2009
Disiplina Morale
Nëntor 2009


Disiplina Morale

Disiplina morale është ushtrimi i përhershëm i lirisë së zgjedhjes për të zgjedhur të drejtën sepse ajo është e drejtë, madje edhe kur është e vështirë.

Pamja
Elder D. Todd Christofferson

Gjatë Luftës II Botërore Presidenti Xhejms E. Faust, atëherë një i ri i rekrutuar në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, bëri kërkesë për në shkollën e kandidatëve për oficerë. Ai u paraqit përpara komisionit vlerësues që përbëhej nga persona të cilët ai i përshkroi si “ushtarë të regjur karriere”. Pas pak pyetjet e tyre u kthyen nga çështje të fesë. Pyetjet e fundit ishin këto:

“Në kohë lufte a nuk duhet të lirohet kodi moral? A nuk i justifikon tensioni i betejës njerëzit të bëjnë gjëra që nuk do t’i bënin kur të ishin në shtëpi në situata normale?”

Presidenti Faust tregon:

“Unë e dija se këtu ishte rasti ndoshta për të bërë përshtypje dhe për t’u dukur me mendje të lirë. Unë e dija dhe isha i sigurt se njerëzit që po më bënin këtë pyetje nuk jetonin me standardet që më ishin mësuar. Më shkrepi mendimi se ndoshta mund t’u thoshja që unë kisha besimet e mia, por nuk dëshiroja t’ua imponoja ato të tjerëve. Por u duk se përpara mendjes time shkrepëtinë fytyrat e shumë njerëzve të cilëve unë u kisha mësuar si misionar ligjin e dëlirësisë. Në fund unë thjesht thashë: ‘Unë nuk besoj se ka një standard të dyfishtë për moralin.’

Unë e lashë shqyrtimin duke pranuar i mërzitur faktin se [ata] nuk do t’i pëlqenin përgjigjet që u kisha dhënë … dhe me siguri do të më jepnin vlerësim shumë të ulët. Disa ditë më vonë kur pikët u afishuan, për çudinë time unë kisha kaluar. Unë isha në grupin e parë që ishte marrë për në shkollën e kandidatëve për oficerë! …

Ky qe një nga udhëkryqet kritikë të jetës sime.”1

Presidenti Faust e dinte se ne të gjithë zotërojmë dhuratën e dhënë nga Perëndia për zgjedhje të lirë morale – të drejtën për të bërë zgjedhje dhe detyrimin për të dhënë llogari për ato zgjedhje (shih DeB 101:78). Ai gjithashtu kuptoi dhe demonstroi se, për përfundime të mira, zgjedhja e lirë morale duhet të shoqërohet me disiplinë morale.

Me “disiplinë morale” unë kuptoj vetëdisiplinimin që bazohet në standarde morale. Disiplina morale është ushtrimi i përhershëm i lirisë së zgjedhjes për të zgjedhur të drejtën sepse ajo është e drejtë, madje edhe kur është e vështirë. Ajo e hedh poshtë jetën egocentrike në favor të zhvillimit të karakterit të denjë për t’u respektuar dhe të madhështisë së vërtetë nëpërmjet shërbimit si Krishti (shih Marku 10:42–45). Rrënja e fjalës disiplinë është e njëjtë me atë të fjalës dishepull, gjë që të bën të mendosh për faktin se bindja ndaj shembullit dhe mësimeve të Jezu Krishtit është disiplina ideale që, e bashkuar me hirin e Tij, krijon një person të virtytshëm dhe moralisht të shkëlqyer.

Disiplina morale e vet Jezusit i kishte rrënjët në qenien e Tij dishepull i Atit. Dishepujve të Tij Ai u shpjegoi: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij” (Gjoni 4:34). Sipas po këtij modeli, disiplina jonë morale i ka rrënjët në besnikërinë dhe devotshmërinë ndaj Atit dhe Birit. Ungjilli i Jezu Krishtit është ai që jep sigurinë morale, në të cilën mbështetet disiplina morale.

