2009
Zëri i Bariut të Mirë
Prill 2009


Zëri i Bariut të Mirë

Si fermere në Montana, në të shumtën e 70 viteve të mia, unë e kam si thesar metaforën e bariut të mirë që gjendet në Gjoni 10:1–18, sepse unë e kam jetuar atë. Përvojat që do të tregoj ishin veçanërisht të fuqishme në realizimin e kësaj metafore.

Në kohët biblike çdo bari mblidhte me zë tufën e tij, duke e ndarë nga shumë tufa të mbledhura bashkë në një vathë nate (shih vargjet 3–4). Po kështu, kurdo që i lëviz delet e mia, unë thjesht thërres dhe ato më ndjekin.

Vite më parë fqinja ime e shkathët 96-vjeçare, Alisa, që kishte rritur gjithashtu dele, u sëmur gjatë stinës së pjelljeve, kështu që unë e ndihmova për pjelljet e natës. Kur hyra në stallën e pjelljeve, në natën e parë “të shërbimit”, afro 100 delet e Alisës ishin shtrirë paqësisht për të kaluar natën. Megjithatë kur u shfaqa unë, ato menjëherë ndjenë një të huaj në mes tyre. Të tmerruara, ato menjëherë kërkuan siguri duke u ngjeshur bashkë në një qoshe të largët (shih vargu 5).

Kjo vazhdoi për disa net. Pavarësisht se sa qetësisht futesha unë, delet trembeshin dhe largoheshin. Unë u flisja butësisht qengjave të porsalindur dhe deleve kur përkujdesesha për to. Nga nata e pestë ato nuk shqetësoheshin më kur punoja midis tyre. Ato arritën ta njihnin zërin tim dhe të më besonin.

Disa kohë më vonë i tregova Alisës se unë doja t’i ushqeja me shishe nja dymbëdhjetë qengjat e saj, që nuk mund të ushqeheshin nga delet e tyre nëna. (Meqë ose u kishin ngordhur nënat ose ato nuk jepnin mjaft qumësht.) Duke imituar Alisën, unë i thërrisja qengjat e saj: “Hajde Bebe! Hajde, Bebe!” Unë prisja që qengjat të rendnin rrëmujshëm të uritur tek unë siç bënin me të. Por asnjë qengj i vetëm, as që i ngriti sytë. Atëherë Alisa doli nga dera e kuzhinës së saj dhe thirri. Duke dëgjuar zërin e saj ata me padurim u sulën drejt saj, duke blegëritur për qumështin e tyre.

Të intriguara, Alisa dhe unë bëmë një provë. Duke qëndruar në vathën time, Alisa imitoi thirrjen time: “Hajde qengjush, qengjush! Hajde qengjush, qengjush!” dhe nuk mori asnjë lloj përgjigje. Por kur unë thirra saktësisht me të njëjtat fjalë, delet e mia me shpejtësi më rrethuan. Edhe pse fjalët që ne përdorëm për të mbledhur delet ishin të njëjtat, zërat tanë jo familjarë kaluan pa u vënë re. Delet dëgjonin besnikërisht vetëm bariun e tyre të vërtetë (shih vargun 4).

Gjoni 10 dallon një bari nga një rrogëtar. Një bari, delet e të cilit janë të tijat, ka një merak plot dashuri për sigurinë e tyre. Në të kundërt, një rrogëtar është thjesht “rrogëtar” dhe “nuk do t’ia dijë” (vargu 13). Alegoria na mëson gjithashtu se ndërsa rrogëtari ikën dhe i braktis delet e tij (shih vargu 12), bariu me vullnet jep jetën e tij për delet e tij (shih vargu 11). Kjo sigurisht është e vërtetë për Bariun tonë të Mirë — Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin — i cili me dashuri dha jetën e Tij për ne (shih vargjet 15, 17–18).

Këto përvoja konfirmuan për mua një nga mesazhet e rëndësishme të shëmbëlltyrës: përpjekja për ta njohur personalisht Bariun tonë të Mirë dhe për ta njohur menjëherë zërin e Tij do të na pengojnë ne nga ndjekja e gabuar e rrogëtarit. Duke dëgjuar besnikërisht zërin e Bariut tonë të Mirë — dhe askënd tjetër — ne do të udhëhiqemi drejt sigurisë së përjetshme.

Zoti Është Bariu Im, nga Simon Dewey, me mirësinë e Altus Fine Art, American Fork, Utah