2010–2019
Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra
Prill 2018


Zemërbutë dhe të Përulur nga Zemra

Zemërbutësia është një tipar përcaktues i Shëlbuesit dhe vihet në dukje prej aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi, për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi.

Gëzohem në mundësinë e shenjtë për të mbështetur udhëheqësit tanë të Kishës dhe i uroj përzemërsisht mirëseardhjen Plakut Gong dhe Plakut Soares në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Shërbesat e këtyre burrave besnikë do të bekojnë individë e familje anembanë botës dhe unë pres me dëshirë që të shërbej me ta dhe mësoj prej tyre.

Lutem që Fryma e Shenjtë do të na japë mësim e do të na ndriçojë ndërsa mësojmë së bashku rreth një aspekti jetik të natyrës hyjnore të Shpëtimtarit1, që secili prej nesh duhet të përpiqet fort ta ndjekë.

Do të paraqes disa shembuj që e theksojnë këtë cilësi si të Krishtit përpara se ta përcaktoj tiparin e veçantë më vonë në mesazhin tim. Ju lutem, dëgjojeni me kujdes secilin shembull dhe merrini në shqyrtim me mua përgjigjet e mundshme të pyetjeve që do të shtroj.

Shembulli 1. I Riu Pasanik dhe Amuleku

Në Dhiatën e Re, ne mësojmë për një të ri pasanik, i cili e pyeti Jezusin: “Mësuesi i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?”2 Shpëtimtari fillimisht e këshilloi të zbatonte urdhërimet. Mësuesi më pas i bëri të riut një kërkesë shtesë, të përshtatur sipas nevojave dhe rrethanave të tij të veçanta.

“Jezusi i tha: ‘Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua’.

Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.”3

Krahasojeni përgjigjen e të riut pasanik me përvojën e Amulekut, siç përshkruhet në Librin e Mormonit. Amuleku ishte një burrë punëtor dhe i pasur, me shumë farefis e miq.4 Ai e përshkroi veten e tij si një burrë i cili u thirr shumë herë, por nuk donte të dëgjonte; një burrë i cili i dinte gjërat e Perëndisë, por nuk zgjodhi t’i dinte.5 Një burrë i mirë në thelb, Amuleku e humbi përqendrimin për shkak të shqetësimeve të botës, po ashtu si i riu pasanik i përshkruar në Dhiatën e Re.

Edhe pse e kishte ngurtësuar zemrën më parë, Amuleku iu bind zërit të një engjëlli, e pranoi profetin Alma në shtëpinë e vet dhe i siguroi ushqim. Ai u zgjua shpirtërisht gjatë vizitës së Almës dhe u thirr të predikonte ungjillin. Amuleku më pas hoqi dorë nga “i gjithë ari dhe argjendi i tij dhe nga gjërat e çmueshme të tij … për fjalën e Perëndisë, [dhe nuk] u pranua më nga ata që kishin qenë njëherë miqtë e tij dhe gjithashtu nga i ati dhe nga farefisi i tij”6.

Çfarë mendoni se e shpjegon ndryshimin midis përgjigjeve të të riut pasanik dhe Amulekut?

Shembulli 2. Pahorani

Gjatë një periudhe të rrezikshme lufte, të përshkruar në Librin e Mormonit, ndodhi një shkëmbim letrash midis Moronit, kapitenit të ushtrive nefite, dhe Pahoranit, kryegjykatësit dhe guvernatorit të vendit. Moroni, ushtria e të cilit po vuante për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme nga qeveria, i shkroi Pahoranit “për t[a] dënuar”7 dhe e akuzoi atë dhe bashkëudhëheqësit e tjerë për moskokëçarje, plogështi, mospërfillje dhe madje që ishin tradhtarë.8

Pahorani mund të ishte inatosur fare lehtë me Moronin dhe deklarimet e tij të pasakta, por nuk u inatos. Ai u përgjigj me dhembshuri dhe përshkroi një rebelim kundër qeverisë për të cilin Moroni nuk kishte dijeni. Dhe më pas Pahorani shpalli:

“Vër re, unë po të them ty Moroni se nuk gëzohem për vuajtjet tuaja të mëdha, po, ato e brengosin shpirtin tim. …

… Në letrën tënde ti më ke qortuar, por nuk ka rëndësi; unë nuk jam zemëruar, por gëzohem nga zemërmadhësia jote.”9

Çfarë mendoni se e shpjegon përgjigjen e matur të Pahoranit kundrejt akuzave të Moronit?

