2021
Dhënia e Shërbesës ndaj Atyre që Janë të Burgosur
Janar 2021


Dhënia e Shërbesës ndaj Atyre që Janë të Burgosur

Vlera e shpirtit të një njeriu nuk zvogëlohet nga krimi.

Pamja
collage image showing four different pictures of life in prison

Figurat nga Getty Images

Pikërisht tani, më shumë se 10 milionë njerëz mbahen në mbarë botën nëpër burgje.1 Jezu Krishti, që e do çdo njeri dhe e kupton çdo vështirësi, na kërkon t’u japim shërbesë të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor – përfshirë atyre që janë të burgosur. “Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë … në burg dhe erdhëm te ti’?

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’” (Mateu 25:36–40).

Si mund ta bëjmë atë që kërkoi Shpëtimtari dhe t’u japim shërbesë pa druajtje atyre që janë të burgosur? Ky artikull jep disa parime bazë si një pikë nisjeje. Diskutoni plot lutje me udhëheqësit vendorë të Kishës rreth asaj që është e përshtatshme dhe e mençur për zonën tuaj.

Fëmijë të Perëndisë si edhe Ne

Ndërkohë që sistemet e drejtësisë ndryshojnë, sfida e burgimit është e njëjtë nëpër kombe dhe kultura. Dag Riçensi drejton ndihmesën për anëtarët e burgosur të Kishës. Ai gjithashtu bashkërendon me grupe të tjera besimi dhe komuniteti për t’i ndihmuar njerëzit që preken nga burgimi, pavarësisht nga prejardhja apo pikëpamjet e tyre fetare.

“Një stereotip i zakonshëm për ata që janë të burgosur, është se ata janë të gjithë të pabesë, të dhunshëm dhe të rrezikshëm”, tha Vëllai Riçens. “Megjithatë, kam zbuluar se shumica nuk janë ashtu. Shumica ndiejnë keqardhje për veprimet e tyre. Ata po përpiqen të ngrihen mbi zgjedhjet e këqija të së kaluarës dhe të jetojnë një jetë të mirë.”

Në disa shtete, pothuajse gjysma e të gjithë qytetarëve kanë një pjesëtar të afërt të familjes që ka qenë i burgosur.2 Këta vëllezër e motra, prindër dhe fëmijë të burgosur – përveç të qenit të përcaktuar nga ndonjë marrëdhënie tokësore – janë fëmijë të Perëndisë si edhe ne.

Gjykimi në Vdekshmëri dhe në Përjetësi

Edhe pse jeta kërkon që ne të bëjmë gjykime, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të vetmit që mund ta gjykojnë përsosurisht dikë në bazë të situatës, veprimeve dhe dëshirave të tyre (shih 1 Samuelit 16:7). Ai gjykim i përsosur me siguri do të marrë parasysh rrethanat në të cilat njerëzit kanë lindur, që e bëjnë më të mundur burgimin, të tilla si traumat familjare, varfëria brez pas brezi, një kulturë e përdorimit të drogës etj. Shumë faktorë të tjerë mund të ndikojnë në aftësinë e një njeriu për të bërë zgjedhje të mira, përfshirë shëndeti dhe mirëqenia e tyre.3 Ndërkohë që për shoqërinë është e rëndësishme që të përforcojë ligjet që i mbajnë të sigurta komunitetet, ne mund ta bëjmë këtë me dhembshuri dhe me një këndvështrim të përjetshëm, duke e kuptuar se ka shumë gjëra që nuk i kuptojmë.

“Mendoni rreth mënyrës se si do të ndiheshit nëse do të gjykoheshit për gjithë pjesën e mbetur të jetës suaj, bazuar te gjërat më të këqija që keni bërë ndonjëherë”, tha Tanja Shejfer, një anëtare e Kishës, e cila punonte në një zyrë ligjore përpara se të themelonte një grup avokatie për të burgosurit. “Është në dorën e Perëndisë që të falë këdo që Ai do të falë, por Ai na urdhëron që të falim çdo njeri” (shih Mateu 18:21–22).

