2010–2019
Përgatituni që të Takoni Perëndinë
Prill 2018


Përgatituni që të Takoni Perëndinë

Ndjekja e përgjegjësive të caktuara në mënyrë hyjnore, me drejtësi, unitet dhe barazi do të na përgatitë që të takojmë Perëndinë.

Eliza R. Snou, duke folur për përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit (në të cilin ajo mori pjesë) tha: “Ceremonitë e atij përkushtimi mund të ritregohen, por asnjë gjuhë tokësore nuk mund të përshkruajë shfaqjet qiellore të asaj dite të paharrueshme. Disave iu shfaqën engjëj, ndërkohë që një ndjesi e pranisë hyjnore u kuptua nga të gjithë të pranishmit dhe çdo zemër u mbush me një hare të patregueshme dhe plot lavdi.”1

Shfaqjet hyjnore që ndodhën në Tempullin e Kirtlandit ishin themelore për qëllimin e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit që të bëjë të ndodhë shpëtimi dhe ekzaltimi i fëmijëve të Atit tonë Qiellor.2 Kur përgatitemi të takojmë Perëndinë, ne mund të dimë se cilat janë përgjegjësitë tona të caktuara në mënyrë hyjnore nëpërmjet shqyrtimit të çelësave të shenjtë, të rivendosur në Tempullin e Kirtlandit.

Në lutjen përkushtuese, Profeti Jozef Smith me përulësi i kërkoi Zotit që “ta prano[nte] këtë shtëpi … të cilën ti vërtet na urdhërove ta ndërtojmë”3.

Një javë më vonë, në të dielën e Pashkës, Zoti u shfaq në një vegim madhështor dhe e pranoi tempullin e Tij. Kjo ndodhi më 3 prill 1836, pothuajse saktësisht 182 vjet më parë nga kjo e diel Pashke. Ishte gjithashtu stina e Pashkës judease – një nga ato raste të rralla kur Pashka e krishterë dhe Pashka judease bien në të njëjtën kohë. Pasi u mbyll vegimi, tre profetë të lashtë, Moisiu, Eliasi dhe Elija, u shfaqen dhe u dorëzuan çelësa që ishin thelbësorë për ta përmbushur qëllimin e Zotit për Kishën e Tij të rivendosur në këtë periudhë ungjillore. Ai qëllim është përcaktuar thjeshtë, por qartësisht, si mbledhja e Izraelit, vulosja e tyre si familje dhe përgatitja e botës për Ardhjen e Dytë të Zotit.4

Shfaqja e Elijas si edhe e Moisiut ishte një “paralelizëm mbresëlënës … [me] traditën judease, sipas së cilës Moisiu dhe Elija do të vijnë së bashku në ‘fundin e kohës’”5. Në doktrinën tonë, kjo shfaqje përmbushi rivendosjen themelore të çelësave të caktuar, të “dhënë … për ditët e fundit dhe për kohën e fundit, në të cilën është periudha e plotësisë së kohëve”6.

Tempulli i Kirtlandit, si në vendndodhje ashtu edhe në madhësi, relativisht nuk binte në sy. Për sa i përket rëndësisë së tij të pamasë për njerëzimin, ai ishte ndërtuar sipas formës së përjetësisë. Profetët e lashtë rivendosën çelësat e priftërisë për ordinancat shpëtuese të përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Kjo shkaktoi një gëzim të jashtëzakonshëm për anëtarët besnikë.

Këta çelësa japin “fuqi nga lart”7 për përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore, të cilat përbëjnë qëllimin kryesor të Kishës.8 Në atë ditë të mrekullueshme Pashke në Tempullin e Kirtlandit, u rivendosën tre çelësa:

Së pari, Moisiu u shfaq dhe dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit nga të katër cepat e tokës, që është puna misionare.9

Së dyti, Eliasi u shfaq dhe dorëzoi çelësat e periudhës së kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, e cila përfshin rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit.10 Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se qëllimi i çelësave të besëlidhjes është t’i përgatitë anëtarët për mbretërinë e Perëndisë. Ai tha: “Ne e dimë cilët jemi dhe [e dimë] se çfarë pret Perëndia nga ne”11.

