2009
Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore
Nëntor 2009


Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore

Duke praktikuar me kujdes, nëpërmjet zbatimit të parimeve të sakta, dhe duke qenë të ndjeshëm ndaj ndjenjave që vijnë, do të fitoni udhëheqje shpirtërore.

Pamja
Elder Richard G. Scott

Nëpër kohëra, shumë vetë e kanë fituar udhëheqjen e dobishme për të zgjidhur sfida në jetën e tyre, duke ndjekur shembullin e njerëzve të respektuar të cilët zgjidhën probleme të ngjashme. Sot kushtet e botës ndryshojnë aq shpejt, saqë një rrugë e tillë veprimi shpesh nuk është e mundur për ne.

Mua ky fakt më gëzon, sepse krijon një gjendje në të cilën ne, nga nevoja, jemi më të varur nga Shpirti për të na udhëhequr nëpër peripecitë e jetës. Si rrjedhojë, ne drejtohemi që të kërkojmë frymëzim për vete në vendimet e rëndësishme të jetës.

Çfarë mund të bëni ju që ta zhvilloni aftësinë tuaj për t’u udhëhequr drejt vendimeve të sakta në jetën tuaj? Cilat janë parimet mbi të cilat mbështetet kumtimi shpirtëror? Cilat janë pengesat e mundshme ndaj një kumtimi të tillë, që nevojitet t’i shmangni?

Presidenti Xhon Tejlor shkroi: “Jozef Smithi, më shumë se dyzet vjet më parë, më tha: ‘Vëlla Tejlor, ti ke marrë Frymën e Shenjtë. Tani ndiq ndikimin e atij Shpirti dhe ai ndikim do të të prijë drejt gjithçkaje të vërtetë, derisa gradualisht ai do të bëhet tek ty një burim zbulese.’ Pastaj ai më tha që asnjëherë të mos ngrihesha në mëngjes pa u përkulur para Zotit dhe pa ia kushtuar veten Atij gjatë asaj dite.”1

Ati Qiellor e dinte që ju do të hasnit sfida dhe që do t’ju kërkohej të merrnit disa vendime të cilat do të ishin përtej aftësisë vetjake për të vendosur me saktësi. Në planin e Tij të lumturisë Ai përfshiu një masë që ju të merrnit ndihmë në sfida e vendime të tilla gjatë jetës suaj të vdekshme. Ajo ndihmë do t’ju vijë si udhëheqje shpirtërore përmes Frymës së Shenjtë. Është një fuqi, përtej aftësisë suaj, që Ati i dashur Qiellor dëshiron që ta përdorni me qëndrueshmëri për paqen dhe lumturinë tuaj.

Kam arritur bindjen se nuk ka asnjë formulë ose metodë të thjeshtë që do t’ju lejonte të zotëronit aftësinë për t’u udhëhequr nga zëri i Shpirtit. Ati ynë pret që ju ta mësoni si fitohet ajo ndihmë hyjnore duke ushtruar besim tek Ai dhe Biri i Tij i Shenjtë, Jezu Krishti. Nëse do ta merrnit udhëheqjen e frymëzuar thjesht me kërkesë, ju do të bëheshit të dobët dhe gjithnjë e më të varur tek Ata. Ata e dinë se rritja e nevojshme vetjake do të vijë kur ju mundoheni të mësoni se si të udhëhiqeni nga Shpirti.

Ajo që mund të duket fillimisht si një punë shkurajuese, me kohë do të jetë shumë më e lehtë për t’ia dalë mbanë kur përpiqeni me qëndrueshmëri për të dalluar e ndjekur ndjenjat që nxiten nga Shpirti. Bindja juaj e brendshme tek drejtimi që merrni nga Fryma e Shenjtë, do të bëhet gjithashtu më e fortë. Unë ju dëshmoj juve se, kur fitoni përvojë dhe arrini sukses duke u udhëhequr nga Shpirti, bindja juaj e brendshme tek mbresat që ju mund të ndieni bëhet më e sigurt se varësia juaj ndaj asaj që shihni apo dëgjoni.

