Eja, Më Ndiq
18–24 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13: ‘Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, Le të Dëgjojë!’


“18–24 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13: ‘Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, Le të Dëgjojë!’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“18–24 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
grurë gati për t’u korrur

18–24 Mars

Mateu 13; Lluka 813

“Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, Le të Dëgjojë!”

Ndërsa lexoni, mendoni për pyetje që mund të kenë anëtarët e klasës suaj teksa përpiqen t’i kuptojnë mesazhet e shëmbëlltyrave. Çfarë mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar? Si mund t’ju përgatitë studimi juaj për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre?

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Rishikojeni me klasën pjesën “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimit të Shenjtë” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë metodat që përdorën për të studiuar Mateun 13 dhe Llukën 813.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Mateu 13:1–23

Zemrat tona duhet të përgatiten për ta pranuar fjalën e Perëndisë.

  • Për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim që t’i përfytyrojnë mesazhet e shëmbëlltyrës së mbjellësit, ju mund të sillni në klasë disa fara, një vazo me dhé e një vazo me gurë të vegjël. Kërkojini një anëtari të klasës që të mbjellë një farë në dhé e një në gur. Cila farë do të rritet më mirë dhe përse? Si lidhet ky mësim me sende me shëmbëlltyrën te Mateu 13:1–23? Si mund ta përgatitim zemrën tonë që ta pranojë fjalën e Perëndisë?

  • Si mund ta përdorni shëmbëlltyrën e mbjellësit për t’i frymëzuar anëtarët e klasës suaj që t’i përgatitin zemrat e tyre për ta pranuar fjalën e Perëndisë? Ju mund të shkruani në tabelë fjalët Dishepuj dhe Të Tjerë. Ftojini anëtarët e klasës që të lexojnë Mateun 13:10–17 dhe të kërkojnë mënyrën se si e përshkroi Shpëtimtari ndryshimin midis dishepujve të Tij dhe të tjerëve që i dëgjuan shëmbëlltyrat e Tij. Më pas kërkojuni anëtarëve të klasës që të hulumtojnë vargjet 18–23, duke kërkuar atë që mund t’i bëjë veshët tanë “të rëndë” apo sytë tanë të mbyllen ndaj gjërave shpirtërore. Çfarë drejtimi po marrim në kohën tonë nga Perëndia dhe shërbëtorët e Tij? Në çfarë mënyrash po kultivojmë “tokë të mirë”? (vargu 23).

  • Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës që të vijnë të përgatitur për të dhënë mësim një pjesë nga mesazhi i Plakut Dallin H. Ouks “Shëmbëlltyra e Mbjellësit” (Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 32–35). Çfarë i shton mesazhi i tij të kuptuarit tonë për shëmbëlltyrën?

Mateu 13:24–35, 44–53

Shëmbëlltyrat e Jezusit na ndihmojnë të kuptojmë rritjen, fatin dhe vlerën e Kishës së Tij.

  • Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që t’i kuptojnë të vërtetat rreth Kishës që u dhanë mësim në shëmbëlltyrën e Jezusit te Mateu 13? Ju mund t’i renditni disa nga shëmbëlltyrat në tabelë (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 313–325). Kërkojini grupeve të vogla të anëtarëve të klasës që ta studiojnë secilën shëmbëlltyrë dhe të kërkojnë për atë që mësojnë rreth rritjes dhe fatit të Kishës. Një mënyrë për t’i përmbledhur të gjitha mendimet nga secili grup është duke vizatuar një rreth të madh në tabelë dhe duke e emërtuar atë Kisha e Krishtit (“mbretëria e qiellit”). Ndërkohë që secili grup tregon, ata mund të shkruajnë diçka në rreth, të cilën e mësuan lidhur me rritjen dhe fatin e Kishës.

    Pamja
    një burrë duke peshkuar me rrjetë

    Mbretëria e qiejve është si rrjeta e një peshkatari.

  • Çfarë mësojmë rreth vlerës së përkatësisë në Kishë nga shëmbëlltyrat e thesarit të fshehur në arë dhe e margaritarit me vlerë të madhe, të cilat gjenden te Mateu 13:44–46? Disa anëtarë të klasës suaj (ose njerëz që ata i njohin) mund të kenë bërë sakrifica – qoftë të vogla apo të mëdha – për t’u bërë anëtarë të Kishës. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë sakrificat që kanë bërë ata apo i kanë parë të tjerët të bëjnë në mënyrë që t’i përkasin Kishës. Çfarë bekimesh kanë ardhur si rrjedhojë? Merreni parasysh të tregoni historinë e Presidentit Gordon B. Hinkli rreth oficerit të marinës te “Burimet Shtesë”. Ftojini anëtarët e klasës që të përsiatin mbi atë që ndihen të nxitur të sakrifikojnë për Kishën.

Mateu 13:24–30, 37–43

Në mbarim të botës, Zoti do t’i mbledhë të drejtët e do t’i shkatërrojë të ligjtë.

