2009
Premtimet e një Profeti
Prill 2009


Miku Mikut

Premtimet e një Profeti

“I hetoni këto urdhërime, sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen” (DeB 1:37).

Pamja
Elder Octaviano Tenorio

Gjatë gjithë jetës time kam mësuar se, kur ndjekim mësimet e profetëve tanë, ne marrim bekimet e premtuara. Në konferencën e përgjithshme të prillit 1986, Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) premtoi që, nëse familjet do të lexonin shkrimet e shenjta rregullisht së bashku, Shpirti do të mbushte shtëpitë e tyre.1

Gruaja ime e dashur dhe unë vendosëm ta ndjekim atë këshillë. Ne vendosëm si qëllim të lexonim një kapitull në ditë nga Libri i Mormonit, bashkë me tre fëmijët — Horge 10 vjeç, Suzi 9 vjeçe dhe Luisi 3 vjeç. Ne lexuam çdo ditë, secili prej nesh lexonte nga një varg çdo herë. Edhe pse Luisi ende nuk mund të lexonte, ai dëshironte të merrte pjesë. Ai ulej në prehrin tim, përballë meje, me Librin e Mormonit mes nesh. Kur ishte radha ime për të lexuar, ne të dy ndiqnim gishtin tim ndërsa tregoja secilën fjalë, dhe Luisi përsëriste me zë të lartë çdo fjalë që lexoja ndërsa i shihte ato fjalë së prapthi.

Tamam pak para se të mbushte pesë vjeç, Luisi pyeti: “Kur është radha ime për të lexuar?”

I shpjeguam se kur të ishte më i rritur, ai do të shkonte në shkollë dhe do të mësonte të lexonte.

Ai u përgjigj: “Unë di të lexoj tashmë!”

I çuditur, i dorëzova atij një Libër të Mormonit. Ai e hapi librin së prapthi, pa fillimin e faqes dhe filloi të lexonte përsosmërisht. Ai kishte mësuar të lexonte duke ndjekur leximin tek Libri i Mormonit!

Kur ishte gjashtë vjeç, Luisi nganjëherë vinte bashkë me mua për të vizituar anëtarë të Kishës. Unë i kërkoja të ndante dëshminë e tij si dhe një mesazh të shkurtër nga shkrimi i shenjtë që unë i kisha mësuar. Kurdoherë që ai lexonte nga Libri i Mormonit, ai e mbante së prapthi dhe shihte fillimin e faqes.

Unë ju dëshmoj se, nëse filloni të lexoni shkrimet e shenjta që kur jeni fëmijë i vogël, ju do të kuptoni më mirë premtimet e Zotit dhe do ta dini se çfarë pret Ai prej jush. Një ditë ju do të bëheni prind dhe do të keni dhe vetë fëmijë të vegjël. Mësojuni atyre të lexojnë shkrimet e shenjta dhe do të shihni një plotësim të premtimit që gjendet tek Fjalët e Urta 22:6: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.”

Tani Luisi po përfundon studimet e tij universitare dhe po punon me orar të plotë. Pavarësisht se sa vonë kthehet në shtëpi nga puna, shkolla, apo një detyrë e Kishës, ai ende lexon një kapitull nga Libri i Mormonit para se të shkojë në shtrat. Premtimi i profetit vërtet është përmbushur: si rezultat i leximit prej nesh të këtij libri të shenjtë, familja jonë është bekuar mjaft dhe ne jemi më të bashkuar.

Unë ju ftoj të lexoni shkrimet e shenjta çdo ditë. Nëse është e mundur, lexojini ato bashkë me familjen tuaj. Ju nxis juve djem të përgatiteni për të shërbyer në misione. Ju ftoj të gjithëve të keni si qëllim që të vuloseni në tempull për gjithë përjetësinë. Dhe së fundi, dëshiroj t’ju kujtoj këshillën e frymëzuar të Presidentit Gordon B. Hinkli (1910–2008), që na tha: “Juve ju duhet i gjithë arsimi që mund të merrni. … Qoftë nëse është riparimi i frigoriferëve, apo puna e një kirurgu të aftë, ju duhet të trajnoheni.”2

Fëmijët e mi të dashur, dëgjoni mësuesit tuaj, jini të bindur në klasë, bëni më të mirën tuaj dhe mësoni gjithçka që mundeni. Zoti ka gati bekime të pasura për ju dhe familjet tuaja. Detyra jonë është të “ndjekim profetin; ai e di rrugën”.3

Shënime

  1. Shih Ezra Taft Benson, “The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 81.

  2. Gordon B. Hinckley, “A Prophet’s Counsel and Prayer for Youth”, Liahona, prill 2001, f. 34, 35; Ensign, jan. 2001, f. 4, 7.

  3. “Follow the Prophet”, Children’s Songbook, f. 110–111.

Rreth moshës 16 vjeçare, jo shumë kohë pas pagëzimit të tij.

Biri i tij Luisi kur ishte katër vjeç.

Fotografitë - me mirësi nga Plaku Oktaviano Tenorio; ilustrimi nga Robert A. McKay