2009
Mbajta e Ndryshimit të Fuqishëm të Zemrës
Nëntor 2009


Mbajta e Ndryshimit të Fuqishëm të Zemrës

Për të duruar deri në fund, ne duhet të jemi të etur për të kënaqur Perëndinë dhe për ta adhuruar Atë me zjarr.

Pamja
Elder Dale G. Renlund

Në dhjetor të vitit 1967 u realizua operacioni i parë i suksesshëm i transplantit të zemrës në Kejptaun të Afrikës së Jugut. Zemra e sëmurë e burrit që po vdiste u hoq dhe në vend të saj u vendos një zemër e shëndetshme nga një dhurues që kishte vdekur. Që nga ajo kohë janë realizuar më shumë se 75.000 transplante në të gjithë botën.

Te çdo përfitues i zemrës së transplantuar, trupi i pacientit e njeh si të “huaj” zemrën e re jetëshpëtuese dhe fillon ta sulmojë atë. Po të lihet pa kontroll, përgjigjja natyrale e trupit do ta refuzojë zemrën e re dhe përfituesi i saj do të vdesë. Barnat mund ta frenojnë këtë përgjigje natyrale, por mjekimet duhet të merren çdo ditë me përpikëri. Për më tepër, kushtet e zemrës së re duhet të mbikëqyren. Biopsi të zemrës realizohen herë pas here, në të cilën copëza të vogla të indit të zemrës shkëputen dhe pastaj ekzaminohen me mikroskop. Nëse gjenden gjurmë të refuzimit të organit të transplantuar, mjekimi do të përshtatet. Nëse procesi i refuzimit zbulohet që herët, vdekja mund të parandalohet.

Për çudi, disa pacientë bëhen të shkujdesur me zemrën e tyre të transplantuar. Ata lënë mënjanë ilaçet e tyre herë pas here dhe marrin kujdesin mjekësor më rrallë sesa duhet. Ata mendojnë se, meqë ndihen mirë, gjithçka është në rregull. Shpesh ky zakon dritëshkurtër i vë pacientët në rrezik dhe shkurton jetën e tyre.

Një transplant zemre mund t’ua zgjasë jetën me vite të tëra njerëzve të cilët ndryshe do të vdisnin nga kolapsi i zemrës. Por ai nuk është “operacioni përfundimtar”, ashtu siç e quajti revista Time më 19671. Operacioni përfundimtar nuk është një “ndryshim i fuqishëm i zemrës”2 fizikisht, por shpirtërisht.

Nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit dhe nëpërmjet bindjes ndaj ligjeve dhe urdhërimeve të ungjillit, ne kalojmë këtë operacion të madh, këtë ndryshim shpirtëror të zemrës. Si rezultat i mëkateve tona, zemrat tona shpirtërore janë sëmurur dhe ngurtësuar, duke na bërë ne pjesë të vdekjes shpirtërore dhe të ndarjes nga Ati ynë Qiellor. Zoti shpjegoi operacionin që na duhet të gjithëve: “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do tjap zemër prej mishi.”3

Megjithatë, sikurse me pacientët e transplantit të zemrës, ky ndryshim i fuqishëm i zemrës sonë shpirtërore është vetëm fillimi. Pendimi, pagëzimi dhe konfirmimi janë të rëndësishëm por jo të mjaftueshëm. Në të vërtetë, një kujdes i njëllojtë, në mos më i madh, duhet bërë për një zemër të ndryshuar shpirtërisht, më tepër se për një zemër të transplantuar fizikisht, nëse ne do të duronim deri në fund. Vetëm duke bërë këtë ne mund të quhemi të pafajshëm në kohën e gjykimit.4

Të durosh deri në fund mund të jetë sfiduese, sepse prirja natyrore e njeriut është të refuzojë zemrën e ndryshuar shpirtërisht dhe ta lejojë atë të ngurtësohet. S’është çudi që Zoti paralajmëroi “dhe madje ata që shenjtërohen le të jenë të vëmendshëm”5.

Ne të gjithë njohim njerëz të cilët e kanë pasur këtë ndryshim të fuqishëm të zemrës, por në vijim i janë dorëzuar natyrës njerëzore. Ata u treguan të shkujdesur në adhurimin dhe devotshmërinë e tyre ndaj Zotit, zemrat e tyre u ashpërsuan dhe në këtë mënyrë ata vunë në rrezik shpëtimin e tyre të përjetshëm.

