2021
T’i Ndihmojmë Fëmijët që të Përgatiten për Pagëzimin
Janar 2021


T’i Ndihmojmë Fëmijët që të Përgatiten për Pagëzimin

Ne mund të jemi plot lutje, të qëllimshëm dhe të duruar teksa i ndihmojmë fëmijët tanë ta hedhin këtë hap përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

Pamja
image showing a family, baptism, and confirmation

Ilustrimet nga Bryan Beach

Të qenit i pagëzuar dhe i konfirmuar është një çast kulmor emocionues për fëmijët në Kishë. Ndërkohë që shumë njerëz i presin me padurim këto ordinanca, është gjithashtu e zakonshme që fëmijët të ndihen në ankth apo të frikësuar.

Si shkrimtare për revistën e Kishës për fëmijët, Miku, kam dëgjuar shumë histori të fëmijëve që druajnë se nuk janë gati për ta bërë këtë besëlidhje. Disa shqetësohen se nuk kanë ende një dëshmi mjaft të fortë. Disa kanë frikë nga uji. Dhe disa ndiejnë një masë të jashtëzakonshme trysnie për të qenë të përsosur.

Këtu janë disa mënyra për ta ndihmuar fëmijën tuaj që të ndihet i përgatitur dhe me vetëbesim për ta hedhur hapin e radhës në shtegun e besëlidhjeve.

Jepni Mësim Plot Qëllim

Mund të jetë e lehtë ta mendojmë pagëzimin si një ceremoni arritjeje ose thjesht diçka që ndodh kur fëmija juaj bëhet tetë vjeç. Por në të vërtetë, pagëzimi është një zgjedhje e shenjtë, që do të thotë se ata kanë nevojë të kuptojnë përse ai është i rëndësishëm. Mësimdhënia plot qëllim ndaj tyre mund të ndihmojë që ta bëjë pagëzimin më kuptimplotë (dhe më pak frikësues). Jepuni mësim në mënyrën se si do t’i jepnit mësim cilitdo personi që po mëson për Kishën përpara se të pagëzohet.

Është e rëndësishme që ne t’u mësojmë fëmijëve rreth besëlidhjeve që do të bëjnë në pagëzim. Dhe lajmi i mirë është se kjo nuk është diçka që ne duhet (apo jemi të detyruar) të përpiqemi ta bëjmë brenda ditës apo për një javë. Koha që përdorni vazhdimisht për studimin e ungjillit në shtëpinë tuaj, është mënyra më e mirë për ta ndihmuar fëmijën tuaj që të përgatitet për pagëzimin. Megjithatë, ka disa gjëra që janë veçanërisht të dobishme ku të përqendroheni ndërkohë që afrohet pagëzimi i fëmijës suaj.

  • Me terma të thjeshtë, diskutoni se si të qenit i/e pagëzuar do të thotë që të premtosh ta ndjekësh Jezu Krishtin.

  • Lexoni rreth pagëzimit në shkrimet e shenjta, të tilla si Mosia 18:8–10. Shpjegojini vargjet që fëmija juaj të kuptojë dhe t’jua japë mësim idetë sërish juve. Për shembull, një vajzë e sapopagëzuar në Havai të SHBA‑së, e përshkroi frazën “mbani barrat e njëri--tjetrit” si “ndihmojeni çdo njeri sa herë që ka nevojë për ndihmë”.

  • Sigurohuni që të flisni me ta rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe tregoni përvoja që i keni pasur kur Fryma e Shenjtë e ka bekuar jetën tuaj.

Disa fëmijë mund të shqetësohen rreth pagëzimit, sepse ata nuk mendojnë se kanë një dëshmi mjaftueshëm të fortë. Ndihmojeni fëmijën tuaj t’i kujtojë ndjenjat e mira që ka pasur ndërkohë që ka bërë diçka të mirë, ka kënduar në Fillore ose ka folur për ungjillin. Nxitini që të mendojnë për mënyra se si ata e dinë që Ati Qiellor i do. Shpjegoni se të gjitha këto janë fillesat e një dëshmie dhe se dëshmia e tyre do të rritet me kalimin e kohës ndërsa vazhdojnë të bëjnë zgjedhje të mira.

