2009
Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?
Nëntor 2009


Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?

Nevojat e të tjerëve janë të kudogjendura dhe secili prej nesh mund të bëjë diçka për të ndihmuar dikë.

Pamja
President Thomas S. Monson

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, ju përshëndes këtë mëngjes me dashuri në zemër për ungjillin e Jezu Krishtit dhe për secilin prej jush. Jam mirënjohës për privilegjin që të qëndroj para jush dhe lutem që të mund t’ju komunikoj me efekt atë që jam nxitur të them.

Disa vite më parë lexova një artikull të shkruar nga Xhek Mek-Konëll, doktor në mjekësi. Ai u rrit në kodrat e Virxhinias Jugperëndimore në Shtetet e Bashkuara si një nga shtatë fëmijët e një shërbestari metodist dhe të një nëne shtëpiake. Rrethanat e tyre qenë shumë të përulura. Ai rrëfeu se gjatë fëmijërisë së tij, çdo ditë kur familja qëndronte rreth tavolinës së ngrënies, babai i tij do të pyeste secilin me radhë: “Dhe çfarë ke bërë për dikë sot?”1 Fëmijët qenë të vendosur që të bënin një veprim të mirë shërbimi çdo ditë, që të mund t’i raportonin babait të tyre se e kishin ndihmuar dikë. Doktor Mek-Konëlli e quan këtë ushtrim trashëgiminë më të vlefshme nga babai i tij, sepse ajo pritshmëri dhe ato fjalë i frymëzuan atë dhe motrat e vëllezërit e tij t’i ndihmonin të tjerët gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërsa u rritën dhe u bënë më të pjekur, shkaku i tyre për të dhënë shërbim u shndërrua në një dëshirë të brendshme për t’i ndihmuar të tjerët.

Përveç karrierës së shquar mjekësore të doktor Mek-Konëllit – ku ai drejtoi zhvillimin e tajn testit për tuberkulozin, mori pjesë në zhvillimin e hershëm të vaksinës së poliomielitit, mbikëqyri krijimin e tajlenolit dhe qe ndihmues në zhvillimin e procedurës së imazhit me rezonancë magnetike, apo MRI – ai krijoi një organizatë që e quan Vullnetarët në Mjekësi, që i jep personelit mjekësor në pension një shans për të punuar vullnetarisht në klinika pa pagesë duke u shërbyer punëtorëve pa sigurim shëndetësor. Doktor Mek-Konëlli tha se koha e tij e lirë, që kur kishte dalë në pension, kishte “avulluar në 60 orë në javë pune të papaguar, por niveli [i tij] i energjisë ishte rritur dhe ka një përmbushje në jetën [e tij] që nuk ka qenë më parë.” Ai bëri këtë deklarim: “Në një nga ato paradokset e jetës, unë kam përfituar më shumë nga Vullnetarët në Mjekësi sesa pacientët e mi.”2 Tani ka mbi 70 klinika të tilla nëpër Shtetet e Bashkuara.

Sigurisht, nuk mund të jemi të gjithë doktorë mek-konëlla, që hapim klinika mjekësore për të ndihmuar të varfrit; megjithatë, nevojat e të tjerëve janë të kudogjendura dhe secili prej nesh mund të bëjë diçka për të ndihmuar dikë.

Apostulli Pal këshilloi: “Me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit.”3 Kujtoni me mua fjalët e njohura të Mbretit Beniamin në Librin e Mormonit: “Kur ju jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj.”4

Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij: “Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.”5

Unë besoj se Shpëtimtari po na thotë që, nëse nuk e humbasim veten në shërbim për të tjerët, ka pak qëllim për vetë jetën tonë. Ata që jetojnë vetëm për vete vyshken dhe në mënyrë figurative e humbasin jetën e tyre, ndërsa ata që e humbasin veten në shërbim për të tjerët rriten e lulëzojnë – dhe në fakt e shpëtojnë jetën e tyre.

Në konferencën e përgjithshme të tetorit 1963 – konferenca ku unë u mbështeta si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve – Presidenti Dejvid O. Mek-Kei bëri këtë deklaratë: “Lumturia më e madhe e njeriut vjen kur e humbet veten për të mirën e të tjerëve.”6

Shpesh ne jetojmë fare pranë por nuk komunikojmë sinqerisht. Ka nga ata brenda vetë zonës sonë të ndikimit të cilët, me krahë të zgjatura, thërrasin: “A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad?”7

Unë kam besim se është qëllimi i çdo anëtari të Kishës që të shërbejë dhe të ndihmojë ata në nevojë. Në pagëzim, ne besëlidhim që të “[mbajmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”8. Sa herë jeni prekur në zemër kur keni dëshmuar nevojën e një tjetri? Sa shpesh keni pasur ndër mend të ishit ai që jep ndihmë? Dhe përsëri sa shpesh ka ndërhyrë jetesa e përditshme dhe ju ua keni lënë të tjerëve të ndihmojnë, duke ndier se “oh, sigurisht dikush do të kujdeset për atë nevojë”.