Natyra shpirtërore prodhon dy fryte. I pari është frymëzimi që të dish se ç’të bësh. I dyti është fuqia ose aftësia për ta bërë atë. Këto dy aftësi vijnë së bashku. Ja përse Nefi mund të thoshte: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”2. Ai i njihte ligjet shpirtërore mbi të cilat bazohen frymëzimi dhe fuqia. Po, Perëndia i përgjigjet lutjes dhe na jep drejtim shpirtëror kur jetojmë të bindur dhe ushtrojmë në Të besimin e kërkuar.

Tani po ju tregoj një përvojë që mua më mësoi një mënyrë për të fituar udhëheqje shpirtërore. Një të diel mora pjesë në mbledhjen e priftërisë të një dege spanjolle të Meksikos. E kam të gjallë në kujtesë se si një udhëheqës meksikan i priftërisë u përpoq të kumtonte të vërtetat e ungjillit nga lënda e mësimit të tij. Vura re dëshirën e thellë që kishte për t’ua shprehur anëtarëve të kuorumit të tij ato parime që ai i çmonte fort. Ai e dallonte se ato ishin të një vlere të madhe për vëllezërit e pranishëm. Tek mënyra e tij dukej një provë e dashurisë së pastër të Shpëtimtarit dhe dashuria për ata që mësonte.

Sinqeriteti i tij, pastërtia e qëllimit dhe dashuria lejuan që dhoma të rrethohej me një fuqi shpirtërore. Isha thellësisht i prekur. Atëherë unë fillova të marr mbresa vetjake si një pjesë shtesë për parimet e mësuara prej atij mësuesi të përulur. Ato ishin personale dhe lidheshin me detyrat e mia në atë zonë. Ato erdhën si përgjigje ndaj përpjekjeve të mia të gjata e plot lutje për të mësuar.

Ndërsa vinte secila mbresë, unë e shënoja me kujdes. Në këtë proces mua m’u dhanë të vërteta të çmuara që më nevojiteshin së tepërmi për të qenë një shërbëtor më i efektshëm i Zotit. Hollësitë e këtij kumtimi janë të shenjta dhe, ashtu si një bekim patriarkal, ato ishin për përfitimin tim vetjak. M’u dhanë drejtime, udhëzime dhe premtime të kushtëzuara të veçanta që e kanë ndryshuar në mënyrë të dobishme rrjedhën e jetës sime.

Më pas, unë vizitova klasën e Shkollës të së Dielës tek lagjja jonë, ku një mësues i mirëarsimuar paraqiti mësimin e tij. Ajo përvojë ishte në një kontrast të dukshëm me atë që kisha gëzuar tek ajo mbledhje e priftërisë. Mua m’u duk se mësuesi kishte zgjedhur qëllimisht referime të pakuptueshme dhe shembuj të pazakontë për të ilustruar parimet e mësimit. Unë pata një mbresë të qartë se ky mësues po e përdorte mundësinë e mësimdhënies për t’i lënë përshtypje klasës me bollëkun e tij të madh të njohurisë. Sido që të jetë, ai sigurisht nuk dukej sikur e kishte qëllimin tek kumtimi i parimeve siç e pati udhëheqësi i përulur i priftërisë.

Në atë mjedis mua filluan të më vërshonin sërish mbresa të fuqishme. I shënova ato. Mesazhi përfshinte një këshillë të posaçme për mënyrën si të bëhemi më të efektshëm si mjet në duart e Zotit. Pata një vërshim të tillë mbresash që ishin aq personale, saqë mendova se nuk ishte me vend që t’i shkruaja në mes të klasës së Shkollës të së Dielës. Kërkova një vend më të veçuar, ku unë vazhdova të shkruaja ndjenjat që më vërshuan në mendje e në zemër, me aq përpikëri sa mundesha. Pasi çdo mbresë e fuqishme u shënua, unë u mendova për ndjenjat që kisha pasur, për ta vendosur nëse i kisha shprehur ato me saktësi në të shkruar. Si rrjedhim, i bëra disa ndryshime të vogla asaj që u shkrua. Pastaj studiova kuptimin dhe zbatimin e tyre në jetën time.