Së treti, Elija u shfaq dhe dorëzoi çelësat e fuqisë vulosëse në këtë periudhë ungjillore, që është puna për historinë familjare dhe ordinancat e tempullit që e mundësojnë shpëtimin për të gjallët dhe të vdekurit.12

Nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve ka tre këshilla ekzekutivë në zyrat qendrore të Kishës, të cilët i mbikëqyrin këto përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore, nisur nga çelësat që u rivendosën në Tempullin e Kirtlandit. Ata janë Këshilli Ekzekutiv i Misionarëve, Këshilli Ekzekutiv i Priftërisë dhe Familjes dhe Këshilli Ekzekutiv i Tempullit dhe Historisë Familjare.

Çfarë po Bëjmë Sot për t’i Përmbushur Këto Përgjegjësi të Caktuara në Mënyrë Hyjnore?

Së pari, për sa i përket rivendosjes së çelësave të mbledhjes së Izraelit nga Moisiu, sot gati 70 000 misionarë janë të shpërndarë anembanë tokës duke predikuar ungjillin e Tij për t’i mbledhur të zgjedhurit e Tij. Ky është fillimi i përmbushjes së punës së madhe dhe të mrekullueshme që Nefi e parashikoi mes johebrenjve si edhe shtëpisë së Izraelit. Nefi e pa kohën tonë kur shenjtorët e Perëndisë do të ishin mbi gjithë faqen e tokës, por numri i tyre do të ishte i vogël për shkak të ligësisë. Megjithatë ai parashikoi se ata do të “ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”13. Kur hidhet vështrimi përmes historisë së shkurtër të rivendosjes së Kishës, përpjekja misionare ka qenë më mbresëlënësja. Ne po e shohim përmbushjen e vegimit të Nefit. Edhe pse numrat tanë janë relativisht të paktë, ne do ta vazhdojmë përpjekjen tonë dhe shtrirjen tonë drejt atyre që do t’i përgjigjen mesazhit të Shpëtimtarit.

Së dyti, Eliasi u shfaq dhe dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, duke shpallur se në ne dhe në farën tonë gjithë brezat pas nesh do të bekoheshin. Në këtë konferencë, është paraqitur udhërrëfim domethënës për të ndihmuar në përsosjen e shenjtorëve dhe përgatitjen e tyre për mbretërinë e Perëndisë.14 Njoftimi në sesionin e priftërisë lidhur me kuorumet e pleqve dhe të priftërinjve të lartë do ta çlirojë fuqinë dhe autoritetin e priftërisë. Mësimi i shtëpisë dhe vizitat mësimore, tani “dhënia e shërbesës”, sikurse na u dha mësim kaq rrjedhshëm në këtë sesion, do t’i përgatitë shenjtorët e ditëve të mëvonshme të takohen me Perëndinë.

Së treti, Elija dorëzoi çelësat e vulosjes së kësaj periudhe ungjillore. Për ata prej nesh që janë gjallë në këtë kohë, rritja e numrit të tempujve dhe e punës për historinë familjare është fenomenale. Ky ritëm do të vazhdojë dhe do të përshpejtohet deri në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit, përndryshe e gjithë toka do të “shkatërrohe[t] tërësisht në ardhjen e tij”15.

Puna e historisë familjare, e bekuar nga qielli nëpërmjet teknologjisë, është shtuar jashtëzakonisht në disa vite të fundit. Do të ishte e pamend të bëheshim të vetëkënaqur për këtë përgjegjësi të caktuar në mënyrë hyjnore dhe të pritnim që teto Xheni ose një tjetër i afërm i përkushtuar të kujdesej për këtë punë. Më lejoni të them komentet e qarta të Presidentit Jozef Filding Smith: “Askush nuk përjashtohet nga ky detyrim i madh. Ai kërkohet nga apostulli si edhe nga plaku [ose motra] më e përulur. Vendi ose fama, apo shërbimi për shumë kohë në Kishë … nuk do ta cilësojnë dikë që nuk e përfill shpëtimin e një njeriu të vdekur.”16

Ne tani kemi tempuj anekënd botës dhe burimet në fondin e ndihmës për përkrahjen për tempujt që t’i ndihmojmë njerëzit nevojtarë që janë larg nga një tempull.

