2010–2019
Mësimdhënia në Shtëpi – Një Përgjegjësi e Gëzueshme dhe e Shenjtë
Prill 2018


Mësimdhënia në Shtëpi – Një Përgjegjësi e Gëzueshme dhe e Shenjtë

Unë lutem për ndihmën e qiellit ndërsa përpiqemi fort që të jemi mësues si Krishti në shtëpitë tona.

Bashkëshortja ime e dashur, Xhuli, dhe unë kemi rritur gjashtë fëmijë të çmuar dhe kohët e fundit vatra jonë familjare është boshatisur. Sa shumë më merr malli që t’i kem fëmijët në shtëpi gjithë kohën. Më merr malli kur mësoja prej tyre dhe kur i mësoja ata.

Sot bisedën time dua t’ua drejtoj të gjithë prindërve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë prindër. Shumë prej jush tani janë duke rritur fëmijë. Për të tjerë, ajo kohë mund të vijë shpejt. Dhe ende për të tjerë, prindërimi mund të jetë një bekim në të ardhmen. Unë lutem që ne të gjithë ta dallojmë se çfarë përgjegjësie e gëzueshme dhe e shenjtë është të mësosh një fëmijë1.

Si prindër, ne i njohim fëmijët tanë me Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. I ndihmojmë fëmijët tanë të thonë lutjen e tyre të parë. U ofrojmë udhërrëfim dhe përkrahje teksa hyjnë në shtegun e besëlidhjes2 nëpërmjet pagëzimit. I mësojmë që t’u binden urdhërimeve të Perëndisë. I edukojmë ata rreth planit të Tij për fëmijët e Tij dhe i ndihmojmë të dallojnë pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. U tregojmë atyre histori për profetët e lashtë dhe i nxitim të ndjekin profetët e gjallë. Lutemi për fitoret e tyre dhe vuajmë me ta gjatë sprovave të tyre. Ne u dëshmojmë fëmijëve tanë për bekimet e tempullit dhe përpiqemi t’i përgatitim mirë që të shërbejnë në misione me kohë të plotë. U japim këshillë të vyer kur fëmijët tanë bëhen vetë prindër. Por – edhe atëherë – ne kurrë nuk rreshtim së qeni prindërit e tyre. Nuk rreshtim kurrë së qeni mësuesit e tyre. Nuk lirohemi kurrë nga këto thirrje të përjetshme.

Le të mendojmë sot për disa nga mundësitë e mrekullueshme që kemi për t’u dhënë mësim fëmijëve tanë në shtëpitë tona.

Mësimdhënia në Mbrëmjen Familjare

Le ta nisim me mbrëmjen familjare, e cila ishte një përparësi e lartë në shtëpinë e mbushur me besim ku u rrita unë. Nuk më kujtohen mësime të veçanta që na u mësuan në mbrëmjen familjare, por vërtet më kujtohet se nuk humbëm kurrë as edhe një javë3. E dija se çfarë ishte e rëndësishme për prindërit e mi4.

Mbaj mend një nga veprimtaritë e mia më të parapëlqyera të mbrëmjes familjare. Babai ftonte një prej fëmijëve të tij për të kaluar “Provën”. Ai i jepte fëmijës një radhë me udhëzime si: “Së pari, shko në kuzhinë dhe hape e mbylle frigoriferin. Më pas vrapo për në dhomën time të gjumit dhe merr një palë çorape nga komoja. Pastaj kthehu tek unë, hidhu lart e poshtë tri herë dhe thuaj: ‘Babi, ia dola!’”

Më pëlqente shumë kur më vinte radha. Doja që ta kryeja çdo hap siç duhej dhe i gëzohesha çastit kur mund të thosha: “Babi, ia dola!” Kjo veprimtari më ndihmoi të ndërtoja vetëbesim dhe e bëri më të lehtë për një djalë të shpërqendruar që të kushtonte vëmendje kur mami ose babi na mësonte një parim të ungjillit.