Jetët e njerëzve të cilët u kthyen në besim nga predikimet e bijve të Mosias, ofrojnë disa njohuri se si mundet dikush ta shmangë refuzimin e zemrës shpirtërore që ka ndryshuar fuqishëm. Ne lexojmë për ta se “të gjithë ata që u sollën në njohurinë e së vërtetës, nëpërmjet predikimit të Amonit dhe vëllezërve të tij … dhe që u kthyen në besim te Zoti, nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre”6.

Si arritën të duronin deri në fund me sukses? Ne e dimë se ata “u dalluan … për zellin e tyre ndaj Perëndisë, si edhe ndaj njerëzve; pasi ishin krejtësisht të ndershëm dhe të drejtë për çdo gjë; dhe ishin të vendosur në besimin e Krishtit, madje deri në fund”7.

Zelli i tyre ndaj Zotit pasqyron etjen për të kënaqur Perëndinë dhe për ta adhuruar Atë me zjarr dhe pasion. Përkushtimi i tyre ndaj njerëzve lë të kuptohet një interes i zjarrtë për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Ky qëndrim i tyre krejtësisht i drejtë dhe i ndershëm në të gjitha gjërat, tregon që ata i mbanin besëlidhjet e tyre me vendosmëri dhe nuk kërkonin arsye për zotimet e tyre ndaj Perëndisë ose njerëzve. Për më tepër, ne e dimë që ata ua mësonin ungjillin fëmijëve të tyre në shtëpi. Ne dimë që ata i groposën armët e tyre të luftës, duke u distancuar nga tundimet.

Ata shpesh duhet të kenë vlerësuar gjendjen e zemrës së tyre të ndryshuar shpirtërisht. Nuk menduan thjesht se gjithçka shkonte mirë. Duke ekzaminuar, në mënyrë të figurshme, zemrat e tyre të ndryshuara, ata arrinin të përcaktonin çfarëdo ngurtësie ose mospranimi të hershëm dhe ta kuronin atë.

Alma i Riu parashtron një seri pyetjesh për bashkëkohësit e njerëzve të Amonit që, në mënyrë të figurshme, u bëjnë biopsinë zemrave të ndryshuara shpirtërisht. Alma pyet: “Në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”8 Ai i pyet ata me tej nëse kanë qenë aq sa duhet të përulur, të çliruar nga kryelartësia e zilia dhe të sjellshëm kundrejt vëllezërve të tyre.9 Duke iu përgjigjur me ndershmëri pyetjeve si këto, ne mund të korrigjojmë shmangiet tona të hershme nga shtegu i drejtë dhe i ngushtë dhe të ruajmë besëlidhjen tonë me përpikëri.

Në vitin 1980 ne u zhvendosëm si familje në anën tjetër të rrugës, përballë spitalit ku unë u trajnova dhe punova. Unë punoja çdo ditë, duke përfshirë të dielat. Nëse unë e mbaroja punën time të dielën nga ora 2:00 e drekës, unë mund të bashkohesha me gruan e vajzën time dhe të shkonim në kishë për mbledhjet që fillonin në orën 2:30.

Një të diel në ditët e vonshme të vitit tim të parë të trajnimit, unë e dija që mund të mbaroja nga ora 2:00. Sidoqoftë, unë vura re se, nëse unë qëndroja në spital vetëm pak më gjatë, gruaja dhe vajza ime mund të niseshin pa mua. Unë mund të shkoja pastaj më këmbë në shtëpi dhe të merrja një sy gjumë aq të nevojshëm. Më vjen keq të them që ashtu veprova. Unë prita deri në 2:15, shkova ngadalë në shtëpi dhe u shtriva në divan, me shpresën për të marrë një sy gjumë. Por nuk më zinte gjumi. Isha i turbullt dhe i shqetësuar. Gjithmonë kisha dashur shumë të shkoj në kishë. Unë pyesja veten pse në këtë ditë zjarri i dëshmisë dhe entuziazmi që kisha ndier më parë, po më mungonin.