Shoqëritë, në të cilat jetojnë shumë prej nesh, kanë dështuar në mëse një brez të edukojnë disiplinë morale. Ata kanë mësuar se e vërteta është relative dhe se secili vendos vetë se çfarë është e drejtë. Koncepte të tilla si mëkat dhe gabim janë dënuar si “gjykime subjektive”. Siç e përshkruan Zoti: “Çdokush ecën në udhën e vet dhe sipas shëmbëlltyrës së perëndisë së vet” (DeB 1:16).

Si rrjedhim, vetëdisiplinimi është gërryer dhe shoqëritë janë lënë të përpiqen të ruajnë me forcë rregull dhe mirësjellje. Mungesa e kontrollit të brendshëm nga individë rrit kontrollin nga jashtë prej qeverive. Një gazetar vërente se “sjellja prej zotërie [për shembull, dikur] i mbronte gratë nga sjellja vulgare. Sot, ne presim që ligjet mbi ngacmimin seksual të kufizojnë sjelljen vulgare… .

Policët dhe ligjet kurrë nuk mund të zëvendësojnë zakonet, traditat dhe vlerat morale si mënyrë për të rregulluar sjelljen njerëzore. E shumta, policia dhe sistemi i drejtësisë penale janë vija e fundit e dëshpëruar e mbrojtjes për një shoqëri të qytetëruar. Mbështetja jonë e shtuar në ligj për rregullimin e sjelljes është një masë treguese se sa të paqytetëruar jemi bërë.”2

Në më të shumtën e botës, ne kemi përjetuar një rënie të gjerë dhe shkatërrimtare ekonomike. Atë e sollën shkaqe të shumta, por një nga shkaqet kryesore ishte sjellja e pandershme dhe jo etike e përhapur gjerësisht, veçanërisht në tregjet e strehimit dhe ato financiare në SHBA. Kundërveprimet u përqendruan në miratimin e rregullave më të shumta dhe më të forta. Ndoshta kjo mund të zhbind disa nga sjellja jo parimore, por të tjerë thjesht do të bëhen më krijues në mashtrimin e tyre.3 Nuk mund të ketë kurrë rregulla të mjaftueshme të sajuara aq mjeshtërisht sa t’i dalin përpara dhe të mbulojnë çfarëdo situate dhe, edhe nëse do të kishte, detyrimi do të përbënte një kosto dhe barrë të papërballueshme. Kjo qasje çon në liri të zvogëluar për secilin. Sipas frazës të paharruar të Peshkopit Fulton J. Shin: “Ne nuk do të pranonim zgjedhën e Krishtit; kështu që tani duhet të dridhemi tek zgjedha e Çezarit.”4

Në fund të fundit, është vetëm një busull morali e brendshme te çdo individ që mund të trajtojë shkaqet themelore si dhe simptomat e degradimit shoqëror. Shoqëritë do të përpiqen më kot të krijojnë të mirën e përbashkët gjersa mëkati të denoncohet si mëkat dhe disiplina morale të zërë vendin e saj në altarin e virtyteve qytetare.5

Disiplina morale mësohet në shtëpi. Ndërsa nuk mund të kontrollojmë atë që mund ose nuk mund të bëjnë të tjerët, shenjtorët e ditëve të mëvonshme mund të qëndrojnë me ata që demonstrojnë virtyt në jetën e tyre dhe rrënjosin virtyt në brezin e ri. Kujtoni nga Libri i Mormonit historinë e të rinjve që patën rolin kyç në fitoren e nefitëve në luftën e gjatë prej 66 deri në 60 përpara Krishtit – bijtë e popullit të Amonit. Karakteri dhe disiplina e tyre përshkruhen me këto fjalë:

“Ata qenë njerëz të besuar në çdo kohë, në çdo gjë që u besohej.

