2009
Në Kërkim të Njohjes së Perëndisë, Atit Tonë Qiellor, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit
Nëntor 2009


Në Kërkim të Njohjes së Perëndisë, Atit Tonë Qiellor, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit

Drita e besimit është brenda jush, në pritje që të zgjohet e të rritet nga Shpirti i Perëndisë.

Pamja
Elder Robert D. Hales

Vëllezërit dhe motrat e mia, shpreh mirënjohje për dëshmitë për Perëndinë, Atin tonë Qiellor, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, që u dhanë nga profetë të gjallë gjatë kësaj konference dhe për mësimet e Frymës së Shenjtë.

Siç është profetizuar, ne jetojmë në një kohë kur errësira e laicizmit po forcohet përreth nesh. Besimi në Perëndi vihet gjerësisht në pikëpyetje dhe madje sulmohet në emër të kauzave politike, shoqërore e madje fetare. Ateizmi, apo doktrina se nuk ka Perëndi, po përhapet shpejt nëpër botë.

Megjithatë, si anëtarë të Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, ne shpallim se “ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”.1

Disa pyesin veten se përse besimi në Perëndi është kaq i rëndësishëm? Përse tha Shpëtimtari: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”?2

Pa Perëndinë, jeta do të përfundonte me varrin dhe përvojat tona në jetën e vdekshme nuk do të kishin qëllim. Rritja dhe përparimi do të ishin të përkohshme, arritja pa vlerë, sfidat pa kuptim. Nuk do të kishte të drejtë dhe të gabuar përfundimtare dhe as përgjegjësi morale për t’u kujdesur për njëri-tjetrin si bashkëfëmijë të Perëndisë. Vërtet, pa Perëndinë, nuk do të kishte jetë të vdekshme apo të përjetshme.

Nëse ju ose dikush që ju e doni, po kërkon qëllim në jetë ose një bindje më të thellë për praninë e Perëndisë në jetën tonë, unë, si mik dhe si Apostull, ofroj dëshminë time. Ai jeton!

Disa mund të pyesin, si mund ta di këtë për vete? Ne e dimë se Ai jeton sepse ne besojmë dëshmitë e profetëve të Tij të lashtë e të gjallë dhe ne kemi ndier Shpirtin e Perëndisë të na pohojë se dëshmitë e këtyre profetëve janë të vërteta.

Nga dëshmitë e tyre, të shënuara në shkrimin e shenjtë, ne e dimë se “[Perëndia] krijoi njeriun, mashkullin dhe femrën, sipas shëmbëlltyrës së tij dhe në ngjashmërinë e tij”3. Disa njerëz mund të habiten kur mësojnë se ne ngjajmë si Perëndia. Madje një studiues fetar i mirënjohur ka dhënë mësim se që ta përfytyrosh Perëndinë në formën e njeriut, është të krijosh një imazh të gdhendur dhe është idhujtari e blasfemi4. Por Vetë Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne5.

Përdorimi i fjalëve ne dhe sonë në këtë shkrim të shenjtë na mëson gjithashtu rreth marrëdhënies mes Atit dhe Birit. Perëndia më tej na mësoi: “Me anë të të Vetëmlindurit [Birit] tim i krijova këto gjëra”6. Ati dhe Biri janë individë të veçantë dhe të dallueshëm – siç janë përherë at’ e bir. Kjo mund të jetë një arsye që emri i Perëndisë në hebraisht, “Elohim”, nuk është në numrin njëjës, por në shumës.

Nga Dhiata e Re, ne e dimë se Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kanë pamje fizike. Në një kohë të dhënë ata qëndrojnë në një vend, siç dëshmoi dishepulli i Dhiatës së Re, Stefani: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë”7.

Ne gjithashtu e dimë se Ati dhe Biri kanë zë. Siç është shënuar tek Zanafilla dhe libri i Moisiut, Adami dhe Eva “dëgjuan zërin e Zotit Perëndi [kur ata po shëtisnin] në kopsht në flladin e ditës”8.

Ne e dimë që Ati dhe Biri kanë fytyra, që Ata qëndrojnë në këmbë dhe që Ata bashkëbisedojnë. Profeti Enoku shpalli: “Pashë Zotin; dhe ai qëndroi përballë meje dhe foli me mua, madje sikurse një njeri flet me një tjetër”.9

Ne e dimë se Ati dhe Biri kanë trupa me trajtë dhe pjesë si tonat. Nga libri i Ethërit, në Librin e Mormonit, ne lexojmë: “Dhe veli u hoq nga sytë e vëllait të Jaredit dhe ai pa gishtin e Zotit; dhe ai qe si gishti i një njeriu prej mishi dhe gjaku”10. Më vonë, Zoti ia zbuloi Veten e Tij, duke thënë: “Vër re, ky trup që ti po sheh, është trupi i shpirtit tim; dhe … do t’i shfaqem në mish popullit tim”11.

