2009
I Etur për të Mësuar
Prill 2009


I Etur për të Mësuar

“Kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” ( DeB 88:118).

Rasëlli i futi me kujdes dy lapsat dhe bllokun e tij të shënimeve tek çanta e shkollës. Ai u kreh dhe kontrolloi që rrobat e tij të dukeshin këndshëm. Pasi e përqafoi mamin për ta përshëndetur, ai vrapoi për tek stacioni i autobuzit. I dukej sikur do të pëlciste nëse autobuzi nuk do të vinte shpejt. Ishte i emocionuar se do të fillonte shkollën për herë të parë.

Çdo vit Rasëlli kishte vështruar vëllezërit e motrat e tij më të rritur që shkonin tek stacioni, ku hipnin tek autobuzi për të shkuar në shkollë. Ai donte të udhëtonte me autobuz bashkë me ta. Për më tepër, ai donte të mësonte gjërat që mësonin ata. Ai donte të mësonte më shumë për dinozaurët. Ai donte të dinte si funksionin trenat. Ai donte të mësonte që të lexonte. Thjesht e dinte që do t’i pëlqente shkolla.

Mësuesja e Rasëllit, zonjusha Uilson, i buzëqeshi kur hyri në klasë. Ajo i tregoi Rasëllit se ku ishte tavolina e tij. Ajo i tregoi gjithashtu se ku ta varte çantën.

“Ndoshta ne do të mësojmë së pari për dinozaurët”, mendoi Rasëlli.

“Mirëserdhët në shkollë”, tha zonjusha Uilson. “Ne do të prezantohemi dhe do të themi diçka për veten.”

Rasëlli u vrenjt. “Epo, duhet të njohim gjithësecilin”, mendoi ai. “Ndoshta do të mësojmë më pas për dinozaurët.”

Kur i erdhi radha Rasëllit që të prezantohej, ai tha: “Unë jam Rasëlli. Mezi po pres të mësoj gjithçka — sidomos për trenat dhe dinozaurët.”

“Kjo është gjë shumë e mirë, Rasëll”, tha zonjusha Uilson. Rasëlli buzëqeshi. Ai qe i sigurt se do të mësonin shpejt për trenat dhe dinozaurët.

Por nuk e bënë. Atë hëngrën një ushqim të lehtë dhe luajtën me blloqe në formë rrathësh, trekëndëshash dhe katrorësh.

“Zonjusha Uilson, kur do të mësojmë për dinozaurët dhe trenat?” pyeti Rasëlli.

“Jo pikërisht tani, Rasëll”, tha ajo. “Tani, është koha që të lexojmë një tregim.”

“A flet për dinozaurët?”

“Jo, Rasëll.”

Pas tregimit ata mësuan për alfabetin. Pastaj ishte koha për të shkuar në shtëpi.

Rasëlli u xhindos.

Ai u vrenjt, i kthyer nga dritarja në autobuz. Ai vrapoi për në shtëpi që nga stacioni i autobuzit dhe hyri si furtunë në derën e përparme. Ai vrapoi në dhomën e tij dhe e mbuloi kokën me një kuvertë.

Mami hyri dhe i vuri dorën mbi kokë Rasëllit. “Si shkoi dita jote e parë?” pyeti ajo.

“E tmerrshme. Unë kurrë nuk do të mësoj ndonjë gjë dhe nuk kthehem më atje. Gjithçka që bëmë sot, ishte të luanim me blloqe dhe të lexonim tregime.”

“Epo, Rasëll, është vetëm dita jote e parë”, tha Mami.

Rasëlli u ngrit ndenjur dhe pa Mamin. “Unë dua të mësoj për dinozaurët, për trenat dhe për leximin — tani.”

Mami u ul në shtrat pranë Rasëllit. “Nuk mund të mësosh gjithçka përnjëherësh. Mësimi kërkon kohë. Dhe sa më shumë të mësosh tani, aq më shumë do të jesh në gjendje të mësosh më vonë.”

“Çfarë do të thuash?” pyeti Rasëlli.

“Epo, do të të duhet të mësosh alfabetin, përpara se të mund të mësosh të lexosh. Dhe do të të duhet të mësosh të lexosh, përpara se të mund të lexosh për gjërat që të interesojnë”, tha ajo.

Rasëlli mendoi për këtë. Ndoshta kishte dhe gjëra të tjera për të cilat të mësosh, përveç dinozaurëve dhe trenave. “Epo, mendoj se do ta provoj shkollën përsëri nesër”, tha ai.

Mami i buzëqeshi atij.

“Por, Mami, a mendon se mund të marrim nga biblioteka një libër mbi dinozaurët?”

“Sigurisht që mendoj se mund ta bëjmë këtë.”

Ilustrime nga Jim Madsen