2021
Rrituni drejt Parimit të Zbulesës
Janar 2021


Rrituni drejt Parimit të Zbulesës

Unë ju nxis që të hidhni hapat e nevojshëm për ta dëgjuar Zotin më mirë dhe më shpesh, që ju të mund të merrni ndriçimin që Ai dëshiron t’jua japë.

Pamja
photograph of small green plant

Figurat nga Getty Images

Më 30 shtator 2017, pas sesionit të pasdites së konferencës së përgjithshme, u ndala në spital për të vizituar anëtarin e dashur të kuorumit tim, Plakun Robert D. Hejls. Ai ishte shtruar në spital qëkurse kishte pësuar një atak zemre disa ditë më parë.

Patëm një vizitë të mrekullueshme dhe ai dukej se po përmirësohej. Madje merrte frymë vetë, gjë e cila ishte një shenjë e mirë.

Atë mbrëmje, sidoqoftë, Shpirti i foli zemrës dhe mendjes sime se duhet të kthehesha në spital të dielën. Gjatë sesionit të paradites të së dielës të konferencës së përgjithshme, m’u kthye sërish ajo mbresë e fortë. Ndjeva se duhej ta lija vaktin e drekës dhe të nxitoja pranë shtratit të Plakut Hejls sapo të mbaronte sesioni i paradites, gjë që e bëra.

Kur arrita, mund të shihja që Plaku Hejls kishte marrë një kthesë të rëndë për më keq. Trishtueshëm, ai ndërroi jetë 10 minuta pasi mbërrita, por jam mirënjohës që isha pranë shtratit të tij me bashkëshorten e tij të ëmbël, Merin, dhe dy bijtë e tyre kur ai u largua nga kjo jetë.

Sa mirënjohës jam që pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë më nxitën që të bëja diçka që nuk do të mund ta kisha bërë ndryshe. Dhe sa mirënjohës jam për realitetin e zbulesës dhe se qiejt janë hapur edhe një herë.

Këtë vit, përqendrimi ynë për studimin vetjak dhe nëpër klasa do të jetë libri Doktrina e Besëlidhje. Këto “zbulesa… hyjnore dhe deklarata… të frymëzuara” mund t’i bekojnë të gjithë njerëzit që i studiojnë ato dhe veprojnë sipas udhëzimeve të tyre hyjnore. Ato i ftojnë “të gjithë njerëzit kudo, që të dëgjojnë zërin e Zotit Jezu Krisht”1, pasi me të vërtetë “zëri i Zotit shkon te gjithë njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 1:2).

Rreziku, Errësira, Mashtrimi

Shtrëngatat fizike dhe shpirtërore janë pjesë e jetës mbi tokë, ashtu siç na e ka kujtuar pandemia e COVID-19. Për kohën përpara Ardhjes së Tij të Dytë, Shpëtimtari parashikoi ditët e mundimit të madh. Ai tha: “Do të ketë zi buke dhe murtajë, dhe tërmete në vende të ndryshme” (Joseph Smith – Mateu 1:29).

Pjesë përbërëse e mundimit të tillë është errësira dhe mashtrimi në rritje që na rrethojnë. Ashtu siç Jezusi u tha dishepujve të Tij: “Paudhësia do të shumohet” përpara kthimit të Tij (Joseph Smith – Mateu 1:30).

Satani i ka organizuar forcat e tij dhe po tërbohet kundër veprës së Zotit dhe atyre prej nesh të përfshirë në të. Për shkak të rreziqeve në rritje që hasim, nevoja jonë për udhërrëfim hyjnor nuk ka qenë kurrë më e madhe dhe përpjekjet tona për ta dëgjuar zërin e Jezu Krishtit – Ndërmjetësit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë – nuk kanë qenë kurrë më të ngutshme.

Sikurse thashë pak kohë pasi u thirra si President i Kishës, Zoti është gati për të na e zbuluar vullnetin Tij. Ky është një nga bekimet e Tij më të madhërishme për ne.2

Në kohën tonë, Ai ka premtuar: “Në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie” (Doktrina e Besëlidhje 42:61).

Unë e di se Ai do t’u përgjigjet përgjërimeve tona.

Si e Dëgjojmë Ne Atë

Të kuptuarit se si na flet Shpirti, është thelbësor sot. Për të marrë zbulesë vetjake, për të gjetur përgjigje dhe për të marrë mbrojtje dhe udhëzim, ne e kujtojmë modelin që Profeti Jozef Smith vendosi për ne.

Së pari, ne e zhytim veten në shkrimet e shenjta. Bërja e kësaj na i hap zemrat dhe mendjet tona ndaj mësimeve dhe të vërtetave të Shpëtimtarit. Fjalët e Krishtit na “tregojnë të gjitha gjërat që [ne] duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:3), veçanërisht në këto ditë pasigurie dhe rrëmuje.

