetim anëtarët në kishë. Kur i ndihmojmë njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të përfshirë në kishë, kjo i ndihmon të gjithë anëtarët e lagjes të ndiejnë dashuri dhe të ndihen të përgatitur për ta marrë sakramentin.

Pasi i përshëndetin anëtarët që kanë ardhur në kishë, mësuesit ndihmojnë çdo të diel duke përgatitur sakramentin. Më pëlqen shumë ta shpërndaj dhe ta përgatit sakramentin në këtë lagje, sepse gjithsecili është kaq nderues. E ndjej përherë Shpirtin kur e përgatit dhe e shpërndaj sakramentin. Është një bekim i vërtetë që jam në gjendje ta bëj atë çdo të diel.

Një shërbim, si për shembull shpërndarja e sakramentit, është diçka që njerëzit e shohin dhe na falënderojnë që e bëjmë, por shërbime të tjera si përgatitja e sakramentit zakonisht bëhen pa u vënë re nga askush. Nuk është e rëndësishme nëse njerëzit na shohin duke shërbyer; ajo çfarë është e rëndësishme është që Zoti e di se i kemi shërbyer Atij.

Si mësues, ne duhet të përpiqemi gjithmonë që ta forcojmë Kishën, miqtë tanë dhe familjen tonë duke i përmbushur përgjegjësitë tona të priftërisë. Nuk është përherë e lehtë, por Zoti nuk na jep asnjë urdhërim ‘pa përgatitur një udhë për [ne], që [ne] të mund të plotësojnë gjënë, që ai [na] urdhëron’ (1 Nefi 3:7).

Kur ai i ri mbaroi, vazhdova të mahnitesha nga pjekuria dhe urtësia e tij. Ai e përmblodhi duke thënë: “Unë e di se ne do të bëhemi më të mirë nëse zgjedhim ta ndjekim [Jezu Krishtin]”.

Një histori tjetër e shërbimit të priftërisë u tregua një muaj më parë në mbledhjen e sakramentit të një lagjeje. Përsëri, isha i pranishëm. Në këtë rast, mbajtësi i regjur i Priftërisë Melkizedeke nuk e dinte se ndërkohë që fliste, ai po përshkruante saktësisht atë që Zoti dëshiron të ndodhë me forcimin e kuorumeve të priftërisë. Ja ku është thelbi i rrëfimit të tij:

Ai dhe një shok i mësimit të shtëpisë ishin caktuar që t’u shërbenin shtatë familjeve. Pothuajse të gjitha ato familje nuk donin vizita. Kur mësuesit e shtëpisë shkonin në apartamentet e tyre, ata nuk pranonin t’ua hapnin derën. Kur i merrnin në telefon, ata nuk përgjigjeshin. Kur u linin mesazh, telefonata nuk iu kthehej. Ky shok më i moshuar më së fundi vendosi të jepte shërbesë duke u shkruar letra. Ai madje filloi të përdorte zarfe me ngjyrë të verdhë, të shndritshme, me shpresën se do të merrte përgjigje.

Një prej shtatë familjeve ishte një motër beqare më pak aktive, e cila kishte emigruar nga Europa. Ajo kishte dy fëmijë të vegjël.

Pas shumë përpjekjesh për t’u lidhur me të, ai mori një mesazh me celular. Befas ajo e vuri në dijeni se ishte shumë e zënë për t’u takuar me mësuesit e shtëpisë. Ajo bënte dy punë dhe ishte edhe në ushtri. Puna e saj kryesore ishte si oficere e policisë dhe synimi i saj në karrierë ishte të bëhej një detektive, dhe më pas të kthehej në vendin e saj të lindjes e ta vazhdonte punën e saj atje.

Mësuesi i shtëpisë kurrë nuk mundi t’i bënte një vizitë në shtëpinë e saj. Ai herë pas here i dërgonte mesazhe me celular. Çdo muaj i dërgonte një letër të shkruar me dorë dhe gjithashtu kartolina festash për çdo fëmijë.

Ai nuk merrte përgjigje. Por ajo e dinte se kush ishin mësuesit e saj të shtëpisë, si të lidhej me ta dhe se ata do të këmbëngulnin në shërbimin e tyre të priftërisë.

Më pas, një ditë ai mori një mesazh të ngutshëm prej saj. Ajo kishte tmerrësisht nevojë për ndihmë. Nuk e dinte se kush ishte peshkopi, po i njihte mësuesit e saj të shtëpisë.