Presidenti Gordon B. Hinkli këshilloi: “Nëse keni ndonjë dyshim për virtytin e mbrëmjes familjare, provojeni atë. Mblidhini fëmijët tuaj rreth vetes, mësojini ata, jepuni dëshmi atyre, lexojini së bashku shkrimet e shenjta dhe kaloni mirë së bashku.”5

Gjithmonë do të ketë kundërshtime për të mos e zhvilluar mbrëmjen familjare6. Sidoqoftë, unë ju ftoj të gjeni një mënyrë për t’i kaluar pengesat dhe ta bëni mbrëmjen familjare një përparësi – dhe bëjeni zbavitjen një element kyç.

Mësimdhënia për Lutjen Familjare

Lutja familjare është një mundësi tjetër kryesore për të dhënë mësim.

Më pëlqen shumë se si babai i Presidentit N. Eldon Taner e mësoi atë gjatë një lutjeje familjare. Presidenti Taner tha këtë:

“Më kujtohet që një mbrëmje, kur u gjunjëzuam në lutje familjare, babai im i tha Zotit: ‘Eldoni bëri diçka sot që nuk duhet ta kishte bërë; atij i vjen keq dhe nëse do ta falësh, ai nuk do ta bëjë më atë’.

Kjo më dha vendosmërinë që të mos e bëja më – shumë më tepër sesa po të merrja një ndëshkim fizik.”7

Kur isha djalosh, ndonjëherë acarohesha me lutjet familjare në pamje të parë të tepruara, duke menduar me vete: “A nuk u lutëm vetëm disa minuta më parë?” Tani, si prind, e di që si familje nuk mund të lutemi kurrë tepër8.

Gjithnjë më ka bërë përshtypje mënyra se si Ati Qiellor e paraqiti Jezu Krishtin si Birin e Tij të Dashur9. Më pëlqen të lutem për fëmijët e mi në emër teksa më dëgjojnë mua t’i shpreh Atit Qiellor se sa të dashur janë ata për mua. Duket se nuk ka kohë më të mirë për t’u shprehur dashuri fëmijëve tanë se sa kur lutemi me ta apo i bekojmë ata. Kur familjet mblidhen në lutje të përulur, mësohen mësime të fuqishme dhe që mbeten gjatë.

Mësimdhënia në Çdo Kohë

Mësimdhënia prindërore është si të jesh një mjek roje. Ne gjithmonë duhet të jemi gati që t’i mësojmë fëmijët tanë ngaqë nuk e dimë kurrë se kur do të na trokasë mundësia.

Pamja
Jezusi duke mësuar gruan te pusi

Ne jemi si Shpëtimtari, mësimet e të cilit shpesh “nuk ndodh[ën] në një sinagogë, por në vendndodhje të thjeshta, të përditshme – gjatë ngrënies së një darke me dishepujt e Tij, gjatë nxjerrjes së ujit nga një pus apo duke ecur pranë një peme fiku”10.

Shumë vite më parë, nëna ime tregoi se dy bashkëbisedimet e saj më të mira për ungjillin me vëllanë tim më të madh, Metin, ndodhën ndërkohë që ajo po paloste rrobat e lara dhe njëherë tjetër ndërsa po e çonte me makinë te dentisti. Një ndër gjërat e shumta që unë adhuroja tek nëna ime, ishte gatishmëria e saj për t’i mësuar fëmijët e vet.

Mësimdhënia e saj prindërore nuk rreshti kurrë. Ndërkohë që po shërbeja si peshkop, nëna ime, atëherë 78 vjeçe, më tha se isha bërë për t’u qethur. Ajo e dinte se duhej të isha shembull dhe nuk ngurroi të ma thoshte këtë. Të dua, Nënë!

