2010–2019
Shëmbëlltyra e Mbjellësit
Prill 2015


Shëmbëlltyra e Mbjellësit

Është në dorën e secilit prej nesh që të vendosë përparësi dhe të bëjë gjërat që e bëjnë tokën tonë të mirë dhe të korrën tonë të bollshme.

Temat për bisedat e konferencës së përgjithshme caktohen – jo nga autoriteti i vdekshëm, por nga mbresat e Shpirtit. Shumë tema do të sugjerohen nga shqetësimet e vdekshmërisë që ne të gjithë i kemi të përbashkëta. Por, ashtu sikurse Jezusi nuk dha mësim se si të mposhten sfidat apo shtypjet politike të vdekshmërisë të kohës së Tij, Ai zakonisht i frymëzon shërbëtorët e Tij bashkëkohorë që të flasin rreth asaj që ne duhet të bëjmë për ta përmirësuar jetën tonë vetjake, që të përgatitemi për t’u kthyer në shtëpinë tonë qiellore. Në këtë fundjavë Pashke, kam ndier nxitjen për të folur rreth mësimeve të çmuara dhe të përjetshme në një nga shëmbëlltyrat e Jezusit.

Shëmbëlltyra e mbjellësit është një nga të paktat shëmbëlltyra të paraqitura në të tre Ungjijtë sinoptikë. Ajo është gjithashtu një shëmbëlltyrë në grupin edhe më të vogël të shëmbëlltyrave që Jezusi u shpjegoi dishepujve të Tij. Fara që u mboll, ishte “fjal[a] e mbretërisë” (Mateu 13:19), “fjal[a]” (Marku 4:14) ose “fjala e Perëndisë” (Lluka 8:11) – mësimet e Mësuesit dhe të shërbëtorëve të Tij.

Tokat e ndryshme mbi të cilat bien farat, përfaqësojnë mënyrat e ndryshme në të cilat të vdekshmit i marrin dhe i ndjekin këto mësime. Si rrjedhojë, farat që “ra[në] gjatë rrugës” (Marku 4:4) nuk e arritën tokën e vdekshme, ku ndofta mund të rriteshin. Ato janë si mësimet që i paraqiten një zemre të ngurtësuar ose të papërgatitur. Nuk do të them asgjë më shumë për këto. Mesazhi im ka lidhje me ata prej nesh që janë zotuar të jenë ndjekës të Krishtit. Çfarë bëjmë ne me mësimet e Shpëtimtarit ndërsa e jetojmë jetën tonë?

Shëmbëlltyra e mbjellësit na paralajmëron për gjendjet dhe qëndrimet të cilat mund ta pengojnë cilindo që e ka marrë farën e mesazhit të ungjillit, nga nxjerrja e një të korre të mirë.

I. Gurishte, Nuk Kishte Rrënjë

Disa fara “ra[në] në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s’kishte një tokë të thellë. Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha” (Marku 4:5–6).

Jezusi shpjegoi se kjo përshkruan ata “që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim”, por për shkak se “nuk kanë rrënjë në vetvete, … kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë” (Marku 4:16–17).

Çfarë i bën dëgjuesit që të “[mos kenë] rrënjë në vetvete”? Kjo është gjendja e anëtarëve të rinj, të cilët kthehen në besim thjesht nga misionarët ose nga karakteristikat e shumta tërheqëse të Kishës apo frytet e shumta të mrekullueshme të anëtarësisë në Kishë. Duke mos u rrënjosur në fjalë, kur vjen kundërshtimi, ata mund të përzhiten dhe të thahen. Por madje edhe ata të rritur në Kishë – anëtarët prej një kohe të gjatë – mund të shkasin në një gjendje ku nuk kanë rrënjë në vetvete. Kam njohur disa prej këtyre – anëtarë pa kthim të sigurt e të qëndrueshëm në besim në ungjillin e Jezu Krishtit. Nëse nuk jemi rrënjosur në mësimet e ungjillit dhe nuk jemi të rregullt në ushtrimin e tij, çdonjëri prej nesh mund të zhvillojë një zemër të ngurtë, që është një gurishte për farat shpirtërore.