Shembulli 3. Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti Henri B. Ajring

Në konferencën e përgjithshme gjashtë muaj më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson përshkroi përgjigjen e tij ndaj ftesës së Presidentit Tomas S. Monson për t’i studiuar, përsiatur dhe vënë në jetë të vërtetat që përmbahen në Librin e Mormonit. Ai tha: “Jam përpjekur ta ndjek këshillën e tij. Mes gjërash të tjera, kam bërë lista se çfarë është Libri i Mormonit, çfarë pohon, çfarë përgënjeshtron, çfarë përmbush, çfarë sqaron dhe çfarë zbulon. Qasja ndaj Librit të Mormonit në atë këndvështrim ka qenë një ushtrim mbresëlënës dhe frymëzues! Jua rekomandoj secilit prej jush.”10

Presidenti Henri B. Ajring po ashtu theksoi rëndësinë që pati në jetën e tij kërkesa e Presidentit Monson. Ai vëzhgoi:

“E kam lexuar Librin e Mormonit çdo ditë për më shumë se 50 vjet. Prandaj mbase mund të kisha menduar me arsye se fjalët e Presidentit Monson ishin për dikë tjetër. Prapëseprapë, si shumë prej jush, unë e ndjeva inkurajimin nga profeti dhe premtimin e tij të më ftonin për të bërë një përpjekje më të madhe. …

Rezultati i lumtur për mua dhe për shumë prej jush, ka qenë ajo që premtoi profeti.”11

Çfarë mendoni se i shpjegon përgjigjet e menjëhershme dhe të përzemërta ndaj ftesës së Presidentit Monson nga këta dy udhëheqës të Kishës së Zotit?

Nuk po sugjeroj që përgjigjet e forta shpirtërisht të Amulekut, Pahoranit, Presidentit Nelson dhe Presidentit Ajring shpjegohen vetëm nga një cilësi si e Krishtit. Sigurisht, shumë tipare dhe përvoja të ndërthurura çuan drejt pjekurisë shpirtërore të pasqyruar në jetën e këtyre katër shërbëtorëve fisnikë. Por Shpëtimtari dhe profetët e Tij kanë theksuar një cilësi thelbësore që ne të gjithë kemi nevojë ta kuptojmë më tërësisht dhe të përpiqemi fort që ta përfshijmë në jetën tonë.

Zemërbutësia

Ju lutem vini re karakteristikën që e përdori Zoti për ta përshkruar veten e Tij në shkrimin e shenjtë vijues: “Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”12.

Në mënyrë udhëzuese, Shpëtimtari zgjodhi të theksonte zemërbutësinë mes gjithë tipareve dhe virtyteve që Ai mund t’i kishte përzgjedhur.

Një model i ngjashëm është i dukshëm në një zbulesë të marrë nga Profeti Jozef Smith në vitin 1829. Zoti shpalli: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua”13.

Zemërbutësia është një tipar përcaktues i Shëlbuesit dhe vihet në dukje prej aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi, për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi. Kjo cilësi na ndihmon t’i kuptojmë më tërësisht reagimet përkatëse të Amulekut, Pahoranit, Presidentit Nelson dhe Presidentit Ajring.

Për shembull, Presidenti Nelson dhe Presidenti Ajring iu përgjigjën me drejtësi e me të shpejtë inkurajimit nga Presidenti Monson për ta lexuar e studiuar Librin e Mormonit. Edhe pse që të dy burrat po shërbenin në detyra të rëndësishme dhe të shquara në Kishë dhe i kishin studiuar shkrimet e shenjta gjerësisht për dekada, ata në përgjigjet e tyre nuk shfaqën asnjë ngurrim apo ndjenjë që t’i jepnin rëndësi vetes.

