2009
Mënyra e së Shkuarës për të Përballuar të Ardhmen
Nëntor 2009


Mënyra e së Shkuarës për të Përballuar të Ardhmen

Mësimet e së shkuarës … na përgatisin që të përballim sfidat e së ardhmes.

Pamja
Elder L. Tom Perry

Bashkëshortja ime dhe unë patëm privilegjin të ndiqnim Shfaqjen Përkujtimore për Mrekullinë Mormone në Manti, Juta, këtë verë. Një natë, përpara se të fillonte shfaqja, ne u folëm artistëve pjesëmarrës. Për shkak të numrit të madh të aktruesve pjesëmarrës, na u desh t’u flisnim në dy seksione. Shfaqja përkujtimore pati një trupë prej më shumë se 800 vetësh, me 570 prej tyre nën moshën 18 vjeç. Këtë vit morën pjesë njëqind aktrues më shumë, duke u kërkuar motrave, që kanë në ngarkim garderobën, të përgatisnin kostume të tjera – gjë që ato e bënë. Ishte frymëzuese të shihje sa të mirëorganizuara ishin ato duke u kujdesur për çdo hollësi.

Mjedisi i shfaqjes përkujtimore është në një faqe kodre tamam nën Tempullin e Mantit. Ishin të pranishëm 15.000 vetë natën që ne pamë shfaqjen përkujtimore. Ishte emocionuese ta shihje këtë ushtri të rinjsh e të rejash të fitonin një kuptim të historisë së Rivendosjes, ndërkohë që i luanin rolet e tyre me kaq shumë entuziazëm e shpirt.

Diçka që neve na pëlqen shumë ta bëjmë kur vizitojmë Mantin, është të marrim pjesë në një sesion në tempull. Ka një shpirt të veçantë në këta tempuj më të vjetër, që u ndërtuan me sakrificë të madhe nga pionierët e hershëm.

Pjesëmarrja në një sesion tempulli në Tempullin e Mantit ishte një përvojë emocionuese për mua. Më ktheu kujtime të shkëlqyera të asaj se si kujtoja Tempullin e Loganit, në Juta, përpara se të rimodelohej e modernizohej. Ndërsa vazhdonim në sesionin e tempullit, unë mund të dëgjoja në çdo dhomë ata pionierë të hershëm që thoshin: “Shiko se çfarë ndërtuam me vetë duart tona. Ne nuk patëm pajisje të fuqishme, as firma kontraktuese apo nënkontraktuese të përfshira në ndërtim. S’kishim vinça të ndërlikuar për të ngritur gurë të rëndë. Ne e kryem këtë punë me vetë fuqinë tonë.”

Çfarë trashëgimie të lavdishme na kanë lënë këta pionierë të hershëm të kontesë Sanpet.

Ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara Ronald Regan e kanë cituar të ketë thënë: “Unë nuk dua të kthehem tek gjërat si ishin në të shkuarën, unë dua të kthehem tek mënyra e së shkuarës për të përballuar të ardhmen.”1 Këshilla e tij ende kumbon brenda meje. Ka diçka në shqyrtimin e mësimeve të së shkuarës për të na përgatitur që të përballim sfidat e së ardhmes. Çfarë trashëgimie të lavdishme besimi, kuraje dhe zotësie na kanë lënë ata pionierë fisnikë mormonë të hershëm, ku ne të ndërtojmë. Admirimi im për ta thellohet sa më shumë që jetoj.

Përqafimi i ungjillit solli si rezultat një ndryshim të plotë të jetës për ta. Ata lanë gjithçka pas – shtëpitë e tyre, aktivitetet e tyre, fermat e tyre dhe madje pjesëtarë të dashur të familjes – dhe udhëtuan për në vend të shkretë. Duhet të ketë qenë një tronditje e madhe kur Brigam Jangu shpalli: “Ky është … vendi!”2 Para tyre shtrihej një djerrinë e shkretë dhe e gjerë, e zhveshur nga kodrat e gjelbra, pemët dhe livadhet e bukura që kishin njohur shumica e atyre pionierëve të hershëm. Me besim të palëkundur tek Perëndia dhe udhëheqësit e tyre, ata pionierë të hershëm shkuan të punonin për të krijuar komunitete të bukura në rrëzë të maleve.