Ushqimi shpirtëror është i domosdoshëm për mbijetesë shpirtërore, veçanërisht në një botë që po largohet nga besimi në Perëndi dhe palëkundshmëria e së drejtës dhe të gabuarës. Në një epokë që zotërohet nga interneti, i cili lartëson mesazhe që e kërcënojnë besimin, ne duhet ta rritim ekspozimin tonë ndaj së vërtetës shpirtërore me qëllim që ta forcojmë besimin tonë dhe të qëndrojmë të rrënjosur në ungjill.

Të rinj, nëse ky mësim duket tepër i përgjithshëm, ja tek është një shembull specifik. Nëse po shpërndahen emblemat e sakramentit dhe ju po shkruani mesazhe, ose po pëshpëritni, apo po luani lojëra kompjuterike, ose po bëni çfarëdo gjëje tjetër që t’i mohoni vetes ushqimin e domosdoshëm shpirtëror, ju po i dobësoni rrënjët tuaja shpirtërore dhe po e çoni veten drejt gurishtes. Ju po e bëni veten të cenueshëm ndaj tharjes kur të hasni vuajtje si veçimi, kërcënimi ose tallja. Dhe kjo gjen zbatim edhe për të rriturit.

Një shkatërrues tjetër i mundshëm i rrënjëve shpirtërore – i përshpejtuar nga teknologjia e tanishme, por jo vetëm prej saj – është pikëpamja e ngushtë për ungjillin ose Kishën. Kjo pikëpamje e kufizuar përqendrohet mbi një doktrinë apo praktikë të caktuar ose mangësia e marrë me mend te një udhëheqës dhe e shpërfill tablonë e madhe të planit të ungjillit dhe të fryteve vetjake e të përbashkëta të korrjes së tij. Presidenti Gordon B. Hinkli dha një përshkrim të gjallë për një anë të kësaj pikëpamjeje të ngushtë. Ai u tregoi dëgjuesve në UBJ rreth komentuesve politikë “të ndezur me zemëratë” për një ngjarje aktuale asokohe. “Me marifet të studiuar ata e nxorën uthullën e thartuar të sharjes dhe zemërimit. … Me siguri”, e mbylli ai, “kjo është koha dhe ky është vendi i njeriut me prirje për t’u dukur.”1 Përkundrazi, për t’u rrënjosur mirë në ungjill, ne duhet të jemi të zbutur e të matur në kritikë dhe përherë të kërkojmë pikëpamjen më të gjerë të punës së madhërishme të Perëndisë.

II. Ferrat: Shqetësimet e Kësaj Bote dhe Mashtrimet e Pasurisë

Jezusi dha mësim se “pjes[a] tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbytën dhe nuk dha fryt” (Marku 4:7). Ai shpjegoi se këta janë “ata që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme” (Marku 4:18–19). Ky sigurisht është një paralajmërim për t’u mbajtur vesh nga të gjithë ne.

Së pari do të flas për mashtrimet e pasurisë. Kudo qofshim në udhëtimin tonë shpirtëror – cilado qoftë gjendja jonë e kthimit në besim – ne të gjithë joshemi nga kjo. Kur qëndrimet ose përparësitë nguliten te përvetësimi, përdorimi apo zotërimi i pasurisë, ne këtë e quajmë materializëm. Është thënë dhe shkruar aq shumë për materializmin sa pak ka nevojë të shtohet këtu.2 Ata që besojnë në atë që është quajtur teologjia e mirëqenies, po vuajnë nga mashtrimet e pasurisë. Zotërimi i pasurisë ose i të ardhurave të konsiderueshme nuk është shenjë e pëlqimit nga qielli dhe mungesa e tyre nuk është fakt i mospëlqimit nga qielli. Kur Jezusi i tha një ndjekësi besnik se ai mund ta trashëgonte jetën e përjetshme vetëm nëse mund t’ia jepte gjithçka që kishte të varfërve (shih Marku 10:17–24), Ai nuk po e quante ligësi zotërimin e pasurisë por e quajti ligësi qëndrimin e atij ndjekësi kundrejt saj. Sikurse të gjithë jemi në dijeni, Jezusi e lavdëroi Samaritanin e Mirë, i cili përdori të njëjtën monedhë për t’i shërbyer bashkënjeriut të tij që Juda e përdori për ta tradhtuar Shpëtimtarin e tij. Rrënja e gjithë të këqijave nuk është paraja por lakmia për para (shih 1 Timoteut 6:10).