Më pas u luta, duke rishikuar me Zotin se ajo që unë kisha menduar më ishte mësuar nga Shpirti. Kur ndjenja e paqes erdhi, unë e falënderova Atë për udhëheqjen që m’u dha. Atëherë pata mbresën të pyesja: “A kishte edhe më për t’u dhënë?” Unë mora mbresa të mëtejshme dhe procesi i të shënuarit të mbresave, i të menduarit dhe i të luturit për vërtetim u përsërit. Përsëri u nxita të pyesja: “A ka edhe më shumë që duhet të di?” Dhe kishte. Kur ajo përvojë e fundit, më e shenjta, u mbyll, unë kisha marrë një drejtim nga më të çmuarit, më të veçantët, më personalët që dikush mund të shpresojë t’i fitojë në këtë jetë. Nëse nuk do të reagoja ndaj mbresave të para e t’i shënoja ato, unë nuk do të kisha marrë drejtimin e fundit, më të çmuarin.

Ajo që kam përshkruar nuk është një përvojë e veçuar. Ajo mishëron disa parime të vërteta që lidhen me kumtimin nga Zoti tek fëmijët e Tij këtu mbi tokë. Unë besoj se ju mund të mos e dëgjoni drejtimin më të çmuar e më personal të Shpirtit, në rast se nuk i përgjigjeni, nuk shënoni dhe nuk zbatoni nxitjet e para që ju vijnë.

Mbresat e Shpirtit mund vijnë si përgjigje për lutjen këmbëngulëse ose pa i kërkuar, kur nevojiten. Nganjëherë Zoti jua zbulon të vërtetën kur ju nuk po e kërkoni atë në mënyrë aktive, si, për shembull, kur ndodheni në rrezik dhe nuk e dini. Sidoqoftë, Zoti nuk do t’ju detyrojë të mësoni. Ju duhet të ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes për të autorizuar Shpirtin që t’ju mësojë. Kur e bëni këtë një praktikë të jetës suaj, do të jeni më të mprehtë ndaj ndjenjave që vijnë me udhëheqjen shpirtërore. Atëherë, kur ajo udhëheqje vjen, nganjëherë kur e prisni atë më pak, ju do ta dalloni atë më lehtë.

Ndikimi frymëzues i Shpirtit të Shenjtë mund të mbizotërohet ose të mbulohet nga emocionet e fuqishme, si zemërimi, urrejtja, pasioni, frika apo krenaria. Kur ndikime të tilla janë të pranishme, është sikur të përpiqesh të shijosh aromën e brishtë të rrushit, ndërsa je duke ngrënë spec djegës. Të dyja shijet janë të pranishme, por njëra mbizotëron plotësisht tjetrën. Në mënyrë të ngjashme, emocionet e fuqishme i mbizotërojnë nxitjet e brishta të Shpirtit të Shenjtë.

Mëkati është vesformues, vetëdegjenerues, dorëzues tek lloje të tjera prishjesh, mpirës i natyrës shpirtërore, i ndërgjegjes dhe i arsyes, verbimsjellës para realitetit, infektues, shkatërrimtar për mendjen, trupin dhe shpirtin. Mëkati gërryen shpirtërisht. Po të mos i vihet fre, ai bëhet gllabërues. Ai mposhtet me anë të pendesës dhe drejtësisë.

Po ju them një paralajmërim. Satani është jashtëzakonisht i aftë për të bllokuar kumtimin shpirtëror duke i bindur individët, nëpërmjet tundimit, që të shkelin ligjet mbi të cilat themelohet kumtimi shpirtëror. Disa njerëz ai është i aftë që t’i bindë se nuk janë në gjendje të marrin një udhëheqje tillë nga Zoti.

Satani është bërë mjeshtër në përdorimin e fuqisë vesformuese të pornografisë për të kufizuar aftësinë e tyre që të udhëhiqen nga Shpirti. Sulmi i vrullshëm i pornografisë me të gjitha format e saj të liga, gërryese e shkatërrimtare ka shkaktuar mjerim, vuajtje e dëshpërim të madh dhe ka shkatërruar martesa. Është një nga ndikimet më të mallkuara mbi tokë. Qoftë me anë të fletëve të shtypura, filmave, televizionit, vargjeve të turpshme, gjuhës së ulët në telefon apo ekranit të trazuar të kompjuterit, pornografia është tmerrësisht zakonformuese dhe rreptësisht dëmtuese. Ky mjet i fuqishëm i Luciferit degradon mendjen, zemrën dhe shpirtin e kujtdo që e përdor. Gjithkush që kapet nga rrjeta e saj joshëse e mundimtare dhe mbetet ashtu, do të bëhet i varur nga ndikimi i saj amoral e shkatërrimtar. Për shumë vetë ajo varësi nuk mund të mposhtet pa ndihmë. Modeli tragjik është shumë i njohur. Fillon me kureshtjen e cila ushqehet nga vetia e saj nxitëse dhe që shfajësohet me pandehjen e rreme se, kur shihet në vetmi, ajo nuk cënon askënd tjetër. Për ata që përkunden nga kjo gënjeshtër, eksperimentimi shkon më thellë, me më shumë nxitje të fuqishme, derisa gracka mbyllet dhe një zakon tmerrësisht amoral e skllavërues ushtron kontrollin e tij të lig.

