2009
I Dua Djemtë e Zhurmshëm
Nëntor 2009


I Dua Djemtë e Zhurmshëm

Le t’i duam djemtë tanë – edhe pse disa prej tyre janë djem të zhurmshëm. Le t’u mësojmë atyre si ta ndryshojnë jetën e tyre.

Pamja
Elder Yoon Hwan Choi

Do të doja t’ju tregoja për një grup të rinjsh të zhurmshëm që hynë në jetën time kur isha peshkop i ri në Seul, në Kore, shumë vite më parë. Ata qenë djem që jetonin në mëhallë. Vetëm një apo dy prej tyre qenë anëtarë të Kishës në atë kohë. Djemtë që qenë anëtarë, qenë anëtarët e vetëm në familjet e tyre. Ata qenë të gjithë shokë dhe vinin në kishë për të lozur dhe për të qenë së bashku. Atyre u pëlqente të luanin ping-pong në ditët e javës dhe u pëlqente të kishin aktivitete zbavitëse të shtunave. Shumica prej tyre nuk qenë nxënës të mirë në shkollë dhe shumë vetë i njihnin për ngatërrestarë.

Në atë kohë unë isha baba i ri me dy djem, që qenë shtatë dhe nëntë vjeç. Nuk e dija se çfarë mund të bëja për këta të rinj. Ata qenë aq poterexhinj saqë një herë gruaja ime, Bon-Kioung, më pyeti nëse mund të transferoheshim tek një lagje tjetër, që bijtë tanë të mund të shihnin shembuj të mirë prej të rinjve të tjerë. Unë meditova dhe iu luta Atit Qiellor të më ndihmonte të gjeja një mënyrë si t’i ndihmoja ata të rinj. Së fundi mora vendim të përpiqesha e t’u mësoja atyre se si mund ta ndryshonin jetën e tyre.

Në mendje më erdhi shumë qartë një vegim. E ndjeva se, nëse ata do të bëheshin misionarë, jeta e tyre do të ndryshonte. Që nga ai çast, unë u ngazëlleva shumë dhe u përpoqa të kaloja sa më shumë kohë të ishte e mundur me ta, duke u mësuar rëndësinë e shërbimit misionar dhe si të përgatiteshin për një mision.

Në atë kohë, Plaku Seo, një misionar kohëplotë, qe transferuar në lagjen tonë. Ai ishte rritur në Kishë dhe si i ri i Priftërisë Aarone, kishte marrë pjesë në një grup kënge të të rinjve, bashkë me shokët e tij. Ai i takoi ata djem të trazuar në lagjen tonë. Plaku Seo u mësoi atyre që nuk qenë anëtarë diskutimet misionare dhe gjithashtu u mësoi atyre këngët që kishte zakon të këndonte. Ai krijoi një kuartet tresh me ata djem të zhurmshëm dhe i quajti Hanaro Quartet, që do të thotë “si një i vetëm”. Ata kënaqeshin kur këndonin së bashku, por ne të gjithëve na duhej durim i madh kur i dëgjonim të këndonin.

Shtëpia jonë qe e hapur për anëtarët në çdo kohë që dëshironin të na vizitonin. Djemtë vinin në shtëpinë tonë thuajse çdo fundjavë dhe madje dhe në disa ditë jave. Ne i ushqyem dhe u dhamë mësim atyre. Ne u mësuam parimet e ungjillit si dhe zbatimin e ungjillit në jetën e tyre. Ne u përpoqëm t’u jepnim një përfytyrim për jetën e tyre të ardhshme.

Ata kënduan së bashku çdo herë që erdhën në shtëpinë tonë. Tingulli i tyre i lartë na lëndoi veshët. Por ne gjithmonë i lavdëruam, pasi t’i dëgjonim të këndonin ishte shumë më e këndshme sesa t’i shihnim të hynin në telashe.

Gjatë viteve këto aktivitete vazhduan. Shumica e këtyre të rinjve u rritën në ungjill dhe një mrekulli ndodhi. Gjatë kohës, nëntë prej djemve, që nuk qenë anëtarë, u pagëzuan. Ata u shndërruan nga djem të zhurmshëm e të potershëm në ushtarë të rinj të guximshëm1.