Ne e dimë se Ati dhe Biri kanë ndjenja për ne. Libri i Moisiut shënon: “Dhe ndodhi që Perëndia i qiellit hodhi vështrimin mbi pjesën e mbetur të popullit dhe vajtoi”12.

Dhe ne e dimë që Perëndia dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, janë qenie të pavdekshme, të përlëvduara dhe të përsosura. Për Shpëtimtarin Jezu Krisht, Profeti Jozef Smith rrëfen me imtësi: “Sytë e tij ishin si flakë zjarri; dhe flokët e kokës së tij ishin të bardhë si dëborë e pastër; fytyra e tij shkëlqente më shumë se ndriçimi i diellit; dhe zëri i tij ishte si tingulli i rrjedhjes së shumë ujërave”13.

Asnjë dëshmi nuk është më domethënëse për ne në kohën tonë se dëshmia e Jozef Smithit. Ai ishte profeti që u zgjodh të rivendoste Kishën fillestare të Krishtit në këtë kohë të fundit, kur ungjilli do të jetë mbi tokë përpara kthimit të Jezu Krishtit. Si të gjithë profetët të cilët çelën punën e Perëndisë në periudhën e tyre ungjillore, Jozefit iu dhanë përvoja profetike veçanërisht të qarta e të fuqishme për të përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Kur qe një djalë 14-vjeçar, ai u përpoq të dinte se me cilën kishë duhej të bashkohej. Atëherë, pasi meditoi mbi çështjen, ai iu kthye Biblës, ku lexoi:

“Në qoftë se ndonjërit [ndonjërës] nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, … dhe atij do t’i jepet.

Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar.”14

Duke i besuar ato fjalë profetike dhe me besim prej fëmije, pa dyshuar, Jozefi shkoi tek një korije pemësh afër shtëpisë së tij dhe aty u gjunjëzua dhe u lut. Më vonë ai shënoi:

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time… .

Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër.”15

Duke ngritur sytë drejt atyre dy qenieve, edhe Jozefi nuk do të mund t’i kishte njohur se cilët ishin Ata – sepse ai akoma nuk e kishte parë dhe mësuar natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe të Krishtit. Por atëherë, ai shënon: “Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”16

Nga ajo përvojë e veçantë dhe të tjera, Profeti Jozef dha dëshmi: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu”17.

Profetët gjatë gjithë epokave kanë dhënë dëshmira si kjo dhe vazhdojnë të veprojnë kështu pikërisht në këtë konferencë. Por secili prej nesh ka zgjedhjen e lirë për të vendosur. Siç pohon neni i njëmbëdhjetë i Besimit: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me vetë zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”18.

Mbi çështjen e besimit vetjak, si e dimë ne se çfarë është realisht e vërtetë?

Unë dëshmoj se mënyra për të ditur të vërtetën rreth Perëndisë është nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë, anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, është një personazh i shpirtit. Puna e Tij është të “dëshmojë për [Perëndinë]”19 dhe të “[na] mësojë çdo gjë”.20

Mirëpo, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e kufizojmë ndikimin e Tij. Kur ne nuk bëjmë atë që është e drejtë apo kur pikëpamja jonë mbizotërohet nga dyshimi, cinizmi kritika dhe mosnderimi kundrejt të tjerëve dhe besimeve të tyre, Shpirti nuk mund të jetë me ne. Ne pastaj veprojmë në një mënyrë që profetët e përshkruajnë si njeriu i natyrshëm.

“Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.”21 Ky “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë … dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe … nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, [dhe] plot me dashuri”22.

Nëse nuk i jepemi ndikimit të butë të Frymës së Shenjtë, ne rrezikojmë të bëhemi si Korihori, një antikrisht në Librin e Mormonit. Korihori jo vetëm që nuk besoi në Perëndi, por ai gjithashtu u tall me Shpëtimtarin, Shlyerjen dhe shpirtin e profecisë, duke mësuar në mënyrë të gabuar të tjerët se nuk ka as Perëndi dhe as Krisht.23

Korihori nuk mjaftohej që thjesht ta mohonte Perëndinë dhe të shihte punën e vet sipas dëshirës. Ai tallte besimtarët dhe kërkoi që profeti Alma ta bindte me një shenjë të ekzistencës e fuqisë së Perëndisë. Përgjigjja e Almës është po aq domethënëse sot, sa ç’ishte atëherë: “Ti ke pasur mjaft shenja; a mos do të tundosh Perëndinë? A do të thuash: Më trego një shenjë, kur ke dëshminë e të gjithë këtyre vëllezërve të tu dhe gjithashtu të gjithë profetëve të shenjtë? Shkrimet e Shenjta i ke para teje, po, dhe të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem.”24

Përfundimisht Korihorit iu dha një shenjë. Ai u bë memec. “Dhe Korihori zgjati dorën e tij dhe shkroi, duke thënë: … E di se asgjë përveç fuqisë së Perëndisë nuk mund ta sillte këtë mbi mua; po, dhe unë e dija gjithmonë se kishte një Perëndi.”25

Vëllezër dhe motra, ju mund ta dini tashmë, thellë në zemrën tuaj, se Perëndia jeton. Ju mund të mos dini akoma gjithçka rreth Tij dhe të mos i kuptoni të gjitha rrugët e Tij, por drita e besimit është brenda jush, në pritje që të zgjohet e të rritet nga Shpirti i Perëndisë dhe Drita e Krishtit me të cilën keni lindur.