Po, ata ishin njerëz që i përmbaheshin së vërtetës dhe njerëz seriozë të cilëve u ishte mësuar t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht para tij” (Alma 53:20–21).

“Tani, ata nuk kishin luftuar kurrë, megjithatë nuk kishin frikë nga vdekja; dhe mendonin më shumë për lirinë e etërve të tyre, sesa për jetën e tyre; po, nënat u kishin mësuar se, në qoftë se nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte” (Alma 56:47).

“Tani, ky ishte besimi i këtyre, për të cilët ju fola; ata janë të rinj dhe mendjet e tyre janë të vendosura dhe ata e vendosin përherë besimin e tyre në Perëndi” (Alma 57:27).

Këtu ne gjejmë një standard për atë që duhet të ndodhë në shtëpitë tona dhe në Kishë. Mësimdhënia jonë duhet të mbështetet në besimin tonë dhe të përqendrohet në radhë të parë dhe kryesisht në rrënjosjen e besimit në Perëndi te brezi që rritet. Ne duhet të themi të vërtetën dhe thelbësore është të mbajmë urdhërimet e Perëndisë dhe të ecim drejtësisht para Tij në kthjelltësi, apo me fjalë të tjera, me nderim. Secili duhet të jetë i bindur se shërbimi dhe sakrifica për mirëqenien dhe lumturinë e të tjerëve janë shumë më të larta sesa vendosja e rehatisë dhe e zotërimeve të veta personale si përparësia më e madhe.

Kjo kërkon më shumë sesa përmendja rastësore e një parimi apo një tjetri të ungjillit. Duhet të ketë mësimdhënie të qëndrueshme kryesisht nëpërmjet shembullit. Presidenti Henri B. Ajring shprehu vizionin që ne përpiqemi të arrijmë:

“Ungjilli i pastër i Jezu Krishtit duhet të shkojë thellë në zemrat e [fëmijëve tanë] me anë të forcës së Frymës së Shenjtë. Nuk do të jetë e mjaftueshme për ta të kenë pasur një dëshmi shpirtërore për të vërtetën që të duan më pas gjëra të mira. Nuk do të jetë e mjaftueshme për ta të shpresojnë për një pastrim dhe forcim të ardhshëm. Qëllimi ynë duhet të jetë që ata të kthehen vërtet në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit ndërsa janë me ne… .

Pasataj ata do të kenë fituar një forcë nga çka ata janë, jo nga ajo çka ata dinë. Ata do të bëhen dishepuj të Krishtit.”6

Unë kam dëgjuar disa prindër të thonë se ata nuk duan t’u imponojnë ungjillin fëmijëve të tyre, por duan që ata ta ndajnë vetë mendjen mbi atë se çka do të besojnë dhe ndjekin. Ata mendojnë se në këtë mënyrë po i lejojnë fëmijët të ushtrojnë zgjedhjen e tyre të lirë. Ajo çka harrojnë ata është se përdorimi i mençur i lirisë së zgjedhjes është njohja e së vërtetës, e gjërave ashtu siç janë vërtet (shih DeB 93:24). Pa këtë, të rinjtë është vështirë të pritet të kuptojnë dhe të vlerësojnë alternativat që u paraqiten. Prindërit duhet të shqyrtojnë se si u afrohet kundërshtari fëmijëve të tyre. Ai dhe pasuesit e tij nuk po ndihmojnë objektivitetin, por janë avokatë të fuqishëm të mëkatit dhe të egoizmit, që përdorin metoda të shumta për përhapjen e mesazhit të tyre.

Përpjekja për të mbetur i paanshëm lidhur me ungjillin është, në të vërtetë, kundërshtim i ekzistencës së Perëndisë dhe i autoritetit të Tij. Ne duhet pikërisht ta pranojmë Atë dhe gjithëdijeninë e Tij nëse duam që fëmijët tanë të shohin qartësisht zgjedhjet e jetës dhe të jenë në gjendje të mendojnë vetë. Ata nuk duhet të lihen ta mësojnë nga një përvojë e hidhur “se ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10).

