2021
Si e Forcon Studimi i Historisë së Kishës Besimin Tim
Janar 2021


Si e Forcon Studimi i Historisë së Kishës Besimin Tim

Pamja
illustration of African woman with basket on head

Figurat nga Getty Images

Kur isha nxënës në shkollën e mesme në Afrikën e Jugut, më pëlqente shumë ta studioja historinë. Kur hyra në universitet, mora diplomën për histori. Kur isha student seminari dhe më pas instituti, më pëlqyen të gjitha kurset e mia, por veçanërisht më pëlqeu Doktrina e Besëlidhje, sepse ajo më bëri ta njoh historinë e Kishës. Me kalimin e viteve, më ka pëlqyer leximi i librave mbi historinë e Kishës – madje edhe ata që trajtonin tema të vështira në historinë tonë. Ndërkohë që vazhdoj ta mësoj historinë e Kishës nga burime të ndryshme, vetë besimi im është forcuar. Këtu janë tri mënyra se si ndodh.

Historia e Kishës siguron këndvështrim për mua, veçanërisht kur bëhet fjalë për praktika të kaluara, përfshirë kufizimet mbi priftërinë dhe bekimet e tempullit. Kur së pari mësova që ka qenë një kohë kur burrave zezakë iu ndalua mbajtja e priftërisë, besimi m’u trondit. Si mundet që Kisha të cilën e doja, ua kishte ndaluar priftërinë zezakëve? Disa njerëz u përpoqën të më tregonin shpjegime që pretendonin se ishin doktrinore apo nga shkrimet e shenjta. Ato qenë pështjelluese dhe shumë shqetësuese.

Me kalimin e kohës, qe shpjegimi historik që pati kuptim dhe më dha ngushëllim. Parathënia historike e Deklaratës Zyrtare 2, për shembull, shpjegon se Jozef Smithi vërtet i shuguroi disa burra zezakë, por që udhëheqësit e Kishës ndaluan së dhëni priftërinë zezakëve në fillimet e historisë së Kishës. Në të më pas jepet kjo thënie e rëndësishme: “Analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me zanafillat e kësaj praktike”1. Esetë mbi Temat e Ungjillit2 dhe manuale të tjera të Kishës japin më shumë hollësi dhe kontekst të mëtejshëm historik.3 Këto shpjegime historike më kumbuan në mendje dhe ma forcuan besimin.

Historia e Kishës më ndihmon që t’i vlerësoj ata që janë larguar më parë nga jeta. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur dikush merr parasysh ndihmesat që kanë dhënë anëtarët “e zakonshëm” në dukje. Për shembull, godinat e para kishtare të ndërtuara në të gjithë Afrikën e Jugut, Zimbabve dhe Zambia në vitet 1950 dhe 1960 u bënë të mundura nga kontributet e anëtarëve. Marrja e bekimeve të tempullit kërkoi sakrificë edhe më të madhe. Duke e ditur që do të nevojiteshin dekada përpara se ata të mund të kishin tempuj në Afrikë, shumë anëtarë i shitën pronat e tyre, duke përfshirë shtëpitë e tyre, me qëllim që të kishin para për të udhëtuar për në tempull dhe të merrnin pjesë në ato ordinanca të shenjta. Kisha në kontinentin afrikan është ndërtuar mbi besimin e këtyre anëtarëve të hershëm që kishin pak, por sakrifikuan kaq shumë. Kur i lexoj analet e tyre, besimi im forcohet dhe gatishmëria ime për të sakrifikuar rritet.

Pamja
illustration of African continent

Historia e Kishës më inkurajon që të jem një mbajtës më i mirë i analeve. Udhëheqësit e Kishës e kanë nxitur mbajtjen e ditarëve. Përse? Sepse historia e Kishës është një anal i “mënyrë[s së] … jetesës, besimi[t], dhe vepra[ve]” të anëtarëve të saj (shih Doktrina e Besëlidhje 85:2). Sa herë që e lexoj historinë e Kishës, të tillë si botimin e ri historik Shenjtorët, më lë mbresa që këto vëllime janë të mundura vetëm për shkak të ditarëve, letrave dhe analeve të tjera të anëtarëve të zakonshëm të Kishës. Rrëfimet e tyre të sinqerta në vetën e parë më nxitin që të jem një mbajtës më i mirë i ditarit, në mënyrë që t’i ndihmoj historianët e ardhshëm për të dokumentuar një histori të saktë të Kishës në Afrikë.

Ka gjithashtu një bekim edhe më vetjak që vjen nga leximi i historisë së Kishës dhe të përpjekurit fort për t’i shkruar analet e mia. Siç dha mësim Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, unë jam i bekuar që e shoh dhe e kujtoj dorën e Zotit në jetën time dhe në jetën e pjesëtarëve të familjes sime.4 Ky kujtim e forcon dëshminë time dhe e rrit aftësinë time për t’u përballur me sfidat në jetën time. Kur e shkruaj vetë analin tim dhe mendoj për analet e shkruara me kujdes të anëtarëve të tjerë të Kishës, unë filloj të shoh modelet e madhërishme të Zotit teksa Ai e rivendos Kishën dhe mbretërinë e Tij në ditët e mëvonshme.

Këto dhe shumë mësime të tjera që mësohen nga studimi i historisë së Kishës, kanë dhënë ndihmesë të madhe në zhvillimin tim shpirtëror. Këto mësime gjithashtu më kanë dhënë kurajën që ta mbroj besimin tim, sepse unë e kuptoj arsyen përse ne e bëjmë atë që bëjmë. Të qenit në dijeni për kontekstin historik të shumë prej praktikave dhe bindjeve tona fetare, më ka bërë një mësues më të mirë dhe një dishepull më të mirë.

Figurat nga Getty Images