Kështu që ejani. Besoni dëshmitë e profetëve. Mësoni prej Perëndisë dhe Krishtit. Modeli për ta bërë këtë na mësohet me qartësi prej profetëve të lashtë dhe profetëve të sotëm.

Kultivoni një dëshirë të zellshme për të ditur se Perëndia jeton.

Kjo dëshirë na bën që të meditojmë mbi gjërat e qiellit – që t’i lejojmë të gjithë treguesit e Perëndisë përreth nesh të na prekin zemrën.

Me zemra të zbutura, ne jemi të përgatitur që t’ia vëmë veshin thirrjes së Shpëtimtarit për të “[hetuar] shkrimet”26 dhe për të mësuar përulësisht prej tyre.

Atëherë, ne jemi gati t’i kërkojmë sinqerisht Atit tonë Qiellor, në emrin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, nëse gjërat që kemi mësuar janë të vërteta. Shumica jonë nuk do ta shohin Perëndinë siç kanë e parë profetët, por zëri i qetë, i ulët i Shpirtit – mendimet dhe ndjenjat që Fryma e Shenjtë sjell në mendjet dhe zemrat tona – do të na japë ne një njohuri të pamohueshme se Ai jeton dhe se Ai na do neve.

Fitimi i kësaj dijenie është në fund të fundit ajo që kërkojnë të gjithë fëmijët e Perëndisë mbi tokë. Nëse nuk mund të kujtoni që besonit në Perëndi ose nëse keni pushuar së besuari, ose nëse besoni, por jo me bindje të vërtetë, unë ju ftoj të kërkoni tani një dëshmi prej Perëndisë. Mos kini frikë nga tallja. Forca dhe paqja që vijnë nga njohja e Perëndisë dhe pasja e shoqërisë ngushëlluese të Shpirtit të Tij, do t’i bëjnë përpjekjet tuaja që t’ia vlejnë përjetësisht.

Për më tepër, me vetë dëshminë tuaj për Perëndinë, ju do të jeni në gjendje të bekoni familjen tuaj, pasardhësit tuaj, miqtë tuaj, vetë jetën tuaj – të gjithë ata që i doni. Njohuria juaj vetjake për Perëndinë jo vetëm që është dhurata më e madhe që do të jepni ndonjëherë, por ajo do t’ju sjellë gëzimin më të madh që do të keni ndonjëherë.

Si një dëshmitar i veçantë i Birit të Vetëmlindur të Atit tonë të dashur Qiellor, madje Jezu Krishtit, unë dëshmoj se Perëndia jeton. Unë e di që Ai jeton. Unë ju premtoj se, nëse ju dhe ata që ju i doni do ta kërkoni Atë me gjithë përulësinë, sinqeritetin dhe zellin, ju gjithashtu do ta dini atë me siguri. Dëshmia juaj do të vijë. Dhe bekimet e njohjes së Perëndisë do të jenë tuajat dhe të familjes suaj përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Nenet e Besimit 1:1.

  2. Gjoni 17:3, është shtuar theksimi.

  3. DeB 20:18; shih gjithashtu Zanafilla 1:27; Moisiu 2:27.

  4. Shih Krister Stendahl, “To Speak About God”, Harvard Divinity Bulletin, vëllimi 36, nr. 2 (pranverë 2008): f. 8–9.

  5. Zanafilla 1:26; Moisiu 2:26, është shtuar theksimi.

  6. Moisiu 2:1.

  7. Veprat e Apostujve 7:56.

  8. Moisiu 4:14, shih gjithashtu Zanafilla 3:8.

  9. Moisiu 7:4.

  10. Ethëri 3:6.

  11. Ethëri 3:16.

  12. Moisiu 7:28.

  13. DeB 110:3.

  14. Jakobit 1:5–6.

  15. Joseph Smith—Historia 1:16–17.

  16. Joseph Smith—Historia 1:17.

  17. DeB 130:22.

  18. Nenet e Besimit 1:11, shtuar theksimi.

  19. Gjoni 15:26.

  20. Gjoni 14:26.

  21. 1 Korintasve 2:14.

  22. Mosia 3:19.

  23. Shih Alma 30.

  24. Alma 30:44.

  25. Alma 30:52.

  26. Gjoni 5:39.