Nuk më duhej ta mendoja gjatë. Për shkak të orarit tim, unë bëja lutje dhe studime të shkrimeve të shenjta rastësisht. Unë mund të ngrihesha një mëngjes, të thoja lutjet e mia dhe të shkoja në punë. Shpesh dita shkrihej në natë dhe në ditë përsëri, përpara se të kthehesha në shtëpi vonë mbrëmjen pasuese. Do të isha më pas aq i lodhur saqë do të më zinte gjumi përpara se të thoja një lutje apo të lexoja shkrimet e shenjta. Mëngjesin tjetër procesi fillonte përsëri. Problemi ishte se unë nuk po bëja gjërat themelore që më nevojiteshin për ta mbajtur zemrën time të ndryshuar fuqishëm, larg kthimit në gur.

U ngrita nga divani, rashë në gjunjë dhe i kërkova Zotit falje. I premtova Atit Qiellor se do të ndryshoja. Ditën tjetër solla Librin e Mormonit në spital. Në listën time të gjërave për të bërë atë ditë, dhe çdo ditë që atëhere, ishin dy çështje: lutja të paktën në mëngjes dhe në darkë dhe leximi i shkrimeve të shenjta. Ndonjëherë mesnata do të vinte dhe unë do të duhej të gjeja shpejt një vend privat për t’u lutur. Disa ditë studimi i shkrimeve të shenjta ishte i shkurtër. Gjithashtu i premtova Atit Qiellor se gjithmonë do të përpiqesha të shkoja në kishë, edhe nëse do të humbisja një pjesë të mbledhjes. Brenda pak javësh zelli u kthye dhe zjarri i dëshmisë digjej fuqishëm përsëri. Premtova që kurrë më të mos bija pre e kurthit të vdekjes shpirtërore të të qenit i rastësishëm për këto veprime në dukje të vogla dhe kështu të vija në rrezik gjërat e natyrës së përjetshme, pavarësisht rrethanave.

Për të duruar deri në fund, ne duhet të jemi të etur për të kënaqur Perëndinë dhe për ta adhuruar Atë me ndjenja të zjarrta dhe pasion. Kjo do të thotë që duhet ta ruajmë besimin tek Jezu Krishti duke u lutur, duke studiuar shkrimet e shenjta, duke marë sakramentin çdo javë dhe duke pasur Frymën e Shenjtë si bashkudhëtarin tonë të përhershëm. Ne duhet që t’i ndihmojmë dhe t’u shërbejmë të tjerëve në mënyrë aktive dhe të ndajmë ungjillin me ta. Ne kemi nevojë që të jemi krejtësisht të drejtë dhe të ndershëm në gjithçka, pa kompromentuar kurrë besëlidhjet tona me Zotin ose zotimet tona ndaj njerëzve, pavarësisht rrethanave. Në shtëpitë tona ne duhet të flasim, të gëzojmë dhe të predikojmë për Krishtin, në mënyrë që fëmijët tanë – dhe ne vetë – të dëshirojmë të aplikojmë Shlyerjen në jetën tonë.10 Ne duhet t’i përcaktojmë tundimet që mësyjnë lehtas dhe t’i largojmë ato – mjaft larg. Së fundi, ne kemi nevojë t’i bëjmë shpesh ekzaminim zemrës sonë të ndryshuar fuqishëm dhe të zhbëjmë që herët çdo shenjë mospranimi.

Ju lutem të merni parasysh gjendjen e zemrës suaj të ndryshuar. A dalloni ndonjë refuzim të saj si rezultat i prirjes së njeriut të natyrshëm për t’u bërë i shkujdesur? Nëse është kështu, gjeni një vend ku edhe ju mund të gjunjëzoheni. Mbani mend, janë në lojë më shumë se disa vite jete të vdekshme në këtë tokë. Mos rrezikoni të humbisni frutet e operacionit përfundimtar: shpëtimin dhe ekzaltimin e përjetshëm.

Unë lutem që ne të mund të shkojmë përpara me besim të patundur tek Krishti dhe të durojmë me gëzim deri në fund11, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. “Surgery: The Ultimate Operation”, Time, 15 dhjetor 1967, f. 64.

  2. Shih Mosia 5:2; Alma 5:12–14.

  3. Ezekieli 36:26

  4. Shih 3 Nefi 27:16.

  5. DeB 20:34.

  6. Alma 23:6.

  7. Alma 27:27.

  8. Alma 5:26.

  9. Shih Alma 5:27–30.

  10. Shih 2 Nefi 25:26.

  11. Shih Diter F. Uhtdorf, “A Nuk Kemi Shkak të Gëzohemi?” Liahona, nëntor 2007, f. 18–21.