Unë mund t’ju tregoj një shembull të thjeshtë nga vetë jeta ime se çfarë mund të bëjnë prindërit. Kur isha rreth pesë apo gjashtë vjeç, jetoja në anë të rrugës përballë një dyqani të vogël ushqimor. Një ditë dy djem të tjerë më ftuan të shkoja me ta në dyqan. Ndërsa qëndronim duke lakmuar ëmbëlsirat që shiteshin atje, djali më i madh rrëmbeu një ëmbëlsirë dhe e futi në xhep. Ai i nxiti djemtë e tjerë dhe mua të bënim po ashtu dhe pas një farë ngurrimi ne e bëmë. Pastaj ne ikëm me shpejtësi nga dyqani dhe vrapuam në drejtime të ndryshme. Unë gjeta një vend për t’u fshehur në shtëpi dhe e grisa ambalazhin e ëmbëlsirës. Mamaja ime më zbuloi me shenja çokollate që më kishin lyer fytyrën dhe më shoqëroi përsëri te dyqani i ushqimeve. Duke kapërcyer rrugën, isha i sigurt se po përballesha me burgim të përjetshëm. Duke qarë me dënesë e lotë, i kërkova falje pronarit dhe i pagova për ëmbëlsirën dhjetë qindarka që m’i dha hua mamaja (të cilat duhej t’i fitoja më vonë). Dashuria dhe disiplina e mamasë time vendosën një fund të prerë dhe të hershëm në jetën time të krimit.

Të gjithë ne përjetojmë tundime. Kështu i ndodhi edhe Shpëtimtarit, por Ai “nuk ua vuri veshin atyre” (DeB 20:22). Po kështu, ne nuk duhet thjesht të dorëzohemi sepse na del përpara një tundim. Ne mund të duam, por ne nuk duhet ta bëjmë. Një mikeshë dyshuese pyeti një të re në moshë madhore, e zotuar ta jetonte ligjin e dëlirësisë se “si ishte e mundur që ajo nuk kishte fjetur kurrë me ndonjë.” “A nuk dëshiron?” pyeti mikesha. Vajza e re mendoi: “Pyetja më intrigoi, sepse ishte aq tërësisht pranë çështjes… . Thjesht të duash është vështirë të jetë një orientim i përshtatshëm për sjellje morale.”7

Në disa raste, tundimi mund të ketë forcën shtesë të një varësie të mundshme apo reale. Unë jam mirënjohës që për një numër njerëzish në rritje Kisha mund të sigurojë ndihmë kurimi të llojeve të ndryshme, për t’i ndihmuar në shmangien apo përballimin e varësisë. Përsëri, kurimi mund të ndihmojë vullnetin e një njeriu, por nuk mund ta zëvendësojë. Gjithnjë dhe kurdoherë, duhet të ketë zbatim të disiplinës – të disiplinës morale të bazuar në besimin në Perëndinë Atë dhe Birin dhe në atë çka Ata mund të realizojnë tek ne nëpërmjet hirit shlyes të Jezu Krishtit. Me fjalët e Pjetrit: “Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit” (2 Pjetrit 2:9).

Ne nuk mund të themi se e ardhmja do të ngjasojë me të kaluarën – që gjërat dhe modelet mbi të cilat ne jemi bazuar ekonomikisht, politikisht, shoqërisht do të mbeten si më parë. Ndoshta disiplina jonë morale, nëse do ta edukojmë atë, do të ketë një ndikim për mirë dhe do t’i frymëzojë të tjerët të ndjekin të njëjtin drejtim. Ne mundemi, duke vepruar kështu, të kemi një ndikim në prirjet dhe ngjarjet e ardhshme. Të paktën, disiplina morale do të jetë një ndihmesë pa fund për ne kur përballemi me çfarëdo stresi dhe sfide që mund të paraqitet në një shoqëri në shthurje.