Si baba, unë jam i nxitur t’i studioj dhe t’i përsiat personalisht shkrimet e shenjta, me qëllim që të jem në gjendje të përgjigjem kur fëmijët ose nipërit dhe mbesat e mia vijnë në një rast të papritur për mësimdhënie11. “Disa nga çastet më të mira të mësimdhënies fillojnë me një pyetje ose shqetësim në zemrën e një anëtari të [familjes].”12 A po dëgjojmë gjatë atyre çasteve?13

Mua më pëlqen shumë ftesa e Apostullit Pjetër: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo [do të shtoja edhe fëmijës] që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”14.

Kur isha adoleshent, unë dhe babai im kënaqeshim kur e sfidonim njëri-tjetrin për të parë se kush kishte shtrëngimin më të fortë të dorës. I shtrëngonim duart me njëri‑tjetrin sa më fort që të ishte e mundur, në përpjekje për ta bërë tjetrin të ngërdheshej në fytyrë nga dhembja. Tani nuk duket më diçka zbavitëse, por në atë kohë ishte disi. Pas një ndeshjeje të tillë, babi më shihte në sy e thoshte: “Ti ke duar të forta, bir. Shpresoj që duart e tua ta kenë gjithnjë forcën për të mos e prekur kurrë një zonjushë në mënyrë të papërshtatshme.” Më pas ai më ftoi të qëndroja i pastër moralisht dhe t’i ndihmoja të tjerët të bënin të njëjtën gjë.

Plaku Daglas L. Kelister tregoi këtë rreth babait të vet: “Ndërsa një ditë po ktheheshim me makinë nga puna, babai im befas tha: ‘Sot pagova të dhjetën time. Te çeku i së dhjetës shkrova “faleminderit”. I jam kaq mirënjohës Zotit që e bekon familjen tonë.’”

Plaku Kelister më pas shprehu këtë lavdërim për babanë e tij si mësues: “Ai më mësoi si veprimet ashtu edhe sjelljet e bindjes”15.

Më duket e urtë të pyesim me vete herë pas here: “Çfarë do t’u mësoj ose çfarë po u mësoj fëmijëve të mi nëpërmjet veprimeve dhe sjelljeve të mia të bindjes?”

Mësimdhënia për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta

Studimi familjar i shkrimeve të shenjta është një vend ideal për mësimdhënien e doktrinës në shtëpi.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Prindërit tanë jo vetëm që duhet të kapen pas fjalës së Zotit, por ata kanë një përgjegjësi hyjnore për t’ua mësuar atë fëmijëve të tyre”16.

Ndërsa unë dhe Xhuli po i rritnim fëmijët tanë, ne u përpoqëm të ishim këmbëngulës dhe krijues. Një vit vendosëm ta lexonim Librin e Mormonit në spanjisht si familje. Vallë a ishte kjo arsyeja përse Zoti e thirri secilin prej fëmijëve tanë që shërbyen një mision me kohë të plotë, në një mision ku flitej spanjisht? Es posible [Është e mundur].

U preka jashtë mase kur Vëllai Brajën K. Eshtën më tregoi se ai dhe babai i tij lexuan së bashku çdo faqe të Librit të Mormonit gjatë vitit të tij të fundit të shkollës së mesme. Vëllai Eshtën i do shumë shkrimet e shenjta. Ato janë të shkruara në mendjen e tij dhe në zemrën e tij. Babai i tij e mbolli atë farë kur Vëllai Eshtën ishte adoleshent dhe ajo farë17 është rritur në një pemë me rrënjë të thella të së vërtetës. Vëllai Eshtën ka bërë të njëjtën gjë me fëmijët e tij më të mëdhenj.18 Djali i tij tetëvjeçar e pyeti kohët e fundit: “Babi, kur do të filloj ta lexoj Librin e Mormonit me ty?”

Mësimdhënia me Anë të Shembullit

Së fundi, mësimdhënia prindërore më ndikuese është shembulli ynë. Ne këshillohemi që të jemi “shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi”19.

