2009
Kujdes Boshllëkun
Nëntor 2009


Kujdes Boshllëkun

Boshllëqet mund të jenë kujtesa për mënyrat në të cilat mund të përmirësohemi, ose, nëse s’i marrim parasysh, mund të bëhen pengesa në jetën tonë.

Pamja
Barbara Thompson

Disa vite të shkuara, vizitova disa miq të shtrenjtë në Londër, Angli. Gjatë kësaj vizite unë udhëtova në “tjub” – një sistem metroje trenash të nëndheshëm, që njerëzit e përdorin shpesh për të shkuar nga një vend në tjetrin. Në secilin prej stacioneve të mbushur të metrosë ka shenja paralajmëruese për rreziqet që mund të hasin njerëzit. Dritat ndizen e shuhen për të njoftuar njerëzit se një tren po afrohet dhe se ata duhet të qëndrojnë larg buzës së platformës. Ka gjithashtu një shenjë për t’i kujtuar njerëzit se ka një rrezik, një boshllëk mes trenit dhe platformës së stacionit. Shenja shkruan “Kujdes Boshllëkun”. Kjo i kujton njerëzit që të mos lejojnë që këmbët t’u ngecin tek boshllëku dhe të mos hedhin ndonjë gjë në boshllëk, sepse do të shkojë poshtë trenit dhe do të humbasë. Shenja për kujdes është e nevojshme dhe paralajmëron njerëzit për një rrezik shumë real. Që të jenë të siguruar, njerëzit duhet ta kenë “kujdes boshllëkun”.

Shumë prej nesh kemi boshllëqe në vetë jetën tonë. Nganjëherë është ndryshimi mes asaj që dimë dhe asaj që bëjmë në të vërtetë, ose boshllëku mes qëllimeve tona dhe asaj ç’ka përmbushim vërtet. Këto boshllëqe mund të jenë kujtesa për mënyrat në të cilat mund të përmirësohemi, ose, nëse s’i marrim parasysh, mund të bëhen pengesa në jetën tonë.

Dëshiroj të përmend disa boshllëqe që shoh qoftë në vetë jetën time, apo në jetën e të tjerëve. Ato për të cilët do të flas sonte janë sa vijon:

Së pari, boshllëku mes besimit se jeni një bijë e Perëndisë dhe dijes në zemrën e shpirtin tuaj se ju jeni një bijë e çmuar, e dashur e Perëndisë.

Së dyti, boshllëku mes plotësimit të programit të Të Rejave dhe bërjes një anëtare plotësisht pjesëmarrëse e Shoqatës së Ndihmës – “organizatës së Zotit për gratë”1.

Së treti, boshllëku mes besimit tek Jezu Krishti dhe të qenit të guximshme në dëshminë e Jezu Krishtit.

Numri një, boshllëku mes besimit dhe dijes se ju jeni një bijë e çmuar, e dashur e Perëndisë.

Shumica prej nesh, që kanë qenë në Kishë për më shumë se vetëm disa muaj, e kanë kënduar këngën “Fëmi i Per’ndis’ Jam”2. E kam kënduar këtë këngë që kur qeshë fëmijë e vogël dhe gjithmonë e kam besuar. Edhe pse shumica prej nesh e besojnë këtë, duket se në kohë mundimi apo vështirësie ne kemi prirjen të dyshojmë apo ta harrojmë këtë.

Disa kanë thënë gjëra të tilla si: “Nëse Perëndia më do vërtet, Ai nuk do ta lejonte që kjo sëmundje ta zinte fëmijën tim.” “Nëse Perëndia do të më donte, do të më ndihmonte të gjeja një bashkëshort të denjë, me të cilin të mund të martohesha e të vulosesha në tempullin e shenjtë.” “Nëse Perëndia do të më donte, do të kishim mjaft parà sa të blinim një shtëpi për familjen tonë.” Ose: “Unë kam mëkatuar dhe kështu Perëndia nuk ka mundësi të më dojë më”.

