2010–2019
Ordinancat Shpëtuese Do të Na Sjellin Dritë të Mrekullueshme
Prill 2018


Ordinancat Shpëtuese Do të Na Sjellin Dritë të Mrekullueshme

Pjesëmarrja në ordinanca dhe nderimi i besëlidhjeve që i shoqërojnë ato do t’ju sjellin dritë të mrekullueshme dhe mbrojtje në këtë botë gjithnjë e më të errët.

Vëllezër e motra, unë gëzohem me ju në ungjill ose në doktrinën e Krishtit.

Një mik një herë e pyeti Plakun Nil L. Andersen, në atë kohë një i Shtatëdhjetë, si ndihej kur fliste përpara 21000 njerëzve në Qendrën e Konferencave. Plaku Andersen u përgjigj: “Nuk janë 21000 njerëzit që të vënë në siklet, janë 15 Vëllezërit e ulur prapa teje”. Atëherë nënqesha, por tani e kuptoj. Sa i dua dhe i mbështet këta 15 burra si profetë, shikues e zbulues!

Zoti i tha Abrahamit se nëpërmjet farës së tij dhe nëpërmjet priftërisë, të gjitha familjet e tokës do të bekoheshin “me bekimet e Ungjillit, … madje të jetës së përjetshme” (Abraham 2:11; shih edhe vargjet 2–10).

Këto bekime të premtuara të ungjillit dhe të priftërisë u rivendosën në tokë dhe më pas, në vitin 1842, Profeti Jozef Smith ua administroi dhurimin [indaumentin] një numri të kufizuar burrash e grash. Mërsi Fillding Tompson ishte njëra prej tyre. Profeti i tha asaj: “K[y dhurim] do të të nxjerrë nga errësira në dritë të mrekullueshme”1.

Sot dua të përqendrohem tek ordinancat shpëtuese që do të na sjellin juve dhe mua dritë të mrekullueshme.

Ordinancat dhe Besëlidhjet

Tek Të Vërtetë ndaj Besimit lexojmë: “Një ordinancë është një akt i shenjtë e zyrtar që kryhet nëpërmjet autoritetit të priftërisë. Ordinanca[t] [që] janë thelbësore për ekzaltimin tonë … quhen ordinanca shpëtuese. Ato përfshijnë pagëzimin, konfirmimin, shugurimin [në] Priftëri[n]ë Melkizedeke (për burrat), indaumentin [në] tempull… dhe vulosjen e martesës.”2

Plaku Dejvid A. Bednar na mësoi: “Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, të administruara në Kishën e rivendosur të Zotit … përbëjnë kanalet e autorizuara nëpërmjet të cilave bekimet dhe fuqitë e qiellit mund të rrjedhin brenda jetës sonë individuale.”3

Si një monedhë me dy anë, të gjitha ordinancat shpëtuese shoqërohen nga besëlidhje me Perëndinë. Perëndia na premtoi bekime nëse i nderojmë me besnikëri ato besëlidhje.

Profeti Amuleku shpalli: “Kjo … është koha për … t[’u] përgatit[ur që] të takohe[mi] me Perëndinë” (Alma 34:32). Si përgatitemi ne? Duke i marrë ordinancat me denjësi. Për ta thënë me fjalët e Presidentit Rasëll M.Nelson, ne gjithashtu duhet të “vazhdo[jmë] në shtegun e besëlidhjeve”. Presidenti Nelson vazhdoi: “Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.”4

