2009
Bekimet e Ungjillit të Disponueshme për të Gjithë
Nëntor 2009


Bekimet e Ungjillit të Disponueshme për të Gjithë

Fëmijët e Perëndisë në tokë sot kanë mundësinë të kuptojnë planin e Tij të lumturisë për ata, më plotësisht se në çfarëdo kohe tjetër.

Pamja
Elder Joseph W. Sitati

Disa javë më parë Plaku Melvin R. Perkins, i cili është një i Shtatëdhjetë Zone që po shërben në Alaskë, dhe unë qëndruam në podium para kongregacionit në Kunjin e Vankuverit, British Kolumbia, në Kanada. Me një zë plot emocion ai i ftoi shenjtorët të mendonin mbi pamjen që kishin përpara: një pasardhës i pionierëve mormonë të karrocave të dorës dhe një pionier i kthyer në besim në Kishë nga një komb i largët afrikan, që i shërbejnë Zotit krah për krah.

Që prej fillimeve të përulura në Fajetë, në Nju Jork, afërsisht 180 vite më parë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është bërë një besim botëror. Unë qëndroj këtu si një dëshmitar i kësaj vepre të mrekullueshme. Unë lutem që Shpirti i Zotit të jetë me ju dhe me mua ndërsa unë po ndaj disa mendime këtë pasdite.

Jam mirënjohës për çelësat e zbulesës në këtë periudhë të fundit ungjillore. Me anë të ushtrimit të atyre çelësave nga profetët e gjallë që nga Rivendosja, fëmijët e Perëndisë në tokë sot kanë mundësinë të kuptojnë planin e Tij të lumturisë për ata, më plotësisht se në çfarëdo kohe tjetër.

Dashuria e Atit tonë në Qiell ka qenë e dukshme ndërkohë që është hapur udha për të gjithë, të gjallë e të vdekur të çdo kombi, tani dhe në të ardhmen, për të marrë ekzaltim në prani të Tij, sipas ushtrimit të zgjedhjes së tyre të lirë. Standardi është i njëjtë dhe bekimi është i njëjtë për të gjithë. Perëndia e ka ripohuar se Ai është i paanshëm.

Ungjilli ka shkuar përpara në tokë sipas një modeli i cili siguron që të plotësohen qëllimet e Perëndisë, që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.

Pas Rënies prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, bënë një besëlidhje të përjetshme me Perëndinë për shpëtimin e tyre1. Ndërkohë që bijtë e Adamit u shtuan, dolën në pah dy grupe.

Një grup, i udhëhequr nga Enoku, e mbajti besëlidhjen kaq mirë saqë ata nuk mund të mbaheshin më mbi tokë. Kështu që Zoti i mori ata tek Vetja2.

Grupi i dytë u mposht kaq shumë nga ligësia saqë ata vuajtën gjykimet e Perëndisë. Përmbytja i gëlltiti ata, duke lënë vetëm familjen e Noeut3, një pasardhës i drejtë i Enokut4.

Perëndia i caktoi besëlidhje Noeut, me premtimin plotësues se jeta në tokë nuk do të shkatërrohej më nga përmbytjet5.

Ndërkohë që familja e Noeut u shumua edhe një herë, shumë zgjodhën ligësinë. Të shtyrë nga krenaria, ata ndërtuan Kullën e Babelit. Perëndia lejoi që mbi ta të binin gjykimet e qiellit. Gjuha e tyre u ngatërrua dhe ata u shpërndanë mbi faqen e dheut. Vetëm disa që qenë të bindur u mbrojtën6.

Mes atyre që u ruajtën qe vëllai i Jaredit, një burrë me besim të madh, që iu përgjërua Zotit në emër të jareditëve të drejtë. Zoti i udhëhoqi ata në kontinentin amerikan me premtimin që, nëse ata i shërbenin Atij, ata do të “[ishin të] lirë nga prangat dhe nga robëria dhe nga çdo komb tjetër nën qiell”7. Nefitët gjithashtu u udhëhoqën më vonë në të njëjtin kontinent. Në përfundim si qytetërimi jaredit ashtu dhe ai nefit u shkatërruan, pasi nuk rezultuan besnikë.

Një tjetër burrë me besim të madh që u ruajt qe Abrahami, një pasardhës i Noeut, që u udhëhoq në Kanaan. Perëndia i caktoi besëlidhje Abrahamit, me premtime plotësuese se pasardhësit e tij do të shtoheshin si yjet në qiell8 dhe se në farën e tij “të gjitha [kombet] e tokës do të bekohen”9. Kombet në premtim qenë pasardhës të Noeut të shpërndarë që nga Kulla e Babelit, të njohur si johebrenjtë në një kuptim të përgjithshëm.

Perëndia e ripërtëriti besëlidhjen me të birin e Abrahamit, Isakun, dhe me nipin, Jakobin, që u bë Izraeli.

Meqenëse pasardhësit e Izraelit nuk mundën t’i duronin kushtet e besëlidhjes, ajo u ndryshua gjatë periudhës së Moisiut. Një besëlidhje më e pakët u paraqit dhe vazhdoi mes fëmijëve të Izraelit derisa Krishti rivendosi plotësinë e ungjillit gjatë shërbesës10 së Tij në vdekshmëri.

Pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari dha shenjë se kishte ardhur koha që ungjilli t’u çohej johebrenjve11. Më herët, në shëmbëlltyrën e punëtorëve në vresht, Ai zbuloi se kombet johebreje do të vizitoheshin dhe do të ftoheshin njëri pas tjetrit. Gjithsesi, bekimet do të ishin të njëjta pavarësisht radhës së ftesës12.

Pas Ngjitjes së Shpëtimtarit, Apostulli kryesues, Pjetri, një pasardhës i Izraelit, mbajti çelësat e priftërisë, me anë të së cilave i dha drejtim Kishës. Është kuptimplote që, edhe pse Shpëtimtari e kishte dhënë tashmë lejen, Pjetri pagëzoi johebrenë e parë, Kornelin, vetëm pasi mori zbulesë të veçantë që ta bënte këtë13.

Shërbesa tek johebrenjtë u ndërpre nga martirizimi i Pjetrit14 dhe vdekjet e Apostujve të tjerë, pas të cilave çelësat e priftërisë u morën nga toka. Vijoi periudha e gjatë e braktisjes.

Çelësat iu rivendosën Jozef Smithit nga Apostujt e lashtë Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, në vitin 1829, fare pak para se të organizohej Kisha. Ungjilli në plotësinë e tij po vinte përsëri në tokë dhe filloi të përhapej mes kombeve të johebrenjve si besëlidhja e re dhe e përjetshme.

Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti zbuloi se kriteri përcaktues për radhën sipas së cilës marrin ftesë kombet johebreje përfshin aftësinë për të ushqyer shpirtërisht dhe materialisht mbretërinë e Perëndisë ndërkohë që vendoset në tokë për herë të fundit15.

Ne shohim se ndërkohë që Kisha e rivendosur filloi të vendosej në tokë, profetët e gjallë kërkuan dhe ndoqën vullnetin e Perëndisë për mënyrën se si ungjilli duhej të shpërndahej mes kombeve.

Unë kam jetuar sa të shoh kohën e parashikuar nga profeti Zenos në alegorinë e pemës së ullirit, kur të drejtët nga gjithë kombet e tokës do të bëheshin pjesëmarrës të besëlidhjes së Perëndisë me Izraelin16.

Unë kam parë frutin e mirë të ungjillit të lulëzojë në kontinentin tim amtar, në Afrikë. Pas vetëm 30 vitesh, ka 300.000 shenjtorë. Në doktrinat dhe parimet e ungjillit të rivendosur, shumë po gjejnë një spirancë të sigurt për besimin e tyre. Familje të zhvendosura nga komunitetet e tyre fshatare në kërkim të një të ardhme më të mirë në qytete e qyteza, kanë gjetur një mënyrë të re për t’u kapur tek traditat e forta familjare që po sulmohen gjithnjë e më shumë në këtë epokë globalizimi. Shpirti i Zotit po lëviz fuqishëm mes njerëzve.

Një kulturë e re qiellore po zhvillohet nëpër shtëpi, e ushqyer nga dëgjimi me gatishmëri i këshillës së profetit të gjallë për të pasur lutje dhe studim të përditshëm të shkrimit të shenjtë dhe për t’u mbledhur një herë në javë si familje në mbrëmjen në shtëpi. Si rezultat, shumë janë të aftë të çlirohen nga vargonjtë e traditave që kufizojnë ushtrimin e zgjedhjes së tyre të lirë.

Si ilustrim nga përvoja vetjake, tre prej fëmijëve tanë u martuan në tempull kohët e fundit pa barrën e prikës, një praktikë tradicionale që i bën shumë të rinj e të reja të jetojnë së bashku pa asnjë zotim ligjor ndaj njëri-tjetrit. Mundësia për një martesë në tempull në tre tempujt e ngritur tani në Akra të Ganës, në Aba të Nigerisë dhe në Johanesburg të Afrikës së Jugut, po ndihmon për të rrënjosur një shpresë të re në shenjtërinë e martesës.

Unë dëshmoj për Shpëtimtarin Jezu Krisht me anë të së cilit ne kemi ungjillin dhe premtimin e ekzaltimit. Unë dëshmoj për profetin tonë të gjallë, Presidentin Tomas S. Monson, përmes të cilit kemi sigurinë e drejtimit të Shpëtimtarit për të vazhduar që t’ia shtrijmë shpëtimin të gjithëve. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Moisiu 6:52, 57, 59.

  2. Shih Moisiu 7:19–21.

  3. Shih Zanafilla 6:17–22; shih edhe Moisiu 7–8.

  4. Shih DeB 84:14–15.

  5. Shih Zanafilla 8:11–21; 9:8–10.

  6. Shih Zanafilla 11:1–8.

  7. Shih Ethëri 2:8–12; shih edhe Ethëri 1:33–43; 4–6.

  8. Shih Zanafilla 12–17; 22; shih edhe Abrahami 1–2.

  9. Zanafilla 22:18.

  10. Shih Hebrenjve 7:11–12, 19–22; DeB 84:24–25.

  11. Shih Mateu 28:18–20.

  12. Shih Mateu 20:1–16.

  13. Shih Veprat e Apostujve 10.

  14. Shih Bible Dictionary, “Peter”, f. 749.

  15. DeB 58:1–12.

  16. Shih Jakobi 5:57–68.