Si individë, ne do të bënim mirë ta vlerësonim përpjekjen tonë në kryerjen e punës misionare, punës në tempull dhe punës për historinë familjare dhe në përgatitjet për të takuar Perëndinë.

Drejtësia, Uniteti dhe Barazia përpara Zotit Janë Themeli i Këtyre Përgjegjësive të Shenjta

Për sa i përket drejtësisë, kjo jetë është koha për ne të gjithë që të përgatitemi për ta takuar Perëndinë.17 Libri i Mormonit jep shembuj të shumtë të pasojave tragjike kur individë ose grupe dështojnë në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë.18

Gjatë kohës së jetës sime, çështjet dhe shqetësimet e botës kanë shkuar nga njëri skaj në tjetrin – nga veprimtari të pavlera dhe të parëndësishme drejt imoralitetit të rëndë. Është për t’u lavdëruar që imoraliteti pa pëlqimin e të dyja palëve është ekspozuar dhe dënuar.19 Një imoralitet i tillë pa pëlqimin e të dy palëve është kundër ligjeve të Perëndisë dhe të shoqërisë. Ata që e kuptojnë planin e Perëndisë duhet të kundërshtojnë edhe imoralitetin me pëlqim, i cili gjithashtu është mëkat. Proklamata për familjen drejtuar botës paralajmëron “se individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët [ose, për këtë arsye, cilindo tjetër] … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”20.

Kur e hedhim vështrimin përreth, ne shohim shkatërrimin e ligësisë dhe të varësisë në çdo cep. Në qoftë se, si individë, vërtet shqetësohemi rreth gjykimit përfundimtar nga Shpëtimtari, ne duhet të kërkojmë pendimin. Kam frikë se shumë njerëz nuk ndihen më përgjegjës ndaj Perëndisë dhe nuk u kthehen shkrimeve të shenjta ose profetëve për udhërrëfim. Në qoftë se ne, si shoqëri, do të mendonim për pasojat e mëkatit, do të kishte kundërshtim të fuqishëm publik ndaj pornografisë dhe konsiderimit të grave si objekt. Sikurse i tha Alma birit të tij, Koriantonit, në Librin e Mormonit: “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”22.

Për sa i përket unitetit, Shpëtimtari shpalli: “Nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”23. E dimë që shpirti i grindjes është nga djalli.24

Në kohën tonë, porosia e shkrimeve të shenjta për unitet shpërfillet gjerësisht dhe për shumë njerëz theksimi është tek besnikëria fisnore25, shpesh nisur nga pozita, gjinia, raca dhe pasuria. Në shumë vende, për të mos thënë në shumicën, njerëzit janë të ndarë thellësisht sipas mënyrës se si jetojnë. Në Kishën e Zotit, e vetmja kulturë që e mbështetim dhe e japim mësim, është kultura e ungjillit të Jezu Krishtit. Uniteti që kërkojmë, është të bëhemi një me Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij.26

Kur marrim parasysh qëllimet kryesore të Kishës, ato të gjitha bazohen te barazia përpara Zotit27 dhe ndjekja e kulturës së ungjillit të Jezu Krishtit. Për sa i përket punës misionare, kualifikimet kryesore për pagëzim janë ta përulim veten para Perëndisë dhe të vijmë me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar.28 Shkollimi, pasuria, raca ose origjina kombëtare as nuk merren në konsideratë.

Përveç këtyre, misionarët shërbejnë me përulësi atje ku thirren. Ata nuk përpiqen të shërbejnë bazuar në standardet sipas botës për gjendjen apo përgatitjen për karrierat e ardhshme. Ata shërbejnë me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e tyre kudo ku caktohen. Ata nuk i zgjedhin shoqëruesit e tyre misionarë dhe kërkojnë plot zell të zhvillojnë tipare si të Krishtit29, gjëra të cilat janë në thelb të kulturës së Jezu Krishtit.

Shkrimet e shenjta na japin udhëzim për marrëdhëniet tona më të rëndësishme. Shpëtimtari dha mësim se urdhërimi i parë ishte: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd”. Dhe i dyti është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”30.

Shpëtimtari shpjegoi përveç kësaj se çdo njeri është i afërmi ynë.31 Libri i Mormonit e bën të qartë se nuk duhet të ketë asnjë lloj -itësh, fisesh apo klasash shoqërore.32 Duhet të jemi të bashkuar dhe të barabartë përpara Perëndisë.