Pjesëmarrja në pornografi, në çfarëdo forme të saj të tmerrshme, është një shfaqje e egoizmit të shfrenuar. Si mundet një burrë, veçanërisht një mbajtës i priftërisë, të mos mendojë për dëmin emocional dhe shpirtëror që u shkaktohet grave, veçanërisht bashkëshortes së tij, nga një veprimtari e tillë e neveritshme?

Mirë e shprehu Nefi i frymëzuar: “Dhe [djalli] … do t’i paqësojë dhe do t’i përkundë në siguri trupore, … dhe kështu [ai] gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr”3.

Nëse jeni zënë në grackën e pornografisë, merrni një zotim të plotë për ta mposhtur atë tani. Gjeni një vend të qetë; lutuni urgjentisht për ndihmë e mbështetje. Jini të duruar dhe të bindur. Mos u dorëzoni.

Prindër, jini të vetëdijshëm që varësia nga pornografia mund të fillojë me të riun që në moshë të hershme. Përdorni veprime parandaluese për të shmangur atë tragjedi. Presidentë të kunjeve dhe peshkopë, paralajmëroni për këtë ligësi. Ftoni këdo që ju e konsideroni të kapur prej saj, të vijë tek ju për ndihmë.

Një person me themel standardesh dhe me një zotim të qëndrueshëm për t’iu bindur atyre, nuk nxirret lehtë nga rruga e drejtë. Dikush që është gjithnjë e më i neveritur nga mëkati i rëndë dhe që ushtron vetëpërmbajtje pa ndikim të jashtëm njerëzor, ka karakter. Pendimi do të jetë më i efektshëm për një person të tillë dhe dënimi mund të jetë më pak i rreptë. Ndjenja e keqardhjes pas një gabimi, është një tokë pjellore ku pendimi mund të lulëzojë.

Kini durim ndërkohë që jeni duke përsosur aftësinë tuaj që të udhëhiqeni nga Shpirti. Duke praktikuar me kujdes, nëpërmjet zbatimit të parimeve të sakta, dhe duke qenë të ndjeshëm ndaj ndjenjave që vijnë, do të fitoni udhëheqje shpirtërore. Unë jap dëshmi që Zoti, përmes Frymës së Shenjtë, mund t’ju flasë në mendje dhe në zemër. Ndonjëherë mbresat janë vetëm ndjenja të përgjithshme. Ndonjëherë drejtimi vjen aq qartë dhe aq i pagabueshëm, saqë ai mund të shënohet si një diktim shpirtëror.4

Jap dëshmi solemne se, kur ju luteni me të gjithë zjarrin e shpirtit tuaj, me përulësi dhe mirënjohje, ju mund të mësoni të udhëhiqeni me qëndrueshmëri nga Shpirti i Shenjtë në të gjitha aspektet e jetës suaj. E kam vërtetuar vërtetësinë e atij parimi nëpër vështirësitë dhe sprovat e jetës sime. Unë dëshmoj se ju vetë mund të mësoni që të zotëroni parimet për t’u udhëhequr nëpërmjet Shpirtit. Në atë mënyrë Shpëtimtari mund t’ju udhëheqë për të zgjidhur sfidat e jetës dhe për të gëzuar paqe të madhe dhe lumturi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. John Taylor, The Gospel Kingdom, bot. G. Homer Durham (1943), f. 43–44.

  2. 1 Nefi 3:7.

  3. 2 Nefi 28:21.

  4. Shih DeB 8:2.