Amuleku iu nënshtrua me gatishmëri vullnetit të Perëndisë, pranoi një thirrje për ta predikuar ungjillin dhe i la pas rrethanat e tij të rehatshme dhe marrëdhëniet familjare. Dhe Pahorani u bekua me një vetëpërmbajtje largpamëse dhe të fuqishme për të vepruar, në vend që të reagonte teksa i shpjegonte Moronit sfidat që kishin dalë nga rebelimi kundër qeverisë.

Cilësia si e Krishtit e zemërbutësisë shpesh keqkuptohet në botën tonë bashkëkohore. Zemërbutësia është e fortë, jo e dobët; vepruese, jo pësuese; e guximshme, jo e ndrojtur; e përmbajtur, jo e tepruar; e thjeshtë, jo vetëmburrëse; dhe e hirshme, jo e pahijshme. Një njeri zemërbutë nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk ka pretendime ose nuk është imponues, dhe me gatishmëri i vlerëson arritjet e të tjerëve.

Ndërkohë që përulësia në përgjithësi nënkupton varësinë nga Perëndia dhe nevojën e vazhdueshme për udhërrëfimin dhe përkrahjen e Tij, një karakteristikë dalluese e zemërbutësisë është një aftësi pranuese e veçantë shpirtërore për të mësuar nga Fryma e Shenjtë si edhe nga njerëzit që mund të duken më pak të zotë, me më pak përvojë ose më pak të arsimuar, të cilët mund të mos mbajnë pozita të rëndësishme, apo që ndryshe mund të mos duken se kanë shumë për të dhënë nga vetja. Silleni ndërmend se si Naamani, komandanti i ushtrisë së mbretit të Sirisë, e mposhti krenarinë e vet dhe me zemërbutësi e pranoi këshillën e shërbëtorëve të tij që t’i bindej Eliseut, profetit, dhe të lahej në lumin Jordan shtatë herë.14 Zemërbutësia është mbrojtja kryesore nga verbëria kryelartë që shpesh rrjedh nga fama, pozita, pushteti, pasuria dhe lajkat.

Zemërbutësia – një Tipar si i Krishtit dhe një Dhuratë Shpirtërore

Zemërbutësia është një tipar i zhvilluar nëpërmjet dëshirës, ushtrimit me drejtësi të lirisë së zgjedhjes dhe përpjekjes së fuqishme për të ruajtur gjithmonë një shlyerje të mëkateve tona.15 Ajo është gjithashtu një dhuratë shpirtërore të cilën ne mund ta kërkojmë në mënyrën e duhur.16 Gjithsesi, ne duhet t’i mbajmë mend qëllimet për të cilat jepet një bekim i tillë, madje për t’u sjellë dobi dhe për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë.17

Kur vijmë te Shpëtimtari dhe e ndjekim Atë, ne jemi në gjendje që dalëngadalë dhe shkallë-shkallë të aftësohemi për t’u bërë më shumë si Ai. Ne fuqizohemi nga Shpirti me vetëpërmbajtje të disiplinuar dhe një sjellje të qëndrueshme e të qetë. Prandaj, zemërbutësia është cilësia që fitojmë kur bëhemi dishepuj të Mësuesit dhe jo thjesht diçka që ne e bëjmë vetë.

“Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra”18. Prapëseprapë, ai “ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut”19. Dituria dhe zotësia e tij mund të kishin bërë që ai të ishte plot krenari. Përkundrazi, tipari dhe dhurata shpirtërore e zemërbutësisë, me të cilën ai u bekua, e pakësuan arrogancën nga jeta e tij dhe e lartësuan Moisiun si një mjet për t’i plotësuar qëllimet e Perëndisë.

Mësuesi si një Shembull i Zemërbutësisë

Shembujt më të madhërishëm dhe më domethënës të zemërbutësisë gjenden në jetën e Vetë Shpëtimtarit.

