2021
Vlera e Secilit Shpirt
Janar 2021


Eja, Më Ndiq: Doktrina e Besëlidhje 18–19

Vlera e Secilit Shpirt

Përse kemi kaq shumë vlerë për Atin tonë Qiellor?

Kohët e fundit pata mbresën të vihesha në kontakt me një familje që unë dhe shoku im i misionit e kishim mësuar dhe pagëzuar kur isha misionar i ri në moshë pothuajse 40 vjet më parë në Bruksel të Belgjikës. Kishte kaluar thuajse goxha kohë qëkurse kisha folur me ndonjërin prej tyre.

Nëpërmjet mrekullisë së teknologjisë në ditët e sotme, e kërkova në mediat shoqërore nënën e kësaj familjeje. Pata mundësinë që të bëja një bisedë të mrekullueshme në video me të. Ne i rikujtuam përvojat e shenjta që kishim pasur vite më parë teksa familja e saj mësonte rreth ungjillit të rivendosur.

Ajo nuk gëzonte shëndet të plotë dhe rrethanat e kishin veçuar nga familja e saj. Ndërsa bisedonim, ndjeva dashurinë e thellë që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari kanë për këtë motër të mirë. Unë e ndjeva vlerën e saj të madhe e të përjetshme, edhe pse ajo është shkëputur disi nga Kisha. I shpreha dashurinë time për të dhe i dëshmova se Perëndia e donte dhe ishte i vëmendshëm ndaj saj. Na u mbushën sytë me lot teksa shprehëm dashurinë tonë për njëri-tjetrin. U zotuam që të komunikonim më shpesh. Isha kaq mirënjohës që një Perëndi i gjithëditur dhe i dashur më kishte frymëzuar që ta ndihmoja mikeshën time të dashur atë ditë.

“Pse‑ja” e Dashurisë së Perëndisë

Kur një engjëll e pyeti Nefin në lidhje me denjimin e Perëndisë, ai përulësisht iu përgjigj: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17). Shpesh kam vrarë mendjen se si Nefi arriti ta kuptonte këtë të vërtetë të thjeshtë e të bukur: Perëndia i do fëmijët e Tij. Është e qartë se ai e njihte doktrinën e Krishtit siç iu mësua nga “prindër[it] [e tij të] mirë” (1 Nefi 1:1). Por ai e dinte gjithashtu “pse‑në” e Shpëtimtarit. Dhe cila është ajo “pse”?

Pse Perëndia ishte i gatshëm ta linte Birin e Tij të shërbente si një fli? Pse Ai na dërgoi këtu për t’u vënë në provë dhe për t’u provuar? Sepse, ashtu siç jepet mësim te një e vërtetë po aq e bukur: “Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10).

Pse kemi vlerë kaq të madhe për Të? Natyrisht, sepse jemi fëmijët e Tij, Ai na do. Por në disa nga vargjet vijuese, Ai përshkruan dhuratën e madhe që iu dha secilit prej nesh për shkak të dashurisë së Tij për ne – Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin. Ai e dërgoi Birin e Tij që të vuante “vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai. Dhe ai është ngritur së vdekuri, që të mund t’i sjellë gjithë njerëzit te vetja, me kushtin e pendimit” (Doktrina e Besëlidhje 18:11–12). Ai na thotë: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Pendimi dhe Gëzimi

Nuk është çudi që Ati Qiellor ndien gëzim të madh kur ne pendohemi. Gatishmëria jonë për t’u penduar është provë e mirënjohjes sonë të thellë për dhuratën e mrekullueshme dhe të pakrahasueshme të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit të botës. Është vetëm dhe nëpërmjet Jezu Krishtit që ne mund të bëhemi të denjë për të qëndruar me vetëbesim në praninë e Perëndisë (shih Doktrina e Besëlidhje 121:45).

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim – diçka që duhet shmangur përveçse në rrethanat më të rënda. Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. Ai përpiqet të na e pengojë vështrimin drejt Jezu Krishtit, i cili qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë. …

Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.”1

I Ftuar për të Ardhur në Ndihmë

Shumë herë në zbulesat e ditëve të mëvonshme, Zoti i fton shërbëtorët e Tij që janë edhe fëmijët e Tij, për t’i ardhur në ndihmë Atij dhe Birit të Tij në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih Doktrina e Besëlidhje 18:14). Mendoni për këtë! Në gjendjen tonë të papërsosur, Perëndia i universit na bën ftesë për t’i ndihmuar fëmijët e Tij, të cilët kanë vlerë të madhe, për t’u kthyer tek Ai. Ai e di se puna është sfiduese. Do të ketë shumë njerëz që nuk do ta pranojnë ftesën tonë për ta “dëgj[uar] Atë”. Sidoqoftë, Ai e pohon se është Perëndia i “individit”. “Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!” (Doktrina e Besëlidhje 18:15; theksimi i shtuar).

Ju mund ta pyetni veten: “Çfarë mund të bëj që ta ndihmoj dikë të vijë te Krishti, të pendohet dhe të bekohet me anë të flijimit të Tij shlyes?”