  • Si mund ta ndihmoni klasën tuaj të nxjerrë mësime nga shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës, të cilat do t’i ndihmojnë ata të mbeten shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme? Filloni duke e ftuar një anëtar të klasës që të bëjë një përmbledhje të shëmbëlltyrës dhe interpretimit të saj. Mund të jetë e dobishme të paraqitni një figurë të grurit dhe të egjrës nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Cilat janë disa mësime në këtë shëmbëlltyrë për kohën tonë? Përse është e rëndësishme të dimë që Zoti i lejon shenjtorët e tij të “rriten bashkë” (Mateu 13:30) me të ligjtë deri në kohën e të korrave? Si mund ta mbajmë të fortë besimin tonë në këtë mjedis, kur ligësia është kudo përreth nesh? Doktrina e Besëlidhje 86 jep ide shtesë për zbatimin në ditët e mëvonshme të kësaj shëmbëlltyre.

  • Thënia nga Plaku L. Tom Perri te “Burimet Shtesë”, sugjeron se egjra mund të përfaqësojë “mënyrat e liga dhe të kësaj bote” që depërtojnë në jetën tonë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin se si mund ta dallojnë këtë lloj egjre shpirtërore, shkruani në shirita letre disa të vërteta të ungjillit dhe disa ide apo praktika tokësore të rreme. Vendosini shiritat bashkë në një enë. Pastaj kërkojuni anëtarëve të klasës që të përzgjedhin disa prej tyre dhe të diskutojnë se cilat janë të vërteta dhe cilat janë të pavërteta. (Shumë prej këtyre të vërtetave dhe të pavërtetave janë përcaktuar në fjalimet e konferencës së përgjithshme; ju mund të kërkoni atje për ide.) Si mund ta ndjekim këshillën e Plakut Perri që të “ushqejmë atë që është mirë” në jetën tonë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Ju mund të përmendni që leximi i javës së ardhshme flet për njerëz që e kishin ndjekur Jezu Krishtin, por më pas “nuk shkuan më me të” (Gjoni 6:66). Thuajuni anëtarëve të klasës se ata mund të gjejnë pikëpamje që mund t’i ndihmojnë ata dhe të tjerët të qëndrojnë besnikë ndaj Shpëtimtarit.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Mateu 13; Lluka 813

“Është i vërtetë, apo jo?”

Presidenti Gordon B. Hinkli tregoi një përvojë që pati me një oficer të marinës nga Azia, i cili ishte bashkuar së fundi me Kishën.

“Mua më njohën me të pikërisht përpara se të kthehej në vendlindjen e tij. Ne folëm për [të vërtetat e ungjillit] dhe pastaj i thashë: ‘Njerëzit e tu nuk janë të krishterë. Çfarë do të ndodhë kur të kthehesh në shtëpi si i krishterë dhe, më saktë, një i krishterë mormon?’

Ai u vrenjt në fytyrë dhe u përgjigj: ‘Familja ime do të zhgënjehet. Ata mund të më dëbojnë dhe të më quajnë të vdekur. Sa për të ardhmen dhe karrierën time, mund të më mbyllen të gjitha dyert.’

E pyeta: ‘A je i gatshëm të paguash një çmim kaq të lartë për ungjillin?’

Sytë e tij të zinj, të lagur nga lotët, shndritën … teksa u përgjigj: ‘Është i vërtetë, apo jo?’

I turpëruar që ia bëra pyetjen, u përgjigja: ‘Po, është i vërtetë’.

Të cilës ai iu përgjigj: ‘Atëherë, a kanë rëndësi të tjerat?’” (“It’s True, Isn’t It?” Ensign, korrik 1993, f. 2).

Ne duhet ta ushqejmë të mirën.

Plaku L. Tom Perri dha mësim: “Ai armik i vjetër i të gjithë njerëzimit ka gjetur aq shumë mjete sa mund të mendojë që ta shpërndajë egjrën andej-këndej. Ai ka gjetur mënyra për t’i bërë ato të depërtojnë madje dhe në shenjtërinë e vetë shtëpive tona. Mënyrat e liga dhe të kësaj bote janë bërë kaq të përhapura sa duket se nuk ka asnjë mënyrë reale për t’i shkulur ato. Ato vijnë përmes telave dhe nëpërmjet ajrit pikërisht në mjetet që i kemi krijuar për të na mësuar dhe argëtuar. Gruri dhe egjrat janë rritur pranë njëra-tjetrës. Një shërbëtor që administron fushën, duhet që, me të gjithë fuqinë e tij apo të saj, të ushqejë atë që është e mirë dhe ta bëjë aq të fortë e të bukur sa egjrat nuk do të përbëjnë asnjë joshje si për syrin ose veshin” (“Gjetja e Paqes së Qëndrueshme dhe Ndërtimi i Familjeve të Përjetshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 44).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përqendrojeni mësimdhënien tuaj te doktrina. Sigurohuni që diskutimi në klasën tuaj të përqendrohet te doktrina themelore në shkrimet e shenjta. Ju mund ta bëni këtë duke u kërkuar studentëve që t’i lexojnë shkrimet e shenjta paraprakisht, duke e përqendruar diskutimin si klasë te shkrimet e shenjta dhe duke u kërkuar anëtarëve të klasës që të japin dëshmitë e tyre për doktrinën e vërtetë. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 20–21.)