Shëlbuesi i Madh, i cili “zbriti nën gjithçka”20 dhe vuajti, u gjakos dhe vdiq që “të na pastrojë nga çdo paudhësi”21, me dhembshuri i lau këmbët e pluhurosura të dishepujve të Tij.22 Një zemërbutësi e tillë është një karakteristikë dalluese e Zotit, si shërbëtor dhe udhëheqës.

Jezusi jep shembullin më të lartë të aftësisë për t’u përgjigjur me drejtësi dhe aftësisë për t’u nënshtruar me gatishmëri, teksa vuajti agoninë rënduese në Gjetseman.

“Kur arriti në vend, u tha [dishepujve të Tij]: ‘Lutuni që të mos hyni në tundim’.

Dhe … ra në gjunjë dhe lutej, duke thënë:

‘O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti’.”23

Zemërbutësia e Shpëtimtarit në këtë përvojë përjetësisht thelbësore dhe stërmunduese tregon për secilin prej nesh rëndësinë që ka vënia e urtësisë së Perëndisë përpara vetë urtësisë sonë.

Qëndrueshmëria e aftësisë së Zotit për t’u nënshtruar me gatishmëri dhe për t’u vetëpërmbajtur me fuqi është për ne të gjithë mbresëlënëse dhe frymëzuese. Kur një grup i armatosur i rojave të tempullit dhe i ushtarëve romakë mbërritën në Gjetseman për ta kapur dhe arrestuar Jezusin, Pjetri nxori shpatën e vet dhe ia preu veshin e djathtë shërbëtorit të kryepriftit.24 Atëherë Shpëtimtari e preku veshin e shërbëtorit dhe e shëroi.25 Ju lutem, vini re që Ai e shtriu dorën dhe e bekoi robëruesin e Tij të mundshëm, duke përdorur të njëjtën fuqi qiellore që mund të mos e kishte lejuar Atë të zihej rob dhe të kryqëzohej.

Merrni gjithashtu parasysh mënyrën se si Mësuesi u akuzua dhe u dënua përpara Pilatit që të kryqëzohej.26 Jezusi kishte shpallur gjatë tradhtisë që i bënë: “A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?”27 Prapëseprapë, “Gjykatësi [i] Përjetshëm [i] atyre që janë gjallë dhe që kanë vdekur”28 në mënyrë paradoksale u gjykua përpara një njeriu të caktuar përkohësisht në një pozitë politike. “Por [Jezusi] nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.”29 Zemërbutësia e Shpëtimtarit dëshmohet në përgjigjen e Tij të disiplinuar, vetëpërmbajtjen e fuqishme dhe mungesën e dëshirës për ta ushtruar fuqinë e Tij të pafundme për përfitim vetjak.

Premtimi dhe Dëshmia

Mormoni e përkufizon zemërbutësinë si themelin prej të cilit ngrihen të gjitha aftësitë dhe dhuratat shpirtërore.

“Prandaj, në qoftë se një njeri ka besim, ai duhet të ketë shpresë, pasi pa besim, nuk mund të ketë ndonjë shpresë.

Dhe përsëri vini re, unë ju them juve se ai nuk mund të ketë besim dhe shpresë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përvuajtur në zemër.

Përndryshe, besimi dhe shpresa e tij është e kotë, meqë askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër; dhe në qoftë se një njeri është i bindur dhe i përulur në zemër dhe pohon me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, ai duhet të ketë dashuri hyjnore; pasi në qoftë se nuk ka dashuri hyjnore, ai s’është asgjë; prandaj është e nevojshme që të ketë dashuri hyjnore.”30

Shpëtimtari shpalli: “Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën”31. Zemërbutësia është një aspekt thelbësor i natyrës hyjnore dhe mund të merret e zhvillohet në jetën tonë për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe nëpërmjet asaj Shlyerje.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë i ringjallur dhe i gjallë. Dhe premtoj se Ai do të na udhërrëfejë, mbrojë e forcojë ndërkohë që ecim në butësinë e Shpirtit të Tij. Unë shpall dëshminë time të sigurt për këto të vërteta, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.