2009
Të Lutem, Shpëtoje Babanë Tim
Prill 2009


Të Lutem, Shpëtoje Babanë Tim

Qe babai im që kërkoi të vërtetën dhe gjeti misionarët. Ata na mësuan ungjillin dhe jo shumë kohë më pas, ne — prindërit e mi dhe pesë vëllezër e motra — u pagëzuam. Dëshmitë tona u bënë më të forta. Ne mësuam kaq shumë gjëra, veçanërisht për Shpëtimtarin dhe për familjet.

Në vitin 1992, ndërsa shërbente si peshkop i lagjes sonë në Filipine, babai im pati një krizë zemre. Atë e çuan me urgjencë në spital që nga zyra. Kur erdhi lajmi se ai qe në reanimacion, familja ime u trondit shumë. Frika na shtrëngoi zemrat. Shanset e babait tim për shpëtim ishin të pakta. Nëna qante dhe na kërkoi të gjithëve të luteshim.

E kam humbur rrjedhën e kohës pas kësaj — kaq shumë kujtime më vijnë në mendje. Me lot në faqe u gjunjëzova në lutje. Zemrën e kisha tepër të rëndë dhe kraharori gati po më shpërthente. Doja të bërtisja që të lehtësoja dhembjen e të hiqja frikën që më shtrëngonte atë ditë. Në vend të kësaj, thjesht u luta: “Të lutem, shpëtoje babanë tim.” Ajo qe një lutje e sinqertë, e destinuar për t’u dëgjuar.

Atë natë më lejuan të hyja në repartin e reanimacionit. Babai im kishte rënë në komë, ndërsa nëna ime, vëllezërit e motrat e mia dhe unë duhet të përgatiteshim për më të keqen. Ajo qe një përvojë e dhimbshme për familjen tonë. E ardhmja dukej e mjerë dhe e pasigurt. Ndërsa në heshtje i jepja atij lamtumirën, kujtova mbrëmjen tonë të parë familjare në shtëpi. Ne kishim parë një film të Kishës, Familjet Janë Përgjithmonë.

Përpara se të shkoja në shtrat atë natë, babai im tokësor u kthye në heshtje tek Ati i tij Qiellor.

Vdekja e babait tim, kur isha 22 vjeçe, shënoi fillimin e qindra ndryshimeve në jetën time. Në mungesë të tij mësova se kisha anë të forta që nuk i njihja. Kam bërë më shumë me jetën time, nga sa do të mund të kisha bërë, sepse ndryshimi dhe rritja ranë mbi mua.

Kur Ati Qiellor nuk e plotësoi lutjen time, nuk më ndodhi kurrë që Ai nuk më dëgjoi. E di se Ai po dëgjonte. Ai e dinte saktësisht atë që po kaloja. Ai e dinte saktësisht se çfarë i duhej familjes sonë në atë çast dhe ajo është çka Ai na dha — forcë për të kapërcyer sfidat e jetës, forcë për të përballuar realitetin. Ai na mësoi si t’i përballojmë sprovat tona me besim.

Kanë kaluar më tepër se 15 vjet nga ajo ditë e dhimbshme. Unë ende po mësoj dhe ende po rritem në ungjill. Tani kam familjen time dhe jam kaq e lumtur që jemi vulosur në tempull. Unë s’i heq kurrë sytë nga rruga që babai im shënoi për ne.

Nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit unë e di që një ditë familja jonë do të jetë përsëri së bashku. Unë ende kam një rrugë të gjatë për të bërë, por jam e lumtur kur mendoj se do ta shoh babanë tim në fund të asaj rruge.