Xhoni dhe Boni Njuman, njësoj si shumë prej jush, janë marrës të bekimeve shpirtërore që u premtuan nga Presidenti Nelson. Një të diel, pasi shkoi në kishë me tre fëmijët e saj të vegjël, Boni i tha Xhonit, i cili nuk ishte anëtar i Kishës: “Unë nuk mund ta bëj e vetme këtë gjë. Duhet të vendosësh a do të vish në kishën time me ne ose zgjidh një kishë në të cilën mund të shkojmë bashkë, por fëmijët kanë nevojë ta dinë që edhe babai i tyre e do Perëndinë.” Të dielën vijuese dhe çdo të diel pas asaj, Xhoni jo vetëm që shkoi në kishë; ai edhe shërbeu duke luajtur në piano për shumë lagje, degë e klasa Filloreje përgjatë viteve. Pata privilegjin të takohesha me Xhonin në prill 2015, dhe në atë takim, diskutuam për faktin se mënyra më e mirë me anë të së cilës ai mund ta shfaqte dashurinë e tij për Bonin, ishte ta çonte atë në tempull, por kjo nuk mund të ndodhte nëse ai nuk pagëzohej.

Xhoni u pagëzua në vitin 2015, pasi e frekuentoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për 39 vjet. Një vit më vonë, Xhoni dhe Boni u vulosën në Tempullin e Memfisit në Tenesi, 20 vjet pasi ajo kishte marrë dhurimin [indaumentin] e vet. Djali i tyre 47-vjeçar, Roberti, tha për të atin: “Babi është çelur vërtet që kur ka marrë priftërinë”. Boni shtoi: “Xhoni ka qenë gjithnjë një njeri i lumtur dhe i hareshëm, por marrja e ordinancave dhe nderimi i besëlidhjeve të tij e ka zgjeruar mirësinë e tij”.

Shlyerja e Krishtit dhe Shembulli i Tij

Shumë vjet më parë, Presidenti Bojd K. Paker paralajmëroi: “Sjellja e mirë pa ordinancat e ungjillit nuk do ta shëlbojë e as nuk do ta ekzaltojë njerëzimin”5. Në fakt, nuk na nevojiten vetëm ordinancat dhe besëlidhjet për t’u rikthyer tek Ati ynë, por na nevojitet edhe Biri i Tij, Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.

Mbreti Beniamin dha mësim se fëmijëve të njerëzve mund t’u vijë shpëtimi vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit (shih Mosia 3:17; shih edhe Nenet e Besimit 1:3).

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti na shëlboi nga pasojat e Rënies së Adamit dhe e bëri të mundur pendimin dhe ekzaltimin tonë përfundimtar. Gjatë gjithë jetës së Tij, Ai na dha shembullin që t’i marrim ordinancat shpëtuese në të cilat “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (DeB 84:20).

Pasi Shpëtimtari e mori ordinancën e pagëzimit për të “plotësuar të gjithë drejtësinë” (shih 2 Nefi 31:5–6), Satani e tundoi Atë. Po ashtu, tundimet tona nuk mbarojnë pas pagëzimit ose vulosjes, por marrja e ordinancave të shenjta dhe nderimi i besëlidhjeve që i shoqërojnë ato na mbushin me dritë të mrekullueshme dhe na japin forcën për t’iu bërë ballë e për t’i mposhtur tundimet.

Paralajmërim

Isaia profetizoi se në ditët e mëvonshme, “toka është përdhosur … sepse këta kanë … marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme” (Isaia 24:5; shih edhe DeB 1:15).

Një paralajmërim i përafërt, që iu zbulua Profetit Jozef Smith, ishte që disa njerëz i “afrohen [Zotit] me buzët e tyre, … [dhe] ata u mësojnë për doktrina urdhërimet e njerëzve, duke patur një formë shenjtërie, por e mohojnë fuqinë e saj”(Joseph Smith – Historia 1:19).

Pali gjithashtu paralajmëroi se shumë njerëz do të ishin “të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu” (2 Timoteut 3:5). E përsërit, nga këta largohuni.