Ordinancat e shenjta dhe përgjegjësitë hyjnore ngrihen mbi atë kusht paraprak. Do të prisja që vetë përvojat tuaja në tempull do të ishin të ngjashme me të mijat. Kur e lija botën time të punëve të përditshme në San-Francisko dhe mbërrija në Tempullin e Oklandit, përjetoja një ndjenjë mbizotëruese të dashurisë e paqes. Një pjesë e madhe e kësaj ishte ndjesia se isha më pranë Perëndisë dhe qëllimeve të Tij. Ordinancat shpëtuese ishin përqendrimi im kryesor, por një pjesë domethënëse e atyre ndjenjave të bukura ishte barazia dhe uniteti që e përshkojnë tempullin. Gjithkush vishet me rroba të bardha. Nuk ka dukje të pasurisë, rangut ose arritjeve arsimore; ne jemi të gjithë vëllezër e motra duke e përulur veten tonë përpara Perëndisë.

Në dhomën e shenjtë të vulosjes, ordinanca e martesës së përjetshme është e njëjtë për të gjithë. Më pëlqen shumë fakti që çifti nga prejardhja më e përulur dhe çifti nga prejardhja më e pasur kanë saktësisht të njëjtën përvojë. Ata veshin të njëjtin lloj rrobash dhe bëjnë të njëjtat besëlidhje përballë njëri-tjetrit tek i njëjti altar. Ata gjithashtu marrin të njëjtat bekime të përjetshme të priftërisë. Kjo kryhet në një tempull të bukur, të ndërtuar nga të dhjetat e shenjtorëve, si shtëpia e shenjtë e Zotit.

Përmbushja e përgjegjësive të caktuara në mënyrë hyjnore, mbi bazën e drejtësisë, unitetit dhe barazisë përpara Zotit, sjell lumturi dhe paqe vetjake në këtë botë dhe na përgatit për jetën e përjetshme në botën që vjen.33 Na përgatit për të takuar Perëndinë.34

Lutemi që secili prej jush, pavarësisht nga rrethanat tuaja të tanishme, do të këshillohet me peshkopin tuaj dhe do të jetë i/e denjë për një rekomandim tempulli.35

Ne jemi mirënjohës që shumë më tepër anëtarë po përgatiten për të shkuar në tempull. Ka pasur një rritje domethënëse në numrin e të rriturve të denjë që mbajnë rekomandim tempulli për shumë vite. Rekomandimet me përdorim të kufizuar për rininë e denjë janë rritur jashtëzakonisht në dy vitet e fundit. Qartësisht pjesa thelbësore e anëtarësisë besnike të Kishës nuk ka qenë kurrë më e fortë.

Në përfundim, ju lutem jini të sigurt që udhëheqësit drejtues të Kishës, të cilët kryesojnë mbi qëllimet e caktuara në mënyrë hyjnore të Kishës, marrin ndihmë hyjnore. Ky udhërrëfim vjen nga Shpirti dhe nganjëherë drejtpërsëdrejti nga Shpëtimtari. Janë dhënë të dyja llojet e udhërrëfimit shpirtëror. Jam mirënjohës që e kam marrë një ndihmë të tillë. Por udhërrëfimi jepet në kohën e Zotit, rresht pas rreshti dhe parim pas parimi36, kur “një Zot i gjithëdijshëm qëllimisht zgjedh të na shkollojë”37. Udhërrëfimi për Kishën si një e tërë vjen vetëm nga profeti i Tij.

Ne të gjithë e patëm privilegjin ta mbështetnim Presidentin Rasëll M. Nelson si profetin tonë dhe Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në këtë konferencë. Të Dymbëdhjetët, si grup dhe individualisht, patën një përvojë të rëndësishme shpirtërore kur ne i vumë duart tona mbi kokën e Presidentit Nelson dhe Presidenti Dallin H. Ouks, duke vepruar si zëri, e shuguroi atë dhe e veçoi atë si Presidentin e Kishës. Unë dëshmoj se ai u parashugurua dhe është përgatitur gjatë gjithë jetës së tij që të jetë profeti i Zotit për kohën tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.