Pas pak ditësh, asaj i duhej të largohej nga shteti për një stërvitje trajnuese ushtarake njëmujore. Nuk mund t’i merrte fëmijët me vete. E ëma, e cila do të kujdesej për fëmijët e saj, sapo kishte shkuar në Europë që të kujdesej për bashkëshortin e saj, i cili kishte një urgjencë mjekësore.

Kjo motër beqare më pak aktive kishte mjaft para sa të blinte një biletë për në Europë për fëmijën e saj më të vogël, por jo për djalin e saj 12-vjeçar, Erikun.2 Ajo i kërkoi mësuesit të saj të shtëpisë nëse ai mund të gjente një familje të mirë shdm që ta merrte Erikun në shtëpinë e tyre për 30 ditët vijuese!

Mësuesi i shtëpisë i ktheu përgjigje dhe i tha se do të bënte më të mirën. Atëherë ai u lidh me udhëheqësit e tij të priftërisë. Peshkoi, i cili ishte prifti i lartë kryesues, i dha miratimin që ta diskutonte me anëtarët e këshillit të lagjes, përfshirë presidenten e Shoqatës së Ndihmës.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës shpejt gjeti katër familje të mira shdm, që kishin fëmijë në moshën e Erikut, të cilët do ta merrnin në shtëpinë e tyre nga një javë secili. Gjatë muajit në vijim, këto familje e ushqyen Erikun, bënë vend për të në apartamentet e tyre apo në shtëpitë e vogla megjithëse ishin ngushtë, e morën në veprimtaritë e tyre familjare verore të planifikuara më parë, e çuan në kishë, e përfshinë në mbrëmjet e tyre familjare e kështu me radhë.

Familjet që kishin djem në moshën e Erikut e përfshinë atë në mbledhjet dhe veprimtaritë e kuorumit të dhjakëve. Gjatë kësaj periudhe 30 ditore, për herë të parë në jetën e tij, Eriku ishte në kishë çdo të diel.

Pasi nëna e tij u kthye në shtëpi nga trajnimi, Eriku vazhdoi ta frekuentonte kishën, zakonisht me njërën prej këtyre katër familjeve vullnetare shdm apo me të tjerë që e kishin shoqëruar atë, përfshirë mësueset vizitore të nënës së tij. Me kalimin e kohës, ai u shugurua dhjak dhe filloi ta shpërndante sakramentin rregullisht.

Tani, le të shohim të ardhmen e Erikut. Nuk do të habitemi nëse ai bëhet një udhëheqës i Kishës në vendlindjen e nënës së tij kur familja e vet të kthehet atje – e gjitha për shkak të shenjtorëve të cilët punuan së bashku në unitet, nën drejtimin e një peshkopi, për të shërbyer për shkak të dashurisë hyjnore që është në zemrat e tyre dhe me fuqinë e Frymës së Shenjtë.

Ne e dimë se dashuria hyjnore është thelbësore që ne të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë. Moroni shkroi: “Në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju nuk mund të shpëtoheni në asnjë mënyrë në mbretërinë e Perëndisë” (Moroni 10:21; shih edhe Ethëri 12:34).

Ne e dimë gjithashtu se dashuria hyjnore është një dhuratë që na jepet pas gjithçkaje që mund të bëjmë. Ne duhet t’i “lut[emi] Atit me gjithë fuqinë e zemrës s[onë], që të mbushe[m]i me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht” (Moroni 7:48).

Mua më duket se ne e marrim më mirë Shpirtin e Shenjtë kur përqendrohemi te shërbimi ndaj të tjerëve. Kjo është arsyeja përse ne kemi përgjegjësinë priftërore për të shërbyer për Shpëtimtarin. Kur përfshihemi në shërbimin ndaj të tjerëve, ne mendojmë më pak për veten, dhe Fryma e Shenjtë mund të na vijë më shpejt dhe të na ndihmojë në përpjekjen tonë gjatë gjithë jetës që të marrim dhuratën e dashurisë hyjnore.

Ju jap dëshminë time se Zoti ka bërë tashmë një hap të madh përpara në planin e Tij që ne të bëhemi edhe më të frymëzuar e dashamirës në shërbimin tonë për dhënien e shërbesës priftërore. Jam mirënjohës për dashurinë e Tij, të cilën Ai na e jep bujarisht. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Emri është ndryshuar.

  2. Emri është ndryshuar.