Fatkeqësisht, i dëgjojmë këto lloj pohimesh tepër shpesh. Ju duhet ta dini se nuk ka asgjë që mund “[t’ju] ndajë [juve] nga dashuria e Krishtit”. Shkrimet e shenjta na thonë qartë se as pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, as fuqia, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë3.

Ati ynë Qiellor na deshi kaq shumë, saqë dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur për të shlyer për mëkatet tona. Shpëtimtari jo vetëm që vuajti për çdo mëkat, por Ai gjithashtu ndjeu çdo dhembje, brengë, shqetësim, vetmi dhe trishtim që cilido prej nesh mund të provonte ndonjëherë. A nuk është kjo dashuri e madhe? Presidenti Henri B. Ajring ka thënë: “Është Fryma e Shenjtë që dëshmon për realitetin e Perëndisë dhe na lejon të ndiejmë gëzimin e dashurisë së Tij.”4

Ne duhet ta pranojmë dashurinë e Tij, të duam veten dhe t’i duam të tjerët. Kujtoni se çdo shpirt në këtë tokë është gjithashtu fëmijë i Perëndisë. Ne duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin me dashurinë e mirësinë e duhur për një fëmijë të Perëndisë.

Shumica prej jush punoni shumë për të kryer detyrën tuaj, për të mbajtur urdhërimet dhe për t’iu bindur Zotit. Ju duhet të jeni në gjendje të njihni miratimin e Zotit. Ju duhet ta dini se Zoti është mjaft i kënaqur dhe e ka pranuar ofertën tuaj5.

Kujtoni ta keni kujdes këtë boshllëk dhe të mos lejoni që dyshimi e pasiguria të hyjnë në mendjet tuaja. Sigurohuni që Perëndia ju do fort dhe ju jeni fëmijë i Tij i çmuar.

Tjetri, boshllëku mes plotësimit të programit të Të Rejave dhe bërjes një anëtare plotësisht pjesëmarrëse e Shoqatës së Ndihmës – organizatës së Zotit për gratë.

Në shumë vende, mosha 18 vjeç është koha kur një vajzë bëhet një grua. Për shumë vetë, kjo është një kohë ngazëlluese kur e ndiejmë se jemi në moshë madhore dhe gati ta sfidojmë botën e ta pushtojmë atë. Për të rejat në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kjo është gjithashtu koha kur ne i plotësojmë shumë prej qëllimeve tona të Përparimit Personal, vijmë në Shoqatën e Ndihmës dhe pranojmë thirrje shërbimi në Kishë. Dëshmitë tona janë forcuar tek Të Rejat dhe ne kemi hartuar një grup qëllimesh që do të na udhëheqin tek martesa në tempull dhe familje vetjake të përjetshme.

Fatkeqësisht, disa nga motrat tona më të reja po marrin një “leje për mungesë” nga pjesëmarrja e plotë në ungjill dhe në Shoqatën e Ndihmës. Disa kanë qëndrimin se: “Unë do të filloj të marr pjesë në Shoqatën e Ndihmës kur të martohem, apo kur të jem më e madhe në moshë, apo kur të mos jem kaq e zënë.”

Kur mbarova shkollën e mesme, qëllimet e mia ishin të shkoja në universitet për të paktën nja dy vite, të martohesha me një burrë të pashëm dhe të kisha katër fëmijë të përsosur e të mrekullueshëm (dy djem e dy vajza). Bashkëshorti im duhet të kishte një të ardhur të madhe, kështu që nuk do të më duhej të punoja dhe pastaj planifikova të bëja shërbim në Kishë e në komunitet. Fatmirësisht, një prej qëllimeve të mia ishte të isha anëtare aktive dhe besnike e Kishës.

Mirë, siç mund ta dini, shumë prej qëllimeve të mia nuk u realizuan në mënyrën si shpresova. Unë mbarova universitetin, shërbeva në një mision, u punësova, vazhdova studimin për të marrë diplomë masteri dhe vazhdova të punoja në profesionin tim për shumë vite. (Mendova se martesa do të ndodhte me siguri 13 vite më parë, kur hapa një çokollatë fatsjellëse dhe lexova: “Ti do të martohesh brenda më pak se një viti.”) Por atje s’kishte burrë të pashëm, as martesë dhe as fëmijë. Asgjë nuk kishte shkuar si e kisha planifikuar përveç një gjëje. Unë u përpoqa të isha një anëtare aktive dhe besnike e Kishës. Për këtë jam mirënjohëse së tepërmi. Kjo ka sjellë gjithë ndryshimin në jetën time.