Më pas lutemi. Lutja kërkon nismë, kështu që ne e përulim veten para Perëndisë, gjejmë një vend të qetë ku mund të shkojmë rregullisht dhe ia derdhim zemrën tonë Atij.

Zoti thotë: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet” (Doktrina e Besëlidhje 88:63).

Afrimi më pranë Zotit sjell ngushëllim dhe kurajë, shpresë dhe shërim. Kështu që, ne lutemi në emrin e Tij për shqetësimet tona dhe dobësitë tona, dëshirat tona dhe njerëzit tanë të dashur, thirrjet tona dhe pyetjet tona.

Pastaj mbajmë vesh.

Nëse do të qëndrojmë në gjunjë për pak kohë pasi e përfundojmë lutjen, mendime, ndjenja dhe udhëzime do të na vijnë në mendje. Shënimi i atyre mbresave do të na ndihmojë të mbajmë mend se çfarë veprimesh dëshiron Zoti që të bëjmë.

Teksa e përsëritim këtë proces, sipas fjalëve të Profetit Jozef Smith, ne do të “rrite[m]i drejt parimit të zbulesës”3.

Pamja
woman praying in bedroom

Të Denjë për të Marrë Zbulesë

Përmirësimi i aftësisë sonë për t’i dalluar pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë dhe rritja e kapacitetit tonë për të marrë zbulesë kërkojnë denjësi. Denjësia nuk kërkon përsosuri, por ajo kërkon që ne të përpiqemi për më shumë pastërti.

Zoti pret përpjekje të përditshme, përmirësim të përditshëm, pendim të përditshëm. Denjësia sjell pastërti dhe pastërtia na kualifikon për Frymën e Shenjtë. Kur e marrim “Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin [tonë]” (Doktrina e Besëlidhje 45:57), ne kualifikohemi për zbulesë vetjake.

Nëse diçka po na pengon që t’ia hapim derën udhëzimit qiellor, ne mund të kemi nevojë të pendohemi. Pendimi na lejon që ta hapim derën, në mënyrë që të mund ta dëgjojmë zërin e Zotit më shpesh dhe më qartë.

“Standardi është i qartë”, dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Nëse diçka që mendojmë, shikojmë, dëgjojmë, ose bëjmë na largon nga Fryma e Shenjtë, atëherë ne duhet të mos vazhdojmë më ta mendojmë, shikojmë, dëgjojmë ose bëjmë atë gjë. Nëse ajo që ka për qëllim të na argëtojë, [për shembull], na largon nga Shpirti i Shenjtë, atëherë me siguri ky lloj argëtimi nuk është për ne. Duke qenë se Shpirti nuk pajtohet me atë që është vulgare, e vrazhdë ose jo modeste, atëherë me siguri që të tilla gjëra nuk janë për ne.”4

Kur e bashkojmë pastërtinë dhe bindjen më të madhe me agjërimin, kërkimin e zellshëm, studimin e shkrimeve të shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, tempullin dhe punën e historisë familjare, qiejt do të hapen. Zoti në këmbim, do ta përmbushë premtimin e Tij: “Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde” (Doktrina e Besëlidhje 11:13).

Ne mund të kemi nevojë të jemi të duruar, por Perëndia do të na flasë në vetë mënyrën e Tij dhe në vetë kohën e Tij.

Një Shpirt Kuptueshmërie

Jobi shpalli: “Ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë” (Jobit 32:8). Në këtë vit të ri, unë ju nxis të hidhni hapat e nevojshëm për ta dëgjuar Zotin më mirë dhe më shpesh, që ju të mund të merrni ndriçimin që Ai dëshiron t’ju japë.

Përpara se Plaku Hejls të ndërronte jetë atë ditë tetori të vitit 2017, ai përgatiti një bisedë të shkurtër për konferencën e përgjithshme që nuk pati mundësinë ta jepte. Në atë bisedë ai shkroi: “Besimi ynë na përgatit që të jemi në praninë e Zotit”5.

Kur marrim zbulesë, ne kalojmë kohë në praninë e Perëndisë teksa Ai na zbulon mendjen, vullnetin dhe zërin e tij (shih Doktrina e Besëlidhje 68:4). E vënshim besimin tonë në veprim, duke i bërë thirrje Atij, duke jetuar të denjë për frymëzimin e premtuar nga Ai dhe duke vepruar sipas udhërrëfimit që marrim.

Shënime

  1. Parathënia për librin Doktrina e Besëlidhje.

  2. Shih Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 94.

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 136.

  4. Dejvid A. Bednar, “Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Liahona, maj 2006, f. 30, [Konferenca e Përgjithshme Prill 2006, f. 48].

  5. Në Nil L. Andersen, “Zëri i Zotit”, Liahona, nëntor 2017, f. 125.