Parimi i gjykimit të përsosur të Perëndisë gjithashtu mund të jetë një burim ngushëllimi për viktimat e krimit. Nganjëherë njerëzit që i lëndojnë të tjerët, nuk përballen kurrë me ndëshkimin në tokë. Viktimat mund të vuajnë shumë kohë pasi periudha e burgimit të autorëve të krimit të ketë përfunduar. Shumë njerëz të prekur nga burgimi kanë qenë si viktimë ashtu edhe autorë krimi në kohë të ndryshme, duke na kujtuar se jeta është një rrjet i ndërlikuar marrëdhëniesh dhe vendimesh që ndikojnë tek të tjerët. Ne mund të gjejmë ngushëllim në mirëbesimin se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i kuptojnë të gjitha. Gjykimi i tyre do të jetë i përsosur. Shërimi që Ata ofrojnë – si për të pafajshmin edhe për të penduarin – do të jetë i plotë (shih Zbulesa 21:4).

Shembulli i Dashur i Udhëheqësve

Plaku Gerrit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi një mbledhje ku çdo njeri përreth tij ishte veshur me të bardha. Atje kishte këngë e lutje dhe dashuria e Perëndisë ishte e pashtershme.4 Ndryshe nga ajo që shumë prej nesh mund të jenë duke përfytyruar, kjo nuk ishte një mbledhje tempulli. Kjo qe një vizitë për dhënie shërbese në një burg, ku kostumet e bardha të burgut ishin uniforma standarde.

“Udhëheqësit e Kishës kujdesen për të gjithë ata që janë prekur nga krimi dhe burgimi”, dëshmoi Vëllai Riçens, duke përshkruar se si një udhëheqës ia jep kopjen e tij të një reviste të Kishës dikujt që ai viziton në burg çdo muaj. “Ata i vizitojnë shpesh të burgosurit, i përkrahin familjet e tyre dhe kujdesen me dhembshuri për viktimat.”

Shërbesat riedukuese janë përgjegjësia e presidentit të kunjit, duke punuar me udhëheqësit e lagjes për të trajtuar nevojat e njerëzve në zonën e tyre. Çfarë po bëjnë udhëheqësit tuaj të kunjit për t’u dhënë shërbesë dhe mesazhe lartësuese anëtarëve të burgosur? Në disa vende, anëtarët e Kishës mund të thirren për t’i vizituar dhe dhënë mësim të burgosurve. Vëllai Riçens tha se shpesh ata anëtarë të thirrur për të dhënë përkrahje janë të shqetësuar në fillim, por më pas ata e kuptojnë se thirrja është aq kuptimplote saqë nuk duan më të lirohen prej saj.

“Është fe e pastër”, tha ai (shih Jakob [Bibël] 1:27).

Meqenëse nuk duhet të ndihemi nën trysni për t’i vizituar të burgosurit që nuk i njohim, ka mënyra të tjera se si mund të japim shërbesë pa druajtje. Ja tek janë disa shembuj:

  • Përfshijini të burgosurit në lutjet tuaja, veçanërisht ndonjë njeri që e njihni me emër. Lutja është e fuqishme!

  • Konsultohuni me burgjet vendore për të parë nëse kanë nevojë për artikuj të dhuruar. Punime dore si punimi me grep, projekte leximi e arti dhe kërkime për historinë familjare lejohen në shumë ndërtesa burgjesh.

  • Nëse njihni dikë që është i burgosur, shkruajuni letra frymëzuese. Bëni zgjedhje të sigurta, të urta ndërkohë që komunikoni. Ndiqeni Shpirtin dhe ruani kufij të përshtatshëm.

  • Trajtojini pjesëtarët e familjes së atyre që janë të burgosur – veçanërisht fëmijët – me dashuri, respekt dhe përfshirje. Kujtoni se pjesëtarët e familjes gjithashtu janë përgjithësisht viktima të pafajshme. Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë të kuptojmë se si t’u japim shërbesë më së miri të gjithë pjesëtarëve të familjes.

Pamja
woman sitting on bed and praying

Fryma e Shenjtë Nuk Është i Kufizuar

Burgimi mund të jetë një periudhë tejet e vështirë në jetën e një njeriu. Por Fryma e Shenjtë nuk ndalet nga muret, hekurat apo prangat. Lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe përulësia mund ta ftojnë praninë e Tij ngushëlluese po aq shpejt brenda një qelie burgu sa edhe jashtë saj. Për shkak të kësaj, burgu mund të bëhet një vend mrekullish.