Ata shërbyen në misione, u takuan me motra të reja të mrekullueshme në Kishë dhe u martuan në tempull. Sigurisht, pati sfida të ndryshme për secilin prej tyre ndërkohë që shërbyen misione, frekuentuan shkollën dhe u martuan, por të gjithë qëndruan besnikë sepse dëshironin t’u bindeshin udhëheqësve të tyre dhe që ata t’i pëlqente Zoti. Tani ata kanë familje të lumtura me fëmijë të lindur në besëlidhje.

Nëntë djem të zhurmshëm janë bërë 45 anëtarë aktivë në mbretërinë e Zotit, përfshirë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Tani ata janë udhëheqës në lagjet e kunjet e tyre. Njëri është peshkop, dy shërbejnë në këshilla peshkopi, një po shërben në këshillin e lartë dhe dy janë presidentë të Të Rinjve. Ka një udhëheqës misioni të lagjes, një sekretar ekzekutiv dhe një mësues seminari. Si grup, ata ende këndojnë së bashku dhe, mrekullia tjetër – ata vërtet që tingëllojnë mirë!

Ka dy parime bazë që i ndihmuan këta të rinj të bëhen si bijtë e Helamanit2. Edhe pse nënat e djemve nuk qenë anëtare të Kishës dhe nuk i kuptonin fjalët e Zotit, udhëheqësit e priftërisë u bënë si etër të tyre dhe bashkëshortet e udhëheqësve u bënë si nëna të tyre.

Ata nëntë djem – unë i quaj ata “Djemtë e Zotit” – mësuan se do të bekoheshin kur t’ua vinin veshin udhëheqësve të Kishës, edhe pse nuk e kuptonin gjithmonë arsyen. Ata u bënë si Adami, ati ynë i parë, që, kur i bëri një flijim Zotit, një engjëll e pyeti: “Përse ia ofron flijimet Zotit? Dhe Adami i tha atij: Nuk e di, përveçse që Zoti më urdhëroi.”3 Ata qenë të dëshiruar të ishin të bindur dhe t’i shërbenin Zotit me të gjithë zemrën e tyre.

Ata mësuan gjithashtu se pjesëmarrja në mbledhjet e tyre të Kishës ishte shumë e rëndësishme. Presidenti Ezra Taft Benson, në fjalimin e tij me titull “Rinisë me Trashëgimi Fisnike”, tha: “Më lejoni t’ua drejtoj vëmendjen tek rëndësia e pjesëmarrjes në të gjitha mbledhjet tuaja në Kishë. Pjesëmarrja me besnikëri në mbledhjet e Kishës sjell bekime që ju nuk mund t’i merrni në asnjë mënyrë tjetër.”4 Kur morën pjesë rregullisht në mbledhjet e tyre të Kishës, djemtë e ndien dashurinë e madhe të Zotit dhe mësuan si t’i zbatonin doktrinat dhe parimet e Kishës në vetë jetën e tyre të përditshme. Ata mësuan gjithashtu si të merrnin pjesë në mbledhje me gëzim e lumturi të madhe.

Tani, ne vetë kemi tre bij, përfshirë më të voglin, që lindi gjatë kohës që shërbeva si peshkop. Ndërkohë që bijtë tanë rriteshin, ata nëntë djem u bënë udhëheqës të lagjes e të kunjit dhe ata u bënë mësues e udhëheqës të bijve tanë. Ata i mësuan djemtë tanë dhe djem të tjerë në të njëjtën mënyrë si i mësova unë ata kur qenë ngatërrestarë. Ata i deshën djemtë tanë të rinj në të njëjtën mënyrë si unë i desha ata. Ata djem të zhurmshëm e të potershëm të së shkuarës u bënë heronjtë e fëmijëve tanë. Bijve tanë u pëlqente të ndiqnin shembujt e tyre të shkëlqyer të shndërrimit në misionarë të mrekullueshëm dhe të martesës me shoqe të virtytshme në tempull.