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë këshillë rreth pjesëmarrjes në punën e shpëtimit dhe të ekzaltimit: “Kuptojeni se nuk është puna juaj për t’i kthyer njerëzit në besim. Ky është roli i Frymës së Shenjtë. Roli juaj është që të tregoni atë që është në zemrën tuaj dhe të jetoni në përputhje me bindjet tuaja.

Ndaj, mos u shkurajoni nëse dikush nuk e pranon menjëherë mesazhin e ungjillit. Ky nuk është një dështim vetjak.

Kjo është mes individit dhe Atit Qiellor.

Përgjegjësia juaj është ta doni Perëndinë dhe t’i doni të afërmit tuaj, fëmijët e Tij.

Beso, duaj, bëj.

Ndiqeni këtë shteg dhe Perëndia do të bëjë mrekulli nëpërmjet jush për t’i bekuar fëmijët e Tij të çmuar.”2

Në të Dyja Anët e Velit

Ftesa për të ardhur te Krishti nëpërmjet pendimit nuk është e ruajtur vetëm për ata që jetojnë mbi këtë tokë. “Të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 138:58). Tempulli dhe puna për historinë familjare janë aspekte të rëndësishme të mbledhjes së Izraelit të shpërndarë në të dyja anët e velit. Ne mund të ndiejmë gëzim të madh kur e bëjmë punën për ata që kanë shkuar në botën e shpirtrave, duke e ditur se në atë botë, siç tha Presidenti Uillford Udraf (1807–1898): “Do të ketë shumë pak njerëz, nëse ka ndonjë, që nuk do ta pranojnë ungjillin”3. Pa asnjë dyshim, ata do të presin me padurim për ditën kur ordinancat shpëtuese të kryhen për ta në shtëpinë e Zotit.

Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Kur i mbledhim historitë tona familjare dhe shkojmë në tempull në emër të paraardhësve tanë, Perëndia i përmbush shumë nga këto bekime të premtuara njëherësh në të dyja anët e velit. Në mënyrë të ngjashme, ne bekohemi kur i ndihmojmë të tjerët në lagjet dhe kunjet tona për të bërë të njëjtën gjë. Anëtarët që nuk jetojnë pranë një tempulli, gjithashtu i marrin këto bekime duke marrë pjesë në punën e historisë familjare, duke i mbledhur emrat e paraardhësve të tyre që t’iu kryhen ordinancat e tempullit.”4

Është e mrekullueshme të dimë se Ati ynë Qiellor e do secilin prej fëmijëve të Tij. Ne kemi vlerë të madhe për Të. Secili prej nesh ka një përgjegjësi të shenjtë për t’u dhënë shërbesë fëmijëve të Tij në të dyja anët e velit dhe për t’i ndihmuar që ta kuptojnë vlerën e tyre të madhe.

Ndihmojini ta Kuptojnë Vlerën e Tyre

Unë ju ftoj t’u shkoni në ndihmë atyre që kanë qenë pjesë e jetës suaj dhe që mund të jenë harruar për njëfarë kohe. Shkojuni në ndihmë atyre që janë larguar nga shtegu i besëlidhjeve. Jepuni shërbesë njerëzve që kanë nevojë për dashuri si të Krishtit. Lidhuni me ata në anën tjetër të velit nëpërmjet tempullit dhe punës për historinë familjare, duke përfshirë edhe indeksimin. Ndihmojini të tjerët që ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet jush.

Siç premtuam, mikja ime e dashur belge dhe unë folëm çdo të diel për më tepër se katër muaj. E ftova atë që të shkarkonte programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Presidenti i degës vendore u vu në dijeni për të dhe misionarët kohëplotë e vizituan dhe i dhanë një bekim priftërie. Javën vijuese, për herë të parë në më shumë se 30 vjet, ajo mori pjesë në mbledhjen e sakramentit. Herën e fundit që biseduam, ajo ishte mbushur me gëzim që u rilidh me trupën e Kishës së Jezu Krishtit.

Ajo më tha gjithashtu se bija e saj më e madhe ishte ende e përfshirë në Kishë. Menjëherë e kontaktova bijën e saj nëpërmjet një bisede me video. Ajo më njohu me secilin nga katër fëmijët e saj të bukur, më pas më tha se misionarët do t’i vinin në shtëpi për darkë atë mbrëmje. Çfarë bekimi qe të shihja se ajo ishte ende një anëtare besnike e Kishës!

Gjatë bisedës me të, e kuptova në një masë disi të vogël, mesazhin e këtij shkrimi të shenjtë: “Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” (Doktrina e Besëlidhje 18:16.)

Vlera e secilit shpirt është e madhe!

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 17.

  3. Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 191.

  4. Dejll G. Renland, “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, Liahona, maj 2018, f. 49.

Ngrini Duart që Varen Poshtë, nga J. Kirk Richards

“Nuk është puna juaj për t’i kthyer njerëzit në besim. Ky është roli i Frymës së Shenjtë. Roli juaj është që të tregoni atë që është në zemrën tuaj dhe të jetoni në përputhje me bindjet tuaja.”

Plaku Diter F. Uhtdorf

Lux Condivis (Drita e Shpërndarë), nga J. Kirk Richards

Secili prej nesh ka një përgjegjësi të shenjtë për t’u dhënë shërbesë fëmijëve të Atit Qiellor në të dyja anët e velit.

Shfaqja te Veli, nga J. Kirk Richards