Ne rrëmbehemi kaq shumë në angazhimet e jetës sonë. Megjithatë, nëse do të ktheheshim pas dhe do ta vështronim mirë atë që po bëjmë, mund të zbulonim se jemi përfshirë thellësisht në gjëra të parëndësishme. Me fjalë të tjera, tepër shpesh ne e kalojmë shumicën e kohës sonë duke u kujdesur për gjëra që thuajse nuk kanë fare rëndësi në skemën e madhe të gjërave, duke lënë pas dore ato kauza më të rëndësishme.

Shumë vite të shkuar kam dëgjuar një vjershë që më ka ngelur në mendje, sipas të cilës jam përpjekur t’i jap drejtim jetës sime. Është një prej të parapëlqyerave të mia:

Tërë natën kam qarë

Sepse nuk e kam parë

Që dikush nevojë kishte aty pranë;

Por deri tani asnjëherë

Aspak keqardhje s’kam ndier

Sepse tepër i sjellshëm kam qenë.9

Vëllezërit e motrat e mia, ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq, të njohur apo të huaj. Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh.

Ju mund të ankoheni: Unë mezi ia dal çdo ditë, duke bërë gjithçka më duhet të bëj. Si mund të jap shërbim për të tjerët? Çfarë është e mundur të bëj?

Pak më tepër se një vit më parë, më intervistoi Church News përpara ditëlindjes time. Në përfundim të intervistës, gazetari pyeti se çfarë do të konsideroja unë si dhuratën ideale që do të mund të ma jepnin anëtarët në mbarë botën. Unë u përgjigja: “Gjeni dikë që po kalon një kohë të vështirë, apo është i sëmurë, apo i vetmuar dhe bëni diçka për të.”10

Unë u trullosa kur këtë vit për ditëlindjen time mora qindra kartolina dhe letra nga anëtarë të Kishës rreth botës që më tregonin se si e kishin plotësuar atë dëshirë ditëlindjeje. Veprimet e shërbimit shtriheshin nga përgatitja e paketave humanitare deri tek kryerja e punës në kopsht.

Dhjetëra e dhjetëra Fillore i sfiduan fëmijët të jepnin shërbim dhe pastaj ato veprime shërbimi u regjistruan dhe m’i dërguan mua. Duhet të them se mënyrat e regjistrimit qenë shumë krijuese. Shumë erdhën në formën e fletëve të vendosura së bashku në libra me forma e përmasa të ndryshme. Disa përmbanin kartolina apo figura të vizatuara ose të ngjyrosura nga fëmijë. Një Fillore shumë krijuese dërgoi një kavanoz të madh që përmbante qindra prej atyre që ata i quajtën “pelushra të ngrohtë”, secili prej të cilëve përfaqësonte një veprim shërbimi të kryer gjatë vitit nga një prej fëmijëve në Fillore. Unë mundem vetëm ta përfytyroj lumturinë që përjetuan këta fëmijë kur treguan për shërbimin e tyre dhe pastaj vendosën një “pelush të ngrohtë” në kavanoz.

Po ndaj me ju vetëm disa nga shënimet e panumërta që përfshiheshin në dhuratat e shumta që mora. Një fëmijë i vogël shkroi: “Gjyshi im pati goditje të trurit dhe unë i mbajta dorën.” Nga një vajzë 8-vjeçare: “Motra ime dhe unë i shërbyem mamit dhe familjes sonë duke sistemuar dhe pastruar dollapin e lodrave. Na mori disa orë dhe u zbavitëm. Pjesa më e mirë qe se e befasuam mamin tim dhe e lumturuam atë sepse ajo as që na e kërkoi ta bënim.” Një vajzë 11-vjeçare shkroi: “Në lagjen time ishte një familje që nuk kishte shumë para. Ata kanë tri vajza të vogla. Mami dhe babi duhet të shkonin diku dhe unë u ofrova të mbikëqyrja të tri vajzat. Babi sapo do të më jepte një kartmonedhë 5-dollarëshe. Unë i thashë: ‘Nuk mund ta marr.’ Shërbimi im ishte që t’i mbikëqyrja vajzat falas.” Një fëmijë Filloreje nga Mongolia shkroi se ai kishte sjellë brenda ujë nga pusi që këtë të mos të duhej ta bënte nëna e tij. Nga një djalë 4-vjeçar, pa dyshim shkruar nga një mësuese Filloreje: “Babi im ka shkuar për stërvitje ushtarake për disa javë. Detyra ime e veçantë është t’i jap mamit tim përqafime dhe të puthura.” Shkroi një vajzë 9-vjeçare: “Unë mblodha luleshtrydhe për stërgjyshen time. U ndjeva mirë!” Dhe një tjetër: “Unë luajta me një kalama të vetmuar.”