Gjatë një udhëtimi kohët e fundit, unë dhe Xhuli frekuentuam kishën dhe pamë që ky varg gjeti zbatim. Një i ri, që së shpejti do të largohej për në mision, foli në mbledhjen e sakramentit.

Ai tha: “Ju të gjithë mendoni se babai im është një njeri kaq i mirë në kishë, por …”, ai u ndal dhe unë me padurim vrisja mendjen se çfarë do të thoshte më pas. Ai vazhdoi dhe tha: “Ai është një njeri më i mirë në shtëpi”.

Pamja
Familja Stjuart

E falënderova më pas këtë të ri për fjalët frymëzuese që kishte thënë për babanë e tij. Më pas mora vesh se babai i tij ishte peshkopi i lagjes. Edhe pse peshkopi po i shërbente lagjes së tij besnikërisht, djali i tij ndiente se punën më të mirë ai e kryente në shtëpi20.

Plaku D. Tod Kristoferson këshillon: “Ne kemi shumë mënyra për t’i dhënë mësim … brezit të ri dhe ne duhet t’ia përkushtojmë të menduarin dhe përpjekjet tona më të mira për të përfituar plotësisht prej tyre. Mbi të gjitha, ne duhet të vazhdojmë t’i nxitim dhe t’i ndihmojmë prindërit për të qenë mësues më të mirë dhe më të qëndrueshëm … veçanërisht me anë të shembullit.”21

Kjo është mënyra se si jep mësim Shpëtimtari22.

Vitin e kaluar, ndërsa ishim me pushime me dy prej fëmijëve tanë më të vegjël, Xhuli sugjeroi se do të ishim mëkëmbës për pagëzimet si në Tempullin e Seint-Xhorxhit ashtu edhe në Tempullin e San-Diegos. Mërmërita – me vete – teksa mendoja: “Ne shkuam në tempull kur ishim në shtëpi dhe tani jemi me pushime. Përse të mos bëjmë diçka që ngjan më shumë me pushimet?” Pas pagëzimeve, Xhuli donte të bënte fotografi jashtë tempullit. Në heshtje mërmërita – përsëri. Mund ta merrni me mend se çfarë ndodhi më pas – ne bëmë fotografi.

Pamja
Familja Durrant në Tempullin e San-Diegos, Kaliforni
Pamja
Familja Durrant në Tempullin e Seint-Xhorxhit, Juta

Xhuli do që fëmijët tanë të kenë kujtime për rastin kur ndihmuam paraardhësit tanë, po ashtu edhe unë. Nuk na duhej një mësim i mirëfilltë mbi rëndësinë e tempujve. Ne po e jetonim atë – falë një nëne që e do tempullin dhe dëshiron që fëmijët e saj të kenë po atë dashuri.

Ndërsa prindërit e çmojnë njëri‑tjetrin dhe japin shembuj të drejtë, fëmijët bekohen përjetësisht.

Përfundimi

Për të gjithë ju që po përpiqeni fort të bëni më të mirën për të dhënë mësim në shtëpitë tuaja, uroj që të gjeni paqe dhe gëzim në përpjekjet tuaja. Dhe nëse ndieni se ka vend për përmirësim apo keni nevojë për një përgatitje më të madhe, ju lutem, përgjigjuni me përulësi kur Shpirti ju nxit dhe zotohuni për të vepruar23.

Plaku L. Tom Peri tha: “Shëndeti i çfarëdo shoqërie, lumturia e njerëzve të saj, mirëqenia e tyre dhe paqja e tyre të gjitha gjejnë rrënjë të përbashkëta në mësimin e fëmijëve në shtëpi”24.

Po, vatra e shtëpisë sime tani është bosh, por jam ende në gatishmëri, i gatshëm dhe i zellshëm për të gjetur mundësi të tjera të çmuara për t’i mësuar fëmijët e mi të rritur, fëmijët e tyre dhe një ditë, shpresoj, edhe fëmijët e tyre.

