2010–2019
Fjalët Paraqitëse
Prill 2018


Fjalët Paraqitëse

Ne shpallim një ristrukturim të rëndësishëm të kuorumeve tona të Priftërisë Melkizedeke, që ta përmbushim punën e Zotit në mënyrë më të efektshme.

Faleminderit, Vëllai Holms, për mesazhin tuaj të rëndësishëm.

Të dashur vëllezër, na merr thellësisht malli për Presidentin Tomas S. Monson dhe Plakun Robert D. Hejls. Prapëseprapë ne “punës s’Zotit të gjith’ le t’i vihemi”1.

Jam shumë mirënjohës për secilin burrë që mban priftërinë e shenjtë. Ju jeni shpresa e Shëlbuesit tonë, i cili dëshiron “që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës”2. Ai do që të gjithë bijtë e Tij të shuguruar ta përfaqësojnë Atë, të flasin për Të, të veprojnë për Të dhe ta bekojnë jetën e fëmijëve të Perëndisë anembanë botës, me qëllim që “besimi gjithashtu të mund të rritet në [të gjithë] tokën”3.

Disa prej jush shërbejnë atje ku Kisha ka qenë e ngritur për shumë breza. Të tjerë shërbejnë atje ku Kisha është relativisht e re. Për disa, lagjet tuaja janë të mëdha. Për të tjerë, degët tuaja janë të vogla dhe largësia është e madhe. Pavarësisht nga rrethanat tuaja individuale, secili prej jush është anëtar i një kuorumi priftërie me një mandat hyjnor për të mësuar dhe për të dhënë mësim, për t’i dashur të tjerët dhe për t’u shërbyer atyre.

Sonte ne shpallim një ristrukturim të rëndësishëm të kuorumeve tona të Priftërisë Melkizedeke, që ta përmbushim punën e Zotit në mënyrë më të efektshme. Në çdo lagje, priftërinjtë e lartë dhe pleqtë tani do të bashkohen në një kuorum pleqsh. Kjo përshtatje do ta rritë më shumë aftësinë dhe mundësinë e burrave që mbajnë priftërinë për t’u shërbyer të tjerëve. Pleqtë e ardhshëm do të mirëpriten dhe do të shoqërohen nga ai kuorum. Në çdo kunj, presidenca e kunjit do të vazhdojë të kryesojë mbi kuorumin e priftërinjve të lartë të kunjit. Por përbërja e atij kuorumi do të bazohet në thirrjet e tanishme të priftërisë, siç do të shpjegohen më vonë.

Plaku D. Tod Kristoferson dhe Plaku Ronald A. Rasband, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, do të na mësojnë tani më shumë rreth këtyre përshtatjeve të rëndësishme.

Këto modifikime kanë qenë në studim për shumë muaj. Ne kemi ndier një nevojë të ngutshme për ta përmirësuar mënyrën se si kujdesemi për anëtarët tanë dhe se si i raportojmë kontaktet tona me ta. Që ta bëjmë atë më mirë, na nevojitet t’i forcojmë kuorumet tona të priftërisë për t’i dhënë drejtim më të madh dhënies së shërbesës së dashurisë dhe përkrahjes, të cilën Zoti e ka si qëllim për shenjtorët e Tij.

Këto përshtatje janë frymëzuar nga Zoti. Teksa i vëmë në zbatim, ne vërtet do të jemi edhe më frytdhënës sesa kemi qenë ndonjëherë më parë.

Ne jemi të përfshirë në punën e Perëndisë së Plotfuqishëm. Jezusi është Krishti! Ne jemi shërbëtorët e Tij të përulur! Perëndia ju bekoftë, vëllezër, teksa mësojmë për detyrën tonë dhe e bëjmë atë, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.