2009
Kthimi me Siguri tek Ati Qiellor
Prill 2009


Ejani Dëgjoni Zërin e Profetit

Kthimi me Siguri tek Ati Qiellor

Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 2007.

Presidenti Uhtdorf na mëson se për shkak të Shlyerjes ne mund të pendohemi dhe të kemi gjithmonë shpresë.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Pika e Kthimit të Sigurt

Gjatë trajnimit tim për t’u bërë kapiten linje ajrore, m’u desh të mësoja si të drejtoja një aeroplan në rrugë të gjata. Fluturimet mbi oqeanet gjigande, që kapërcejnë shkretëtira të gjera dhe lidhin kontinentet, kanë nevojë për planifikim të kujdesshëm që të sigurojnë një mbërritje të sigurt në vendmbërritjen e planifikuar. Disa nga këto fluturime pa ndalesa mund të zgjasin deri në 14 orë dhe të kapërcejnë gati 9.000 milje (14.500 km).

Gjatë fluturimeve të tilla të gjata është një pikë e rëndësishme vendimi, e njohur si pika e kthimit të sigurt. Deri në këtë pikë, aeroplani ka mjaft karburant sa të ndërrojë drejtim e të kthehet i sigurt tek aeroporti nga është nisur. Pasi e ka kaluar pikën e kthimit të sigurt, kapiteni e ka humbur këtë mundësi dhe duhet të vazhdojë më tej. Kjo është arsyeja pse kësaj pike i referohen shpesh si pika e moskthimit.

Asnjëherë Nuk Është Tepër Vonë

Satani do që ne të mendojmë se kur kemi mëkatuar, ne e kemi kaluar “pikën e mos-kthimit” — se është tepër vonë për të ndryshuar drejtimin tonë. Shlyerja e Jezu Krishtit është dhurata e Perëndisë për fëmijët e Tij që të korrigjojnë e të kapërcejnë pasojat e mëkatit. Krishti erdhi që të na shpëtonte. Nëse kemi marrë një drejtim të gabuar, Shlyerja e Jezu Krishtit na jep sigurinë se mëkati nuk është një pikë e moskthimit. Një kthim i sigurt është i mundur nëse do të ndjekim planin e Perëndisë për shpëtimin tonë.

Gjithmonë Ka Shpresë

Kudo që ta gjeni veten në këtë udhëtim të jetës, çfarëdo sfidash mund të hasni, gjithmonë është një pikë e kthimit të sigurt; gjithmonë ka shpresë. Ju jeni kapiteni i jetës tuaj dhe Perëndia ka përgatitur një plan që t’ju kthejë ju të sigurt tek Ai, tek vendmbërritja juaj hyjnore.

Dhurata e Shlyerjes së Jezu Krishtit na siguron, në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet, bekimet e pendimit dhe të faljes. Për shkak të kësaj dhurate, mundësia për të bërë një kthim të sigurt nga kursi shkatërrimtar i mëkatit është e disponueshme për të gjithë ne. Lumturia në këtë jetë dhe gëzimi i përjetshëm në jetën që do të vijë do të jenë shpërblimi ynë nëse zgjedhim të pranojmë e të zbatojmë këtë dhuratë të Atit tonë Qiellor.

Ilustrim nga Scott Greer