Nga një djalë 11-vjeçar: “Unë shkova tek shtëpia e një zonje e i bëra pyetje dhe i këndova një këngë. U ndjeva mirë kur i bëra vizitë asaj. Ajo qe e lumtur sepse nuk pret kurrë vizitorë.” Leximi i këtij shënimi të veçantë më kujtoi fjalët e shkruara shumë kohë më parë nga Plaku Riçard L. Evans nga Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve. Tha ai: “Është e vështirë për ata që janë të rinj që të kuptojnë vetminë që vjen kur jeta ndryshon nga një kohë përgatitjeje dhe kryerjeje në një kohë të lënies së gjërave mënjanë… . Të jesh për kaq shumë kohë qendra e një shtëpie, kaq i nevojshëm dhe pastaj, thuajse befas, të jesh në anë duke vështruar varganin të kalojë pranë – kjo është të jetosh në vetmi… . Ne duhet të jetojmë një kohë të gjatë që të mësojmë sa bosh mund të jetë një dhomë e mbushur vetëm me orendi. Duhet dikush … përtej thjesht shërbimit të pajtuar, përtej kujdesit institucional apo detyrës profesionale, që të shkrijë kujtimet e së shkuarës dhe t’i mbajë ngrohtë të gjalla në të tashmen… . Ne nuk mund t’i kthejmë pas orët e mëngjesit të rinisë. Por mund t’i ndihmojmë të jetojnë në flakërimin e ngrohtë të një perëndimi që bëhet më i bukur nga zhytja jonë në mendime … dhe dashuria e pashtirur.”11

Kartolinat dhe shënimet për ditëlindjen time erdhën edhe nga adoleshentë në klasat e Të Rinjve dhe Të Rejave që bënë kuverta për spitale, shërbyen në qendra shpërndarjeje ushqimesh për të varfër, u pagëzuan për të vdekur dhe kryen veprime të tjera të shumta shërbimi.

Shoqatat e Ndihmës, ku mund të gjendet gjithmonë ndihmë, dhanë shërbim shumë më tepër se ai që do të ishte dhënë normalisht. Grupet e priftërisë vepruan po ashtu.

Vëllezërit e motrat e mia, rrallë ka qenë zemra ime kaq e prekur dhe mirënjohëse sa kur Motra Monson dhe unë kaluam vërtet orë të tëra duke lexuar ato dhurata. Zemra ime është plot tani kur flas për atë përvojë dhe kundroj jetët që janë bekuar si rezultat, për të dy, për dhënësin dhe marrësin.

Fjalët nga kapitulli i 25-të i Mateut vijnë në mendje:

“‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.

Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë.’

Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?’

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.’”12

Vëllezërit e motrat e mia, le t’ia bëjmë vetes pyetjen që i përshëndeste doktor Xhek Mek-Konëllin dhe vëllezërit e motrat e tij çdo mbrëmje në kohën e ngrënies: “Çfarë kam bërë për dikë sot?” Fjalët e një himni të njohur le të përshkojnë vetë shpirtin tonë dhe të gjejnë strehë në zemrat tona:

A kam bërë ndonjë të mirë në botë sot?

E ndonjë nevojtar a e kam ndihmuar?

A e kam nxitur të trishtuarin, dikë të ndihet i gëzuar?

Nëse jo, vërtet kam dështuar.

A i është lehtësuar sot dikujt kjo barrë

Sepse gati ta ndaja isha unë?

I sëmuri e i lodhuri ndihmë a kanë marrë?

A qesh’ aty kur dora ime duhej?13

Ai shërbim për të cilin jemi thirrur të gjithë ne është shërbimi i Zotit Jezu Krisht.

Kur Ai na rekruton në kauzën e Tij, Ai na fton t’i afrohemi Atij. Ai na flet juve dhe mua:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.”14

Nëse ia vëmë veshin vërtet, mund ta dëgjojmë atë zë nga larg të na thotë, sikur t’i fliste dikujt tjetër: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”15. Që secili të mund të kualifikohet për këtë bekim nga Zoti ynë është lutja ime dhe unë e jap në emrin e Tij, madje të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.

SHËNIME

  1. Jack McConnell, “And What Did You Do for Someone Today?” Newsweek, 18 qershor 2001, f. 13.

  2. Jack McConnell, “And What Did You Do for Someone Today?”, f. 13.

  3. Galatasve 5:13.

  4. Mosia 2:17.

  5. Lluka 9:24.

  6. David O. McKay, në Conference Report, tetor 1963, f. 8.

  7. Jeremia 8:22.

  8. Mosia 18:8.

  9. Anonim, cituar në Richard L. Evans, “The Quality of Kindness”, Improvement Era, maj 1960, f. 340.

  10. Shih Gerry Avant, “Prophet’s Birthday,” Church News, 23 gusht 2008, f. 4.

  11. Richard L. Evans, “Living into Loneliness”, Improvement Era, korrik 1948, f. 445.

  12. Mateu 25:34–40.

  13. “Have I Done Any Good?” Hymns, nr. 223.

  14. Mateu 11:28–30.

  15. Mateu 25:21.