Pata mundësinë të shërbeja për shumë vite tek Të Rejat dhe ndjeva se kjo më dha një mundësi për t’u dhënë mësim e për t’u dëshmuar më të rejave që po zhvillonin dëshmitë e tyre dhe po kërkonin të përparonin sipas mënyrës së caktuar nga Perëndia.

Gjithashtu pata mundësinë të shërbej në thirrje të Shoqatës së Ndihmës, gjë që më ndihmoi të mësoj t’u shërbej të tjerëve, e shtoi besimin tim dhe më dha një ndjenjë të shkëlqyer përkatësie. Edhe pse nuk isha e martuar dhe nuk kisha fëmijë, ndjeva se jeta ime kishte kuptim. Pati çaste shkurajimi dhe çaste kur e vura në dyshim planin.

Një kolege pune, që nuk ishte anëtare e Kishës, më tha: “Përse vazhdon të shkosh tek një kishë që i vë kaq shumë theks martesës dhe familjeve?” Përgjigjja ime e thjeshtë për atë qe: “Sepse është e vërtetë!” Mund të jem po aq beqare e pa fëmijë dhe jashtë Kishës. Por me Kishën dhe ungjillin e Jezu Krishtit në jetën time, gjeta lumturi dhe e dija se isha në shtegun që Shpëtimtari do të donte që të ndiqja unë. Unë gjeta gëzim dhe shumë mundësi për të shërbyer, për të dashur dhe për t’u rritur.

Kujtoni, nuk është vetëm se çfarë merrni nga pjesëmarrja aktive në Shoqatën e Ndihmës, por edhe çfarë mund të jepni e të kontribuoni gjithashtu.

Motrat e mia të dashura, veçanërisht ju beqare më të reja në moshë madhore, unë ju dëshmoj se Perëndia ju do; Ai kujtohet për ju; Ai ka një plan për ju. Ai ka nevojë për ju që t’u shërbeni fëmijëve të Tij. Ai ka nevojë për ju që të jeni gra aktive, dhe besnike, dhe plotësisht pjesëmarrëse në Kishën e Tij. Ai ka nevojë për ju që të “ngushëlloni të ligështuarin dhe të forconi të dobtin”6.

Motra Eliza R. Snou, presidentja e përgjithshme e dytë e Shoqatës së Ndihmës, u foli një grupi të madh motrash – adoleshente e në moshë madhore – të mbledhura në Ogden, Juta, në 1873. Ajo dha këshillën që vijon, që qe në kohë atëherë dhe është ende me vend sot.

Duke u folur të rejave, ajo tha: “Nëse shoqëroheni së bashku [domethënë gra më në moshë e më të reja], mendjet tuaja zhvillohen, ju po fitoni mençuri dhe po largoheni nga padituria. Shpirti i Perëndisë do t’ju japë udhëzim në mendjet tuaja dhe ju do t’ia jepni atë njëra-tjetrës. Unë them, Perëndia ju bekoftë motra të mia të reja. Kujtoni se ju jeni shenjtore të Perëndisë; dhe se ju keni punë të rëndësishme për t’i kryer në Sion.”

Më tej ajo këshilloi gjithë gratë: “Pali, Apostulli, në lashtësi foli për gra të shenjta. Është detyra e secilës prej nesh të jetë një grua e shenjtë. Ne duhet të kemi qëllime fisnike, nëse jemi gra të shenjta. Ne do të ndiejmë se jemi thirrur për të kryer detyra të rëndësishme. Asnjë nuk përjashtohet prej tyre. Asnjë motër nuk është kaq e veçuar dhe fusha e ndikimit të saj kaq e kufizuar sa ajo të mos mund të bëjë shumë për ngritjen e Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë.”7

Ju lutem kijeni kujdes këtë boshllëk dhe mos lejoni që një boshllëk pasiviteti të hyjë në jetën tuaj në çfarëdo mënyre. Ju keni nevojë për Kishën dhe Kisha ka nevojë për ju.