Shumë pionierë të lodhur sapo kishin filluar të gëzonin disa nga rehatitë e thjeshta të jetës kur Brigam Jangu u bëri thirrje t’i linin përsëri shtëpitë e tyre dhe të udhëtonin për në lindje, për në perëndim, për në veri e për në jug, për të kolonizuar Grejt Bejzin-in. Kjo është mënyra si u themeluan komunitetet e kontesë Sampet – Feirvju, Efraim, Manti, Moroni dhe Maunt Plezënt.

Kur u ktheva nga vizita ime në kontenë Sanpet, ndjeva dëshirën të mësoj më shumë mbi këta pionierë të hershëm. Vendosa të kaloj disa orë në Bibliotekën e re të Historisë së Kishës dhe të lexoj pak për historinë e tyre.

Ndodhi në vitin 1849, vetëm dy vjet pasi arritën në Solt Lejk Vallei, kur Brigam Jangu, kolonizuesi i madh i Perëndimit, u bëri thirrje një grupi shenjtorësh që të udhëtonin drejt jugut dhe të fillonin të ndërtonin shtëpitë dhe komunitetet e tyre sërish nga e para, në një tjetër djerrinë të shkretë. Pak kohë pasi ishin vendosur në Sanpet, Presidenti Hiber C. Kimball, një këshilltar i Presidentit Brigam Jang, vizitoi komunitetin e Mantit dhe u premtoi atyre se, në kodrën që ngrihej mbi luginë, do të ndërtohej një tempull, duke përdorur gurë nga malet në lindje.

Kaluan disa vite nga vizita e Presidentit Kimball dhe qytetarët filluan të merakoseshin pasi nuk po bëhej asgjë për të ndërtuar një tempull që ta përdornin ata. “Ne duhet të kemi një tempull në komunitetin tonë”, deklaroi një nga qytetarët. “Kemi pritur mjaft gjatë për këtë bekim.” Një tjetër tha: “Nëse duam ta kemi një tempull, më mirë le të fillojmë e ta ndërtojmë.” Dhe kjo është pikërisht ajo çka bënë.

Guri i qoshes u vendos më 14 prill 1879, rreth 30 vjet pasi kishin arritur në luginën Sanpet. Ka shumë ndodhira që mund të tregohen për zellin e punëtorëve, që bënë gjithçka mundën për ndërtimin e këtij tempulli të bukur. Presidenti Gordon B. Hinkli tha disa vite më parë në ripërkushtimin e Tempullit të Mantit: “Kam qenë në ndërtesa të shkëlqyera të botës dhe tek asnjëra prej tyre nuk kam pasur këtë ndjenjë si kjo kur vij në këto shtëpi të Perëndisë të ndërtuara nga pionierët.”3 Familja Hinkli ka një lidhje shumë të veçantë me Tempullin e Mantit. Gjyshi i Motrës Merxhori Hinkli e humbi jetën nga një aksident që pësoi gjatë ndërtimit të tij.

Për të kuptuar më mirë se si e shkuara mund të japë një mënyrë më të mirë për të përballuar të ardhmen, do të doja të ndaja një ndodhì nga ndërtimi i Tempullit të Mantit. Pastaj dëshiroj të ndaj se çfarë më ka mësuar ajo mbi parimet e vërteta.

Disa karpentierëve të aftë nga Norvegjia, që erdhën e u vendosën në Manti, iu ngarkua detyra që të ndërtonin çatinë për tempullin. Ata nuk kishin ndërtuar kurrë një strukturë çatie më parë, por kishin përvojë si ndërtues anijesh. Ata nuk dinin si ta projektonin një çati. Pastaj u erdhi një mendim: “Përse të mos ndërtojmë thjesht një anije? Pastaj, meqë një anije e ndërtuar mirë është e qëndrueshme dhe e sigurt, nëse e kthejmë planin përmbys, do të kemi një çati të sigurt.” Ata filluan të planifikonin për të ndërtuar një anije dhe, kur e përfunduan, e kthyen planin përmbys dhe u bë plani për çatinë e Tempullit të Mantit.