Libri i Mormonit na tregon për një kohë kur Kisha e Perëndisë “filloi të dështonte në përparimin e saj” (Alma 4:10) sepse “njerëzit e kishës filluan … t’i vinin zemrat e tyre mbi pasuritë dhe gjërat e kota të botës” (Alma 4:8). Kushdo që ka bollëk gjërash materiale, është në rrezik të të qenit shpirtërisht “i joshur” nga pasuria dhe gjërat e tjera të botës.3 Kjo është një hyrje me vend për mësimet e tjera të Shpëtimtarit.

Ferrat më dinake për ta mbytur efektin e fjalës së ungjillit në jetën tonë janë forcat e botës që Jezusi i quajti “shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete” (Lluka 8:14). Janë tepër të panumërt për t’u përsëritur. Disa shembuj do të mjaftojnë.

Në një rast, Jezusi e qortoi kryeapostullin e Tij, duke i thënë Pjetrit: “Ti je një skandal për mua, sepse s’ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve” (Mateu 16:23; shih edhe DeB 3:6–7; 58:39). Të kesh ndër mend punët e njerëzve do të thotë t’i vendosësh shqetësimet e kësaj bote përpara gjërave të Perëndisë në veprimet tona, përparësitë tona dhe të menduarin tonë.

Ne u dorëzohemi “kënaqësi[ve të] kësaj jete” 1) kur krijojmë varësi, e cila dobëson dhuratën e çmuar të lirisë së zgjedhjes nga Perëndia; 2) kur ne mashtrohemi nga argëtimet e parëndësishme, që na largojnë nga gjërat me rëndësi të përjetshme; dhe 3) kur kemi një mendësi se bekimet na takojnë me të drejtë, gjë që e dobëson rritjen vetjake të nevojshme për të na kualifikuar për fatin tonë të përjetshëm.

Ne mposhtemi nga “shqetësimet … e kësaj jete” kur shtangemi nga frika për të ardhmen, e cila e pengon ecjen tonë përpara me besim, duke i mirëbesuar Perëndisë dhe premtimeve të Tij. Njëzet e pesë vite më parë, mësuesi im i nderuar i UBJ-së, Hag W. Niblei, foli për rreziqet e dorëzimit ndaj shqetësimeve të botës. Ai u pyet në një intervistë nëse kushtet e botës dhe detyra jonë për ta përhapur ungjillin e bënin të dëshirueshme të kërkohej ndonjë mënyrë për “ta përshtatur me botën atë që bëjmë në Kishë”4.

Përgjigjja e tij: “Kjo ka qenë e gjithë historia e Kishës, apo jo? Ti duhet të jesh i gatshëm të cenosh këtu, ti duhet të jesh i gatshëm ta marrësh rrezikun. Kjo është koha kur në skenë futet besimi. … Zotimi ynë supozohet të jetë një provë, supozohet të jetë i vështirë, supozohet të mos jetë praktik sipas kushteve të kësaj bote.”5

Kjo përparësi ungjillore u pohua në kompleksin e UBJ-së vetëm pak muaj më parë nga një udhëheqës i respektuar katolik, Çarls J. Çaput, kryepeshkop i Filadelfias. Duke folur për “shqetësimet që komunitetet SHDM dhe katolike i kanë të përbashkëta”, të tilla si “rreth martesës dhe familjes, natyrës së seksualitetit tonë, shenjtërisë së jetës njerëzore dhe ngutjes për liri fetare”, ai tha këtë:

“Dua ta theksoj sërish rëndësinë e të jetuarit me të vërtetë të asaj që ne pretendojmë se besojmë. Kjo duhet të jetë një përparësi – jo vetëm në jetën tonë vetjake dhe atë familjare por në kishat tona, zgjedhjet tona politike, marrëdhëniet tona të punës, trajtimin e të varfërve nga ana jonë; me fjalë të tjera, në gjithçka që ne bëjmë.”