Ata të rinj vazhdojnë të kenë ndikim në familjen tonë. Dy muaj më parë lagjja jonë pati një aktivitet misionar një mbrëmje të shtune, ku ftuan gjithkënd, përfshirë familjet pjesërisht anëtare. Djali ynë më i vogël, Sun-Jun, sapo ishte kthyer nga një kamp rinie në pasditen e po asaj dite. Ai tha se nuk do të vinte në aktivitetin misionar sepse nuk ishte pjesëtar i një familjeje pjesërisht anëtare dhe ishte kaq i lodhur. Ai nuk erdhi tek aktiviteti. Gruaja ime i telefonoi dhe i shpjegoi se në aktivitet ishin të ftuar të gjithë. Ai u përgjigj: “E di, por sot nuk po vij” dhe e mbylli telefonin.

Tamam pasi filloi mbledhja atë mbrëmje, Sun-Juni hyri dhe u ul pranë së ëmës shumë qetësisht. Ai i pëshpëriti asaj duke i thënë: “Sapo e mbylla telefonin, m’u kujtua që e kisha pyetur Babin se çfarë i bëri pjesëtarët e Hanero Quartet-it kaq të suksesshëm në jetën e tyre. Ai më tha se ata iu bindën fjalëve të udhëheqësve të Kishës dhe se morën pjesë rregullisht në mbledhjet e Kishës. Ky qe çelësi që u ndryshoi jetën dhe i bëri kaq të suksesshëm.” Biri im vazhdoi: “Krejt befas, fjalët e babait tim më erdhën në mendje dhe vendosa t’i ndjek ato sepse dua të kem një familje të lumtur si e tyrja dhe të jem i suksesshëm në jetën time.”

Vëllezër të dashur, le t’i duam djemtë tanë – edhe pse disa prej tyre janë djem të zhurmshëm. Le t’u mësojmë atyre si ta ndryshojnë jetën. Bij modernë të Helamanit vijnë jo vetëm nga familjet tona të çmuara brenda Kishës, por edhe nga të sapokthyer të rinj në besim që nuk kanë prindër në ungjill. Ju dhe bashkëshortet tuaja duhet të jeni “prindër të mirë”5 të tyre derisa ata të bëhen si bijtë e Helamanit.

Jam kaq i kënaqur e i lumtur të shoh udhëheqjen tuaj të dashur vazhdimisht për djemtë tanë të rinj. Ata të rinj janë të gjithë bijtë tanë. Kur zgjatemi drejt tyre, i ngremë moralisht dhe i ndihmojmë, do të ndihemi si Gjoni që tha: “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën.”6

Të dashur të rinj, le t’u bindemi udhëheqësve të Kishës dhe të jemi si Adami, të cilit nuk iu desh ta dinte gjithmonë arsyen përse, por thjesht qe i lumtur të bindej. Dhe ju lutem ndiqni besnikërisht mbledhjet tuaja në Kishë. Nëse e bëni këtë, do të mësoni si të përgatiteni për të ardhmen tuaj dhe të jeni të suksesshëm. Për djemtë e rinj që kanë lindur në Kishë dhe gjithashtu për ata që janë bashkuar me Kishën, ju jeni ushtria e Zotit. Ju do të bëheni misionarë të mrekullueshëm dhe etër të virtytshëm për familjet tuaja. Ati Qiellor do t’ju bekojë që të keni një familje të lumtur. Ju keni një të ardhme të shkëlqyer në ungjill dhe, ashtu si bijtë e Helamanit, ju do të na sillni të gjithëve gëzim të përjetshëm.

Unë ju dua dhe e di se Ati ynë Qiellor na do të gjithëve, prandaj Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, si Shëlbuesin tonë. Presidenti Tomas S. Monson është profeti ynë i gjallë, që na udhëheq në udhën e drejtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Alma 53:20–22.

  2. Shih Alma 56:10.

  3. Moisiu 5:6.

  4. Ezra Taft Benson, “To the ‘Youth of the Noble Birthright’”, Ensign, maj 1986, f. 44; theksimi është shtuar.

  5. 1 Nefi 1:1.

  6. 3 Gjoni 1:4.