Në këtë rast ata përdorën mësime nga përvojat e tyre të shkuara – parimet e ndërtimit të anijes – për t’i ndihmuar që ta kapërcenin sfidën. Ata arsyetuan saktë se të njëjtat parime që kishin zbatuar për të ndërtuar një anije të denjë për në det, do të zbatoheshin gjithashtu për të ndërtuar një çati të fortë. Për shembull, të dy strukturat duhet të ishin të papërshkueshme nga uji. Pacënueshmëria qendrore e strukturës nuk do të ndikohej nga orientimi i saj – qoftë me faqen kryesore sipër apo e përmbysur. Gjëja më e rëndësishme ishte të kishin njohuri pune për parimet bazë që kërkoheshin për të ndërtuar çfarëdo strukture që ndërtohej për të qenë e qëndrueshme.

Të ngulitur në ungjillin e Jezu Krishtit, ka parime dhe të vërteta të përjetshme që do të zgjasin shumë më tepër se parimet e ndërtimit të anijeve dhe çative. Ju dhe unë, si anëtarë të Kishës së vërtetë të Zotit, kemi mundësi përdorimi dhe kuptueshmëri të veçantë për këto parime dhe të vërteta të përjetshme, veçanërisht kur dëgjojmë Shpirtin për udhëheqje vetjake, si dhe dëgjojmë zërin e profetit kur ai ia shpall vullnetin e Perëndisë anëtarëve të Kishës. Ju dhe unë, së bashku e dimë sa të rëndësishme janë këto parime dhe të vërteta të përjetshme në jetën tonë. Nuk jam i sigurt nëse ata pionierë të hershëm do të mund t’i kishin përballuar rreziqet dhe pasiguritë e së ardhmes pa to, as ne nuk mundemi. Ato janë e vetmja mënyrë e vërtetë dhe e përjetshme për të përballuar të ardhmen, veçanërisht në këto kohë gjithnjë e më të rrezikshme e të pasigurta kur jetojmë ne.

Këta ndërtues anijesh norvegjezë sollën me vete mjeshtëritë themelore të zanatit të tyre, që mund të kaloheshin nga ndërtimi i anijeve tek ndërtimi i tempujve. Çfarë e shkaktoi ndryshimin e tyre të beftë për përparësitë? Ka vetëm një përgjigje që shpjegon gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar gjithçka që të bëheshin ndërtues të mbretërisë së Perëndisë. Atyre u ishin mësuar dhe i kishin pranuar parimet dhe të vërtetat e përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit. Ata e kuptuan se misioni i tyre nuk ishte vetëm të ndihmonin për të ndërtuar ngrehina, por gjithashtu që të kontribuonin për të ngritur moralisht të tjerët duke ndarë njohurinë e tyre të ungjillit. Siç lexojmë në seksionin 50 të Doktrina e Besëlidhjeve: “Ai që predikon dhe ai që pranon, e kuptojnë njëri-tjetrin dhe që të dy lartësohen e gëzohen së bashku” (vargu 22).

Kur morëm bekimin e veçantë të njohurisë së ungjillit të Jezu Krishtit dhe morëm mbi vete emrin e Krishtit duke hyrë në ujërat e pagëzimit, ne gjithashtu pranuam detyrimin për të ndarë ungjillin me të tjerët. Kohët e fundit, për të përmbushur më plotësisht përgjegjësinë tonë të përbashkët për të shpallur ungjillin, Kisha e ka kthyer përmbys programin misionar. Disa vite më parë ne i hoqëm misionet e kunjit dhe e kaluam përqendrimin e përpjekjeve tona tek organizimi i misionit të lagjes. Me një plan misionar të lagjes, të hartuar nga çdo këshill lagjeje në Kishë, po bëhet përparim me një ritëm gjithnjë e më të lartë. Shumica e suksesit po arrihet nga misionarët kohëplotë që punojnë në lidhje të ngushtë me këshilla lagjesh, udhëheqës të misionit të lagjes dhe anëtarë të Kishës.