Dhe së fundi, boshllëku mes besimit tek Jezu Krishti dhe të qenit të guximshme në dëshminë e Jezu Krishtit.

Shumë njerëz besojnë tek Jezu Krishti – se Atë e lindi Maria në rrethana të përulura në Betlehem shumë vite më parë. Shumë besojnë se Ai u rrit për t’u bërë një mësues i mrekullueshëm, një shpirt i dashur e fisnik. Disa besojnë se Ai na dha një komplet parimesh e urdhërimesh me vlerë dhe që, nëse do t’i ndjekim ato mësime dhe do t’i mbajmë ato urdhërime, ne do të bekohemi.

Megjithatë, për ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë se sa të besojmë tek Krishti. Ne duhet të kemi besim tek Ai, të pendohemi për mëkatet tona, të pagëzohemi në emrin e Tij e të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, dhe pastaj, ne duhet të durojmë besnikërisht deri në fund.

Ne duhet t’i ndajmë dëshmitë tona me të tjerët. Ne duhet t’i mbajmë besnikërisht besëlidhjet që kemi bërë me Perëndinë. Ne e dimë se të gjitha gjërat do t’u zbulohen e do t’u shpallen atyre “që kanë duruar me besnikëri për ungjillin e Jezu Krishtit”8.

Kur kthehemi në besim, kemi një prirje të natyrshme për ta ndarë ungjillin me ata që i duam. Lehi u kthye në besim dhe dëshironte që familja e tij të merrte nga mirësia e ungjillit9. Nefi foli për Krishtin, u gëzua në Krishtin dhe predikoi për Krishtin, që fëmijët e tij të mund të dinin burimin për heqjen e mëkateve të tyre ose, me fjalë të tjera, ku do të mund të gjenin paqe dhe gëzim10.

Kur Enosi u kthye në besim dhe mori heqje të mëkateve të tij, ai qe i shqetësuar për mbarëvajtjen e vëllezërve të tij. Ai dëshironte që ata të merrnin bekimet që ai kishte marrë11.

Kudo nëpër shkrime ne lexojmë për burra e gra që u kthyen në besim dhe pastaj dëshiruan të “forconin” vëllezërit e motrat e tyre12.

Zëri juaj le të dëgjohet mes besnikëve ndërkohë që shpallni me guxim se Ai jeton13, se Kisha e Tij është rivendosur dhe se plani i lumturisë është i disponueshëm për të gjithë.

Ndërkohë që kemi kujdes për këto boshllëqe duke i kushtuar vëmendje me kujdes dhe duke u larguar nga rreziku, ne do të fillojmë të kuptojmë plotësinë e bekimeve të ungjillit të Jezu Krishtit në jetën tonë.

Motra të mia të dashura, unë ju dua. E di se Shpëtimtari jeton. E di se Ai e do secilën prej nesh. E di se kjo është Kisha e Tij e vërtetë. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Spencer W. Kimball, “Relief Society—Its Promise and Potential”, Ensign, mars 1976, f. 4.

  2. “Fëmi i Per’ndis’ Jam”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 58.

  3. Shih Romakëve 8:35–39.

  4. Henry B. Eyring, “The Love of God in Missionary Work” (fjalim i mbajtur në seminarin për presidentë misioni, 25 qershor 2009.

  5. Shih DeB 97:27; DeB 124:1.

  6. “As Sisters in Zion,” Hymns, nr. 309.

  7. Eliza R. Snow, “An Address”,Woman’s Exponent, 15 shtator 1873, f. 62.

  8. DeB 121:29.

  9. Shih 1 Nefi 8:10–12.

  10. Shih 2 Nefi 25:26.

  11. Shih Enosi 1:5–11.

  12. Shih Lluka 22:32.

  13. Shih DeB 76:22.