“Kjo është arsyeja përse ajo ka rëndësi”, vijoi ai. “Mësoni nga përvoja e katolikëve. Ne katolikët besojmë se qëllimi ynë është të jemi majaja në shoqëri. Por ka një vijë të qartë midis të qenit majaja shoqëri dhe të qenit i tretur nga shoqëria.”6

Paralajmërimi i Shpëtimtarit kundër mbytjes së fjalës së Perëndisë në jetën tonë prej shqetësimeve të kësaj bote sigurisht që na sfidon t’i mbajmë të ngulitura përparësitë tona – zemrat tona të vendosura – tek urdhërimet e Perëndisë dhe tek udhëheqja e Kishës së Tij.

Shembujt e Shpëtimtarit mund të na bëjnë ta mendojmë këtë shëmbëlltyrë si shëmbëlltyra e tokave. Përshtatshmëria e tokës varet nga zemra e secilit prej nesh që i është ekspozuar farës së ungjillit. Për sa i përket gatishmërisë për mësimet shpirtërore, disa zemra janë të ashpërsuara dhe të papërgatitura, disa zemra janë të ngurtësuara nga mospërdorimi dhe disa zemra janë të vendosura te gjërat e botës.

III. Ra në Tokë të Mirë dhe Dha Fryt

Shëmbëlltyra e mbjellësit përfundon me përshkrimin e Shpëtimtarit të farës që “ra në tokë të mirë dhe dha fryt” në masa të ndryshme (Mateu 13:8). Si mund ta përgatitim veten tonë që të jemi ajo tokë e mirë dhe të kemi atë të korrë të mirë?

Jezusi shpjegoi se “pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, pasi e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri” (Lluka 8:15). Ne e kemi farën e fjalës së ungjillit. Është në dorën e secilit prej nesh që të vendosë përparësi dhe të bëjë gjërat që e bëjnë tokën tonë të mirë dhe të korrën tonë të bollshme. Ne duhet të kërkojmë që të jemi të rrënjosur dhe të kthyer në besim me vendosmëri tek ungjilli i Jezu Krishtit (shih Kolosianëve 2:6–7). Ne e arrijmë këtë kthim në besim me anë të lutjes, me anë të leximit të shkrimeve të shenjta, me anë të shërbimit dhe me anë të marrjes së sakramentit rregullisht që gjithnjë të kemi Shpirtin e Tij me ne. Ne gjithashtu duhet ta kërkojmë atë ndryshim të madh të zemrës (shih Alma 5:12–14) që i zëvendëson dëshirat e liga dhe shqetësimet vetëdashëse me dashurinë e Perëndisë dhe dëshirën për t’i shërbyer Atij dhe fëmijëve të Tij.

Unë dëshmoj për të vërtetën e këtyre gjërave, dhe unë dëshmoj për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, mësimet e të cilit na tregojnë udhën dhe Shlyerja e të cilit e bën gjithçka të mundur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “Let Not Your Heart Be Troubled” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 29 tetor 1974), f. 1; speeches.byu.edu.

  2. Shih, për shembull, Dallin H. Oaks, “Materialism”, kapitulli 5 te Pure in Heart (1988), f. 73–87.

  3. I jam borxhli Plakut Nil A. Maksuell për këtë simbolizëm të paharruar (shih “These Are Your Days”, Ensign, tetor 2004, f. 26).

  4. James P. Bell, në “Hugh Nibley, in Black and White”, BYU Today, maj 1990, f. 37.

  5. Hugh Nibley, në “Hugh Nibley, in Black and White”, f. 37–38.

  6. Charles J. Chaput, “The Great Charter at 800: Why It Still Matters”, First Things, 23 janar 2015, firstthings.com/web-exclusives/2015/01/the-great-charter-at-800; shih edhe Tad Walch, “At BYU, Catholic Archbishop Seeks Friends, Says U.S. Liberty Depends on Moral People”, Deseret News, 23 janar 2015, deseretnews.com/article/865620233/At-BYU-Catholic-archbishop-seeks-friends-says-US-liberty-depends-on-moral-people.html. Kryepeshkopi Çaput gjithashtu tha se “disa nga institucionet tona më të mira katolike ose e kanë humbur ose e kanë e zbutur në masë të madhe identitetin e tyre fetar. … Brigam Jangu është një universitet i jashtëzakonshëm … sepse është një qendër nxënieje, e pasuruar nga identiteti i tij fetar. Mos e harroni kurrë këtë” (“The Great Charter at 800”).