Ne kemi zbuluar se puna misionare e bazuar tek lagjja e rrit përfshirjen e anëtarëve për të gjetur dhe për t’u dhënë mësim kërkuesve. Shpesh kërkuesit ftohen të marrin mësimet misionare në shtëpitë e anëtarëve. Anëtarët e lagjes ngazëllehen më shumë për të ndarë njohurinë e tyre të çmuar për ungjillin e Jezu Krishtit, kur i provojnë drejtpërsëdrejti bekimet e ëmbla të shërbimit misionar dhe kur udhëheqësit e tyre të lagjes i kujtojnë më rregullisht. Anëtarët përfshihen më shumë kur meditojnë dhe luten për ndarjen e ungjillit me miq, fqinjë dhe pjesëtarë të familjeve të besimeve të tjera.

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Shumë nga ne e konsiderojnë punën misionare thjesht si trokitje nëpër dyer. Të gjithë ata që e njohin këtë punë, e dinë se ka një mënyrë më të mirë. Kjo mënyrë është nëpërmjet anëtarëve të Kishës. Sa herë një anëtar prezanton një kërkues, pikërisht në atë çast krijohet menjëherë një sistem mbështetjeje. Anëtari dëshmon për vërtetësinë e kësaj pune. Ai shqetësohet për lumturinë e shokut të tij kërkues. Ai gëzohet kur shoku i tij përparon në mësimin e ungjillit.”4

Misionarët kohëplotë do të vazhdojnë të kryejnë shumicën e mësimdhënies reale për kërkuesit, por anëtarët do të kenë mundësi të bollshme për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për të ndarë dëshmitë e tyre. Ne ia vëmë veshin më plotësisht zërit të profetit duke u përgatitur për të dhënë mësim parimet bazë të ungjillit. Përgatitja e largon frikën. Ajo gjithashtu thjeshton e forcon atë që bëjnë anëtarët në mbështetje të misionarëve kohëplotë. Ka tre mësime themelore që zhvillojnë misionarët kohëplotë: Rivendosja, plani i shpëtimit dhe ungjilli i Jezu Krishtit. Sa të përgatitur jeni ju për të dhënë dëshmi e dëshmim për vërtetësinë e vetë këtyre mësimeve themelore? Përdoreni manualin e frymëzuar për misionarët “Predikoni Ungjillin Tim” për të studiuar e për t’u përgatitur që ta luani atë rol mbështetës për misionarët kohëplotë, kur ata zhvillojnë këto diskutime themelore të ungjillit.

I mësofshim ne që të dy mësimet e rëndësishme që na dhanë ndërtuesit e anijeve nga Norvegjia që ndërtuan çatinë e Tempullit të Mantit. I pari është mësimi i përdorimit të parimeve dhe të vërtetave të së shkuarës për të na ndihmuar të përballojmë të ardhmen. I dyti, ne mësojmë nga dëshira e tyre për të ndarë atë që dinin me të tjerët për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ky mësim i dytë, nëse e mësojmë mirë, do të ndihmojë shumë të tjerë nga vëllezërit e motrat tona, bashkëbij e bija të Perëndisë, që të përballin një të ardhme të pasigurt me të njëjtin sigurim të përjetshëm që kemi ne.

Ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë. Ai u rivendos që të na bekonte jetën tonë në këto ditë të mëvonshme. Ai përmban gjithë të vërtetat, parimet dhe ordinancat që përmbaheshin në planin e madh të lumturisë të Atit tonë Qiellor, që është një plan për ne që të kthehemi e të jetojmë me Të në mbretëritë e përjetshme përtej. Që ungjilli i Jezu Krishtit është udha e Tij hyjnore për ne që të përballim të ardhmen tonë të lavdishme, është dëshmia ime për ju në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Cituar në George F. Will, “One Man’s America”, Cato Policy Report, shtator/tetor 2008, f. 11.

  2. Cituar në Wilford Woodruff, “Celebration of Pioneers’ Day”, The Utah Pioneers (1880), f. 23.

  3. Cituar në “Manti Temple Rededicated”, Ensign, gusht 1985, f. 73.

  4. Gordon B. Hinckley, “Find the Lambs, Feed the Sheep”, Liahona, korrik 1999, f. 119.