Tregojuni se Çfarë Pritet

Nëse fëmija juaj është në ankth rreth pagëzimit – ose madje edhe nëse duket sikur nuk është – mund të jetë e dobishme të bisedoni për atë se çfarë pritet. Një pikënisje e mirë është përgatitja e tyre për intervistën që do të bëjnë me peshkopin ose presidentin e tyre të degës. Ndihma ndaj fëmijës suaj për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si: “Përse pagëzimi është i rëndësishëm?” dhe “Çfarë do të thotë të marrësh mbi vete emrin e Krishtit?” mund ta ndihmojë atë të përgatitet për këtë diskutim. Ndihmojeni fëmijën tuaj që të kujtojë se peshkopi është atje që ta ndihmojë për të qenë gati, jo për t’i bërë pyetje provimi apo për ta vënë në vështirësi. Dhe kujtoni, ju gjithmonë mund ta shoqëroni fëmijën tuaj në intervistë, nëse dëshironi.

Diçka tjetër për ta përgatitur fëmijën tuaj, është se çfarë të presë fizikisht në ditën e pagëzimit. Tregojuni atyre se si të qëndrojnë kur të jenë në vaskën e pagëzimit. Ju madje mund ta ftoni mbajtësin e priftërisë që do ta pagëzojë fëmijën tuaj, që ta praktikojë lëvizjen fizike të pagëzimit ndërsa është jashtë ujit, kështu që fëmija juaj të dijë se si do të ndihet kur të zhytet dhe të nxirret nga uji. Shpjegoni se çfarë do të ndodhë gjatë konfirmimit.

Nëse fëmija juaj ka frikë të zhytet brenda në ujë, merrni parasysh me lutje mënyra se si ju mund t’i ndihmoni ata që ta mposhtin atë frikë teksa u afrohet pagëzimi. Ndoshta ju dhe fëmija juaj mund të shihni dikë tjetër që pagëzohet për të parë se për sa pak kohë ai ose ajo qëndron brenda në ujë. Ndoshta ju dhe fëmija juaj mund ta ushtroni bashkë mbylljen e hundëve dhe futjen e fytyrës në ujë për disa sekonda për çdo herë. Mund të jetë dikush në zonën tuaj që i mëson fëmijët të notojnë, i cili mund të ketë disa këshilla. Çfarëdo që të bëni, sigurohuni që ta bëni me dashuri dhe durim.

Sa më i përgatitur të ndihet një fëmijë për hollësitë fizike të pagëzimit, aq më shumë do të jetë në gjendje të qetësohet dhe të përqendrohet te besëlidhja shpirtërore që po bën.

Përqendrohuni te Përparimi, Jo te Përsosja

Nganjëherë, ndoshta ngaqë flasim kaq shumë për aspektin pastrues të pagëzimit, fëmijët e keqkuptojnë dhe mendojnë se duhet të jenë të përsosur pas ordinancës. Një nga historitë më të zakonshme që dëgjojmë në revistën Miku, është paniku që përjeton një fëmijë kur bën një gabim për herë të parë pasi pagëzohet. Kur grinden me një motër apo vëlla, ose kur harrojnë të bëjnë një punë shtëpie, i bën të ndihen sikur i kanë shkatërruar përgjithmonë ndjenjat e mira.

Si prindër dhe udhëheqës, është thelbësore që t’i ndihmojmë fëmijët tanë ta kuptojnë parimin e pendimit. A e kuptojnë fëmijët tanë se njohja e gabimeve tona dhe mësimi prej tyre është pjesë e mënyrës se si mësojmë dhe rritemi këtu në tokë? A e dinë ata se mund të luten për falje në çdo kohë? Dhe se kur e marrin sakramentin çdo javë, ata i ripërtërijnë ato besëlidhje që kanë bërë në pagëzim? Dëshmoni se mundësia për t’u penduar është një bekim dhe një dhuratë. Pagëzimi nuk ka të bëjë me të qenit i/e përsosur tani, por përkundrazi, me hyrjen në shtegun e besëlidhjeve dhe hedhjen e hapave të përditshme për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.

Pamja
various people in front of a temple

Një Fillim i Bukur

Në vend që ta shohin pagëzimin dhe konfirmimin si vendmbërritje, mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë ta shohin atë si një fillim të bukur – fillimin e një jete të re si një dishepull ose dishepulle besëlidhëse e Jezu Krishtit. Qoftë nëse fëmija juaj ndihet i gëzuar, në ankth ose pak nga të dyja, ju mund të siguroheni që ai/ajo të mos e përshkojë i/e vetëm/me këtë shteg. Duke qenë plot lutje, të qëllimshëm dhe të duruar, ne mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë të ndiejnë gëzim teksa e hedhin këtë hap për t’u kthyer në shtëpinë e tyre qiellore.