Unë lutem për ndihmën e qiellit ndërsa përpiqemi fort që të jemi mësues si Krishti në shtëpitë tona. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 68:25; 93:40.

    Plaku L. Tom Peri dha mësim: “Ndikimi i kundërshtarit është kaq i përhapur dhe ai po sulmon, duke u përpjekur të gërryejë dhe shkatërrojë vetë themelin e shoqërisë sonë, madje familjen. Prindërit duhet ta ndajnë mendjen që mësimdhënia në shtëpi është përgjegjësia më e shenjtë dhe më e rëndësishmja” (“Nënat që i Mësojnë Fëmijët në Shtëpi”, Liahona, maj 2010, f. 30).

    Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhanë mësim: “Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri‑tjetrin dhe për fëmijët e tyre. ‘Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti’ (Psalmi 127:3). Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore, për t’i mësuar ata ta duan dhe t’i shërbejnë njëri‑tjetrit, për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë dhe për të qenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. Bashkëshortët dhe bashkëshortet, nënat dhe etërit, do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145).

  2. Shih Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

  3. Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Sot, nëse ju do të mund t’i pyesnit bijtë tanë të rritur se çfarë kujtojnë për lutjen familjare, studimin e shkrimit të shenjtë dhe mbrëmjen familjare në shtëpi, besoj se e di se si do të përgjigjeshin. Ka gjasa që ata nuk do të vinin në dukje një lutje të veçantë apo një rast specifik të studimit të shkrimit të shenjtë, apo një mësim veçanërisht kuptimplotë të mbrëmjes familjare të shtëpisë, si çastin më karakteristik në zhvillimin e tyre shpirtëror. Ajo që do të thoshin se kujtojnë është që, si familje, ne ishim këmbëngulës” (“Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 19).

  4. Shih “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia”, Himne, nr. 193.

  5. Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli (2016), f. 176.

  6. Shih 2 Nefi 2:11.

  7. N. Eldon Tanner, “Never Be Ashamed of the Gospel of Christ”, Ensign, shkurt 1980, f. 4.

  8. Shih 3 Nefi 18:21.

  9. Shih Mateu 3:16–17; 3 Nefi 11:6–8; Doktrina e Besëlidhje 18:34–36; Joseph Smith – Historia 1:17.

  10. “Përfitoni nga Çaste Rastësore për Mësimdhënie”, Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit (2016), f. 16. Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit përfshin një larmi këshillash dhe mjetesh për mësimdhënien në shtëpi.

  11. Shih Doktrina e Besëlidhje 11:21; 84:85.

  12. Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 16.

  13. Shih “Dëgjoni”, Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 191–192.

  14. 1 Pjetër 3:15.

  15. Douglas L. Callister, “Most Influential Teacher—Emeritus Seventy Pays Tribute to Father”, 29 gusht 2016, news.lds.org.

  16. Russell M. Nelson, “Set in Order Thy House”, Liahona, janar 2002, f. 81.

  17. Shih Alma 32:28–43.

  18. Motra Melinda Eshtën kujdeset në vend të bashkëshortit të saj, Vëllait Eshtën, kur ai ndodhet jashtë qytetit.

  19. 1 Timoteut 4:12; shih edhe Alma 17:11.

  20. Peshkopi Xhefri L. Stjuart shërben në Lagjen e Dytë Sauthgejt në Seint‑Xhorxh, Jutë. Samueli, i biri, tani po shërben në Misionin e Medellinit, Kolumbi.

  21. D. Tod Kristoferson, “Strengthening the Faith and Long-Term Conversion of the Rising Generation”, mbledhje e udhëheqjes të konferencës së përgjithshme, shtator 2017.

  22. Shih 3 Nefi 27:21, 27.

  23. Shih Doktrina e Besëlidhje 43:8–9.

  24. L. Tom Perry, “Nënat që i Mësojnë Fëmijët në Shtëpi”, f. 30.