Shpërqendrimet dhe tundimet e shumta të jetës janë si “ujqër grabitqarë” (Mateu 7:15). Është bariu i vërtetë që do ta përgatitë, mbrojë dhe paralajmërojë delen dhe tufën kur këta ujqër të afrohen (shih Gjoni 10:11–12). Si ndihmësbarinj që kërkojmë të imitojnë jetën e përsosur të Bariut të Mirë, a nuk jemi ne barinj për vetë shpirtin tonë si edhe për shpirtin e të tjerëve? Me këshillën e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve, të cilët sapo i mbështetëm, dhe me fuqinë dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne mund t’i shohim ujqërit tek vijnë nëse jemi syçelë dhe të përgatitur. Në kundërshtim me këtë, nëse jemi barinj të shkujdesur të vetë shpirtit tonë dhe të të tjerëve, ka të ngjarë të ketë humbje shpirtrash. Shkujdesja çon në humbje shpirtrash. E ftoj secilin prej nesh që ta jetë një bari besnik.

Përvoja dhe Dëshmia

Sakramenti është një ordinancë që na ndihmon të qëndrojmë në shteg dhe marrja e tij me denjësi është provë që ne po i mbajmë besëlidhjet që i shoqërojnë të gjitha ordinancat e tjera. Disa vite më parë, kur unë dhe bashkëshortja ime Anita po shërbenim në Misionin e Litëll-Rokut në Arkansas, dola të jepja mësim me dy misionarë të rinj në moshë. Gjatë mësimit, vëllai i mirë të cilit po i jepnim mësim tha: “Kam qenë në kishën tuaj; pse duhet të hani bukë e të pini ujë çdo të diel? Në kishën tonë, e bëjmë atë dy herë në vit, për Pashkë dhe Krishtlindje dhe kjo është shumë kuptimplote.”

Ne i treguam atij se jemi urdhëruar që të “mblidhe[mi] shpesh së bashku [që] të m[arrim] bukë dhe verë” (Moroni 6:6; shih edhe DeB 20:75). Lexuam me zë të lartë Mateun 26 dhe 3 Nefin 18. Ai përgjigj se prapë nuk e kuptonte pse ishte e nevojshme të bëhej.

Më pas i treguam krahasimin që vijon: “Përfytyro sikur je përfshirë në një aksident të rëndë me makinë. Je lënduar dhe ke humbur ndjenjat. Dikush të afrohet me vrap duke e parë që je pa ndjenja dhe merr në telefon numrin e urgjencës 127. Të jepet ndihma e shpejtë dhe bëhesh i ndërgjegjshëm.”

E pyetëm këtë vëlla: “Kur të jesh në gjendje të dallosh se ku je, çfarë pyetjesh do të kesh?”

Ai tha: “Do të dëshiroj të di si përfundova atje dhe kush më gjeti. Do të dëshiroja ta falënderoja atë çdo ditë ngaqë më shpëtoi jetën.”

I treguam këtij vëllai të mirë në ç’mënyrë Shpëtimtari na shpëtoi jetën dhe se si nevojitet ta falënderojmë Atë çdo ditë, përditë!

Më pas e pyetëm: “Duke e ditur se Ai dha jetën për ty e për ne, sa shpesh do të dëshiroje ta haje bukën e ta pije ujin si emblema të trupit dhe gjakut të Tij?”

Ai tha: “E kuptoj, e kuptoj. Por ka edhe diçka tjetër. Kisha juaj nuk ka gjallëri si e jona.”

Asaj pyetjeje iu përgjigjëm: “Çfarë do të bëje nëse Shpëtimtari Jezu Krisht do të hynte në derën tënde?”

Ai tha: “Do të gjunjëzohesha menjëherë”.

E pyetëm: “A nuk është kjo ajo që ndien kur hyn në godinat kishtare të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – nderim për Shpëtimtarin?”

Ai tha: “E kuptoj, e kuptoj!”

Ai erdhi në kishë atë të diel Pashke dhe vazhdoi të kthehej atje.

E ftoj secilin prej nesh ta pyetë veten: “Çfarë ordinancash, përfshirë sakramentin, më nevojitet të marr dhe çfarë besëlidhjesh, mbaj dhe nderoj?” Ju premtoj se pjesëmarrja në ordinanca dhe nderimi i besëlidhjeve që i shoqërojnë ato do t’ju sjellin dritë të mrekullueshme dhe mbrojtje në këtë botë gjithnjë e më të errët. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.