Porsha Lauderi, një anëtare e Kishës, e cila shkroi mesazhe ditari në internet ndërkohë që ishte e burgosur, e përshkroi kohën e saj në burg si një udhëtim të vështirë besimi dhe zbulimi të vetvetes. “Kam kaluar përmes disa vështirësive tepër të rënda në jetën time, por mund ta ndiej se po shërohem nëpërmjet një dashurie që është e papërshkrueshme”, shkroi ajo. “Çfarëdo sfide që po kaloni pikërisht tani, në çfarëdo faze qofshi në udhëtimin tuaj vetjak, ju lutemi mos hiqni dorë!”

Garf Kenëni, i cili shërbeu si president dege në një burg, përshkroi se si Shpirti e nxiti atë t’i fliste me mirësi një të burgosuri zemërngurtë, i cili kishte bërë një jetë të vështirë. “Këto që sapo më the tani, janë fjalët më dashamirëse që më janë thënë ndonjëherë në jetë”, tha ky burrë. “Nuk mbaj mend që të më kenë folur ndonjëherë me mirësi dhe përkujdesje. Faleminderit.” Ata e përfunduan vizitën e tyre me lutjen e parë që ky burrë kishte dëgjuar për shumë vjet.

“Po, Fryma e Shenjtë pa dyshim që ndodhet në ndërtesat riedukuese të burgjeve”, dëshmoi Vëllai Kenën. “Fëmijët e Perëndisë janë atje dhe Ai dëshiron që ata të kthehen sërish.”

Perëndia u bën premtime të fuqishme të gjithëve që zgjedhin ta ndjekin Atë, qoftë nëse mësojmë fillimisht rreth Tij në Shkollën e së Dielës apo në burg. Ashtu siç thuhet tek Ezekiel 36:26: “Një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri”.

Riintegrimi në Shoqëri Është Jashtëzakonisht Sfidues

Vlera e shpirtit të një njeriu nuk zvogëlohet nga krimi (shih Doktrina e Besëlidhje 18:10). Kur dikush dëshiron të ndryshojë për më mirë, a e lejojmë atë që të përmirësohet dhe të falet?

“Hiri dhe dhembshuria e Perëndisë është e pamasë”, tha Vëllai Riçens. “Nganjëherë individët e burgosur ndihen të falur nga Zoti kohë përpara se të falen nga qeveria, shoqëria apo qoftë nga disa anëtarë të Kishës.”

Rikthimi në shoqëri pas burgimit është i vështirë. Ata që kanë qenë të burgosur, shpesh kanë vështirësi në gjetjen e punësimit ose banimit. Ne mund t’i ndihmojmë që të gjejnë siguri në vende të shëndetshme dhe të ushtrojnë veprimtari të dobishme që i pëlqejnë. Ndoshta një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë, është që të jemi një mik pozitiv që të jep forcë. Kur Jozef Smithi foli për reformën e burgjeve ndërkohë që po kandidonte për president, ai dha mësim se “rreptësia dhe izolimi nuk do të sjellin kurrë përmirësim aq të madh në ndreqjen e sjelljes nga prirja e natyrshme e njeriut sa arsyetimi dhe miqësia”5.

Dhembshuria Sjell Ndryshim

Juda i nxiti shenjtorët të “ki[shin] dhembshuri” (Judë 1:22). Fjalët e Tij jehojnë lutjen e Shpëtimtarit, që t’i kujtojmë ata që janë në burg. Si do t’u përgjigjemi këtyre ftesave? Le të bëjmë përpjekje për t’i ushqyer shpirtërisht me mirësinë e Perëndisë ata që përjetojnë burgimin dhe familjet e tyre. Dhembshuria jonë mund të sjellë ndryshim.

Shënime

  1. Shih “World Prison Population List: Eleventh Edition”, National Institute of Corrections, nicic.gov.

  2. Shih “Half of Americans Have Family Members Who Have Been Incarcerated”, 11 dhjetor 2018, Equal Justice Initiative, eji.org/news.

  3. Shih “Traumatic Brain Injury in Criminal Justice”, Universiteti i Denverit, du.edu/tbi.

  4. Takimi shpirtëror për Krishtlindjen i Sektorit të Priftërisë dhe Familjes, dhjetor 2019.

  5. “Joseph Smith as a Statesman”, Improvement Era, maj 1920, f. 649.