Ne kemi dëgjuar mesazhe plot mendim dhe të frymëzuara gjatë kësaj konference dhe në një moment Presidenti Tomas S. Monson do të thotë fjalët këshilluese përmbyllëse. Ndërsa shohim plot lutje çka kemi mësuar dhe rimësuar, unë besoj se Shpirti do të hedhë edhe më shumë dritë mbi gjërat që gjejnë zbatim të veçantë për secilin nga ne personalisht. Ne do të blindohemi në disiplinën morale që duhet për të ecur drejtësisht para Zotit dhe të jemi një me Të dhe me Atin.

Unë qëndroj vëllezërit e mi dhe me ju, vëllezër dhe motra të mia, si dëshmitar që Perëndia është Ati ynë dhe që Biri i Tij, Jezusi është Shëlbuesi ynë. Ligji i Tyre është i pandryshueshëm; e vërteta e Tyre është e përjetshme dhe dashuria e Tyre është e pafundme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. James E. Faust, Stories from My Life (2001), f. 2–3.

  2. Walter Williams, “Laws Are a Poor Substitute for Common Decency, Moral Values”, Deseret News, 29 prill 2009, f. A15.

  3. Duke u folur disa vite përpara anëtarëve me profesion juristë, Presidenti Xhejms E. Faust tërhoqi vëmendjen: “Ka rrezik të madh në justifikimin e asaj çka bëjmë personalisht dhe profesionalisht më shumë mbi bazën e asaj çka është ‘legale’, sesa të asaj që është ‘e drejtë’. Duke vepruar kështu, ne vendosim vetë shpirtrat tanë në rrezik. Filozofia që çka është ligjore është gjithashtu e drejtë do të na heqë atë çka është më e larta dhe më e mira në natyrën tonë. Një sjellje që është vërtet ligjore, është, në raste të shumta, shumë poshtë standardeve të një shoqërie të qytetëruar dhe vite dritë poshtë mësimeve të Krishtit. Nëse ju pranoni atë që është ligjore si standardin tuaj të sjelljes personale apo profesionale, ju do ta privoni veten nga ajo çka është vërtet fisnike në dinjitetin dhe vlerën tuaj personale” (“Be Healers”, Clark Memorandum, pranverë 2003, f. 3).

  4. “Bishop Fulton John Sheen Makes a Wartime Plea”, në William Safire, zgjedh., Lend Me Your Ears: Great Speeches in History, bot. rishik. (1997), f. 478.

  5. Shkrimtarë të redaksisë në gazetën Wall Street Journal vërejtën një herë:

    “Mëkati nuk është diçka me të cilin shumë njerëz, përfshi shumicën e kishave, kanë shpenzuar shumë kohë në vitet e revolucionit [seksual]. Por ne do të themi këtë për mëkatin: ai të paktën ofroi një kuadër referimi për sjelljen vetjake. Kur kuadri u shpërbë, faji nuk ishte e vetmja gjë që u zhduk; ne humbëm gjithashtu kriterin e përgjegjësisë vetjake… .

    Shtetet e Bashkuara kanë një problem droge, dhe një problem seksi në shkollat e mesme, dhe një problem ndihme sociale, dhe një problem SIDE (AIDS), dhe një problem përdhunimi. Asnjë nga këto nuk do të zhduket deri sa më shumë njerëz në poste përgjegjësie të kenë vullnetin të dalin përpara dhe të shpjegojnë, me terma të sinqerta morale, që disa nga gjërat që bëjnë njerëzit sot janë gabim” (“The Joy of What?” Wall Street Journal, 12 dhjetor 1991, f. A14).

  6. Henry B. Eyring, në Shaun D. Stahle, “Inspiring Students to Stand Strong amid Torrent of Temptation”, Church News, 18 gusht 2001, f. 5.

  7. Sarah E. Hinlicky, “Subversive Virginity,” First Things, tetor 1998, f. 14.